Ekspozita “Muzeu i Memories” hapet nën kujdesin e Presidentit Nishani: “Kjo ekspozitë ngacmon përgjegjshmëritë e shoqërisë.”/
Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u hap sot paradite në Institucionin e Kreut të Shtetit, ekspozita “Muzeu i Memories”, e cila shpalos fotografi të viktimave të diktaturës dhe të dhëna të detajuara të periudhës së errët komuniste në Shqipëri.
Ekspozita, konceptuar si një muze virtual, u hap në Institucionin e Presidentit të Republikës në prag të përkujtimit të datës historike të fillimit të Lëvizjes Studentore Shqiptare, 8 Dhjetorit, ose e njohur ndryshe si “Dita e Rinisë”, e cila simbolizon fillimin e rrëzimit komunist gjysmë shekullor në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj ekspozite lëvizëse, është përveç pasqyrimit të së kaluarës së errët diktatoriale të vendit tonë dhe bërjes së saj pjesë të projektit global të krimeve të komunizmit, të jetë e pranishme edhe për brezat e rinj duke u hapur më pas nëpër qytetet, gjimnazet kryesore dhe universitetet publike anembanë Shqipërisë.
Në ceremoninë e hapjes së “Muzeut të
Memories” ku ishin të pranishëm të përndjekur dhe të burgosur nga regjimi komunist, studiues, historianë, studentë të Universitetit të Tiranës dhe atij “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, fillimisht e mori fjalën publicisti dhe politologu Afrim Krasniqi, i pasuar nga i burgosuri dhe i përndjekuri nga diktatura, Bedri Çoku.
Duke iu drejtuar të pranishmëve me këtë rast, Presidenti Nishani theksoi në fjalën e Tij se është këndshëm që disa çaste të fundjavës të ndahen me qytetarët, aq më shumë kur shoqëria jonë ka nevojë për të nxitur dhe kuruar ndjesinë e komunitetit dhe të solidaritet me njëri-tjetrin. “Institucionet shtetërore, shoqëria civile, në tërësi aktorët e shoqërisë, veçanërisht të rinjtë kanë nevojë ta mëkojnë këtë ndjesi solidariteti dhe ndarjes së kohës së përbashkët qoftë edhe duke biseduar për probleme që lidhen në tërësi me shoqërinë.” – theksoi Kreu i Shtetit.
Duke shprehur vlerësimin maksimal për nismën dhe konkretizimin e saj, edhe në emër të Institucionit që përfaqëson, Presidenti tha “Jam tepër i kënaqur që po bëhem pjesë e promovimit dhe përcjelljes së një veprimtarie të tillë, por më shumë të produktit të tij. Çështjet e debatit, ndarjes me njëri-tjetrin të problematikave dhe sfidave jo vetëm aktuale, por edhe të atyre që kanë kaluar si dhe atyre që na presin, janë përgjegjësi të konsiderueshme të shoqërisë. Dhe në këto përgjegjësi, të gjithë aktorët, qofshin të organizuar, por qofshin edhe në mënyrë individuale, të cilët kanë një vullnet, dëshirë, kapacitete dhe aftësi duhet të jenë protagonistë çdo ditë të jetës së tyre, për të sjellë në debat, në diskutim dhe në kujtesë të gjitha këto lloj sfida.”
Duke nënvizuar se këto momente që kjo ekspozitë na i risjell në vëmendje, i përkasin të kaluarës sonë shumë të hidhur, të një regjimi të cilin ata që nuk e kanë jetuar apo vuajtur vetë, nuk arrijnë ta kuptojnë se sa lëndues, denigrues, penalizues ka qenë ai për individin dhe shoqërinë në tërësi duke i privuar nga hapësira e lirë, Presidenti u shpreh se: “Po, është e vërtetë që Shqipëria ka qenë një burg i madh, por sot ka mbetur vetëm çështje e retorikës. Kjo veprimtari, kjo ekspozitë, ky muze ngacmon më shumë se çdo gjë tjetër përgjegjshmëritë e shoqërisë.”
