• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

In memoriam, GËZIM TEKI LIBOHOVA

September 21, 2016 by dgreca

Nga  Përparim   Hysi/Dje përcollëm për në banesën e fundit një njeri me vlera të veçanta. Përcollëm një veteran jo vetëm të LNAÇL ku ai mori pjesë me armë në dorë në rreshtat e Brigadës së parë Sulmuese, por, nga ana tjetër, ky luftëtari i ditëve të para të luftës për liri, është dhe një intelektual me zë të veçantë në fushën e arsimit e të kulturës në rrethin e Lushnjes.  Këtë shkrim e bëj, enkas, për GËZIM  TEKI LIBOHËVËN dhe, në e bëj unë, kam një arsye madhore: Gëzim Libohova, ky gjirokastrit nga Lushnja, e meriton jo vetëm këtë shkrim homazh, por dhe ca më tepër. Tërë jetës ka jetuar në Lushnje dhe në vitet e demokracisë erdhi familjarisht në Tiranë. Kur u vendos në Tiranë, kish kohë që kish dalë në pension. Pra , duke jetuar vitet e fundit të jetës në Tiranë, vetvetiu qe, sado kundër dëshirës së tij, larg Lushnjes dhe lushnjarëve. Qe kështu fizikisht, por shpirtërisht asnjëherë nuk qe larg, por me Lushnjen në gojë dhe u nda nga kjo jetë.

Kur shkruaj kështu, mos e merrni stisje timen. Përkundrazi. Është një e vërtetë e paluajtshme, sa, kur thonë, nuk e lëviz as topi. E la me gojë.- tha i biri, Tekiu dhe nusja e Tekiut, Merita,- që të më varrosni në Lushnje. Dhe, ngaqë amanetin nuk e tretë dheu, Tekiu, u nis me një frymë në Lushnje. Bëri gjithë ato procedura që duhen dhe dje në ora 12 kortezhi mori rrugën për në Lushnje.
              *      *    *

Po kush është Gëzim Libohova? Mbiemri është “tapia” që tregon origjinën e familjes. Por, sado libohovit, qenë shpërngulur që në vitet e paspavarësisë në Lushnje dhe qe lindur e rritur në një famije goxha të madhe: prej tetë fëmijësh. Të gjithë si familje kanë qenë me gjak atdhetarësh të vërtetë: qysh nga gjyshi i  Gëzimit (Haliti), tek i ati, Tekiu dhe më tej tek vëllezërit e motrat. Babai i Gëzimit, Tekiu, ka qenë aq mik me Aqif PASHË BIÇAKUN, sa njërit prej djemëve të ij, i vuri emrin Aqif. Aqifi dhe djali tjetër i Teki LIbohovës, Skënderi, luftuan me armë në dorë në rreshtat partizane dhe, që të dy, janë dëshmorë të Atdheut. Edhe Gëzimi vet ka qenë partizan me brigadën e parë sulmuese, por…

Sado që kjo familje gjirokastrite mbështeti en-bloc luftën, një pjesë e familjes shikohej nga regjimi (partia e pushteti i kohës) me syrin e njerkës. Dhe ja pse:

Djali i madh i Tekiut, Rexhaiu, njihej nga Enver  Hoxha dhe, ngaqë nuk dëgjoi që të bënte siç i foli “ariu në vesh”( nënkupto,Enveri), ndodhi, kur u çlirua vendi, ajo që nuk pritej:Rexhainë e futën në burg, e dërguan të “thante” kënetën e Maliqit dhe kjo”damkë” e qëllimshme, penalizoi pak a shumë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes Libohova.
                            *     *    *

Sikur historia e familjes së Teki Libohovës (babait të Gëzimit) të shkruhej  ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet, atëherë do të shikoni  një djalë 8-vjeçar në sallën e Kongresit  të Lushnjes. E dini kush është? Djali i madh i Tekiut: Rexhaiu.Dhe nuk mbaron historia  e Rexhaiut me kaq. Kur qe 10-vjeç, pa i marrë lejë askujt, i doli përpara dhe i uroi  merëseardhjen senatorti francez: JUSTIN GUDAR. Francezi u befasua që në vitin 1922, një djalë 10-vjeçar në një qytezë provinciale si Lushnja të bënte këtë gjest kaq sinjifikativ. Si kavalier i vërtetë iu përgjigj befasisë me  një ofertë shumë mikluese:  ma jepni djalin ta shkolloj në Francë. Por oferta e kavalierit francez nuk u realizua. Gjysh Haliti nuk ndahej dot nga nipi.

