Nga Prof. Murat Gecaj/
1-Disa kohë më parë, pra kur u botua libri i tretë me poezi, nga Lumturi Ymeri (me emrin letrar, Bersava), “Dritëhije dashurie”(Tiranë, 2013), kam publikuar një shkrim modest. Dëshiroj që t’i përmendi këtu pak radhë, nga ai recension:
“Autorja i gëzohet jetës dhe ngazëllehet për krijesat, që solli në këtë botë. Prandaj, ajo kënaqet dhe lumturohet, bashkë me ta: “Biri im, / ti ece brenda trupit tim,/ plekse rrënjët e tua,/ me indet e mia” (“Ditëlindja”). Kënaqësinë për jetën e ndiejmë të shprehur në disa poezi, si: “E shthura gërshetin”, “Diej, do të blej”, “Qëndise, penë…!” etj. Të këndshme janë edhe poezitë e pjesës “Intermexo”, ku autorja e tregon hapur dëshirën e saj të sinqertë: “Të thithi frymë në terr,/të bëj fjalë në dritë!” Në nëntë faqe, ajo na jep “copëza” nga shpirti i saj poetik. Ndërsa, në mbyllje, lexojmë vargjet aq domethënës: “Të ecësh me këmbë në tokë,/ vërtetë të ngatërrojnë ferrat,/ por të ecësh me këmbë në ajër,/ nuk mund t’i realizosh, ëndrrat!”
Ndërsa, pas më shumë se një viti, përsëri na mblodhi në një përurim të librit të ri të saj, kjo kolege e mike poete. Në mjediset e Ministrisë së Kulturës në kryeqytet kishin ardhur familjarë të Lumturisë, kolegë e miq të saj, shkrimtarë, poetë e artistë, si nga disa qytete të vendit, por dhe nga Tropoja, si arsimtari e publicisti Ibrahim Hajdarmataj, Kosova dhe deri krijues nga Suedia.
Me këtë botim, Lumturi Ymeri doli para lexuesve të saj, pa u nxituar dhe duke u ngjitur shkallë-shkallë e me kujdes. E themi këtë gje, sepse katër librat e botuar janë në një largësi kohore njëvjeçare:“Natë, mbi gjysëmbotë” (2011), “Qielli në qeli” (2012), “Dritëhije dashurie” (maj 2013) dhe “Klithma fryme” (dhjetor 2014). Në librin, që u përurua sot, poezitë janë ndarë në katër cikle dhe në 110 faqe, me përkujdesjen letrare nga Ndue Lazri e D.Gjergji.
2.
Ishte moderator i kësaj veprimtarie përuruese dhe e çeli atë, publicisti e poeti Demir Gjergji. Ndërsa në ekran u shfaqën pamje nga botimet e poetes Lumturi Ymeri, shkrimet e botuara për ta, si dhe vetë ajo duke recituar disa krijime të zgjedhura. Vargje nga libri i ri lexoi edhe kritiku Behar Gjoka, i cili nënvizoi se krijimet e Bersavës janë poezi shpirti e moderne.
Botimin e këtij libri, por dhe tërë krijimtrarinë poetike të kësaj autoreje, e përshëndetën kolegë, mësues dhe drejtorë shkolle, me të cilët ka punuar ose punon tani, kjo mesuese e edukimit fizik.
Me interes u ndoqën fjalët dashamirëse të poetes kosovare, me banim në Suedi, Zyrafete Kryeziut-Manaj e Zyba Hysës, nga Vlora; Dedë Shkurtit e Klaudia Malajt, recitimet e Drita Lushit dhe Xhelal Lucës etj.
Ishte diçka simbolike, që ky përurim u organizua pikërisht në pragun e Vitit të Ri 2015. Autorja i falënderoi përzemërsisht, si folësit dhe gjithë pjesëmarërsit në këtë veprimtari, botuesin e “Ada”-s, Roland Lushi etj.
Pastaj, bisedat e të ftuarëve u vazhduan në koktejin e shtuar nga familja, me këtë rast dhe morën lirin e ri, dhuratë nga autorja, me nënshkrimin e saj.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, e urojmë dhe e përgëzojmë mësuesen poete, Lumturi Ymeri, për këtë dalje të re, para lexuesve tanë! Jemi të bindur, siç u shprehën dhe folësit në këtë veprimtari, të bukur e mbresëlënëse, që ky libër do të shënojë një rritje tjetër në krijimtarinë e saj, jo vetëm sasiore, por dhe cilësore.
