FJALA E STUDIUESIT- MUZIKA TRADICIONALE LABE/
Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI-Universiteti Winthrop-Rock Hill, South Carolina-USA/
“Ç’më fute në mendime, moj kënga labe!/
Melodinë tënde ndjek,/
Por mendimin s’ta kap dot lehtë!/
Ngjitesh, zbret, zbret, prapë ngjitesh./
Isua të mban. (Një melodi me rrënjë!)/
Më ngjan herë-herë si mërmërtje e shqetësuar!/
E prapë ti di të jesh edhe kushtrim,/
Di të jesh edhe e gëzuar!”/
Robert Prendushi (1936-)/
Çështje etnomuzikologjike, si: shqyrtimi i vendit që zë muzika tradicionale labe brenda muzikës tradicionale shqiptare, njohja e tipareve të saj më të rëndësishëm lëndoro-substancialë e strukturoro-formalë, marrdhëniet me dialekte të tjerë të muzikës tradicionale shqiptare, rrezatimi kulturoro-artistik brenda dhe jashtë kufijve etnikë të Shqipërisë, etj., kanë qenë, ndër vite, sa shqetësime vazhdimisht të thellë, aq edhe ëndrra ngaherë të bukura, që unë kam pasur! Duke dhënë një pamje të përgjithshme të përfytyrës së dialektit muzikor lab gjatë shekullit XX, artikulli im nuk përfaqëson vetëm se një përpjekje modeste për të njohur sadopak këtë lloj dialekti.
Parashtrim
Muzika tradicionale labe është dialekti i muzikës tradicionale shqiptare që bën jetë në Shqipërinë Jugperëndrimore, ose, më mirë, në bashkësinë e madhe të zonave etnografike, që, në popull, njihet me emrin Labëri. Nga pikëpamja tipologjike, ajo ekziston thjesht në një dialekt të vetëm, pra, pa nën-dialekte të caktuar muzikorë. Sakaq, ndër stilet muzikorë më të spikatur të saj, lejomëni të përmend: stilin muzikor të Kurveleshit, stilin muzikor të Lopësit, stilin muzikor të Lunxherisë, stilin muzikor të Zagorisë, stilin muzikor të Gjirokastrës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Himarës, stilin muzikor të Dukatit, stilin muzikor të Pilurit, stilin muzikor të Bënçës, etj. Midis tipareve themelorë dallues të muzikës tradicionale labe, më lejoni të vë në duke sidomos: 1) përbërja, në disa raste, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht; përbërja, në shumicën e rasteve, nga dy, tri ose katër linja melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup; 2) natyra recitative, deklamative, folëse e mjeteve të saj shprehës në përgjithësi dhe e melodikës në veçanti; 3) sistemi modal/tonal pentatonik; 4) kontrasti si thelb i ndërthurjes së linjave melodike; 5) metrika/ritmika më shpesh e matur, e qartë, e përcaktuar; 6) mos-shoqërimi me instrumente muzikore (fjala është për muzikën tradicionale zanore labe), etj.
Muzika tradicionale labe pёfaqёson njё art, sa me përmbajtje të thellё, aq edhe me formë të pasur. Ashtu sikurse ndodh brenda muzikёs tradicionale toske, edhe brenda saj vërehet një dallim i ndjeshëm midis stilit grarishte dhe stilit burrërishte të të kënduarit. Përsa i takon stilit lab grarishte, vëmendje tërheqin sidomos: struktura e përgjithshme dy ose tri-zërëshe; melodika e kristalizuar; kontrasti i ndjeshëm midis linjave melodike; metrika/ritmika e matur, etj. Ndërkohë, përsa i takon stilit lab burrërishte, përshtypje bëjnë veçanërisht: struktura e përgjithshme dy, tri ose katër-zërëshe; melodika e zhvilluar; kontrasti i mprehtë midis linjave melodike; metrika/ritmika e matur, etj. Të njohësh së brendshmi muzikën tradicionale labe do të thotë të njohësh, së paku, dy tipare kryesorë të mbarë muzikës tradicionale të Shqipërisë Jug-perëndimore: strukturën modale/tonale pentatonike dhe kontrastin si kriter kryesor të ndërthurjes së linjave të saj melodike.