Sidoqoftë, Rexhaiu u shkollua brenda e jashtë vendit. U bë një specialist finance; u burgos nga iltalianët, por më keq e pësoi nga Enveri. Pas burgosjes, hija e”luftës së kllasës” ra mbi  familjen Libohova: tentativa për të bërë “Hero të popullit” Skënderin apo Aqifin (sado që u propozuan herë pas here) u arshivuan si të papërshtatshëm dhe nuk ndodhi kurrë që të bëhej një vizitë kortezie përkujtimore për dy vëllezërit dëshmorë as tek Tekiu dhe as tek Rexhaiu. Vizita jubilare bëheshin vetëm tek Gëzimi që shtëpinë e kishte dy çapa ë tej. “Lufta e kllasës bëhej dhe në gjirin e familjes.”
                        *      *     *

Kur shkruaj për Gëzim Libohovën jo vetëm si veteran të LUFTËS NÇL, por dhe si veteran të kulturës, kam parasysh gjithë atë veprimatri me vlerë të tij. Herë- herë më ngjan si komediografi i madh fracez, Molieri, që i shkruante dhe i vinte vet në skenë komeditë e tij dhe shpesh luante dhe si aktor. Kështu ka ndodhur dhe me Gëzim Libohovën. Aktor, shkrues tekstesh për t’u vënë në skenë; shkrues skeçesh; regjisor dhe në gjithë veprimtarinë e tij inkurajues talentesh në fushën e kulturës dhe  artit. Nuk ka aktor, këngëtar, piktor, kompozitor që nuk  ka kaluar “nëpër duarët”  e tij. Njerëzit e kulturës dhe artit nga Lushnja, pa dyshim, e kujtojnë me mirënjohje këtë profesionist dhe njeri me zemër të madhe. Sikur t’i hedhësh një sy “biografisë së punës” të Gëzim Libohovës, pa dyshim që do befasohesh. Ai, sikur i ka bërë vetë  tëra: nga a-ja tek zh-ja.

Natyrisht, në “vija të trasha”, mund të them: Gëzim Libohovën në vitet 1954-1956 e gjen drejtor të kulturës në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë. Mandej, tërë jetës në Lushnje:aktor, drejtor të shtëpisë së kulturës; inspektor të arsimit e kulturës; shef të seksionit të arsimit e kulturës; drejtor të shtëpisë së librit e filmit.

Për kontributin në luftë ka marrë dhe Medaljen e trimërisë ; të Flamurit; të Kujtimit. Po kështu   me medlaje është çmuar dhe për veprimtarinë në punë. Jetoi gati 90-vjeç. Pothuajse, e jetoi shekullin e tij.
                         *     *    *

Para 10-vjetësh, ka humbur bashkëshorten e tij aq të mirë,LETIN, dhe kjo, pothuajse, e vrau moralisht. Pikërisht, këtë mungesë të madhe shpirtërore, sikur e malcoi nusja e shtëpisë (e Tekiut), inxhinierja-arkitekte, Merita, që u bë jo vetëm nusja, por si çupa që kujdeset për Babanë e  saj.  Kur shihja se si e ndjente veten , tek shtrëngonte me dashuri dorën e nuses së djalit,Tekiut, si i moshuar që jam, thosha:- Ah, sikur të kisha një nuse për djalin si Merita!

Gëzim Libohova  e meritonte një shkrim të tillë. Në e bëra unë, kjo ndodhi jo se në Lushnjë nuk ka kush shkruan për të, por në këtë “shtegtim mizor” të posttranzicionit as nuk e di kush, në rron ti apo nuk rron. Ky “shtegtim mizor” nuk do thonjëza, por,sidoqoftë, mirë është që vlerat të mos”arkivohen”. I paharruar qoftë kujtimi për NJERIUN E MIRË: GËZIM TEKI  LIBOHOVËN!

               Tiranë, 21 shtator 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Libohova, nderroi jete, perparim Hysi

Tri analogji për zgjedhjet

September 16, 2016 by dgreca

Nga   Përparim   Hysi/
Që në fillim, dua t’ju bëj të  njohur me statusin tim. Nuk jam politikan, por si qytetar kam bindjen time politike. Jam i djathtë dhe “karrriera ime si djathtist” ka shkuar deri tek kandidimi im për deputet për PD në zgjedhjet e para plurariste. Nuk fitova dhe u munda nga një  socialist që, ende, nuk kish firmosur në bordero. Nuk kish firmosur ai, por babai ishte kuadër me “vlerë” në piramidën partiako-shtetërore të kohës. Pra u provua që nuk kisha “mizurën” për poltikan dhe,edhe si kryetar pushteti pluralist nuk pata sukses, dhashë dorëheqje dhe dola njëherë  e mirë nga politika.Por kjo nuk do të thotë që”vegjetoj” dhe nuk përjetoj në gjithë dinamikën e jetës në vend. E përjetoj këtë atmosferë që ndizet  e merr zjarr nga politikanë profanë dhe inatçorë. Sherrin e kanë në majë të hundës dhe, sikur të mos ekzistonte, zënë e shpikin. Nuk ndodh vetëm me njërin, por en-bloc. Harrojnë që kështu zënë e stresojnë një popull të tërë.Rrëfenjat që po sjell, janë veç përjetime të miat dhe, tek  i sjell për lexuesitt, them që fare lehtë mund të lexojnë atë që dua  të them.