Tiranë, 27 dhjetor 2014
NDEROHET NE KURBIN PAPA KLEMENTI XI-ALBANI, FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTAR
Nga Murat Gecaj/
Në qytetin e Laçit të Kurbinit, Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, organizoi Simpoziumin Shkencor me temë,” ”Papa Klementi XI-Albani, një nga figurat më të ndritura të Kombit Shqiptar”.
Kishin ardhur anëtarë të kësaj Shoqate nga Laçi e Lezha, Tirana, Shkodra, Durrësi etj., profesorë e studiues, përfaqësues të Prefekturës së Lezhës (Sabaete Hidri) e Bashkisë së Laçit dhe shoqatave të tjera, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi. Ai nënvizoi meritat shumëplanëshe të klerikut mw të lartë të Kishës Katolike në Romë, Papa Klementi XI-Albani (23 korrik 1649-19 mars 1721) dhe që e zhvilloi këtë veprimtari për 21 vjet me radhë (1700-1721). Në renditjen e Papëve të Vatikanit, ai ishte katërti për nga jetëgjatësia, në këtë detyrë të shenjtë. Po kështu, folësi nënvizoi faktin se ai ishte me origjinë shqiptare dhe, për këtë arsye, luajti një rol me rëndësi në kohën, kur jetoi e punoi, në mbështetje të gjithanshme të çështjes sonë mbarëkombëtare.
Pastaj, uroi mirëseardhjen dhe i përshëndeti të pranishmit, kryetari i Bashkisë së Laçit, Artur Bardhi. Po kështu, u lexua përshëndetja e dërguar nga Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani, Suedi” dhe nga kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, lexuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, prof. M.Gecaj.
Të pranishmit në këtë veprimtari të bukur dhe mbresëlënëse ndoqën me interes të veçantë kumtesat e mbajtura nga studiuesit: Vlash Prendi, prof.Angjelin Shtjefni e Nikollë Loka, prof.Ahmet Osja e Nikollë Lleshi etj.
Të gjithë ata e nënvizuan prejardhjen shqiptare të Papa Klementit XI-Albani, gjë që dhe ai e kishte pranuar në gjallje të vet. Po kështu, u theksua fakti që ai u doli në mbrojtje bashkëkombësve të tij, duke u ballafaquar me pasojat e pushtimit shekullor osman, synimet për asimilimin dhe parandalimin e eksodit të tyre etj. Gjithashtu, ai lujati rol të dukshëm për arsimin dhe kulturën kombëtare shqiptare.
Në emër të pasardhësve të Papa Klementit XI-Albani, përshëndeti Pashk Noka. Ndërsa për ndihmesën e dhënë në dokumentimin, përmes ekranit televiziv, të jetës dhe veprimtarisë së këtij personaliteti të shquar të Kombit Shqiptar, kryesia e Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, i dorëzoi “Mirënjohje” publicistit Engjell Ndocaj.
Për të nderuar dhe përjetësuar jetën dhe veprimtarinë shumë të çmuar të tij, nga ky Simpozium u propozua që, në një të ardhme sa më të afërt, në qytetin e Laçit të ngrihet një bust i Papa Klementit XI-Albani.
Kordinatore e veprimtarisë ishte Olta Paja, ndërsa e mundësuan atë: Bashkia Laç, Komuna Milot, Fondacioni “Papa Klementi XI-Albani” dhe TV “Lezha”.
Në mbyllje të këtij Simpoziumi, pjesëmarrësit i vazhduan bisedat e tyre në koktejin e shtruar, me këtë rast, nga Bashkia e qytetit të Laçit.
