• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vargje shpirti për Nënat dhe mësuesit

March 8, 2016 by dgreca

Poezi nga Julia GJIKA/

G R U A J A/

Burri ngre trarë me krahët e fuqishëm/

Të gjithë e duartrokasin forcën e tij./

Burri është trau i shtëpisë,/

Rreket fëmijën e parë ta bëjë djalë,/

Që në krah t’i dalë./

Gruas, si merimangës,/

Punët askush s’ia numëron,/

E zonja dhe ajo në mbajtjen e çatisë./

Nga shpirti i saj jeta buron./

Nuk tregon as muskuj, as mendje,/

Aspak s’ndihet për çka bën./

Brenda qerpikëve ruan thesare:

Dashurinë, vetminë, dyshimet,

Dhimbjet, vuajtjet,

Krenarinë e saj aty i mban,

Nga gëzimi, lot derdh syr’ i saj.

Gruas, kur i kujton se sa vlen,

Më të hutuar kurrë s’e gjen.

Gratë në vargjet e mia

(cikël me poezi)

Nga  Përparim    Hysi

“Çfarë t’i thomë, nënos plakë?”  *

Musine Kokolarit

“Çfarë t’i thomë, nënos plakë?”

Musine, o moj zambak!

Diktatori, një dështak

Ta ktheu jetën në farmak.

Ca farmak e ca pelin

Herë me burg e internim

Ti s’u ule, s’u përule

Për shqiptarët mbete lule.

Lule që nuk vyshkesh kurrë

Mbete sharm e mbete nur

Brez pas brezi  do mbetesh gjallë

Si mund të të harrojmë, vallë?!!!

* në thonjëza vepër  e Musine Kokolarit.

 

8 qershor 2006

Drita!  *

Dritë e kishe emrin dhe mu si dritë ishe

S’e mbajta dot helmin, kur nga bota ike

Fati i keq të ndoqi (regjimi ta nxiu jetën)

Të gjallë seç të “poqi”, të thuash të vërtetën.

S’mjaftoi internimi, një ferr përmbi ferr

T’u shfaq një sëmundje ( vrer e pëmbi vrer)

Ti qe  si lule, vyshkesh dalëngadalë

Mallkuar, moj sëmundje! E “hëngre” të gjallë.

Qëndrove trimoshe,edhe hiç veten s’e dhe

Kam një ndjesi boshe, ndjej dhimbje sepse

Sepse je e re, lule në lulëzim

Dridhje kam në zemër, mbytur pikëllimë.

*Drita Çomo – e bija e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos.Vdiq nga kanceri.Një zë i veçantë në letërsi.

20 gusht 2003

Ikja e “kometës”

Pianistes, MARIA  RAFAEL  *

Këtë grua “mëkatare” seç e sollën  mu në Fier

Se u shpall si “tradhëtare” ( vendi i saj duhej në”Ferr?!!!”)

Mos kujtoni ju në profka, se mos, ndoshta, kish bërë turp

Por të tillë e shpalli “koha”, se i shoqi ra në burg.

Nga Tirana drejt në Fier ky qe vend si “internim”

Por Maria Rafael këtu punoi me përkushtim

Qe mësuese aq fisnike sa s’ka nxënës mos e doj

Po kështu këtë grua”armike”, s’ka fierak mos e kujtoj.

Se punoi me ndershmëri dhe rrezatonte dritë

E kujtojmë me  dashuri, si pianiste s’kish të dytë.

Kjo mësues për në “Ferr”, u bë  një ZONJË e Nderuar

E nderon krejt një Fier… kurrë- kurrë s’ka për t’u harruar.

* ka qenë hungareze. Pianistja më e kualifikuar që ka patur Shqipëria (citimi është i Mjeshtërit Robert Radoja). Gruaja e artistit Stavri Rafael.  Vdiq në Hungari ku shkoi sëbashku me Stavrin,djalin e vajzën),pasi doli Stavri nga burgu. Është “Nderi i Fierit”.

HAJRIE   RONDOS

Kjo, Hajrie Rondo, nusja nga Delvina

Në teatër të Fierit, seç ia bëri prima

Seç ia bëri prima, në aq e aq role

Mbetëm me gojëhapur (mos vallë është “fallxhore?!”

Mos është vallë “fallxhore” dhe na zë magjia

Shpirtin vë në role, artiste Hajria!

Ju kujjtohet Tana? Tana nga Sheperi?*

Nuk është nga Sheperi, por është nga Fieri.

E mori Hajria, e solli në Fier

E ke kot, moj Kote, që pret në Sheper?**

E pret në Sheper, atje, tek mulliri

E pret si për sherr, pesë para sehiri!

Role… edhe role ( ka mbi tridhjetë vjet)

Dhe në të gjitha rolet, krejt si e vërtetë

Sa e mirë na doli, “nusja” nga Delvina

Ndaj dhe lëshohemi ne me brohorima.