*      *     *

Kam qenë “letraxhi” i thekur. Kaq pasion e kisha lojën me to, sa cilindo mik timin që aso kohe kishte fatin të dilte jashtë shtetit, të vetmen kërkesë që i bëja, ishte të më  sillte një palë letra. Qeshë bërë gati profesionist në lojën me to dhe, tek mundja kundërshtarë me radhë, e shpalla veten “Mjeshtër”. Po si nuk isha i tillë, kur me këdo fitoja?!!! Shkoj kjo “mjeshtëria” deri sa një ditë prej ditësh, hasa në një “hundëlesh”. Qe një plak aso kohe,që diellin e kish parë shumë kohë para meje. Ky,”hundëleshi”, pasi ma bëri kapërdisjen copë, qe dhe bilbilgjyzar nga goja: “… kur unë i thosha, prit dhe një”dorë”,as që mërzitej fare, por dha e dha, dhe e zbrazi:  “Ujku ishte duke e mbaruar gomarin së ngrëni, dhe,”gomari” thoshte:- Ishalla jam në ëndërr!!!
*      *      *

Edhe loja e shahut ka qenë pasioni im. Shahu është e vetmja lojë në botë që kundërshtari nuk ka se si të  bën hile. Nëse fiton apo humb, merita dhe faji është yti. Me shahun unë harroja të kthehesha në shtëpi dhe bukuria qëndronte se shahu nuk shihej  nga “normat e asaj kohe” me syrin që shiheshin letrat apo siç e përgjithësonin me të padrejtë: po lozin kumar!

Me shahun nuk është se hasa në”hundëlesh”, por njoha një njeri të zgjuar e dinak që nuk pranonte humbjen. Sado që nuk pranonte humbjen, i kish lezet arsyetiimi. Tek e sjell rrëfenjën për ju, ende nuk më ikën buzëqeshja. Ky burrë i zgjuar, ka qenë komisari im kur kryeja shërbimin ushtarak në Shëngjin. Kish qenë shahist dhe unë, riosh në atë kohë, nuk njihja as “kufi” që vinte rregullorja  e Ushtrisë së asaj kohe. E munda komisarin dy me një dhe, tek po i jepja dorën, i thashë:- Të munda, komisar!

Ai:- Jo, mikvëllai, nuk më ke mundur, por jemi  b a r a z i m !!!

– Po  si “barazim”?- e kundërshtova.

-Dëgjo,- më tha. Ti ke fituar  dy lojë. Unë një. Pra, ti ke një fitore të madhe dhe unë  një  të vogël.Pra, jemi “barazim!!!

*     *    *

Aty, pragviteve tetëdhjetë, kur thika e varfërisë (sidomos në fshat) po shkonte në palcë, ndiheshin dhe mungesa për një higjienë vetjake  të nxënësve në shkollë. Rrezikoheshin nxënësit nga parazitë dhe, nisur nga kjo, në shkollë kish ardhur një qarkore ku porositeshim që  djemtë t’i qethnim zero si ushtarët. Pak, drastike  qe qarkorja, por qe e domosdoshme.

Në një shkollë si jona me 700  e ca nxënës, kishte prej tyre që rebeloheshin. Dhe unë pikërisht për një nga rebelët do rrëfej. Ndërsa,pak nga pak, berberi po mbaronte punën e tij (ai punoi një javë në shkollën tonë), dëgjoj që të më thërres me emër. Afrohem dhe më tregon se Gjoleka ( po si mund ta harroj unë atë, “rebelin”), nuk dëgjonte të qethej. Atëherë e mora Gjolekën, e vendosa tek karrike e berberit, dhe i thashë berberit të vazhdonte punën. Për dhjetë minuta koka e Gjolekës u bë zero. U ngrit nga karrikja, ashtu me kokën zero dhe bërtiti:- Ja, të shohim: do qethem?!!!!

Tiranë,16  shtator  2016

 

Filed Under: Komente Tagged With: perparim Hysi, tri analogji, zgjedhjet

Poeti që “vodhi” diellin

July 30, 2016 by dgreca

Nga  Përparim   Hysi/

Në këtë vapë korriku erdhi “flesh” që nga Amerika lajmi që qe më shumë se sihariq: Në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, bëhet promovimi i librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë” nga Adnan Mehmeti. Lajmin “flesh” e jepte e kudogjendura, Raimonda Moisiu, që është dhe kryetare e kësaj shoqate.