Tiranë, 7 dhjetor 2014
ELI KANINA KRAHAS MJEKËSISË, KRIJIMTARI LETRARE…
Nga Prof. Murat Gecaj/
Çdo njohje e re, ka një histori të veten. Kështu mund të them edhe për njohjen dhe takimin e parë me mjeken, por dhe poeten, Eliverta (Anelli) Kanina. Nga mbiemri duket si të jetë nga një fshat i Vlorës. Por jo, tanimë, ajo është pjesë e pandarë e vendlindjes së Dritëro Agollit, pra Devollit të bukur. Pikërisht ky shkrimtar shumë i njohur, por dhe mik i imi i kahershëm, u bë “shkak” i pjesëmarrjes sonë të përbashkët në një veprimtari, sa të bukur aq dhe mbresëlënëse. Ky personalitet i letrave shqipe kishte 83-vjetorin e lindjes dhe Shoqata “Devolli” organizoi ceremoninë e rastit, në një lokal të kryeqytetit. Përmes mikes poete Lida Lazaj, Eli më ftoi në atë tubim festiv të devollinjëve. Bashkë me mua ishte arsimtari e publicisti Sejdo Harka, nga Përmeti. Kohët e fundit, ky kishte publikuar një shkrim për birin e shquar të Devollit dhe pastaj Dritëroi e mori në telefon, ku e përgëzoi dhe e falënderoi atë, përzemërsisht.
Ndoshta, u zgjata paksa, po në atë festë të paharruar kolektive, në nderim të Dritëroit, isha i pranishëm dhe, bile, më pas bëra shkrimin me titullin “Dritëroi është edhe tropojan”. Me Elin bëmë fotografi të përbashkëta dhe më njohu me vajzën, Sabinën dhe djalin e vogël, Alteon. Ndërsa me djalin e madh, Safoelin, ajo u ngrit në një kërcim, për të cilin më pas shkroi e publikoi poezinë e bukur, “Më ftoi im bir, në vallëzim”. Aty janë edhe këto radhë:.
Mbretëreshë e Tokës dhe Qiellit,
atë çast jam ndier,
me djalin tim kavaljer…
Në një shënim, që bëri në FB, Eli do të “rrëfehej”, se si e nisi udhën e krijimtarisë letrare… Ishte nxënëse , kur recitoi këto vargjet:
Xhaxhi Dritëroi di përalla të bukura,
përralla për dhi,ujk, lepuj dhe shpezë.
Lutjuni xhaxhit t’ju tregojë, moj flutura,
dhe xhaxhi do lerë librin e vet në tryezë,
përralla ndërmend do t’i bjerë…
Ndërsa vitet rodhën me shpejtësi dhe ajo do të kujtonte: “Një herë u ndjeva princeshë, kur ishin “Ditët e Dritëroit” , të shpallur nga shoqata “Devolli” dhe kur u bë përurimi i librit tim të parë poetik , “Gruaja dhe muret prej pasqyrash”…
Para se të ndalem pak në faqet e këtij libri, dua të përmendi një poezi, sa të dhimbshme e aq të frymëzuar, kushtuar një bashkëstudenteje kosovare, ëndrrën e të cilës e prenë në mes pushtuesit barbarë serbë, në vitin 1999. Nga vargjet-vajtim të Elit janë edhe këto:
Antigona Fazliu nuk u bëre dot mjeke,
por legjendare e luftës ,nga Kosova;
me që ëndrra jote mbeti e pajetuar,
në vargjet e mia të përjetësova….
Ndërsa Eli pati fatin e bardhë që të diplomohej mjeke. Dhjetë vjet ishte emigrante në Athinë dhe tani profesionin e saj e ka venë në shërbim të jetës së nxënësve, në dy shkolla të kryeqytetit Tiranë, Gjimnazit “Çajupi” dhe Shkollës “Qazim Turdiu”.
2.
Libri i parë poetik i Eliverta Kaninës, “Gruaja dhe muret prej pasqyrash”(Tiranë, 2014), të cilin ajo ma dhuroi me nënshkrim, nuk ka shumë faqe. Botues dhe redaktor është Mark Simoni. Gjithësej, aty janë tubuar 91 poezi, të ndara në 11 cikle.
Me ndjesitë e veta femërore, që në poezinë e parë, ajo shkruan: “Unë jam vetë perendeshë e bukurisë,/ jam parajsa, njëkohësisht dhe ferri,/jam mjalti dhe verem i dashurisë,/ jam paqe sundeuese dhe shkak sherri!?” Ndërsa në poezinë “Vajzës së bukur” shprehet: “Të thonë se djemtë belbëzojnë para teje,/ në kërkim të fjalës magjike;/ të thonë se vajzat ëndërrojnë,/ një herë të vetme të ishin “Ti””.