Përsa i takon sistemit modal/tonal, muzika tradicionale labe afron mjaft sidomos me muzikën tradicionale toske (nën-dialektin muzikor tosk, nën-dialektin muzikor myzeqar, nën-dialektin muzikor çam, së toku): në të dy rastet, sistemi modal/tonal është i njëjtë: pentatonik. Vetëm se pentatonika labe ndryshon në thelb prej pentatonikës toske. Po kështu, ndërsa brenda muzikës tradicionale labe, si kriter kryesor i ndërthurjes së linjave të saj melodike, shërben kontrasti, brenda muzikës tradicionale toske, si kriter kryesor i ndërthurjes së linjave të saj melodike, shërben imitacioni. Pёrveç sistemit të përbashkët modal/tonal, një afri tjetër midis këtyre dy dialekteve muzikorë, ndonëse s’është aq thelbësore, shfaqet karakteri a cappella: mos-shoqërimi i muzikës zanore me instrumente muzikore.
Të kuptuarit e mënyrës së ekzistencës së muzikës tradicionale labe ka qenë një proces bukur i vështirë! Ç’është e vërteta, gjatë viteve të para të studimeve të mia, unë, thuajse qetësisht, mendoja se muzika tradicionale labe–zanore o intrumentore, një-zërëshe o shumë-zërëshe– ekziston thjesht si një dukuri kulturoro-artistike e pandashme në njësi të veçanta, pra, si një dialekt muzikor që nuk degëzohet në stile muzikorë! (Në atë kohë, ndoshta me naivitet, unë arsyetoja pak a shumë në këtë mënyrë: “Përse duhet vallë që muzika tradicionale labe të ekzistojë në stile muzikorë?! Çfarë kuptimi do të kishte një dukuri e tillë?! Apo mos ndoshta ajo do të ishte thjesht një dëshirë subjektive e studiuesit etnomuzikolog?!) Mirëpo, me kalimin e kohës, duke dëgjuar këngë tradicionale labe të fshatrave dhe zonave të ndryshme etnografike, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, vura re se, muzika tradicionale labe, ekziston në stile muzikorë herë-herë mjaft të spikatur. Kështu, për mua, filloi të bëhet përherë e më e qartë ideja se, zona etnografike, si: Kurveleshi, Lopësi, Lunxheria, Zagoria, Smokthina, Himara, etj., sikurse edhe fshatra, si: Kanina, Vranishti, Tërbaçi, Dukati, Piluri, Bënça, etj., ndërsa këndojnë brenda të njëjtit dialekt muzikor, sërish dallohen muzikalisht njëri nga tjetri. Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, arrita në përfundimin se, dialekti muzikor lab i muzikës tradicionale shqiptare, ekziston në stile të ndryshëm muzikorë, sipas zonave etnografike, dhe, herë-herë, sipas fshatrave të caktuar. Megjithse duket e tepërt, sërish përmend faktin se, një ligjësori e tillë—prania e vazhdueshme e stileve muzikorë–, karakterizon të katërt dialektet muzikorë themelorë të muzikës tradicionale shqiptare: dialektin muzikor geg, dialektin muzikor tosk, dialektin muzikor lab, dialektin muzikor qytetar.
Ndonëse prindërit e mi, Xhorxhi S. Shetuni dhe Vala J. Shetuni, sikurse tërë arumunët e Shqipërisë, këndonin toskërisht, muzika tradicionale labe sërish hyri në jetën time fare herët. Si rastësisht, kur unë isha rreth 4-5 vjeç, një darkë, dëgjova një këngë shumë-zërëshe muzikalisht të panjohur për mua, e cila intepretohej nga një grup të rinjsh arumunë. Ajo kishte qenë pikërisht një këngë labe! Disa vite më vonë, kur unë isha rreth 7-8 vjeç, muzika tradicionale labe filloi që të bëhet më e afërt për mua. Duke qenë se, në atë kohë, mungonte drita elektrike, ne s’kishim ende as radio, as televizorë, as magnetofonë! Sidoqoftë, gjatë viteve 50-të të shekullit XX, në Shqipëri, nisën që të shiten gramafonë dhe pllaka gramafoni të prodhuara gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit nga shoqëri perëndimore, si: Columbia, Odeon, etj. (Siç dihet, energjia që i vinte në përdorim gramafonët prodhohej mekanikisht brenda vetë aparateve.) Një ditë, pasi dëgjova disa këngë tradicionale shumë-zërëshe toske të shoqëruara me saze (klarinetë, violinë, llautë, dajre), dëgjova edhe disa këngë tradicionale shumë-zërëshe himariote. Ato nuk shoqëroheshin me instrumente muzikorë, pra, ishin a cappella. Me shkëlqimin e tyre të veçantë melodik e harmonik, këngë të tilla sikur e ndalën për një çast frymëmarrjen time!