E kisha si  obligim dhe detyrim, njëherësh, që jo vetëm të isha  pjesëmarrës, por dhe të thosha fjalën time në takim. Ngaqë në një auditor të tillë nuk mund t’i thuash të gjitha ato që ke ndërmend, ia vlen që fjalës sime atje, t’i shtoj edhe disa rreshta.
                           *     *    *

Së pari, nuk mund të rri pa lakuar emrin e moderatores së këtij  takimi, zonjës Kozeta Zavalani, që bëri që ky promovim të ishte i nxehtë dhe me vlera. Në “panelin” drejtues, rrezatonin me personalitetin e  tyre njerëz të artit e të letërsisë, si: AKTORI I SHQUAR, NDERI I KOMBIT, Reshat Arbana; poetja aq e njohur dhe aq e dashur për publikun shqiptar, sharmantja ILIRIANA  SULKUQI; kryetari i  Shoqatës Tirana, zoti Arben Tafaj.

Moderatorja, zonja Zavalani, foli për vlerat  si krijues të Adnan Mehmetit. Zonja ILIRIANA, ardhur enkas nga Amerika, e vuri theksin sidomos në vlerat e Adnan Mehmetit si President i kësaj shoqate që veprimtaritë e saj nuk i zhvillon  jo vetëm në New Jork, po dhe në disa shtete të Amerikës. Natyrisht, gjithë auditori u informua se sa e vështirë është që të organizosh takime të tilla “ndërshtetërore”, brenda për brenda Amerikës, kur shoqata nuk ka buxhet, por duhet të gjejë donatorë. Po të marrësh parasysh edhe faktin tjetër, se Presidenti nuk është se paguhet si i tillë, por krahas punës për të mbajtur familjen, megjithatë ai gjithmonë ka gjetur rrugë e shtigje për ta mbajtur gjallë shoqatën.

Me diskutimet e tyre, promovimin e zbukuruan dhe folësit e tjerë, si: poeti Namik Selmani, poetja Zyba Hysa, I Madhi Reshat Arbana, e ardhura “rastësisht” nga Kanadaja, Rukie Kondi; folsi i Radios, Viron Noti që, përmjet tjerash, theksoi shumë vlerësime të ardhura për Adnan Mehmetin.
                                 *   *  *

Në fjalën time, lakonikisht, evokova apo lakova, së pari, emrin e themeluesit të shoqatës: Lakova emrin e Poetit të bukur GJEKË  MARINAJ. Për mua ai është kalorsi i poezisë mbarëshqiptare dhe, si gjykoj unë, qe Kolombi  që theu vezën i pari. Merita  e Gjekë  Marinajt, veç tjerash, është dhe fakti shumë  domethënës: propozoi dhe e bëri fakt të kryer që kryetari të mos jetë i përhershëm, por me rotacion. Pse u bë normë një rotacion i tillë, pa si kryetar janë nominuar që nga Naum Prifti, Ramiz Lika, Dalan Luzaj dhe tanimë Raimonda Moisiu. Hapi i dytë dhe shumë i mënçur i Gjekë Marinajt është se Presidencën ia besoi një Poeti elit siç është zoti Adnan Mehmeti.

Adnan Mehmeti që është nga një fshat i Bujanovcit( me sa di unë nga Litovica), ka mbi 20-vjet që shkruan dhe, sa e njoh unë poezinë, e rreshtoj pa frikë në sërën e POETËVE TË ZGJEDHUR.

Nuk është vetëm poet, por dhe mendimtar i urtë. Aforizmat dhe mendimet e tij kanë vlerë sentencash. Në poezi, është mjeshtër figurash. Metaforat deri në hiperbolizim i japin poezisë së tij, dimesione të mëdha dhe të befasojnë. Herë”diellin e fut në xhep”, herë “detin e ndanë në mes apo dhe në pjesë dhe, në futesh në tërë poezinë e tij, ndjen se adrenalina në gjak zë e të gurgullon.

Për të krijuar vetëm një ide të vogël, për këtë POET të Madh, po ju sjell një fragment nga peozia e tij: “Udhë e mbarë,KOSTANDIN!”. Poezia është jubilare dhe është shkruar në momentin kur nisen eshtrat e të madhit FAIK KONCA.  Nuk po e sjell poezinë të tërë, por, përfytyroni veç kaq: “Kostandini(Faik Konica) që po vjen në Atdhe, ka veshur “… fustanellën e Avdyl Frashërit/… xhamadanin e Mis Sokolit/ .., plisin e bardhë të Isë Boletinit dhe mund të vazhdoja. Vetëm një poet elit, mund të bëjë një “kompozicion” aq të mrekullueshëm.Kompozicion që një piktor mund ta bëjë me penelin e tij dhe vëreni, mandej, a ka se si  bëhet më i bukur Faik Konica.