Rrallë ndodhë që, sidomos poetet, të mos thurin himne nderimi e dashurie për prindërit, por dhe për njerëzit e tyre më të afërt. Kësaj të vërtete i bashkohet edhe Eli, në poezitë: “Prindërve”, “Mamit” e “Babait”, “Shoh vajzën që fle”, “Bashkëshortit tim” etj . Me mirënjohje e dhimbje të natyrshme, shkruan për mamin: “Me frymën time akujt shkriva,/ edhe pse e vogël botën pushtova,/ erdha për ty dhe mbeta vetëm,/në një ëndërr-jetë më le peng vetëveten”.
Meqenëse punon mjeke pranë mësuesve e nxënësve, Eli i kushton një poezi 7 Marsit, Ditës së Arsimit Kombëtar Shqiptar. Por nuk ka harruar që të thurë edhe disa poezi të bukura për një ndjenjë të natyrshme njerëzore, si te:“Dashuri e vonë”, “S’u lodhka dashuria”,“Eja”,”E trishtë dita pa ty”,”Puthmë”, “Dashurisë i duhet dashuri” etj. Në njërën nga poezitë e këtij cikli shkruan: “Bëhem pulëbardhë në sytë e tu,/ vibroj me zërin tënd ëndrrash,/drejt teje, kur vij”(Poezia “Vij tek ti”).
Po i mbylli këto pak radhë me një poezi, që Eli Kanina ua kushton të rënëve për liri e demokraci. Si për të na kujtuar që kaluan plot 70 vjet nga dita e çlirimit të Atdheut, aty shkruan këto vargje: “ Në nderim të dëshmorëve është një datë,/ është dhe një lapidar me varreza,/ në të dalë të qytetit, në një kodër…”(“5 Maj-roje nderi”).
E përgëzojmë këtë poete, për librin e parë të saj dhe i urojmë nga zemra mbarësi në detyrën e shenjtë te mjekes dhe frymëzime të pandërprera!
Tiranë, 23 nëntor 2014
MËSUESJA DAVA MARKU, PO “RRITET” BASHKË ME NXËNËSIT E SAJ…
Nga: Murat Gecaj/
1-Tashmë, është e njohur se gjithësecili mund të shkruajë e të shprehet lirisht, nëpër faqe të ndryshme Interneti. Sigurisht, këtë gjë e di mirë edhe mësuesja e klasës I-b, në shkollën me emrin simbolik “7 Marsi” të kryeqytetit tonë, Dava Marku. Por, ndoshta, me radhët e pakta, që i shoqëroi fotografitë, nga puna mësimore në klasën e saj, nuk i shkonte ndërmend se, me këtë rast, do të kishte aq shumë fjalë miratimi, nxitjeje dhe përkrahjeje, nga mjaft lexues të tyre.
Pa u zgjatur, po shënoj fjalët e Davës dhe më poshtë po tregoj se si e mbështesin lexuesit, ndër ta dhe dhe prindër, këtë mësuese të njohur e të talentuar. Ja, pra, çfarë ka shkruar ajo, në FB:
“Jemi rritur, ne nxënesit e klasës I-b. Sa shumë përpiqemi, që në testet javore të marrim: “ARRITJE TE SHKELQYERA”.Suksese pafund, për ju të mrekullueshëm,nxënës të mi!”
2.
Sapo u njohën lexuesit me fjalët e mësuese Davës dhe panë fotografitë, nga jeta në klasën I-b, përveç atyre që bënë “Like”, nisën të shprehen shumë të tjerë. Pra, po i renditi mendimet e shprehura prej tyre, duke kërkuar ndjesë nëqoftëse jo qëllimisht kam harruar ndonjërin. Ja, pra, çfarë thonë ata:
-Violeta Tota: Ju lumtë, nxënës! Me mësuesen tuaj, normale që arritjet do të jenë shumë të kënaqshme!
-Maria Loka: Forca, nxënës, që të shënoni sa më shumë “Arritje të shkelqyera”!
-Dedë Shkurti: Ju jeni një “Mësuese e merituar”, Dava.
