MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Paraprakisht është e rëndësishme të shprehim vlerësimin dhe respektin maksimal për diplomatët shqiptarë të vlerës dhe virtytit, që me anë të profesionalizmit diplomatik kanë realizuar me sukses përfaqësimin e shtetit dhe zbatimin e politikës së jashtme, duke e ngritur lartë emrin e Shqipërisë.
Diplomacia përbën “trurin” e shtetit dhe të kombit, sepse nga vetë përkufizimi i diplomacisë si arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, kuptohet qartë roli jetik i saj. Nëse e shohim më konkretisht, diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetin e akredituar.
Në vitin 1866, studiuesi Charles de Mortens shprehet mbi përkufizimin e diplomacisë, duke thënë: “Diplomacia është shkenca ose arti i negocimit”. Kjo nënkupton qartë se diplomati lypset të ketë cilësi dhe tipare shumëdimensionale dhe pjekuri të thellë në negocim, trakate dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Që nga fillimet e saj dhe deri në vitin 1944, saktësisht nga mbarimi i Luftës së II-të Botërore kriteret mbi karrierën diplomatike dhe përbërja në Shqipëri ishin diplomaci aristokratike dhe pasurie. Ndërsa përgjatë viteve 1944 – 1990, nën regjimin komunist shqiptarë diplomacia u ideologjizua krejtësisht. Vetëm ardhja e viteve 1990, solli ndryshime radikale për kriteret, përbërjen e shërbimit diplomatik dhe karrierën diplomatike duke e demokratizuar sistemin Shqiptarë tërësisht, ku vihej theksi tek një diplomaci demokratike në bazë të meritës, vlerës dhe konkurrencës së drejtë.
Por është fatëkeqësi që nga vitet 1990 deri në vitin 2015, në diplomacinë shqiptare ka mbizotëruar diplomacia “familjare” dhe diletantiste. Në diplomacinë shqiptare pavarësisht arritjeve dhe përparimeve të dukshme, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare më të mira, kanë gjetur terren dukuritë negative, në rekrutimin e personelit diplomatik nga diplomati me gradën më të ulët deri tek grada më e lartë Ambasadori. Ardhja e demokracisë pas viteve 1990, duhet të kishte sjellë bashkë me lirinë dhe konceptin e profesionalizmit në ushtrimin e çdo detyre ose profesioni. Kjo do të kishte shmangur të gjitha dukuritë negative që vërejme sot në shërbimin diplomatik dhe konsullorë shqiptarë.
Bazuar mbi aftësitë që duhet të posedojë një diplomat i vërtetë, akademiku dhe diplomati francez Francis de Callieres në vitin 1716, saktëson se: “Një diplomat duhet të zotërojë aftësi shpejtësie, shkathtësie, dinakërie, njohurie të shumëanëshme dhe mbi të gjitha mprehtësie. Dhe nuk është çudi që personat që angazhohen në këto detyra për hir të titullit dhe pagesës e pa asnjë ide mbi detyrat që përfshihen, shërbejnë si stazhier duke dëmtuar shumë rëndë punët të cilat i janë besuar atyre”.
Për rreth 25 vite me rrallë diplomacia shqiptare është mbuluar nga nepotizmi, politizimi, korrupsioni, klientelizmi dhe diletantizmi diplomatik, madje i shfrenuar. Në mënyrë që të kemi diplomaci, politikë të jashtme të sukseshme dhe produktive në interes të shtetit dhe kombit, kërkohet që të mbahen larg diplomatët amatorë.
Shqipëria, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme duhet ti kthejë sytë nga praktikat më të përparuara të diplomacisë ndërkombëtare, që në këtë mënyrë edhe reformat e reja të qeverisë ose ligji për Shërbimin e Jashtëm të jetë në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të demokratizohet sistemi diplomatik nga baza e priamidës deri në majë.
Sot në vitin 2015, me Shqipërinë një hap larg hapjes së negociatave për antarësimin në Bashkimin Europian dhe më tej antarësimin e plotë, ndjehen shumë pasojat e gabimeve të së shkuarës me diplomatët e karrierës. Që nga vitet 1990, janë kryer emërime politike, futje në sistemin e karrierës diplomatike të diplomatëve amatorë e diletantë, largimi nga puna i diplomatëve profesionist këto veprime kanë goditur bërthamën e diplomacisë shqiptare.
Vitet e fundit janë bërë shumë gabime ku me anë të çdo rotacioni politik, janë kryer edhe rotacione diplomatike. Njëherë e përgjithmonë duhet të marrë fund hyrja dhe dalja në diplomaci me emërime politike dhe nepotizëm që janë elementet bazë të diletantizmit diplomatik, momenteve në të cilat proçedurat, rregullat dhe ligjet diplomatike nuk respektohen duhet ti vijë fundi. Largimet nga puna, emërimet e nxituara politike, vakancat e titullarëve, tejkalimi i mandatit të diplomatit kanë rritur dhe do të vazhdojnë të rrisin imazhin negativë të shtetit shqiptarë në ralizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në proçesin e reformimit të diplomacisë shqiptare që ka filluar që nga viti 2014, shteti shqiptarë duhet të bazohet tek meritokracia, konkurrenca e drejtë dhe vlerat europiane. Sytë duhet të drejtohen edhe tek brezi i ri i profesionistëve të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, energjia, pasioni, forca, freskia, potenciali, vlerat, vizionet, arsimimi, kultura, dijet intelektuale dhe njerëzore që posedojnë janë të domosdoshme për suksesin e diplomacisë shqiptare.