Natyrisht, unë nuk kam si qëllim që sot të merrem  me krijimtarinë aq cilësore të Adnan Mehmetit, por nuk kam se si mos theksoj atë vlerësim që i bëri SHOQATA TIRANA këtij Poeti. Duke e vlerësuar me “Shkallën e Mirnjohjes së SHoqatës, kryetari, Arben Tafaj ia dorëzoi në mënyrë ceremoniale, dhe herë e parë shoh atë skuqje emocionale të poetit dhe, tek  falnderoj për nderin që i bën, njëherësh falnderoi dhe auditorin.

Duke e parë me një sy pak “skiç”, mund të them ato fjalë që kanë zënë vend tanimë në histori: “Bacë, u krye!”. Por…

Kjo “por” që e lë si retinçencë e ka  bishtin nga prapa.
                                       *      *     *

Një President i një shoqate me aq vlera, siç është “SHOQATA E SHKRIMTARËVE  SHQIPTARO-AMERIKANË” vjen enkas nga Amerika për një promovim po me aq vlera. Shtroj pyetjen që do një përgjigje:- Ku  është Mnistria e Kulturës, në mos ministrja, “çirakët” dhe “qatipët” e kulturës ku janë? Sa mirë që dinë, kur u lipset. Lanë çdo punë kur promovuan një “antivlerë” kulture si “Vrima” dhe nuk gjetën kohë për të bërë krejt audiecën e një promovimi të tillë.

Në bindjen time (  ma merr mendja në krejt auditorin dhe më tej),  Adnan Mehmeti duhej pritur enkas nga një titullar i kësaj ministrie dhe për të, të ishte shtruar qilimi i kuq mbi të cilët duhe të shkelte. Kjo do ishte më e pakta. Por “qatipët” e kulturës e kanë “agjendën të xanun”, se ka kohë që kultura dhe letërsia në Shqipëri ka vdekur, qëkur sh-“kryeqatipi” i kulturës i vuri drynin e zi, Lidhjes së Shkrimtarëve  dhe Artistëve. Po a nuk duhet të bërtasësh me  zërin mitik të Migjenit: “… deri kur kështu, ma?”.

 

                                    Tiranë, 30 korrik 2016

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjeke Marinaj, perparim Hysi, poeti, që "vodhi" diellin

Esse rreth Romanit të Hatem Dervishaj “Çmimi i varfërisë”

July 22, 2016 by dgreca

 Nga Përparim Hysi /Sapo më ra në dorë romani i  Hatem Dervishjat “Çmimi i varfërisë”. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesit, dje më ra në dorë dhe, po dje, e lexova me një frymë. Nodhi si  me atë thënien gati proverbiale:
-Baba, kam zënë një hajdut. Ta mbaj apo ta lëshoj?

– Mbaje!

– E mbaj unë, po nuk më lëshon “hajduti”.

Dhe, siç kuptohet, “hajduti” që nuk më “lëshoi” qe romani “Çmimi i varfërisë” që më erdhi enkas dhe, pa u çliruar nga impresionet e romanit tjetër “Përtej iluzioneve”, rashë “preh” e tjetrit. Këtë jo vetëm e lexova me një frymë, por pa më dalë mirë fryma  dhe po shkruaj.

                  *    *   *

Nëse gjykoni pozicionin tim si  lexues me autorin e këtyre dy romaneve, jam në pozicionin  e atij miut që gjeti hazinenë në mulli. Të tilla janë dhe  impresionet e mia edhe me romanin të porsadalë të Hatem Dervishaj. Parë në tërësinë e tij, romani bën  anamnezën e kohës në psottranzicionin maratonomak  të Shqipërisë. Hatem Dervishaj,  sado që ka mbi 15-v jet që jeton në Amerikë, po ta gjykosh me ato që shkruan, qoftë në tregimet dhe qoftë në romanet, jo të duket, por bindesh që ai asnjë ditë nuk është larg Shqipërisë dhe  e jeton dhe përjeton gjithë kalvarin postdemokraci, sikur është diku, prapa derës os më saktë: sikur është në Fier ku ka jetuar jo pak  por gati gjashtë dekada. Por unë them, se kam ndjerë një kënaqësi të veçantë kur lexova romanin dhe, tek do jap përshtypjet e mia për këtë roman, bashkohem  me mendimin e bukur të shkrimtarit rus Varlam Shallomov që diku thotë:  ” Nuk ka gjë më të ëmbël se sa kur të bie në dorë një libër që nuk e kam lexuar”.
                     *     *     *