Çudi, që “modernët” e kanë hequr këtë titull të nderuar!?
-Jorida Xhelili: “Arritje të shkelqyera” marrin nga një mësuese e përkushtuar, për t’i mësuar fëmijët tanë. Personalisht, të fëlenderoj, se je “e shkelqyer”!
-Leke Lleshi: Urime, Dava!
Arjola Zoto: Mënyra, se si ju komunikoni dhe e përcillni informacionin me nxenesit dhe, gjithashtu, me ne prindërit, për të arritur nivelin dhe rezultatin e shkëlqyer, është për t’u përgëzuar. Prandaj, të faleminderoj!
Klodi Besholli: E, si mund të jetë ndryshe, me të mrekullueshmen dhe të urtën, Dava? Të kënaqet shpirti, kur shkon që t’i shikosh këta fëmijë: secili unik në llojin e vet, njëri më i bukur se tjetri…siç duken dhe në këto foto.
Robert Citozi: Kur të rriten dhe të bëhen të gjithë të suksesshëm, do t’i pyesin: “Ku i ka fillimet suksesi juaj?” E, ata, njëzëri do të përgjigjen: “Te mësuesja e klasës sonë të parë”.
Nasip Gashi: Poetje e mirënjohur, Adelina Mamaqi, është shprehur kështu, për mësuesen e saj:
”Dhe sot ia degjoj zërin e ëmbël,
dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
mësuesen e klasës së parë”!
-Albert Gjoka: Mësuese Dava! Fantastike këto fotot. Të falënderojmë shumë. Më duket një “akademi e vërtetë”. Çmojmë tej mase përkushtimin tuaj. Suksese për secilin nga dijetarët e vegjël te klasës I-b!
-Zamira Dema-Muça: Këta fëmijë janë me fat, që mësohen dhe edukohen nga ti, Dava. Je e palodhur dhe e dashur!
3.
Me dashamirësinë dhe respektin, që e dallon ndaj të tjerëve mësuese Davën, ajo i është përgjigjur secilit nga këta miq, me fjalë falënderuese e miratuese. Duke kërkuar mirëkuptim nga ju, po shënoj këtu se si jam shprehur unë dhe çfarë ka shkruar ajo, poshtë fjalëve të mia:
“Po, mësuese Dava! Kur prindi, por dhe mësuesi, e sheh fëmijën që rritet para syve të vet, e ndjen se dhe ai po rritet. Kështu, natyrshëm, gëzohet dhe lumturohet bashke me të…Për ty, është pasioni e përkushtimi në këtë profesion, që të bën ta ndjesh e ta kuptosh thellë këtë të vërtetë jetësore…Të lumtë!”
Ndërsa mësuese Dava përgjigjet: “Profesor Murati, të falënderoj shumë! Po, vërtet, më falin kënaqësi këta “dijetarët e vegjël”, siç i quan Aberti…Mirënjohje për ju…”!
Mirënjohje edhe për ty, mësuesja e nderuar dhe e pasionuar, Dava Marku!
…Tani, le të kënaqemi duke shikuar fotografitë, që ka publikuar kjo mësuese e klasës I-b, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të kryeqytetit tonë.
Tiranë, 2 nëntor 2014
LAMTUMIRE BESA IMAMI;“YLL’ I PASHUAR” I SKENËS SHQIPTARE
Nga: Prof. Murat Gecaj/
1.Në vitet ’80-të të shekullit të kaluar, kisha nisur kërkimet për veprimtarinë e mësuesve atdhetarë shqiptarë, sidomos për ata që kishin mësuar në Normalen dhe Gjimnazin e Shkupit, ku nxënësve të tyre ua mësuan shqipen, Sali Gjukë Dukagjini e Bedri Pejani. Kjo ishte dhe arsyeja, se përse shkova edhe në familjen e tre prej mësuesve të familjes Imami, pasardhësit e të cilëve jetonin në kryeqytetin tonë. Kështu, aty u njoha me bashkëshorten e mësuesit atdhetar gjakovar Ferid Imami, tani “Mësues i merituar”, nënë Behixhen, por dhe me djemtë e vajzat e saj. Përveç të dhënave, që mora për Feridin, pra për njërin ndër nismëtarët e çeljes së shkollës shqipe në Gjakovë dhe normalist i Shkupit, aty u njoha me dëshmi e fakte edhe për vëllain e tij, Ahmet Imamin, i cili kishte mësuar në Normalen e Elbasanit dhe ishte ndarë përgjithnjë nga jeta, në moshë të re.