“Kanë pasur njerëz që janë pushkatuar, që kanë humbur jetën pa asnjë arsye, njerëz që kanë humbur rininë e tyre duke ua marrë jetën pak e nga pak dhe natyrisht që nuk ka gjë më të tmerrshme, kur kjo jetë u merrej pak e nga pak përmes vuajtjes së përditshme, pa bukë, pa veshje, i poshtëruar, i përbuzur dhe një qenie njerëzore mund të rezistojë edhe pa disa kushte normale të jetesës, por kur ndihet i përbuzur në mënyrë të organizuar nga një sistem i tërë, veçanërisht për atë që shqiptari përfaqëson në dinjitet dhe integritet, është shumë herë më e rëndë. Dhe ky ka qenë një moment, që përtej barbarisë së kohës, faktet historike që duhet të jenë shumë më tepër të pranishme, tregojnë që ata shqiptarë, të cilët u ndeshën në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë represion, me këtë veprim shtetëror kriminal, ditën të gjejnë forcë e ta përballojnë. Do të desha që të rinjtë e sotëm, studentët të dalin e të reflektojnë mbi gjithçka që ata marrin si informacion.” – nënvizoi Presidenti.
“Duhet të memorizojmë atë që ka kaluar, sidomos pasojat e rënda psikologjike që ajo kohë ka shkaktuar për një shoqëri të tërë, e cila ende ka gjenerata që u lindën dhe u rritën nën atë lloj depresioni psikologjik të organizuar kudo. Kjo kohë nuk ka qenë fort e largët, ka qenë vetëm 25 apo 30 vite të shkuara, e cila ka shkaktuar edhe pasoja ekonomike, sepse pasuritë e shumta të Shqipërisë nuk u përdorën për interesat e shqiptarëve.” – vuri në dukje Presidenti.
Duke përmendur pjesën më tragjike të internimeve, ku familje të tëra futeshin në kampe përqendrimi të rrethuar me tela me gjemba, Presidenti shtoi se dëshmitarët e kohës mund të rendisin fakte pafund. “Ka një borxh në tërësi të institucioneve të shtetit, pasi nuk është e drejtë të fajësojmë gjithë shoqërinë, pasi ajo, jam i bindur që, do të mbështesë çdo nismë të institucioneve që disponojnë infrastrukturën dhe mundësitë financiare për të memorizuar dhe për të sjellë të gdhendur në kujtesën e historisë së Shqipërisë këtë periudhë dhe unë sot do të preferojë shumë që të kishim një muze të vuajtjeve dhe të tmerreve që shqiptarët kanë kaluar në Spaç apo në Burrel, në Qafë-Bar apo në Tepelenë, në Gradisht apo diku tjetër, në mënyrë të tillë që t’i referohemi gjithmonë edhe mundësisë së të keqes në këto përmasa. Unë i besoj një parimi: Ne duhet ta memorizojmë të shkuarën, ta memorizojmë fort, të bëjmë pjesë të ndarjes së informacionit, në mënyrë të tillë që së paku të kemi shpirtin e qetë dhe mendjen e kthjellët, për të parë tek ajo që është më kryesorja për ne, tek e ardhmja, sepse edhe sot që jetojmë e punojmë, kemi detyrimin për të ndërtuar të ardhmen, por asesi dhe kurrë për të harruar të kaluarën. S’ka gjë më të mirë për një shoqëri dhe për individin e saj kur shpirtin e ka të pastër dhe mendjen e ka të kthjellët.” – u shpreh Presidenti.
Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm në ekspozitë si elita e ardhshme vendimmarrëse në drejtim dhe menaxhim të shoqërisë sonë dhe të resurseve të saj, Presidenti u kërkoi dhe i nxiti që të ndajnë me këdo e të reflektojnë mbi atë çka kemi kaluar dhe kryesisht mbi pasojat që ka sjellë ajo kohë: “Koha jo fort e largët që prodhoi ato pasoja ishte një sistem konkret me mekanizma, kryesisht ideologjik, që përfaqësohej përmes një rrjeti të tërë politik dhe struktura të tjera. Por mekanizmi ekzekutiv dhe më i tmerrshëm ka qenë Sigurimi i Shtetit, që ka qenë ndër më të egrit edhe ndër të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes në Evropë. Dhe në fakt, krimet e kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit janë konkrete, janë madje edhe në shkelje të rëndë të legjislacionit të kohës, të lirive themelore të njeriut dhe në dhunim të parimeve të humanizmit njerëzor. Unë besoj që përtej mekanizmit ideologjik që meriton gjykimin publik të shoqërisë, mekanizmat represivë, të cilët kanë kryer akte kriminale duhet të njohin përballje ligjore. Ky nuk është revansh. Kjo nuk është hakmarrje. Përkundrazi kjo përbën distancim dhe klasifikim të angazhimeve për të realizuar jo vetëm një platformë, por edhe një realitet të dhunshëm dhe kriminal.”