Në skenë  ka një jetë, vë shpirtin në role

Është kthyer në legjendë:- Të  duam, mo “fallxhore”

* personazh nga “14-vjeç dhëndërr”

** personazh nga “14-vjeç  dhëndërr”

15 janar 2010

Gruaja në vizionin tim

Çdo grua në vizionin tim është si  lule

Dhe me të gjitha “lulet” ngrihet një lulishtë

Lexues, të lutem, këtë mendim në kokë ngule

Dhe me këtë mendim rro përjetësisht.

Çdo grua është punëtore porsi bletë

E bukur çdo grua siç është bukuria

Pa gruan as që do kishte fare jetë

Pa gruan bosh do ishte gjithësia.

Çdo grua është e bukur siç është paqa

Veç gratë lufta nuk duan kurrë

Jeta pa gratë e shkretë si Sahara

Dhe hiç nuk shkruaj vargje me sikur…

Se, sikur gratë të drejtonin botën,

Bota, pa dyshim, do qe  më e bukur

Veç burrat ndryshe e kthejnë “rrotën”

Ndaj dhe bota është kaq turbull.

Të gjitha ç’shkruaj, nuk i shkruaj kot

Për të gjitha gratë në botë kam nderim

Veç nga gratë do ishe më e bukur, moj botë

Dhe këtë e dëshmoj  me timen firmë.

Tiranë, 7 mars 2016

***

Nga   Përparim    Hysi

Mësuesëve  të mi  *

Dhoksi e Sotir Meço në Fier

Ju kam  dashur dhe ju dua dhe tani

Ty, mësues Sotiri dhe ty, mësuese Dhoksi!

Nëse më parë nuk shkrova ndonjë vjershë,

Kam qenë i pazoti dhe  si”mbetur në vjeshtë”

Po kurrë nuk ju harroj, kur më morët si në krahë

Se qeshë fare i vogël: pesë vjeç dhe ca…

Si mëmë Dhkosia, Sotiri si një “AT”

Me mirënjohje ju shkruaj, për ju imi varg.

Sado jam i moshuar dhe disa herë jam gjysh

NJëlloj ju dua, pa si e pa qysh?

Nëse sot që jam i i thinjur dhe jam bërë njeri

Meritë ke mësues Sotir dhe ti e mira, Dhoksi!

Vij që nga larg dhe duarët e rreshkura jua puth

Nëse më rigon ndonjë lot, aspak s’më vjen turp

Është një lot malli dhe e lë që të bjerë

Ta dini që aq  ju dua, o mësues me aq vlerë.

* mësues  të mi të fillores 1948- 1952 (janë burrë e grua, mbi 90-vjeç dhe rrojnë akoma).

Panja   *
Profesores Vjollca  Omari

Mbi panjën e bukur, gjelbëroshe, befas u lëshua një acar

Një kohë e keqe, kodoshe, panjën vendosi për ta “vrarë”

E shkuli nga vendi ku mbiu dhe tutje e flaku në harrim

Po “panja” për çudi  rimbiu dhe vendin e mbushi blerim.

Acari atëherë turfulloi dhe mbi “panjën” gjelbëroshe u lëshua

Trungun zu keqas t’ia “kafshojë”, por “panja” hiç s’u ligështua.

Trungu iu mbush me plagë, mbi plagë filiza gjelbërimi

Kjo panjë e fortë si thanë, për njerëzit imazh gëzimi.

Urrejtjen ajo nuk e njeh  dhe sillet si të jetë shenjtore

Çuditet me  të kush e sheh, e dashur është dhe njerëzore

Trungun vërtet ka me blana, por zemrën e ka plot blerim

Duket sikur vjen nga balada, e urtja, fisnikja pa harrim.

*  e persekutuar. Ka qenë e motra e Mustafa Greblleshit.  Mëuesja ime e gjuhë-letërsisë në vitin 1954. Është “Nderi i Fierit” dhe sot, më 6 mars 2016, ka përvjetorin e vdekjes. Baban ia pushkatuan me grupin”armiqësor” kundër amabasadës sovjetike.

PROFESORË! *
Profesorëve të mi të Normales së Elbasanit.

Nuk di kë të përmend nga ju më parë?

Se ju ishit të tërë të mrekullueshëm

Nuk e mohoj: për të gjithë kam mall

Dhe bëhem krejt i parezistueshëm.

Që të vij dhe t’ju puth ato duar të rreshkura

JU qetë si shenjtorë që rrezatonit urtësi.

Për mua, edhe sot ato duar janë aq të shtrenjta

Sa dua që t’i puth  me  mall: nji e nga nji.

Po ç’them kështu? Shumica prej jush ka ikur,

Por unë, ama, ju kujtoj me përmallim

Tek shkruaj, në zemër ndjen një të “krisur”

Dhe hiç nuk e ndjej lotin që më shkimë

* këtë poezi e kam shkruar më 1 dhjetor 1999, me rastin e 90-vjetorit të shkollës Normale.