Repertori
Muzika tradicionale labe ka një repertor mjaft të pasur. Mund të shprehem pa ndrojtje se, çdo stil muzikor lab, përfaqësohet nga këngë të një niveli artistik, krijues e interpretues, me të vërtetë mjeshtëror. Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë labë, të njohur
brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin: “O çoban i maleve,” “Bilbilenjtë trembëdhjetë,” “Që kur del del yll’ i karvanit,” “Kurvelesh, zemëra ime,” “Seç gjëmon Shuri përpjetë,” “Lule, djemtë e nënave,” etj. (brenda stilit muzikor të Kurveleshit); “S’vemi asqerë për Turqinë,” “Shihni, shihni, Shazen-o,” “Do t’i vete me ferianë,” “Caush Likë Dorëza,” etj. (brenda stilit muzikor të Lopësit); “Nusja jonë arbërore,” “Aman, filxhani me bojë,” “Ju nizam’, more të mjerë,” “Misto Mame, o lule,” “Dasma lunxhiote,” “Lunxheri plot lezete,” etj. (brenda stilit muzikor të Lunxherisë); “Ç’ka bari që s’mbin në qafë,” “Ç’jam goditurë në ballë,” “Kur varesh nga ato male,” “Rashë e theva shtëmbën-o,” etj. (brenda stilit muzikor të Zagorisë); “Dërgon Gjoleka njerinë,” “Kurvelesh e Gegëri,” “Nëntëqind e dymbëdhjetë,” “Evropa shkruajn’ e thonë,” etj. (brenda stilit muzikor të Gjirokastrës); “Kumbulla prapa shtëpisë,” “Bejkë, shashaqe mëllënjë,” “Çerek shekulli më parë,” “Ushtria jonë popullore,” etj. (brenda stilit muzikor të Smokthinës); “Vajzë e valëve,” “Erdhi prilli, ç’u shkri bora,” “Moj Katina, Nina-Nina,” “Dallandysh’ e vogël-o,” “Lule, Zaho, lule djalë,” “Dy vajza, të dyja labe,” etj. (brenda stilit muzikor të Himarës); “O Dervish Aliu, dolle,” “O Qemal, kur të përzunë,” “O trima, flini të qetë,” “Kuvendon nëna me djalë,” “Eshtë e jona Shqipëria,” “Tregon Gego Velideja,” etj. (brenda stilit muzikor të Dukatit); “Tundu, bejkë e bardhë, tundu,” “Njëzet e tetë mijë yje,” “Shko, moj shko, kuacë e kuqe,” “Zoga kaçake në mal,” etj. (brenda stilit muzikor të Pilurit); “Bij çobanësh neve jemi,” “Moj ftujë e bardhë e shullërit,” “Kurveleshi mal mbi male,” Abaz Shehut,” etj. (brenda stilit muzikor të Bënçës). Më lejoni që të jap tekstin poetik të këngës me titull “Bilbilenjtë trembëdhjetë:”
“Për Bilbil e për Resulë,
Shtatë pashallar’ u shkulë!
O ju, të shkretë çapkënë,
Shkurti ç’ua prishi takëmë,
Që hodhi borë të rëndë!
Bilbilenjtë trembëdhjetë,
Vanë në litare vetë!
— Ngreu, Bilbil, hidh litarë!
— Dale, bej, të ndez cigarë,
Se s’jam çanaku me dhallë,
Por jam Bilbili me pallë!”
Tipare themelorë dallues
Duke i shqyrtuar tiparet më themelorë dallues të muzikës tradicionale labe, qoftë edhe në vija të përgjithshme, ndoshta do të mund të fitohet një ide deri-diku e qartë rreth përfytyrës tërësore, lëndoro-substanciale e strukturoro-formale, të saj. Lejomëni që të bëj një karakterizim të shkurtër, vetëm se thelbësor, të secilit prej tyre.
Karakteri strukturor një-zërësh e shumë-zërësh
Karakteri strukturor një-zërësh nënkupton përbërjen e një pjese të muzikës tradicionale labe nga një linjë e vetme melodike. (Të kësaj natyre janë zhanre, si: nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, boroitja ose logatja, etj.). Një strukturë e tillë sjell, si rrjedhojë, të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht. Teorikisht, mundësia që interpretimi i zhanreve të mësipërm të bëhet edhe nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup nuk përjashtohet. Ka, pastaj, edhe një mënyrë të ndërmjetme ose të dyfishtë, e cila bashkon dy rrugët e mësipërme. (Kujtojmë, p.sh., vajtimet kolektive.) Mirëpo, pavarësisht nga mënyra e interpretimit, struktura e përgjithshme, në këto raste, mbetet gjithmonë një-zërëshe.