“Unë mbetem me bindjen që përvoja e deritanishme e këtyre njëzet e pesë viteve të fundit, kur sistemi në Shqipëri ndryshoi, është prova më e fortë dhe më e drejtpërdrejtë për të treguar që shqiptarët, jo vetëm që nuk e kanë pjesë të karakterit dhe të natyrës së tyre, por edhe nuk kanë bërë përpjekje për të ndërtuar një sistemi hakmarrjeje dhe revanshi. Dhe unë i besoj kësaj si vlerë, pasi hakmarrja dhe revanshi, individual apo kolektiv qoftë ai, nuk sjell pajtimin e shpirtrave dhe kthjellimin e mendjeve. Por kjo asesi nuk duhet marrë si dobësi, apo si pamundësi për të reaguar apo për të toleruar provokime, të cilat fare pak kohë pas mbylljes së kësaj periudhe të tmerrshme, tentojnë dhe provokojnë të shfaqen jo vetëm përmes fotove të diktatorit, sepse ai mund të jetë akti kulminant i një platforme provokimi në tërësi ndaj lirive, ndaj hapësirës – s’ka gjë më të tmerrshme për një njeri se sa t’i kufizosh hapësirën. Të provokosh sot qytetarët me teori, teza apo praktika për të justifikuar një platformë, një ideologji dhe veprimtari të mekanizmave për të testuar që a e pranon sot shqiptari konceptin e kufizimit të hapësirës, kjo është e papranueshme dhe shumë e rëndë.” – u shpreh Presidenti Nishani.
“Prandaj unë mendoj që gjithsecili prej nesh, pavarësisht gjeneratës që i përket, pavarësisht angazhimeve që ka pasur, por veçanërisht gjenerata e re, duhet ta shohë në këtë raport: raportin e tij si individ me hapësirën që i takon. Kurrsesi nuk mund të pranojmë tentativat për të na e paraqitur si një model të mundshëm ngushtimin e dhunshëm të hapësirës sonë të lirisë. Kjo është e papranueshme në asnjë kontekst dhe në asnjë lloj ambienti. Do të ftoja nismëtarët dhe drejtuesit që kanë realizuar këtë, të cilët vijnë nga bota akademike, nga gazetaria, opinionistë, njerëz që e njohin mirë mendësinë e shoqërisë shqiptare dhe që shquhen për dinamizmin e përballjes, të çliruar nga ajo që shpeshherë mjaft individë e kanë: nga censura e sofistikuar e kohës, – që të vijojnë këto lloj angazhimesh. Jam i bindur që gjithmonë e më shumë shqiptarët, duke jo thjesht u informuar, por duke e perceptuar në realitet dhe me realizëm këtë lloj angazhimi, do ta ngacmojnë ndërgjegjen e shoqërisë për ta pasur si një lloj reflektimi e për të bërë krahasimin me çka kaluar ky vend në një kohë jo shumë të largët dhe jam i bindur që kjo jo vetëm do të ndezë emocione, por do të ndezë edhe motivime. Dhe ne kemi nevojë për motivim, e gjithë shoqëria, por motivimin më të madh e më të fuqishëm duhet ta ketë gjenerata e re. Jam i bindur që ky angazhim, kjo nismë dhe kjo vëmendje që shprehet nga kjo prani këtu, do të frymëzojë edhe institucionet e shtetit, edhe aktorët e tjerë të shoqërisë për t’i parë gjërat më me përgjegjshmëri, sepse e quaj që përgjegjësia duhet të ekzistojë dhe nuk ka nevojë që të kërkohet të jetë e tillë.” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti i Republikës.