 

Albert HABAZAJ

 

1- KËNGË E VJETËR PËR NËNËN

 

Dhembja e plakur me këngë,

Shpirt i shtrenjtë, sa shenjtëria,

Më ke rritu me mundime,

Nëpër hallet që s’t’i dija…

 

Më vështroje ti në sy,

Kur s’kishe gjë në sepete.

Unë ngopesha aty,

Dritë syri ti më jepje…

 

Moj e pakta nga fiziku,

Loti i patharë në bukë,

Hall i sofrës si nuk iku:

Sos na e prure në futë?!

 

2- NËNAVE U FALET VLORA

 

Si bekim nga Perëndia,

si drit’ e bukur hyjnore,

energji nga mirësia

shpërthejnë sot lule Vlore.

 

Janë lulet e urimit

për nënat tona të mira,

janë gonxhet e gëzimit

për motrat tona të dëlira.

 

Dëlirësi e bardhë si bora

në majën e lart’ të Çikës,

u falet nënave Vlora,

se nëna ësht’ motër e dritës.

 

E dritës që na mbush jetën

dhe dritëron dashuri;

nën’ e dhembshur, si ti tjetër

nuk gjej dot në Gjithësi.

 

Ësht’ e vogël galaktika,

s’e mban dot zemrën e nënës,

bëhet më fisnike dita

me nënën – thelbin e këngës.

 

Nga një vallëzim ëndrrash dehem

kur përkundet dashuria,

kur në gji të nënës kthehem

në gji më merr shenjtëria.

 

Mjalt – e bardha nënë – flori,

nga ti qofshim të bekuar,

kur veprojmë për Shqipëri

ballin tënd kemi nderuar!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Albert Habazaj, Julia Gjika, perparim Hysi, Vargje per nenat

“Lëndina” që i fali Atdheut Naun Kule…

March 1, 2016 by dgreca

  Jehonë e një promivim libri/

Nga  Përparim   Hysi /

Ditën e shtunë, më 27 shkurt, në një nga sallat e Muzeut Kombëtar, u bë promovoim i librit “Shënjtëri të vjedhura” të shkrimtarit Naun Kule. Isha një nga pjesëmarësit dhe, në substancë, në këtë shkrim ka diçka dhe nga fjala ime. Para se  të nis ligjëratën time, nuk është pa rëndësi që t’ju bëj të njohur dhe “Panelin drejtues” të promovimit. Në vizionin tim, është mendimi se si është auditori, ashtu është dhe  autori. Dhe që autori, Naun Kule, ka bërë vend në FONDIN E LETRAVE SHQIP, veç auditorit plot, veç tjerash e bënë këtë promovim me peshë të veçantë dhe disa njerëz me një intregitet të sërës së lartë, jo vetëm në letërsi, por dhe në fusha të tjera ku kanë dhënë një kontribut me vlerë,siç ishin zotërinjtë, Profesor-doktor,Pandeli Çina,Profesor-doktor Sabit Broka, “Isa Boletini” i Letërsisë Shqiptare,Pandeli Koçi(aliaz Sazan Goliku), Arben Kondi që përfaqësonte shqoqatën “Çamëria”, avokat Idajet Beqiri i  shoqatës “Mallakastra” dhe të më falë ndonjë që fare rastësisht nuk e kam përmendur. Por tek përmend këta, nuk mund të rri pa lakuar një “myzeqar” pak të veçantë: Zotërinë e nderuar, Ismet Bala. Ky, Ismet Bala, sado verior, mend e ka humbur “kostumin e veriorit” dhe ka vënë mbi kokë atë takien e bardhë të myzeqarit. Ismet Bala, ky myzeqari nga Veriu, është gati “nuni” i librit “Shënjtëri të vjedhura”. Ky e ka lexuar që në dorëshkrim dhe  sikur i ka prerë kërthizën librit. Vërtet që promovimi bëhej nga “Shoqata Myzeqeja”, por pjesëmarrja qe paksa mikste dhe kjo lloj pjesëmarrjeje, natyrisht, i dha promovimit më tepër vlera.

