Asllan Bushati/
Masmedja izraelite (por jo vetëm) kohët e fundit, ka bërë me dije se një derivat i rrezikshëm i lëndës narkotike të grupit amfetaminë e quajtur “Captagon” është gjetur në formë tabletash tek autorët e sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023 kundër Izraelit. Kjo është konstatuar si tek të kapurit gjallë por edhe në gjakun e të vrarve.
“Ky narkotik njihet edhe me nofkën “kokaina e të varfërve ose edhe si kimikati i guximit të ISIS-it” sepse për disa vite rresht Captagoni ishte përhapur tek pjestarët e Shtetit Islamik kryesisht në Irak e Siri. Çmimin e ka të ulët ku llogaritet se kushton diku mes një dhe pesë dollarë dhe kostoja e ulët mund të shpjegojë konsumimin e gjerë që kjo substancë ka në mesin e të rinjve në Lindjen e Mesme,” thotë zonja Carmit Valensi nga Instituti për Studime të Sigurisë së Izraelit.
Arsyeja e përdorimit të kësaj droge të grupit lëndëve helmuese luftarake BZ (jo vrasëse) në veprimtarinë luftarake, është se ajo u jep përdoruesve përkohësisht fuqi mbinjerzore, aftësi të qëndrimit pa gjumë, qetësi e përqëndrim maksimal për disa ditë. Më pas vjen periudha e degradimit dhe e dëmeve serioze në shëndetin e përdoruesve si: ulje e presionit gjakut, marrje mendësh, përgjumje, humbje oreksi, ulje e shikimit etj. Captagoni është tregëtuar në të kaluarën si ilaç psiko-stimules, por është ndaluar në shumicën e vendeve të botës për efektet negative që ai jep në organizëm.
“E dimë që është gjetur Captagon. E dimë që është gjetur në sasi të mëdha. Dhe mund të supozojmë nga kjo se është përdorur gjerësisht nga terroristët e Hamasit për të dobësuar gjykimin e tyre moral, për të nxitur aktivitetin luftarak, për të nxitur eksitimin seksual, për të zvogëluar çfarëdo lloj kufizimi për të kryer krime,” thotë drejtori i Qendrës Mjekësore për Trajtimin Varësisë së Izraelit Shaul Levran.
Por shumë analistë ushtarakë (të Izraelit e perendimor), thonë se substanca “Captagon” nuk mund të përvecohet si faktor i vetëm për krimet që Hamasi ka kryer në Izrael. Ata thonë se përgjegjësia për brutalitetin është shumë më e madhe dhe rrjedh nga indoktrinimi dhe dehumanizimi shumëvjeçar që është bërë kundër popullit hebre.
Përdorimi i substancës Captagon thonë analistët, nuk është ceshtje vetëm në kontekstin e sulmit të Hamasit kundër Izraelit. Ai është kthyer tashmë në një produkt jashtëzakonisht fitimprurës, që prodhohet kryesisht në Siri dhe eksportohet në shtetet arabe të Lindjes së Mesme, shumë prej të cilave kanë shpallur përdorimin e tij si një urgjencë kombëtare e shëndetit publik. Luftrat e vazhdueshme duket se e kanë kthyer Lindjen e Mesme në një “parajsë” për trafikantët e drogës, të cilët po gjejnë një treg me kërkesë të lartë për të shitur “mallin” e tyre. Para disa kohësh edhe njësitë siriane te antidrogës haptas kanë njoftuar se kanë sekuestruar një sasi rekord prej 2.3 tonësh Captagon, të kësajn lende narkotike shumë të rrezikshme të familjes së amfetaminës, e ngjashme me kokainën por me cilësi më të ulët.
Ne fillim, prodhimi i kësaj droge ishte fokusuar në Liban, ku Shteti Islamik e shiste masivisht për të financuar aktivitetet e tij. Captagoni u pagëzua si “droga e Xhihadit” pasi u gjet në bazat e militantëve, përfshirë dhe atë të përdorur nga islamistët që vranë 90 vetë në teatrin Bataclan të Parisit, në vitin 2015.
Para dy vitesh edhe autoritetet italiane njoftuan se kishin kapur 14 tonë pilula amfetaminash që mbërrinin një vlerë tregu prej 1 miliardë dollarë e që vinin nga Siria. Ky u përshkrua atëherë si operacioni më i madh i këtij lloji në botë.
Detajet e më sipërme për përdorimin e Captagonit nga trupat e Hamazit, i ngarkon me përgjegjësi deri në krime lufte gjeneralët idiotë që planifikuan e udhëhoqën sulmin e 7 tetorit 2023. Sulm nga i cili u vranë 1200 e rrëmbyen 240 izraelitë, por nga ana tjetër ata i shkaktuan popullit palestinez edhe një tjerët plagosje të madhe me humbjen e mbi 34 mijë njerëzve të pafajshëm.
Po ashtu edhe Izraeli kreu jo pak veprime që janë krime lufte ku Gaza u këthye në rrënojë me spitale, shkolla, pallate e shtëpi private, rrugë, ura sheshe e objeke kulti etj.
Nga sa më sipër mund të arrijmë në përfundimin se: konfliktet e reja ushtarake janë shtuar shumë nga përplasjet gjeostrategjike duke shpërfillur marrveshjet e deri tanishme. Rreziqet që i kanosen globit si: mbi popullimi, burimet e ushqimit e të ujit, ndotja, rrezatimi, inteligjenca artificiale të marra vec e vec të gjitha prodhojnë luftë. Ndoshta ndonjë i cmendur do të provojë edhe përdorimin e armëve bërthamore se ato biologjike tashmë kanë filluar. Kjo na rikujton se vijmë nga egërsia e nuk largohemi dot prej saj.