M’u prish gjumi në mesnatë/
Përparim Hysi/
M’u prish gjumi në mesnatë, më s’u mbyll ky syri im
Dhe u nisa nëpër natë, rrugë të gjatë e në shtegtim
Shkoj në vënde ku kam shkelur, nëpër miq e nëpër shokë
Ca prej miqëve s’i kam gjetur dhe nga malli bie n jë lot.
Kaq mjaftoi që mos mbyll sy dhe më mbetën sytë kllap
Ah, ç’më gjeti, miqtë e mi! Mu në zëmër kam një plagë
Mëndja shkoi e bredh azat në gjithë vëndet ku kam shkelur
Ndaj mua sytë më mbetën haptë dhe nga malli krejt jam shkrehur.
Shpirti im
Shpirti im mbushur lirika seç mbuisi tepër vonë
Në se pak unë u mbollisa,qe një kohë, për mua,zezonë!
Sepse ikje kotë së koti, mu si qeni,- thonë,- në vreshtë
Dhe nuk isha Don Kishoti që atë kohë ta gjuaj me “heshtë””
Prandaj heshta… edhe heshta (të rrah gjoksin,është e kotë)
Nuk guxova të shkruaj vjersha (qe një kohë,aman, o Zot!)
Sepse shkrimi ish dëshmi,s’ka seç duhej dëshmitari
Shkurt e shkurt lexues të mi: drejt për drejt tek Haznedari *
Ky për ditë lëpinte kosën, nuk ish kosë, po qe hanxhar
As mos pyesni për Golgotën, më mirë vdekur se i gjallë
Ndaj buisa pak si vonë,siç buis dhe Agavita **
Më mirë kurrë a më mirë vonë? Edhe heshtjes i ra pika!
* Haznedari- një nga xhelatët e asaj kohe
** Agavita çel pas 25 vjetësh.
*** Kam filluar të shkruaj pasviteve ’90-të.
Imazhi
Para meje- fleta e bardhë
Dhe stilolapsi në dorë
Në mëndje- një kumt i bardhë
Si kredhur, i tëri, nën dëborë.
Mandej imazhi i bukur
Dhe sytë: eh,ç’sy,si qiellorë!
Tek shkruaj, jam krjet turbull
Tunduar nga një tis nervor.
Se aq imazhin ma ka ënda
Sa jam nën trysni e nervoz
M’i kënda ata sy m’i kënda
Imazhi vjen e më nakatos.
Sikur të kem pirë një ilaç
Ilaç që më rregullon midenë
Ah, imazh! I bukuri imazh
Gjumin ma prishe dhe e di dhe psenë?
Dhe vjen një kohë
Dhe vjen një kohë që zihen etërit me bijtë
Zihen, nuk merren vesh dhe sa nuk kacafyten
Sikur për jetën dinë më shumë të rinjtë
Sikur,sa plaken, etërit shkuan: u “lajthitën?!”
Dhe kjo kontradiktë sa vjen e rritet
Ashtu si lumi që fryhet nga shirat
Do të thoni ju:- A mund që të zgjidhet?
Jo. Kështu vazhdojnë zënkat dhe mërirat.
Se me kut tjetër pret e mat pleqëria
Të rinjtë,s’do mend, kanë tjetër “matë”
Sa vjen e mes tyre-dëborë dashuria
Dhe, në mos zihesh me bijtë, je me fat.
Kështu shkruaj dhe,kështu, dhe po ndodh
Çdo gjë është e dukshme: pasqyra është përpara
Të mohosh ç’shkruaj, kot mos u lodh
Se kam parë shumë dhe jam me flokë të bardha.
O moj gusha rrath-rrath!
O moj gusha rrath-rrath!
A e sheh? Po bëj bërdaf!
U ciflosa porsi xhami
Dhe mëdysh më ndahet xhani.
Më këputi për ty malli
E pësoka dhe kokëbardhi
Më dogj malli mua për ty
Mua, plakut,sevdalli.
Mua plakut sevdalli
Që më plaçin që të dy
Më dogj vapa e korrikut
Dhe m’u ngjall malli i ashikut.
Ca nga vapa,ca nga malli
Shkoi e vate kokëbardhi…
Tiranë, korrik 2014