                                 *    *    *

Nëse shihni titullin  e esesë sime, është pak sinjifikativ. Ku libri që promovohet dhe ku lëndina? Tek e lexoj librin e Naun Kules “SHënjtëri të vjedhura”, më kujtohet nobelisti kilian, Pablo Neruda,qëkur Kili qe në rrezik, lëshoi kushtirmin:” Secili duhet të falë diçka për atdheun,… deri fshatari lëndinën e tij”. Natyrshëm, lind pyetja:” Ku t’i gjej lëndinat, Naun Kule, nga Libofsha e Fierit? Metafora ime është shumë domethënëse: “Lendina” që po i fal Atdheut shkrimtari, Naun Kule, është libri “Shënjtëri të vjedhura”. Dhe për t’u bërë më transpaent me ata që më dëgjuan në auditor dhe ca më shumë me ata që mund të lexojnë këtë ese timen, ja në vija të “trasha”, se çfarë “lëndine me vlerë” i ka falur Atdheut në një moment kaq krucial,Naun Kule. Çajupi në një poezi të tij, shkruan mes tjerash:” Margaritari nuk  gjendet buzë detit a në shpellë/ kërkoje detit thellë!/. Dhe Naun Kule u bë “palombar” u zhyt  detit thellë dhe zbuloi një reliktë me vlerë. E bëri si Diogjeni, mbyllur në atë fuçinë mitike dhe,mihu dhe rëmihu faqe e faqe të tëra me dokumente dhe zbuloi se”Shën Kozmai”  që ka qenë veshur me zhgunin e një shenjti, nuk ka qenë shenjt, por një misionar grek që veç predikonte dhe shenjtëronte gjuhën greke(gjasme- gjuhë e Zotit), kurse shqipja e mallkuar. Ky zbulim  nga Naun Kule nuk erdhi si  një ateist dhe aq. Jo. Naun Kule as që gjykon njeri  nga bindjet fetare. Naun Kule nuk është priftëresha që zë e mollois  për ato që ndodhin në pazar,pa qenë fare në pazar. Përkundrazi, është prifti që vjen nga pazari dhe tregon të vërtetën. Dhe këtë të vërtetë e dëshmon me aq  e aq referenca që këtu nuk është vendi që t’i citoj. Duke thënë një të vërtetë, që, tanimë, bëhet fare e prekshme, në një farë mënyre është ai Kolombi që theu vezën mitike. Nëse Kozma Etolit i prenë kokën  në Mujalli të Fierit dhe trupin  ia hodhën në lumë, kjo ndodhi jo se ai qe shenjt, por se e kish tepruar “zullumin”. Vërtet që trupi i tij u gjet nga dikush dhe u”shënjtërua” duke ngritur dhe një kishë me emrin e tij, në Kolkondas të Fierit, por, pikërisht, këtu, në këtë “shënjtërim” të qëllimtë, konsiston dhe shkrimi me aq vlera  i Naun Kules. Lexon librin dhe bindesh: ka tri shekuj  mistifikim. Kozma Etoli kish ardhur në Shqipëri si misionar  i Kishës Greke dhe çdo “rrobë shënjti” mbi të, është veç tentativë me prapavijë të lexueshme. Meqë jemi në sinore besimi, është vendi të them, që në kohortën e shënjëtve, ka një Shën Thoma që thotë: “Që të të besoj, dua që plagën ta zë me dorë”. Naun  Kule këtë ka bërë: ka dhënë para të gjithëve “plagën”. Zëreni atë me dorë dhe kini për ta besuar.Por si mund të realizohet kjo? Majfton që të lexoni librin. Edhe diçka tjetër: Naun  Kules iu propozua që të sponsorizohej nga Kisha Greke, për “Shën Kozmanë”. Nëse e bën këtë,- i thanë,- ne do të mbajmë mbi kokë!”. Ofertë e majme, sigurisht. Por ky libofsharak që edhe të atin, të ndjerin Kristo, e kishte psallt në kishë, nuk pranoi ta “mbanin mbi kokë”, por mbështetur me dy këmbët në tokë, ia hoqi zhgunin mitik një shenjti të rremë, duke bërë, me të vërtetë, një vepër heroike dhe atdhetare njëherësh.
        *    *   *

Por libri i Naun Kules nuk mbaron këtu. Ai i çjerrë mushkëritë duke bërtitur për një padrejtësi të madhe në dëm të gjithë të integritetit  të Kishës AUTOQEFALE SHQIPTARE. Duke iu drejtuar Fort lumturisë së tij,Janullatos, dhe duke i thënë troç se Zoti flet dhe shqip, i thotë me pak fjalë:- Zotëri i nderuar, duhet ta lirosh atë vend për një peshkop shqiptar se Kisha Autoqefale është vetëm shqiptare. Naun Kule nuk është se vuan nga ndonjë obsesion i veçantë ndaj Fort Lumturisë së tij, Janulalatos. Jo. Përkundrazi. Ai nuk mohon kontributin e tij në restaurimin e kishave ortodokse në Shqipëri dhe, veç kësaj, edhe punën për përgatijen e personelti që shërben  në këto kisha, por kjo  nuk do të thotë që për 25-vjet, një i huaj, të jetë në drejtimin e kishës. Por, për të mos u bërë i mërzitshëm në ligjëratën time të gjatë, nuk rri dot pa theksuar dhe një fakt:  duke shkruar këtë libër Nauni është bërë dhe objekt i kundërsulmeve nga “puthadorë” që e atakojnë vetëm e vetëm se thotë të drejtën. Kur e shkroi librin, ai i dinte pasojat. Se nuk është aq e lehtë të thosh të vërtetën.
        *    *   *

Të gjithë ata që morën fjalën në atë promovim qenë në unison me atë  ç’ka fola dhe, për mos u hyrë në hak ndonjërit që nuk i përmenda emrin, ja tek them: diksutimet e PETRO SKËNDER LUARASIT, Bajram Karbollit  apo Dilaver Goxhajt qenë nga më entuziastet.