Është e qartë se për 25 vite, Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë nuk është respektuar në nivelin e duhur. Për pasojë MPJ, diplomatët e çdo rangu, politika e jashtme e Shqipërisë, diplomacia shqiptare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit tonë, nuk kanë qënë në lartësinë e kërkuar, ka pasur mungesë të profesionistëve të diplomacisë, mungesë etike dhe protokolli dhe emerime pa plotësuar kriteret e shërbimit të jashtëm.
Si duhet vepruar për të pasur profesionalizëm diplomatik ? Si specialist dhe studiues i fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, zgjidhja është tek respektimi i elementëve të mëposhtëm:
1.) Pranimi i diplomatëve duhet të bëhet në respekt të plotë të “Ligjit për Shërbimin e Jashtëm”.
2.) Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Integrimit Europian, duhet të ngrihen struktura të reja, inovative me ekspertë dhe profesionistë të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilët prioritet kryesorë të kenë shpejtimin e proçesit të antarësimit në BE.
3.) Emërimet në diplomaci duhet të jenë në bazë të sistemit diplomatik të karrierës, përfshirë këtu edhe konkurset.
4.) Kërkohet një ndarje e qartë ndërmjet diplomatëve të karrierës dhe diplomatëve politikë.
5.) Duhet respektuar ligji i shërbimit diplomatik për promovimin e diplomatëve, respektimin gradave, hirarkisë dhe titujve diplomatikë.
6.) Ekspertët dhe profesionistët e diplomacisë duhet të rekrutohen sipas konkurrencës së lirë dhe të drejtë.
7.) Akademia Diplomatike Shqiptare, duhet të jetë më aktive në formimin dhe edukimin profesional të diplomatëve të rinj.
Shqipëria pavarësisht ulje-ngritjeve të së shkuarës dhe të së tashmes të ardhmen e diplomacisë profesioniste e ka shumë të sigurtë, por duhet të kuptojmë qartë që diplomat nuk mund të bëhet kushdo. Nëse çdo individi i jepet ajo që i takon e asgjë më tepër, ku mbizotëron drejtësia, ligji, rregulli, konkurrenca dhe gjthë ato parime dhe vlera universal që ruajnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në epokën e globalizmit, profesionalizmi diplomatik do të jetë realitet i përditshëm. Si mbyllje simbolike më duhet të perifrazojë shtetarin dhe diplomatin japonez Komura Jutaro, i cili konstaton: “Diplomati duhet të përdorë veshët e tij, dhe jo gojën e tij”.
Mark Gjonaj says
Me pelqej kjo teme! Nuk jam i zanatit, por bukur si mire i ka rrjeshtuar problemet, se si mund grupohet korpusi profesionist i diplomateve te vendit tone. Kam nje sugjerim vetem ne forme pyetje per “Akademine Diplomatike Shqiptare”, e kemi si institucion ne vete tash ne demokraci, apo e perdor, si shprehje te nje koncepti profesional i akumuluar ne vite, qe sherben per kompletimin e diplomateve tane? Une di se nuk kemi pase nje gje te tille, vetem kurseve qe organizoheshin here pase here dhe si universitete nuk kemi pase te vecante, me perjashtim te atyre qe vecoheshin nga dege te ndryshme te perafert me kete detyre te jashtme shtetrore. Madje ne kete detyre, shkonin femijet e te medhenjeve qe shume nga ata nuke justifikonin kete detyre; ose ishin te vonuar nga intelekti. Biles ka pase dhe nga ata qe dhe jane arrestuar. Ndersa gafat ne kete regjimin e tanishem jane pa hesape dhe ju zerat i keni prekur ne shkrim. Pra, qe nga diplomati i thjeshte dhe deri tek ambasadore jane kapur me droge dhe me shkelje ligjore, nuk behet fjale nepotizmi, paaftesia, mungojne lidhjet e sinqerta dhe te organizuara me emigracionin dhe kjo shkon deri ne piramide, si pune sabotuese, nuk zbatohen urdherat e ministrit, dhe mosrakordime me kompetencat e Presidentit e tj; flitet shume dhe nuk behet asgje konkrete dhe qe baza eshte rekrutimi dhe mbarimi i shkolles perkatese. Me thuaje i thone se cfare akademije ke dhe te them shkallen e diplomacise. Mendoj se diplomacia e sistemit komunist ka qene ma e mire per nje arsye te forte: – Ishte nje parti ne drejtim, nje udheheqes dhe nje sistem i kundert dhe me nenllojet e te tjerve (shtete socialiste) dhe po se po me sistemin kapitalist; por ne kushte te veshtira e kryen punen. Edhe sikur t’u pergjigjeshin te drejtes nderkombetare, nuk mund te behej diplomacia me vepren e Enverit, me libra te shkruara si kujtime, mirpo ishe i detyruar t’i kendoje si hoxha, ndonse qeshnin me diplomatet tane! Sot e kane me te lehte, sic jeni ju me shkolle e master te mbaruar!Them se baza e diplomacise se nje vendi eshte madhesia teritoriale dhe njerzore e nje shteti, pozicioni gjeopolitik dhe ekonomia me resurset e veta. Faleminderit