Gjithshtu, në atë vatër familjare mikpritëse, më treguan me dhimbje për birin e Feridit e Behixhes, dëshmorin e Atdheut, Besim Imami. Ndërsa aty pata kënaqësinë të njihja nga afër edhe vajzën e tyre të dashur, artisten e madhe të skenës shqiptare, Besa Imamin, nënën e kolegut publicist, Artur Zheji, si dhe motrën e saj, Lirinë.
Shpesh e kisha parë Besën që luante në skenë, aktore shumë të talentuar në mjaft drama e filma shqiptarë. Ndër ta, më kishte mbetur në mendje, e skalitur aq bukur prej saj, figura e Donika Kastriotit, në filmin “Skënderbeu”. Prandaj, njohja nga afër bëri që të më shtohej shumëfish respekti për të, duke patur parasysh traditën arsimdashëse dhe ndihmesën e dhënë, nga babai e xhaxhai i saj, për shkollën kombëtare shqipe, sidomos në Kosovë.
2.Ja, pas kaq vitesh, dje mora lajmin e hidhur të ndarjes përgjithnjë nga jeta të “yllit të pashuar” të skenës shqiptare, Besa Imami. Kështu, ajo la në pikëllim familjarët e saj, por dhe sa e sa kolegë, miq e dashamirë të artit shqiptar. Natyrshëm, bashkë me lexues të tjerë, i hodha një vështrim të shkurtër jetës së saj të begatë, e cila do të ruhet gjatë në kujtesën e brezave.
Lindi në qytetin plot tradita të Gjakovës, në gusht të vitit 1928. Kur ajo ishte në moshën 9-vjeçare, familja u shpërngul në Tiranë. Jetën artistike në skenë e nisi si amatore. Kështu, rol pas roli, në teatër e kinematografi, që nga viti 1946 dhe deri më 1988, “Artistja e merituar” Besa Imami i dha publikut shqiptar dhjetëra role të spikatura në dramaturgji. Ndër ta, po përmendim këtu: Mbretëresha Tautë (“Artani”), Nënë Zyraja (“Bashkë me agimin”), Prenda (“”Cuca e Maleve”), Rusha (“Halili dhe Hajria”), Laja (“Lulja e shegës”) etj. U rikthye përsëri në skenë në vitet e Demokracisë, pra më 2004, kur luajti në dramën e R.Pulahës, “Streha e të harruarëve”. Por edhe në kinematografi Besa Imami krijoi e skaliti figura të shumta, si: Donika (“Sknderbeu”), Marta (“Brazdat”), Tana (“Në fillim të verës”) etj. Ndërsa luajti dhe në operën “Kavaleria Rustikane” të P.Maskanjit.
Pak ditë më parë, në qytetin e lindjes së saj, Gjakovë, u organizua një ceremoni e bukur. Me atë rast, Besa Imamit iu dha titulli i merituar, “Nderi i skenës shqiptare”.
Me një veprimtari kaq të pasur artistike, por dhe të shtrirë gjatë në kohë, artistja e shquar Besa Imami la gjumë të pashlyera te shikuesit shqiptarë. Prandaj ajo do të jetë e paharruar, jo vetëm për familjarët e saj, por dhe për bashkëpunëtorët e skenës së teatrit e kinematografisë dhe për publikun e gjerë artdashës shqiptar.
…Për ta nderuar jetën dhe kujtimin e kësaj artisteje shumë të njohur të skenës shqiptare, sot në mesditë u organizuan homazhe pranë trupit të pajetë të saj, i cili ishte vendosur në mjediset e Teatrit Kombëtar, në kryeqytetin e Shqipërisë. Përveç familjarëve të saj, erdhën mjaft artistë e shkrimarë, përfaqësues të jetës politike e shoqërore, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Pastaj, e mbuluar me kurora dhe lule të freskëta, ajo u përcoll për në banesën e fundit.
Tiranë, 22 shtator 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 21
- Next Page »