Karakteri strukturor shumë-zërësh nënkupton përbërjen e pjesës më të madhe të muzikës tradicionale labe nga disa linja melodike: zakonisht, dy, tri, katёr. (Të kёsaj natyre janё zhanre, si: kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj–të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.–, ballada, kënga epike–legjendare e historike–, zhanre instrumentorë, vallja tradicionale, etj.). Një strukturë e tillë sjell, si pasojë, të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup. Po të marrim parasysh dendurinë e përdorimit të zhanreve shumë-zërësh brenda muzikës tradicionale labe, atëherë mund të pranojmë se kjo lloj muzike është më tepër shumë-zërëshe.
Karakteri recitativ
Karakteri recitativ, deklamativ, folës parakupton afrinë që ekziston midis intonacioneve të muzikёs tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, dhe intonacioneve të të folurit njerëzor. (Në dallim nga muzika tradicionale toske, kjo lloj muzike ruan natyrë të ndjeshme recitative.) Motive, masa, fraza muzikore të ndryshme të muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe janë recitative në shkallë të ndryshme: motivet që këndohen nga shumë këngëtarë (bashkarisht) shfaqen në përgjithësi më ariozë, ndërsa ata që këndohen nga këngëtarë të veçantë (veçmas) paraqiten më deklamativë. Ndërkohë, frazat muzikore ndërmjetëse, në përgjithësi, shfaqen më të këndueshme, kurse frazat muzikore fillestare dhe ato përmbyllëse, si rregull, paraqiten më deklamative. Duke vazhduar vrojtimin, pranoj që, nëse fraza e dytë muzikore (e cila, siç mund të kuptohet, përbëhet nga një numër masash muzikore) mund të quhet pjesë arioze, fraza e parë muzikore (e cila, po ashtu, përbëhet nga disa masa muzikore) duhet vështruar si pjesë deklamative. Në muzikën tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, karakteri recitativ objektivizohet ngaherë në mënyrë relative: motive, masa, fraza muzikore të ndryshme; linja melodike të ndryshme; stile muzikorë të ndryshëm; gjini, zhanre e lloje folklorike të ndryshëm janë deklamativë në shkallë të ndryshme. Porse, duke qenë relativ, karakteri folës mbetet, në të njëjtën kohë, faktor i rëndësishëm i përfytyrës së saj tërësore melodiko-modale.
Karakteri pentatonik
Karakteri pentatonik nënkupton ndërtimin e muzikës tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, prej modesh të përbërë nga pesë tinguj të ndryshëm, të cilët vendosen si rregull në largësi sekondash të mëdha e tercash të vogla. (Nga kjo pikёpamje, ajo shfaqet thuajse e njёjtё sikurse muzika tradicionale toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe.) Nënvizoj se, modet pentatonikë janë të përbashkët, si për zhanret muzikorë një-zërësh, si: nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, boroitja ose logatja, etj., ashtu edhe për zhanret muzikorë shumë-zërësh, si: kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), ballada, kënga epike (legjendare e historike), etj.
Karakteri kontrastues
Karakteri kontrastues parakupton ngjizjen e muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe, në thelb, prej raportesh të ndryshëm melodikë, kontrapunktikë, harmonikë, metrikë/ritmikë midis linjave të saj melodike në përgjithësi dhe dy linjave kryesore melodike në veçanti. (Nё qoftё se, nё muzikёn tradicionale shumë-zërëshe toske, thelbin e ndёrthurjes sё linjave melodike e pёrbёn imitacioni, në muzikën tradicionale labe, thelbin e kësaj ndërthurjeje e përbën kontrasti.) Brenda muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe, marrësi dhe kthyesi kontrastojnë midis tyre veçanërisht në rrafsh melodik, kontrapunktik, harmonik, metrik/ritmik. Ndërkohë, ata afrojnë njëri me tjetrin jo vetëm si rrjedhojë e harmonisë, ritmikës plotësuese, etj., por, gjithashtu, e rregullsisë formale gjatë kontrapunktimit të linjave melodike.
Karakteri metrik/ritmik i matur
Karakteri metrik/ritmik i matur nënkupton natyrën e muzikës tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, për të qenë në përgjithësi e matur, e qartë, e përcaktuar, nga pikëpamja metrike/ritmike. (Nё kёtё aspekt, muzika tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, shfaqet thuajse njësoj sikurse muzika tradicionale gege.) Pjesët muzikore zanore e instrumentore të saj, duke u organizuar në metra/ritme të thjeshtë, të përbërë, të përzier, jepen zakonisht në mënyrë të përpiktë nga pikëpamja metrike/ritmike. Lejomëni të kujtoj, p.sh., nina-nanat ose ninullat, boroitjet ose logatjet, vajtimet ose ligjërimet, këngët lirike me llojet më të ndryshme të tyre (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), balladat, këngët epike labe (legjendare e historike), etj. Më lejoni të sjell ndër mend, po ashtu, pjesët muzikore instrumentore labe, etj. Të mos harrojmë, pastaj, as vallet tradicionale labe, veçanërisht ato që organizohen në metra/ritme të përzier: pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj.
Karakteri a cappella
Karakteri a cappella ose thjesht zanor parakupton natyrën e muzikës tradicionale zanore, labe e toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe, për të mos u përcjellë me instrumente muzikorë, ose, që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, për t’u vetë-shoqëruar. Nga sa është hulumtuar, vërehet se, brenda muzikës tradicionale zanore shumë-zërëshe, ky tipar lind, në mënyrë shkakësore, shfaqje të rëndësishme në jetën e saj, si: vetë-përcjellja me iso, shoqërimi i valleve me këngë, modulacioni, etj. Historikisht, muzika tradicionale zanore labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, i ka qëndruar anash shoqërimit instrumentor, si për të mos e ndryshuar në asnjë mënyrë përfytyrën e saj. Sidoqoftë, s’kanë munguar raste të shoqërimit me instrumente muzikorë.
Muzika labe dhe muzika toske
Një krahasim i përgjithshëm midis dialektit muzikor lab dhe dialektit muzikor tosk (nën-dialekti muzikor tosk, nën-dialekti muzikor myzeqar, nën-dialekti muzikor çam, së toku), shfaqet si një çështje e rëndësishme, sidomos duke marrë parasysh faktin se, këta dy dialekte, janë pa dyshim të afërt, në mos të njëllojtë, në katër aspekte muzikorë themelorë, si: i) struktura e përgjithshme ose sasia e linjave melodike; ii) tekstura muzikore; iii) sistemi modal/tonal; iv) raportet e muzikës zanore me instrumentet muzikorë. Disa përfundime që dalin përmes krahasimit të dialektit muzikor lab me dialektin muzikor tosk, ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:
- Dialekti një-zërësh o shumë-zërësh lab fiton më tepër ngarkesë ideo-emocionale epike, ndërsa dialekti një-zërësh o shumë-zërësh tosk ruan më shumë ngarkesë ideo-emocionale lirike.
- Në rrafsh të përgjithshëm strukturor, dialekti shumë-zërësh lab, ekziston me dy, me tri dhe me katër linja melodike, kurse, dialekti shumë-zërësh tosk, ekziston vetëm me dy ose tri linja melodike.
- Në rrafsh melodik, dialekti lab, është më tepër recitativ, deklamativ, folës, ndërsa, dialekti tosk, shfaqet më shumë arioz, muzikal, i këndueshëm.
- Në qoftë se, metrikisht/ritmikisht, dialekti lab, vjen, më shpesh, i matur, i qartë, i përcaktuar, dialekti tosk, shfaqet, herë-herë, i pamatur, i paqartë, i papërcaktuar, ose kapriçoz, delikat, i stërholluar.
- Gjatë jetës së tij, dialekti shumë-zërësh lab, përgjithësisht, s’e ka njohur dhe as e njeh shoqërimin instrumentor, kurse, dialekti shumë-zërësh tosk, ka njohur, në një farë mase, edhe shoqërim instrumentor.
Muzika labe dhe muzika greke
Muzika tradicionale labe dhe muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite), për shekuj me radhë, kanë jetuar e jetojnë në fqinjësi të afërt. Në kushte të tillë, ato kanë dhënë e marrë njëra me tjetrën, kanë ndikuar njëra mbi tjetrën, kanë bashkëvepruar midis njëra-tjetrës. Disa përfundime që dalin përmes krahasimit të muzikës tradicionale labe me muzikën tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite), ndoshta do të mund formuloheshin si më poshtë:
- Muzika tradicionale labe ka një strukturë të përgjithshme më rrallë një-zërëshe dhe më shpesh shumë-zërëshe: dy-zërëshe, tri-zërëshe, katër-zërshe, ndërsa muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite) ruan një strukturë të përgjithshme më shpesh një-zërshe dhe më rrallë shumë-zërëshe: dy-zërëshe, tri-zërëshe (asnjëherë katër-zërëshe).
- Muzika tradicionale labe ka një teksturë muzikore më rrallë monofonike dhe më shpesh polifonike, ndërsa muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite) ruan një teksturë muzikore më shpesh monofonike dhe më rrallë polifonike.
- Muzika tradicionale labe ka një sistem modal/tonal pentatonik, ndërsa muzika tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite) ruan një sistem modal/tonal kryesisht diatonik.
- Muzika tradicionale zanore labe, zakonisht, nuk shoqërohet me instrumente muzikorë, ndërsa muzika tradicionale zanore greke (vurgare, dropullite, pogonite), zakonisht, përcillet me instrumente muzikorë.
Studiues shqiptarë e ndërkombëtarë dhe poetë
Albanologë të ndryshëm, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm jashtë-muzikorë të kulturës materiale e shpirtërore të Labërisë. Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend studiues, si: Eqrem Çabej, Mary Edith Durham, Johannes Georg von Hahn, Fiqiri Haxhiu, Selami Pulaha, Emin Riza, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Aflred Uçi, Martin Urban, Rrok Zojzi, etj. Studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm muzikorë. Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend muzikologë, si: Hysen Filja, Beniamin Kruta, Vasil S. Tole, etj.
Përfaqësues të shquar të poezisë shqipe, u ndikuan, më së pari, pikërisht prej bukurisë dhe pasurisë së rrallë të poezisë tradicionale labe. Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend figura, si: Fatos Arapi, Ali Asllani, Andon Zako—Çajupi, Ismail Kadare, Sejfulla Malëshova, Agim Shehu, etj. Gjatë shekullit XX në përgjithësi dhe gjysmës së dytë të tij në veçanti, poezia tradicionale labe u lëvrua nga vjershëtorë të mirënjohur popullorë, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend vjershëtorë, si: Zaho Balili, Feti Brahimaj, Lefter Çipa, Sejmen Gjokoli, Selim Hasani, Dule Havari, Tomorr Lelo, Maliq Lila, Teno Lona, Memo Meto, Kujtim Mici, Neço Muka, Shefqet Peçi, Hamdi Pulo, Hysen Ruka, Qazim Adem Ruka, Saliko Dalan Salaj, Muhamet Tartari, etj. Duke u mbështetur në trashëgiminë e poezisë tradicionale labe, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, doli një plejadë tjetër, më e re, poetësh të talentuar, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend poetë, si: Sadik Bejko, Izet Çulli, Faik Deda, Lirim Deda, Halil Qendro, Petrit Ruka, Novruz Shehu, Qazim Sheme, Ilirian Zhupa, etj. Mbledhës i përkushtuar i folklorit letrar të Shqipërisë së Jugut ka qenë, midis të tjerëve, Fatos Mero Rrapaj.
Të shpresojmë se studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, etnomuzikologë e muzikologë, do të bëjnë emër pikërisht duke iu përkushtuar hulumtimit të muzikës tradicionale shqiptare në përgjithësi dhe asaj labe në veçanti.
Epilog
Bashkëveprimi midis muzikёs tradicionale labe dhe muzikёs tradicionale greke (vurgare, dropullite, pogonite), megjithse ka ardhur natyrshëm si rrjedhojё e afёrsisё gjeografike midis popullit shqiptar dhe popullit grek, s’ёshtё aspak njё proces i thjeshtё, i njёtrajtshёm, uniform. Si ligjёsori universale, bashkëveprimi midis kulturave të ndryshme muzikore të kombeve, popujve, ose grupeve të ndryshëm etnikë, gjeografikisht të afërt ose të largët, është gjithmonё një proces i ndërlikur, kompleks, shumë-dimensional. Njё proces i tillё s’duhet parë thjesht në strukturën e përgjithshme dhe as në teksturën muzikore, por, në radhë të parë, në aspektin melodiko-modal të kulturave muzikore tradicionale, në përgjithësi, dhe në sistemin modal/tonal të tyre, në veçanti. Ndërkohë, as vetë sistemi modal/tonal s’duhet marrë asnjëherë i shkëputur prej faktorëve të tjerë, muzikorë e jashtë-muzikorë.