Dhe në fund: ku është Ministria e Kulturës që nuk di ku janë vlerat. Në vend të promovojë një libër me kaq vlera, vete dhe reklamon antivlera të tipit ” Vrima” që jo  vetëm ua shpuri shqiptarëve buzën vesh më vesh, si një parodi qesharake, për t’u bërë  prehë e aluzioneve po aq qesharke: jo  për kopertinë apo për dizenjo. Si në atë këngën e dikurshme “… jo për shkaqe  e sebepe/ turpin e mbajçi për vete”. Ç’them dhe unë? Turpin?  Po turpin e kanë ngrënë me bukë, me kohë. Jo vetëm ministria për librin, por dhe qeveritë që, në këto 25 vjet, akoma nuk duan të dinë që Kishës Autoqefale i kanë hequr skalpin. Dhe prapë me ravijëzohet Çajupi:” … Përmbi të gjithë një efendinë/ qeveris vendin nën Anglinë/. Kështu shkruan tek vjersha”Misiri”. Dhe analogjia është e lexueshme. Naun Kule është myzeqar. Në Myzeqe ka lindur dhe këndohet kënga ” Po s’të deshi vjerra/ të do  lala vet/.” Këto vargje qëndrojnë duke i thënë se janë më të shumtë ata që të duan, se sa ata që të luftojnë. Sigurisht, unë jam një nga ata.

Filed Under: ESSE Tagged With: "Lëndina", Naun Kule, perparim Hysi, që i fali Atdheut

Një pyetje për Nexhmie Hoxhën

February 12, 2016 by dgreca

A të kujtohet?…/
Nga Përparim Hysi/
As që dyshoj në përgjigjet tuaja aq të “sinqerta”, ku po veçoj njërën që gati më rrënqethi: “… paskeni qenë keq me buxhetin dhe mezi “blinit” ushqimet që ju vinin në bllok?!!! Bobo,- lëshova kujen,- sa paskemi qenë prapa botës dhe nuk e paskemi marr vesh këtë “rrezik” me pasoja për kombin!!!. Unë që po të shkruaj, me origjinë jam nga Skrapari dhe kam lindur dhe jam plakur në Myzeqe. Këtij “fukarallëkut” që paskeni hequr, në Skrapar i thonë: “Ato fela nuk m’i nxë jamakia”, kurse në Myzeqe thonë:” Anis të qajnë qetë, qan qerrja”. Sidoqoftë, as Rudina dhe as Bledi Fevziu nuk mund ta dinë se ku më pikon çatia ime. Unë kam një pyetje të drejtpërdrejtë me ju dhe, për t’jua bërë pak më të lehtë përgjigjen, po ju ofroj, duke marrë hua, një rubrikë që në “Zërin e popullit”, reklamohej kështu: ” Pohojnë me gojën e tyre!”.
* * *
Dhe mund të kisha heshtur, po, kur pashë, që për asgjë nuk ndjeje pikë pendese, atëherë dhe unë po e shtroj pyetjen time.
Por, për t’i qëndruar besnik ,ç’të premtova si ofertë, më ndiq.
Enver Hoxha ( sipas teje nuk ka vrarë askënd) po e ndjente që po i afrohej fundi dhe, aty- këtu, bënte ndonjë retushim,sado dy hunj e një purtekë, por po e bënte ama. Fantazma e Bankos po i shfaqej para sysh dhe shkroi e zezë mbi të bardhë: “… kur më kërkonin fashistët në periferi apo larg Tiranës, unë me Delikaten parakalonim mu tek hunda e tyre, pa na hyrë një gjemb në këmbë. Do të thoni ju:- Po si qe e mundur? Dhe po vet përgjigjet:- E kini parë një foto timen me syze e me mustaqe në Muzeun e Luftës? Atë foto ma ka bërë Qemal Stafa. Ajo ishte e një letërnjoftimi tim fallco që ma kish dhënë një shok imi. Ai më kish dhënë dhe të gruas së tij për Delikaten. E di që do pyesni,se si quhej ai shoku? Emri?