-Kryeministri i Serbisë Vuçiç dje në veri të Kosovës: Nuk e japim Trepçën, nuk e japim Ujmanin/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Prill 2016/ Kryeministri Isa Mustafa ka ritheksuar sot se, “me Kushtetutë dhe me Paketën Ahtisaari është paraparë shumë qartë që çdo gjë që është në territorin e Republikës së Kosovës është pronë e Republikës së Kosovës”. “Për këtë arsye edhe ne nuk po i japim rëndësi deklaratave ditore ose javore ose të rastësishme që po i japin të tjerët, sepse ne e dimë çka është e jona, dhe çka është e jona ne do ta zhvillojmë në harmoni me Kushtetutën”, theksoi kryeministri Mustafa.Kreu i qeverisë kosovare është përgjigjur kështu sot në pyetjet e gazetarëve lidhur me deklaratat e djeshme të kryeministrit serb Aleksadar Vuçiç për Trepçën e liqenin e Ujmanit të pretenduara prona të Serbisë, në veri të Kosovës, gjatë një vizite dje.“Nuk e japim Trepçën, nuk e japim Ujmanin, mbrojmë popullin tonë”, është citur Vuçiç në një nga titujt e raportimeve të medias së Beogradit nga vizita e kryeministrit serb në veri të Kosovës.
“Serbët nga Kosova janë pjesë e shtetit tonë”, ka thënë kryeministri i Serbisë Vuçiç, i cituar nga media serbe, ndërsa nuk raportojnë a ka thënë se shqiptarët e Kosovës pjesë e cilit shtet janë.Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.