Po të vëreni titullin  e esesë sime, do të shihni se kam bërë pak “retushim” apo një “ndërhyrje” pak vulgare duke  pranëvënë atë epitet aq të ashpër: i flliqur. E kam vënë se jo vetëm e kam njohur varfërinë, por më duket se “damkën” e rëndë të saj, sikur ta kemi të shkruar të gjithë  në ballë. Natyrisht, varfëria sa e flliqur është, aq dhe e turpshme,se, kur je i  varfër, për arsye subjektive dhe objektive, provon mbi vete pasoja që , me të vërtetë, janë dramatike. Në substancë, romani  e “lakon”, pothujase, në të gjashtë rasat e shqipes varfërinë, por nuk është vetëm vëzhgues, por dhe demaskon fajtorët. Kur them kështu, mos kujtoni se Hatem Dervishaj është nga ata autorë që ka nostalgji për sistemin që iku. Jo. Përkundrazi. Ai e di mirë (këtë e gjen në gjithë shkrimet e tij) se demokracia më e keqe, është ku e ku më e mirë se sa diktatura që patëm në regjimin komunist.  Dhe, sado që është pak Hygo-jan, ( Hygoi thoshte:” Nga ferri i të varfërve, lind parajsa e të pasurve”), në roman zbraz artilerinë e rëndë kundër varfërisë.

Aq i mbresuar është me “varfërinë”, sa, si të thuash, ka ngritur një “pavijon”, ku syri jo vetëm nuk të sheh mirë, por zë edhe të pikon. Nëse ndodh kështu,  se vet autori nuk rri gjakftohtë në këtë “pavijon”. Ai jo  vetëm i përjeton ngjarjet, por bëhet si “pjesëmarrës” në çaste që të shkaktojnë dhimbje.

Kur shkruan, autori e di mirë që romani është impresion dhe, ngaqë e di mirëfilli këtë gjë, ai në  roman të impresionon.

Sikur të kisha mundësi për t’u bindur për këtë, natyrisht do më duhej goxha kohë dhe shkrimi do të bëhej tërkuzë.
                              *      *     *

Në fund të fundit, pse të impresionon romani? Kësaj pyetjeje nuk është aq e lehtë për t’iu përgjigjur, por unë mund të them vetëm kaq: në doni që të shihni konkretisht gjithë gamën e problemeve në tranzicionin post demokratik të SHqipërisë, atëherë bëni  si unë: lexojeni romanin dhe aty do t’i kini të gjitha: Zhveshjen  “demokratikisht” të pronarëve të vërtetë nga prona me ligjin famkeq 7501. Kalvarin e mundimshëm në zyrat e qeveritarëve të tipit Sofokli e C0…; emigracionin aq me pasoja( vdekja e Irfanit nuk është asgjë tjetër, por një “baladë dhimbjej” ku i vdekuri udhëton me një të gjallë…). Prostuticioni ajo damkë  në ballin e shoqërisë  shqiptare. Tregtia me “mishin e gjallë” apo ca më tutje:droga. Ligji i nëpërkëmbur.Ryshfeti. Të gjitha janë plagë që dhëmbin.

Autori e di mirë që, në fund të fundit, në gjithë këtë dramë që luhet në skenën e shoqërisë shqiptare, ai që e pëson më shumë, është i varfëri. Është ai, i ndershmi, që kurrë nuk i shkeli vijat e bardha. Varfëria ka kthetra të rënda.I varfëri nuk  ka punë dhe, për të shpëtuar nga varfëria, hyn në “gjeratoren” e rrugëve të lehta. Por rruga e shkurtër, pret gjatë dhe ndodh ajo që të gjithë e dimë. Që të gjithë e shohim: vetëm dallkaukët, sharlatanët, plotikanët, (pa)drejtësia rron e bën pallë dhe të varfërit, përfundojnë në ferr.

Duke sjell në roman, një familje të varfër me 7 fëmijë, autori, thotë atë që dhëmb:- Nga varfëria, mund të shpëtosh  vetëm me “rrugë të paligjshme”. Kjo “rrugë e kollajtë”, haraçin e ka të rëndë: vriten tre djem dhe. më i ndershmi prej tyre, Petriti, mban mbi vete atë pasojë që vjen nga një shkak i madh: në një shoqëri të kurroptuar, është vështirë të mbetesh i ndershëm.

Fundi tragjik i Petritit është shumë domethënës:ky fund i dhimbshëm (natyrisht, është gjetje e autorit) tregon atë që dihet mirë prej krijuesëve me emër: shkrimtarët  e mirë ( në bindjen time, Hatem Dervishaj është i tillë), shfaqen në kohën e krizave shoëqerore. Tek ballafaqohem me fundit tragjik të një njeriu të ndershëm si Petriti, më vjen ndërmend një episod nga “Dimri i  madh” i Kadaresë. Atje në kohën e një krize shoqërore, ndodh dhe ajo “ftohja” e dashurisë të Besnikut me Zanën ( në mos i gabofsha në saj të kujtesës që më lë). Këtu, në këtë roman, drama është dhe më targjike: Petriti bën vetvrasje dhe gjithë ajo dashuri e bukur e këtij çifti (Petrit-Uljana), vritet tragjikisht.