… Emri nuk më kujtohet, por mbiemrin e kishte HYSI!!! Dhe të shoqen e tij e quanin Vera, ndaj Nexhmies në shtëpi ne i thërresim Vera. Kjo është dhe pyetja ime:- Vallë, të kujtohet kush ishte ai, HYSI (që nuk i “kujtohej) dhe, meqë më ishe mirë nga kujtesa, a e maban mend atë Hysin? Dhe, në nuk mban mend atë, patjetër atë, “Verën”, duhet ta mbash mend.
* * *
Unë kam qenë mësues dhe, siç ke mësuar dhe ti, dhe Enveri për mësuesi, për t’i bërë si më të zbërthyeshme pyetjet e vështira, fillohet nga më e lehta dhe, pastaj, çap pas çapi, pyetja zbërthehet. Ashtu si Enver Hoxha që e hapi vonë “kutinë e Pandorës” të atij “shokut që i kish harruar emrin”, unë po jua bëj pak më të lehtë përgjigjen. “Hysi” pa emër ka qenë vërtet shok me Enver Hoxhën, sa në Liceun e Korçës , aq dhe në Mon Pelje. Ai ka qenë xhaxhai im, jurist në atë kohë në Tiranë. Po. Qe me syze e me mustaqe dhe “shoku që tani nuk e “mbante mend”, jo vetëm syzet ia theu dhe mustaqet ia preu, por i preu dhe kokën me grupin e dytë të deputetëve me Riza Danin e Co… Xhaxhai im, Hilmi Hysi, qe martuar me Mynever Skraparin atë, Verën, Delikate që e kishe shoqe shkolle në Institutin “Nana Mbretneshë”. Përkim i çuditshëm! Sigurisht. Dy shokë që fare rastësisht u martuan me dy shoqe. Kur e pushkatuan timungj, ishte 35-vjeç dhe me shoqen tënde, “Verën” kishin dy çupa, njërën 5-6 vjeç e tjetrën 3-4 vjeçe. Epo edhe ca “pyetje ndihmëse”: xhaxhai tim edhe sot nuk ia dimë varrin dhe, siç besoj, as edhe ti nuk ke se si e di. Por pyetja ime shkon edhe më tej:- Xhaxhai dhe xhaxhesha ju shpëtuan kokën, kurse ju jo vetëm vratë xhaxhanë tim të pafajshëm, por shoqen tënde, me dy çupat e mitura, e hoqët nga Tirana dhe e çuat në një fshat të largët të Lushnjes. Mandej, meqë nuk e mbanit mend,e pushuat fare nga arsimi dhe, sado që njihte tri-katër gjuhë të huaja,e çuat punëtore në fabrikën e qumshtit. Dhe, pastaj, siç thuhej në gjuhën zyrtare të asaj kohe “dokumentet ndjekin postën”, kur çupa e asaj “Verës” në vitin 1959 mbaroi shkollën e mesme mjekësore me të tëra pesa jo vetëm nuk shkoi dot në Universitet, por u emërua në Librazhd. Më sakt: në fshatin Qukës të Librazhdit. Dhe e fundit,”pyetje ndidhmëse”. Partia hoqi “klonin” për biografi për fakultetin mathematikë- fizikë dhe në vitin 1962, u diplomua çupa tjetër e “Verës” asaj shoqes tënde, dhe çfarë çudi e “çuditshme?!”,edhe kjo u emërua në Librazhd. Në rrethin e Librazhdit: edhe kjo në Qukës!!! Siç duket, atje ishin sytë e veshët e mbretit. Atij “mbretit” që nuk mbante mend. Tani, unë t’i thashë të tëra dhe pres, ndoshta nuk i ke harruar. Xhaxhesha, për fat të keq, nuk rron më, por një përgjgigje sikur do t’ju “freskonte” ca ngjarje që nuk janë lehtë për t’u harruar. Pendimi për faj, sikur është ballsam. Apo jo?

* Juristi Hilmi Hysi është pushkatur në shkurt 1948. Sivjet është gjashtëdhjetë e tetë vjetori i vdekjes së tij. Ende nuk dimë varrin e tij.
Tiranë, 12 shkurt 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: nje pyetje per Nexhmije Hoxhen, perparim Hysi

Një ditë me shi

January 6, 2016 by dgreca

Tregim nga Përparim HYSI/
Sot e hëngra një shi të rëndë dhe, tek çaja përmes ujit që vërshonte deri në trotuar, befas m’u ravijëzua në kujtesë xha Solli që e kisha njohur dikur. Ky xha Solli sikur kish lindur ditën e shiut, se me shiun sikur kish nënshkruar një pakt. Ç’shkruaj, mos kujtoni se është një shpikje ime dhe aq. Jo. jo. Xha Solli edhe në të ri të tij, kurrë nuk kish zënë punë me dorë, po, kur binte shi qoftë dhe me rrebesh, atëherë shfaqej ai, sikur jo vetëm nuk i trëmbej shiut, po i bënte dhe karshillëk!!! Ndërsa punëtorët e tjerë, burra dhe gra, zinin ndonjë strehë për t’u mbrojtur nga shiu, xha Sollin e shihje me një lopatë në dorë a me çfarëdo vegle tjetër, që dilte në mes sheshit dhe bërtiste:- Ah, moj e shkretë kohë që na le batall! Kur bërtiste kështu, mos kujtoni se fliste me vete. Jo,jo. Drejtohej andej nga ata “frigacët” që i trëmbeshin shiut dhe nuk ndiqnin këtë, të “guximshmin”, xha Sollin që aq i hanin duarët për punë, sa dhe në “kiamet” e bënte ferk. Ata , të “strehëve”, ia njihnin mirë atë “guxim” dhe atë dëshirë të madhe për punë. Kishte kohë që qeveria ( fshati sa qe bërë fermë), kish vendosur që në ditët me shi, punëtorët merrnin tetëdhjetë përqind të pagës dhe xha Sollit, nuk ia hante kollaj qeni shkopin për qelepir.
Kozmai, një moshatar me të, atje që nga streha e zgjati bodecin e shpotisë:- Po hajde, o ditëzi, se do ta marrësh brinjë më brinjë, dhe do të dalë qelepiri nga hundët! Por xha Sollli nuk lëshonte mez kollaj. Aha, re Komi, në ke brigadierin mik, tija, ajo më është punëza jote, po unë le të lagem deri në palcë, nuk jam mësuar të ha harram. Njerëzia, tek shikonin këtë pehlivan që luante atje mes shiut, gajaseshin së qeshuri. Gra e burra bënin sehir se si “kotej” atje nën vragën e madhe të shiut. Aha,- mbante veten me gajret xha Solli,- punës duhet t’i rrish ballas,se, po i ktheve krahët, të lë fukara ajo. Ja, për këtë trok dheu që do na hajë,- betohej. Dha e dha kështu një copë herë të madhe dhe, kur mendoi se ia “kish bërë hyzmetin” punës, ashtu siç u rrëfye në “sheshmejdan”, shkoi e zuri strehë atje me të tjerët. Tek shtrydhte takijen e bardhë që çurgonte, vazhdonte “leksioni” për punën.
Që the ti, re Komi, – se ti dhe më njeh dhe më mirë nga këta rinia ( epo rrushi i papjekur nuk hahet,de), unë këtë qëne punë, sikur e kam parë me “diell nga jashtë”. Epo kot nuk thonë: kur u ndanë, kaq na ranë. Unë isha i madhi në shtëpi. I madhi, po si “hallemadhi”. Jo do shkoje mik, jo do prisje miq. Epo kush do t’i bënte këto “punëza kaq të rënda”? Veç i madhi. Unë, or unë. E, sa për punët në bujqësi, ato m’i bënte Xoxi, imvëllla. Se, mahere, e kishim kalidhen tok. Punonte Xoxi ama dhe unë kurrë nuk i hyja në hak. Uleshim për të ngrënë, i thosha asaj simes, Varës, una: thelën e madhe ia hidh Xoxit, se qy dhe do ngasë qetë nesër. E, kështu vazhduam gjer sa erdhi kjo “komprativa”. Se kjo,”komprativa” ta mat kokën me pe, or tunjatjeta. Dhe më gjeti ca më keq: kur u bëmë “komprativë”, u ndati dhe Xoxi nga unë. Tani gjeta keq e më keq. Vjen e keqja, hapi derën ,thuaj. Tani që m’u ndati Xoxi më vete, thashë una: hapu dhe të futem se ku qeshë mësuar me punë. Po dhe këtij “halli” sikur ia gjeta vegën ku të varja katruven. Yrysht dhe tujte nga doktori. Jo më dhëmb këtu, jo kollem kështu ( epo kollla më nget, or tunjatjeta,se që dy vjeç. imgjysh më mësoi të pi cigar). Dhe doktori: jo ktheu këtej, jo kollu andej xhëku kuptoi që kisha një “hijez” të vjetër në mushkëri dhe më dha një raport si për punë të lehtë. Të lehtë i thënçin, po, kur më çoi për të bërë “krahaz domatesh”, thashë se m’u këput trupi mëdysh. Aha,- i thashë brigadierit una,- unë më mirë vdes për bukë, se sa të vdes nga puna. Dhe ika, që thoni ju, e nuk u pashë më andej nga fusha. Ika- ika, po “kur të hanë duarët për punë”, nuk të rrihet, ndaj dhe më patë sot në këtë ditë kiameti. Ik në shtëpi, xha Sillo,se do plevitosësh,- ngriti zërin brigadieri
Brigadier, të keqen xha Solli tyja, do m’i hedhësh ato pikët për sot që të iki me mendjembledhur xha Solli?
– Pa merak xha Solli dhe veç duku kur të ketë ndonjë tufan tjetër,- i tha brigadieri.
Dhe iku xha Solli i shoqëruar me britmat shpotitëse të atyre që rrinin në strehë.

* * *
Po nuk mbaron këtu kjo histori me xha Sollin. Kish dalë një ditë e shullëhej nën një rrezedielli dhe i hanin brirët për muhabet. Tek e pashë ashtu, shpotita:- Ah, moj e shkretë kohë që nuk po na hedh një pikë shi!
Qenke ti, mor dhaskal,- foli tek shullëhej. Ore, të ishte e mirë puna, punonte dhe mbreti. Punës, or dhaskal, duhet t’i rrish me “krahëmarrje” si luftës. Pa dili ballas luftës dhe vete mu në hale të gomares. Edhe puna është ca më keq: ta merr shpyrtin pak e nga pak. Keq në vapë e keq në të ftohtë. Në vapë të bie pika mbi kokë; në të ftohtë, të futet dridhma mu në bark. Dhe hajd ma ndreq atë punë,- digjo xha Sollin tija, dhaskal. Unë nuk e mbaja dot ë qeshurin dhe, pa e lënë të vazhdonte më këtë “lexion” kaq me vlerë, ia prita:- Epo nuk bëhet çdo ditë “kiamet” që të marrshë tetëdhjetë pikë!!!
Aha, gjer aty më paska vajtur nami! Opo unë të kem nderin si njeri, pa për të tjerat nuk bëhem merak.
* * *
Kisha kohë pa u parë me xha Sollin, por një ditë prej ditësh, kur shkova që të bëja informacion plotik me brigadën, e gjeta atje dhe xha Sollin. Mos kujtoni se po punonte? Jo. Po u mbante leksion atyre që punonin. Kapa vetëm fjalët e fundit të tij:- Eh, Solli! Eh, Solli! Ku ishe dhe ku je? Baraz me shoqërinë, mbi qenërinë!!!
Tek i dha fund ligjëratës, ndjeva një të qeshur kolektivshe të brigadës dhe, kur kërkova të më tregonin shkakun, një nga të rinjtë, më tregoi.
– Në në fshat kemi një thënie: dikujt që i ecën në jetë, themi: i ka pjellë kau! Një fatkeqi që punon dhe nuk i ecën, themi: i ngordhi lopa. Kështu ka ndodhur dhe me xha Sollin. Këtij, sado që nuk ka punuar kurrë, i ka pjellë kau. Qëlloi një djali i tij, mori një nuse me shkollë. Nusja u fut shitse në fshat dhe dihet kush ka një të punësuar me rrogëbazë në shtet në fshat, ka të ardhura të mëdha. Xha Solli e kuptonn dhe vet, ndaj dhe thotë: “baraz me shoqërinë” ( se do mos bëj karshillëk jetese me të tjerët) dhe “mbi qenërinë” ( e ka për ata që e mbajnë në gojë). Tani, mbas këtij sqarimi, dhe unë nuk e mbajta të qeshurit.
Ja, të gjitha këto m’u kujtuan sot, në këtë ditë me shi, dhe më ravijzohet xha Solli, tek bërtet:- Ah, kjo kohë e shkretë që na la batall!!!

Tiranë, 6 janar 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: nje dite em shi, perparim Hysi, Tregim

Perparim Hysi ne Sofren e Diellit me nje poezi urimi per Faslli Halitin

December 4, 2015 by dgreca

(Poezi jubilare për 80-vjeorin e lindjes së FASLLI  HALITIT)*/

Nga Përparim  Hysi/*

Do këndoj, se ma do shpirti/

Për ty, Faslli  Haliti!/

Sapo mbushe tetë dekada/

Sikur vjen nga balada./

Flokë të bardha, zemërbardhë

Nuk di ç’të rreshtoj më parë?

Je poet dhe prozator

Publicist,edhe piktor.

 

Si përkthyes, ha bukë veç

Jam zënë ngusht me timen vjershë.

Ke kaluar të rëndë kalvar

Porse balli mbetë i  bardhë.

 

Ty ta bënë shpirtin natë

Por nga goja nxirrje mjaltë.

Kurrë kokën s’e përkule

E dëshmon e gjithë një Lushnje!

 

Hape brazda e kanale

Dhe punëtor në komunale

Të hoqën  të drejtën e profesionit

I bën gjë vesa betonit?

 

Nga gjithë vuajtjet më i  fortë

Se ke zemrën sa një botë

Ndaj me  varg dhe me shkrime

Harron vuajtje e mundime.

 

Qoftë në prozë e poezi

Ti mbjell veç dashuri

Shkrim e varg sa njerëzor

Je i thjeshtë dhe je tokësor.

 

Këto vargje dedikim

Si fjalim në atë tubim

Një tubim ekas për ty

100-vjeç, i miri FASLLI!

 

* ka lindur më 5 dhjetor 1935

** Më 5 dhjetor në Lushnjë ka një event jubilar për të ku nuk marr pjesë për arsye subjektive.
Tiranë, 4 dhjetor 2015
* Redaksia e Diellit e uron poetin dhe shkrimtarin Faslli Haliti me rastin e 80 vjetorit te Lindjes. Shume urime, shendet dhe krijimtari te metejshme. Kontributi i Faslli Halitit ne Letersine Shqipe eshet i konsiderueshem. Shkolla e Poezise Lushnjare krenohet qe ka pase ne krye nje Lider poetik, si Faslli Haliti.
Gezuar!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 80 vjet, ditelindja, Faslli Haliti, perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor
  • Nga non-paper i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë tek oferta për heqjen e asteriksit!
  • DIELLI ME SHQIPTARËT  NË AUSTRALI, GRUPI FOLKLORIK “NANË TEREZA”, TRASHËGIMI KULTURORE SHQIPTARE NË ADELAIDE TË AUSTRALISË
  • MË 21 SHTATOR 2023, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Fotoreportazh nga promovimi i tre librave (ribotim) të PhD.Dashnim HEBIBI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT