Luan Rama/
(Me rastin e mbylljes së ekspozitës në Maison de l’Albanie)
Ilir Stili, piktor nga Kosova, ka jo pak vite që ka ardhur në Francë dhe është arti i tij që e ka bërë të spikasë në jetën artistike franceze, veçanërisht në Normandi ku dhe jeton. Duke parë akuarelet e tij në thepisjet shkëmbore të La Manche nuk mund të mos imagjinosh atë « dehje » të tij për brigjet franceze, për detin, poetikën detare, për çka impresionistët e para një shekulli e gjysmë krijuan tablotë e tyre të mrekullueshme në Honfleur, Dauville, Trouville, Etretat, Yport apo Cabourg. Këtij piktori i pëlqen të prekë gjurmët e impresionistëve të dikurshëm, të një Claude Monet, Eugene Bodin, Gustave Courbet e shumë të tjerë. Është impresioni që e godet ndjesinë e shpirtit të tij, duke dashur ta hedhë sa më shpejt në letër apo kanavacë atë ndjesi impresionante, ti japë jetë çastit poetik të natyrës, e cila shpejt tjetërsohet, retë shkojnë, qielli mbyllet, e një orë më pas përsëri dielli që shfaqet madhërishëm duke krijuar një spektakël të dritës, gjithnjë të ndryshëm. Ja pse duhet nxituar…
Një « dehje » pikturale
Kjo ndjesi për detin është e kuptueshme për të që vjen nga Kosova të cilës deti i ka munguar edhe pse sot e ka në Shqipëri. Ja pse dhe « dehja » në brigjet normande, në « falaises » siç i quajnë francezët këto thepisje shkëmbore mbi det, është kuptimplote. Akuarele të lehta, plot dritë, ku peneli i ka fshikur si të dojë ta përkëdhelë letrën, peizazhin : barka, dallgë, bluja dhe kafja e lehtë, e bardha e letrës, një lojë ngjyrash nëpër flladin detar. Janë akuarele të shumta që ai i ka ekspozuar në qytete dhe qyteza të shumta të Normandisë, Bretanjës, për çka shtypi ka shkruar shumë. Ka një lloj entusiazmi rreth tij nga mediat dhe publiku i thjeshtë. Francezët i pëlqejnë akuarelet, ka një lloj tradite, veç asaj primare që është piktura e vajit në kanavacë. E megjithatë akuareli, guashi dhe pasteli mbeten gjithnjë të pëlqyeshme, pasi ka diçka të gëzueshme në to, diçka poetike. Megjithatë për këtë piktor akuarelet nuk janë vetëm në Normandi : janë kullat mesjetare, qytetet e vjetra karakteristike me gjurmët e historisë, është Parisi me vendet e tij mitike. Para disa ditësh, ai përfundoi dhe një akuarel të bukur për kështjellën e Shkodrës me një kompozim të mrekullueshëm dhe harmoni ngjyrash : një festë dritash. Është arti, krijimi, që i jep hire dhe frymë peizazhit, kështjellave, njerëzve, pasi dhe portretet për këtë piktor janë të dashura. E po kështu dhe nudot…
Gjeografia pikturale
Është e habitshme dëshira e këtij piktori për të qenë në një kontakt të përhershëm me natyrën, thua se është vetë bota në lëvizje që e frymëzon: ai ka dëshirën e flladit, gjallimit njerëzor, ekstazës së natyrës, frymëmarrjen e qytezave, pasi për të gjithçka është frymëmarrje, ndjesi, impresion dhe ai ka dëshirë ta kapë çastin e imazhit të bukur poetik dhe ta fiksojë menjëherë, atëherë kur drita na tregon flakërimet e një dielli në perëndim si në një peizazh të Venecies, atëherë kur drita ka magjinë e saj. Të udhëtosh 8000 km brenda një viti siç ndodhi në 2023 do të thotë të jesh një artist udhëtar, të jesh një bohem i botës pikturale, të ndjekësh udhët e gjata, bregoret, brigjet mesdhetare të Adriatikut, Dubrovnikun, brigjet e Spanjës, të mbarsesh me vizionet e ngrohta të Mesdheut si në Tossa del Mar dhe ti hedhesh vizatimet e shpejta në fletoren e udhëtimit (carnet de voyage) , të vëzhgosh dhe pastaj të marrësh penelin e të nxjerrësh nga shpirti impresionin, ndjesinë më të thellë dhe fine, atë që përmban tharmin e artit të vërtetë. Kur më telefonoi një ditë ishte në Grandville, tri ditë më vonë në Dieppe, pastaj në Trouville, në qytezat e mrekullueshme normande përmbytur nga okra e diellit, bluja e detit apo jeshilja e kodrinave të gjelbëruara. Gjithnjë në udhëtim, dhe në çdo ndalesë pikëtakon një histori pikture, rigjen gjurmët e një mjeshtri të madh, tablotë e të cilëve kanë hyrë në historinë e artit botëror. Është jeta e tyre që ende pulson, jeta në art. Duket sikur të ringjallet Courbet me kavaletin e tij në brigjet e Trouville ku pak më tutje, në një nga kafenetë, Flaubert shkruan në heshtjen e tij dhe përballë një Calvados, ndoshta historinë e « Ema Bovary ».
Ilir Stili është me origjinë nga Presheva por në vitet 60 familja e tij u shpërngul në Ferizaj të Kosovës. Që në moshën 7-8 vjeçare i pelqente të vizatonte, çka më pas u bë një pasion i vërtetë. Pas studimeve universitare për artet e bukura vazhdoi të krijonte tablo në bojë vai por ishte vendosja në Francë, fillimisht në Mulhouse e më pas në Rouen të Normandisë buzë Seine-s për të cilën Pissarro thoshte se “Rouen është po aq e bukur sa Venecia”. Aty Pissarro pikturoi tablonë e famshme “Port de Rouen – Saint Sever”. Pikërisht në këtë qytet Stili zbuloi botën e akuarelit, një teknikë jo fort e njohur në Kosovë edhe pse një nga teknikat më të vjetra të njerëzimit ku lanë gjurmët e tyre shumë artistë të mëdhenj që nga Raffaelo, piktorët japonezë, kinezë, më vonë hollandezët e mëdhenj apo Van Dyck, etj. Ishte natyra që e mrekulloi, ashtu si një shekull e gjysmë më parë kishte mahnitur impresionistët francezë. Jo, nuk mund ta anashkalonte atë botë fluide, shumëngjyrëshe, me blunë e detit, të gjelbërtën e fushave dhe kodrinave, okrën e diellit, kafen e thepisjeve, bedenave dhe mureve mesjetare. E imagjinoj atë një çast të hutuar dhe në ekstazë njëkohësisht, me nxitimin për ta kapur dhe fiksuar atë çast magjik të natyrës, atë imazh “instantané”, ku retë shfaqen, largohen dhe pas një çasti të shpejtë rivijnë sërish si në tablotë e dikurshme të plakut Baudin, mjeshtrit që adhuronte vetë Monet, i cili në vitin 1894 pikturonte katedralen e Rouen dhe që për të cilën do të shkruante: “Pata një zgjëndër. Katedralja shëmbej mbi mua. Kishte ngjyrë blu, rozë apo të verdhë…” Ishte katedralja para së cilës, që ditën e parë në Rouen, ai kishte qëndruar i mahnitur me dëshirën për ta pikturuar. Dhe të nesërmen kishte nxituar para saj me penelin në dorë. Unë i flas për kubistin George Braque dhe ai më thotë duke qeshur se pikërisht atje ku është varri dhe kisha e pikturuar prej tij, pikërisht në atë fshat ai drejton dhe një kurs për piktorët e rinj të apasionuar pas akuarelit. Dhe pamja në Varengeville-sur-Mer është e mrekullueshme. Braque donte që dhe i vdekur, nga varri i tij në varrezën shkëmbore të shikonte magjinë detare. E si mos të frymëzohesh në atë peizazh ku Braque flë në paqen e tij përqafuar me pikturën e tij të përjetshme?
Ilirit nuk i pëlqen thjesht të kopjojë apo të “fotografojë” realitetin. Ai kërkon ta shohë atë ndryshe, që arti, krijimi, fantazia ti japë një tjetër vlerë këtij realiteti, ta kthejë në një objekt arti për të zgjuar diçka më shumë tek publiku. Dhe pikërisht mbi letër nis të krijohet ajo ngjizmë mes reales dhe ireales, imazhit realist dhe modernes. Peizazhet marrin një tjetër optikë, kompozohen ndryshe, tashmë është elementi personal, vetë artisti, “uni” i tij. Mjafton të shohësh disa nga peizazhet shqiptare të tij për ta kuptuar këtë siç janë Dhërmiu, Kruja, Berati, kështjella e Rozafës, Gilani, ujvara e Mirushës në Kosovë etj., për të kuptuar këtë lloj improvizimi, këtë ngasje mjeshtërore, këtë “lëvizje” të formës së qytezës por duke ruajtur fizionominë e saj. Kështu kishte hedhur në akuarel dhe kështjellën e Petrelës me një frymë modern, jo siç kishte qenë ajo në shekullin e XII kur garnizoni bizantin e perandor Aleksi I-rë dhe shqiptarët vendas përballonin furinë normande më të tmerrshme të botës të udhëhequr nga Robert Guiscard çka përshruhet në kronikat e Ana Komnenës. Tjetër epokë, të tjera ngjyra, tjetër frymëzim.
Nganjëherë edhe ai vetë, gjatë krijimit të shpejtë nuk e kupton dorën e tij që lëviz me shpejtësi pa mundur ta komandojë. Ajo lëviz sipas impresionit, shpirtit. Është shpirti që ndjek linjën, që hedh ngjyrën, jo thjesht dora. Gjithë kjo ngjizje e bën tablonë tepër origjinale, personale çka e dallon nga një akuarelist tjetër. Akuarelet më të bukura janë në formatin 47x 50 cm mbi letrën « extra blanche” pra tepër të bardhë, punuar me bojën e llojit “Daniel Smith”.
Ilir Stili është një piktor që nuk rresht në krijimet e tij. « Dehja » e tij nuk është vetëm deti, brigjet, portretet në vaj, kompozimet. Dehja e tij duket se ështe totale dhe ku artisti e identifikon qenien e tij me artin, ngjyrën, rikrijimin poetik. Ai jeton me të… dhe në gjumë.