Duke përfunduar, mund të them se ia vlen ta lexosh një roman të tillë, se  jo vetëm vë pikat mbi i, por nuk ka  fare “zbukurime” apo stisje. Dhe nëse një libër i shkruar quhet cilësor, se është i qartë dhe i pranueshëm për lexuesit, unë them se dhe në këtë drejtim i tillë është.

 
                                    Tiranë, 22 korrik 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Çmimi i varfërisë, esse, perparim Hysi, romani i Hatem Dervishaj

“Nuk dua të vdes në errësirë”- Mystehak Xhemali

April 12, 2016 by dgreca

 Nga Përparim Hysi/Pasi lexova librin me tregime ” Nuk  dua të  vdes në errësirë” të  Mystehak Xhemalit, m’u forcua bindja se, si gjithmonë, autori është një prozator që jo  vetëm di të vëjë pikat mbi i, por me penën e tij, tanimë të kultivuar, vë dorën mbi plagët e shoqërisë si sot, po ashtu dhe dje, në kohën e diktaturës.

Kur e quaj Mystehak Xhemalin si penë e kultivuar, ky nuk është një nomminim imi subjektiv, por është një vlerësim që ai e meriton.Si prozator,  ka dalë para lexuesëve me tri romane: “Fundi i një kryeministri”, “Murgu”,”Trishtim i kolonelit” dhe, meqë me penën e tij  shquhet dhe si një publicist, u ka  dhënë lexuesëve tri libra me publicistikën e tij: “Shurdhëri dhe verbëri”,”Si e kam njohur Mehmet Shehun” dhe “Enigma e një murgu shetitës”.Veç të sipërmëve, në korpusin e tij të krijimtarisë përfshihet dhe poema simfonike”Mallakastër, Mallakastër!”.

       *       *       *

Kur shoh gjithë këtë krijmtari me vlerë të Mystehak Xhemalit, më vjen ndër mend nobelisti francez (i vetmi në botë që i nxori gjuhën çmimit “Nobël”), ZHan Pol Sartër që thotë: ” Po nuk fole për ato që sheh, atëherë ti ke përgjegjësi për gjithçka”. Parë me këtë sy, Mystehak Xhemali jo vetëm flet, por vë dorën mbi plagët shoqërore të kohës. Ai më shumë ka nevojë për “fre”,  se sa për “shtirje”. Tek i sheh këto “plagë” të kohës, në të dy sistemet që  jeton shoqëria shiqiptare, fshikullon guximshëm mbi shkaktarët duke bërë një  akt të madh qytetarie.  Duke lexuar tregimet e tij, forcon bindjen që ke të bësh me një shkrimtar që është në opozicion me të gjitha pushtetet: të djeshmin e diktaturës, po se po, por dhe të sotmin që,sado si devizë ka “kostumin e bukur të demokracisë”,  mjerisht, siç ka ndodhur dhe po ndodh,e ka bërë pis këtë kostum. Jo vetëm e ka bërë pis, por tek lexon, ligështohesh me ndodhi që, për çudi, edhe ti i ke parë dhe, sado që nuk je ndjerë mirë, ke “ngrohur atë furrikun e ngrohtë tëndin të shtëpisë” dhe ke   heshtur. Ke  heshtur dhe nuk ke bërë as më pak dhe as më shumë, por, kur thonë në Myzeqe ( më falni për citimin pak në vijë të drejtë): – I ke bërë trragë bythës. E barabartë me atë  shprehjen infatile: me”ç’më duhet mua?!!!”.

Por Mystehak Xhemali nuk ndihet mirë, kur shoqëria shqiptare nuk ndihet mirë dhe shpërthen gati si minë e ndahet në cifla, se, edhe demokracia që mezi e pritëm, kthehet në  një “mirazh” zgënjyese dhe buzët e  zhuritura të “hallkut” as që arritën  të lagën në “oazin” e premtuar.

Mbushesh me morrnica (i gjithë turpi të ndizet), kur lexon tregimin (me të drejtë e ka vënë në ballë të librit) ,”Nuk dua të vdes në errësirë”. Sa sinjifikativ është ky tregim, po aq dhe tronditës. Obsesioni i bukur për dritë, nga një gëzim i hareshëm, kthehet në një dramë të dhimbshme. Ç’dramë? Në tragjedi për një familje fshati. Dhe kjo “tragjedi” nuk ka ndodhur larg e larg në kohëra parahistorike, por, mjerisht, në ditët e “bukura” të demokracisë dhe, pikërisht, në kohën e një qeverisje,që nga programi, duhet të jetë afër halleve të popullit. Duke sjell këtë tregim kaq të dhimbshëm para lexuesit, karizma e autorit zë rritet. Zë e rritet,se jo vetëm nuk hesht, por e ngre zërin. Se, kur thotë Mark Twain:” Parajsën zgjidhe për klimën; për shoqërinë zgjidh ferrin”. Dhe kështu ka ndodhur dhe me Mystehak Xhemalin.

Edhe për sistemin që u përmbys ( e kam fjalën atë komunist), autori sjell tregime ku demaskon luftën e klasave dhe mediokritetin ideologjik të asaj kohe. Me tregimet”Amerikani” apo dhe “Admirali”, del mirë e gjithë trysnia që binte mbi familje të tëra për arsye, ndonjëherë, të stisura në “kulisa” mediokrish të vërtetë. Kjo trysni nuk është vetëm potenciale, por krejt reale.

Një tregim shumë domethënës është “Stalini në shi”. Tek e lexoja atë tregim, vazhdimisht, më dukej sikur dhe unë po shoqëroja atë grup të huajësh në atë kooperativë të largët (andej jo vetëm kam punuar për disa vjet, por jam kthyer për nja katër vjet të mira dhe në kohën e demokracisë), por duke i ndjekur ngjarjet deri në fund, në vlerësimin tim,  ky tregim ka plot elemente të atij realizmit magjik të Markezit. Buza më shkonte vesh më  vesh,tek ndjeja atë ison myzeqare të amplifikuar nga të huajët, që përmjet penës të Mystehakut i zuri as më pak dhe as më shumë “sindroma e Stokholmit”.

Tregimi “Alfonso” është nga më të bukurit; në domethënësi dhe, nëse flitet për shijen time, është antologjik. Bukuria as ka brirë dhe, po kështu, edhe vlera. Merrni me mend: një shtëpi në ikje; me kuç e  me maç dhe, në këtë karvan kaq të dhimbshëm ka dhe një fëmijë 5-vjeç që i dhëmbin këmbët, por nuk ka vend për të hipur mbi gomaren e ngarkuar. Dhe në këtë rrugë kaq të gjatë, ja tek gjendet një nga shkaktarët e kasj tragjedie: një italian (pushtues, domosdo) i plagosur, dhe i zoti i karvanit (babai i atij 5-vjeçarit), shkarkon gomarin dhe “vë pushtuesin e plagosur”,Alfonson. Nuk ka se si ngrihen në apogje më mirë se tek ky tregim, karakteristikat e popullit tonë. Alfonsua “pushtues” u bë mik,se  të tilë jemi ne, shqiptarët.
  *     *    *

Në pjesën e dytë të tregimeve, janë përfshirë një pjesë tregimesh humoristike që janë tipit: “qesh e ngjesh”. Qesh e ngjesh, kur kjo”gjeshja” është e “hipotekuar” për qeverinë dhe gjith aparatin shtetëror. Sa të lexosh titullin, dhe e merr me mend se për kë bien daullet, Të tilla janë”Varr pa leje ndërtimi”,”Kur më ktheu surratin, njoha kandidatin”,” Bombola e gazit dhe frunella e vajgurit” dhe, ca më tej, më domethënësi:” Xhaxha, populli e ha”.

Libri ka dhe grimca të tjera që të bëjnë të qeshësh, nga ato që, po t’i gjykosh mirë, janë “qesh se nuk qaj dot”, se, me të vërtetë, për problemet që trajtojnë, janë për të qarë.

Duke thënë vetëm kaq, mendoj që të them: unë fola dhe portën për t’u njohur me tematikën e tregimeve kaq me vlerë të Mystehak Xhemalit e kam lënë hapur, Hyni atje dhe keni për të mbetur të kënaqur.

 

                        Tiranë, 12  prill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: "Nuk dua të vdes në errësirë", perparim Hysi, të Mystehak Xhemalit

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shqetësimet e fëmijëve tanë”
  • Një “makondo” për vendlindjen
  • Ekspozita retrospektive e piktorit Xhevdet Spahija
  • Albanian Brain drain! Human Capital Flight!
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË AUSTRI, TË MËSOSH SHQIP NËPËRMJET RADIOS
  • KËNGA E GJORG GOLEMIT DHE FIGURA GJERGJ ARANITIT NË LETËRSI DHE ARTE
  • Kujtojmë 226-vjetorin e lindjes së Naum (Bredhi) Veqilharxhit (1797-1854)
  • Imzot Lazër Mjeda, Veprimtar i dalluar fetar dhe kombëtar në kohën e rreziqeve (1909 – 1921)
  • “Korridore të gjelbra”
  • Sllavët
  • 334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën
  • KISH  NË ZEMËR SHQIPËRINË
  • Testamenti i një njeriu të urtë të politikës shqiptare
  • Fshatrat shqiptare po shpopullohen nga mungesa e mbeshtetjes nga buxheti i shtetit
  • “Përjetësia e dyfishtë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT