• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NA I NXEFE SHUPLAKAT GJENERAL…!

April 14, 2016 by dgreca

Bisedë me shkas që nisi në ditëlindjen e 80-të të Kadaresë në Janar 2016 dhe përfundoi në ditëlindjen e 84-t të Pirro Manit, sot 14 Prill 2016/

Nga Dalip Greca*

Së bashku me një nga miqtë më të afërt të Pirro Manit, që prej kohës kur  la Koloradon për Nju Jorkun,  Veis Belliun, e vizitojmë jo rrallë “Gjeneralin” e skenës shqiptare në shtëpinë e tij në Harrison, një zonë e lakmuar nga njujorkezët. Edhe këtë herë Pirro na priti në krye të shkallëve të shtëpisë së tij së bashku me Pavlinën.

-Është i vetëm çifti sonte,- thotë me të qeshur regjisori…

Pjesa tjetër e familjes kishte shkuar për fundjavë jashtë Nju Jork-ut.

Pa mbaruar mirë përshëndetjet Pavlina e shtroi tavolinën. Biseda që në fillim kapërcen oqeanin. Qe fundjanari dhe po diskutonim rreth veprimtarive që u organizuan në Shqipëri, veçanërisht në Gjirokastër,  për 80 vjetorin e Shkrimtarit Ismail Kadare. Pirros i kishte mbetë në kujtesë thënia e Kadaresë se ishte tepruar me veprimtaritë kushtuar ditëlindjes së tij, ndërkohë që ishte harruar 17 Janari i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu…. Natyrisht që Kadare i meriton nderet.

Nga Kadare kaluam tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”…  Pyetjen e bëra unë, pasi Veizi ma kujtoi rrugës; Si ishte puna e nxefjes së shuplakave në Prishtinë në Vjeshtën e Vitit 1972?

…. Në fakt e kishim lënë një bisedë përgjysëm gjatë vizitës që patëm bërë paskthimit të  tij Verën e shkuar nga një vizitë në Shqipëri, ku Tirana dhe rrethet e Teatrit, aktorë të vjetër e të rinj, studentë të Akademisë së Arteve, media folën dhe shkruan shumë për “Epokën e Pirro Manit”. Në atë vizitë ta paskthimit nga Tirana, bashkë me ne ishte dhe Adem Belliu i Televizorit Kultura Shqiptare në Nju Jork, që e la kamerën hapur për të “vjelë” sa më shumë nga bsieda me Pirrron dhe Pavlinën…..

***

Këtë herë, unë kisha marrë me vete disa fletë të printuara nga gjurmët e shfaqjes të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Prishtinë në në vitin 1972. I pata kërkuar korrespondentit të Gazetës “Dielli” në Kosovë, gazetarit Behlul Jashari, që të hulumtonte në shtypin e kohës se si ishte pritë shfaqja e Gjeneralit aso kohe në Kosovë. Behluli kërkoi nëpër librari, nëpër koleksione gazetash, dhe diçka gjeti. I kisha kërkuar që mundësisht të takonte e të intervistonte personazhe që kishin qenë në shfaqje.

Në fakt nuk e pati të lehtë: Fatkeqsisht, më shkruante Behluli, shkrimtari, përkthysi, gazetari Vehap Shita, që ka shkruar për  vënien në skenë në Teatrin Krahinor të Kosovës, Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të të madhit Pirro Mani, ka dy vjet që ka ndërruar jetë, ndërsa  shkrimtari e gazetari Musa Ramadani, redaktor i Kulturës për shumë vite në Gazetën Rilindja, që gjithashtu e ka ndjekur nga afër shfaqjen dhe ka shkruar për të, tani nuk është mirë me shëndet, por gjithësesi biseduam në telefon dhe atij i kujtohej mjaft mirë  shfaqja dhe ende i ruante të fuqishme mbresat nga shfaqjet e Gjeneralit….E kujton Pirron si gjeneral të Skenës…

Ia lexoj Pirros letrën e Behlulit, dhe e shoh se si i shkëlqejnë sytë….Tek dëgjon mesazhin e gazetarit nga Prishtina, bëhet më i vëmendshëm, pastaj duket sikur përhumbet në mjegullën e kohës dhe nga rrathët e kujtesës kërkon të kapë gjurmët e asaj shfaqjeje ….

– Ka qenë një shfaqje e madhe…Pata më shumë liri regjisoriale atje në Prishtinë. E shfryva dufin e censurës dhe autocensurës. Realizova një shfaqje moderne me të gjitha mejtet skenike që më jepte liria.Në Kosovë shkeleshin liri të tjera, por jo si në Shqipëri, ku gjithçka censurohej, veçanërisht në fushën e krijimtarisë… Nuk kisha mbi kokë atje “Kontroll Partie”, siç i thoshim ne, Këshilli Artistik, që bënte skanerin e shfaqjes para se të shkonte tek publiku….

Biseda ngrinë…. Për një çast Gjenerali i skenës shqiptare, heshtohet… Për disa minuta dëgjojmë frymarrjen e  tij të shpeshtuar.Duket se po e përjeton atë që ka lënë atje në Prishtinë, pjesë nga vetja.

Më pas, sikur të ishte kujtuar për diçka, më thotë: Nuk arrij t’i bashkoj të gjitha copëzat e atij përjetimi që zgjati më shumë se 6 muaj në Prishtinë. Shkroi shumë shtypi atje për Gjeneralin. Mbaj mend se njëra nga gazetat e asaj kohë pat vënë një titull që më mbeti në mendje për shumë kohë ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral!”….Në fakt ma kishin thënë këtë shprehje edhe me zë pas shfaqjes”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”…Më pëlqente shumë ky kompliment. Kaq, s’mund të thonin më shumë në atë kohë…

***

… Gazetari nga Prishtina më kishte dërguar disa faqe të librit të shkrimtarit Vehap Shita”Kur ndizen Dritat”, libër i botuar pesë vjet pas shfaqjes në  Prishtinë, në vitin 1977, dhe që mund të gjendet sot edhe në bibliotekën e Universitetit të Urbanës në Illinois, këtu në SHBA.

Shkrimtari, kritiku Shita, shkruante: Pa marrë parasysh se romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është vepër e njohur, e çmuar si një nga më të bukurat në Letërsinë bashkohëse shqipe, drama që Pirro Mani kishte thurur me lëndën e romanit, edhe si autor i dramatizimit, edhe si regjisor, të jep përshtypjen e një spektakli teatral më vete. Pirro Mani ka ndjekë rrugën e inskenimit realist spektakolar, por me tendencë të dukshme që të mbeten gjithnjë në plan të parë idetë e veprës.

Pirro Mani e kishte parim profesional, që të mos i hynte në pjesë autorit, por ai i ngjizte veprës shpirtin e tij regjisorial, dhe vepra fitonte atë ç’ka i mungonte.

Në kujtesën e Pirro Manit”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” ka një peshë të shumfishtë. Kadare ia pat dhënë të parit dorëshkrimin e “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, ende pa u botuar si libër. Ishte tronditur Pirrua nga dramaciteti dhe ankthi që mbartëte subjekti. Ndërsa e përpintë së lexuari, mendjen e kishte në skenë….Kur doli libri nga shtypi, Pirro ishte nga të parët që e mori nga autori me autograf. Në mendjen e tij nisi endja e pëlhurës skenike, që në Prishtinë pat më shumë liri e fantazi krijuse.

Pirro kujton kohën e largët të shfaqjeve në Kosovë. Ishte Vjeshtë e vitit 1972. Atë kohë drejtor i Teatrit të Prishtinës ishte shkrimtari dhe poeti i zëshëm i Letërsisë Shqipe Azem Shkreli. Përgatitjet me Trupën e  Prishtinës kishin vazhduar rreth gjashtë muaj. E kujton si sot…Kur Pirro pat krijuar bindjen se gjithçka ishte gati, nisur nga praktika në Shqipëri, ku Partia kontrollonte gjithçka, dhe pa viston e saj nuk jepej shfaqja, kishte shkuar për të takuar e për tu këshilluar me drejtorin e Teatrit.

– Pse është munduar regjisori deri tek drejtori?, i pat thënë Azem Shkreli me të qeshur.

Pirro iu përgjigj pyetjes me pyetje:

– Kur do ta mblidhni Këshillin Artistik, që të kontrollojë shfaqjen dhe të na lejoji ta shfaqim për publikun?  Unë jam gati, që nesër…

Nuk e kishte mbaruar fjalinë e dytë, kur drejtori-shkrimtar, pat shprehë habinë:- Çfarë Këshilli Artistik po thua, he burrë? Nuk kemi Këshillë ne këtu. Ti je regjisori, e ti je Këshilli artistik. Nuka ka punë Këshilli Artistik me vizionin tënd, me realizimin tënd regjisorial s’ka punë njeri! Ti je Këshilli, përsëriste dhe qeshte shkrimtari -drejtor.

Pirro është habitë për vete. Ç’thotë ky Azem Shkreli? Po Partia, breeee? Po vija….?! Po Kontrolli punëtor…Po Bashkimet Profesionale…Po ai, i madhi fare…nuk do të dërgonte përfaqësues ai…

I kishte drejtuar dhe një pyetje drejtorit:- Po a nuk bëhet këtu shfaqje gjenerale para Këshillit Artistik?

– Jo pra jo, je ti mbreti i skenës, je ti Gjenerali….

U kthye tek trupa dhe intensifikoi provat. Gjithçka iu duk se ishte gati. Gjenerali, që luhej nga Shani Pallaska-pionier i aktrimit Kosovar dhe Prifti i luajtur mjeshtrisht nga i madhi Istref Begolli, ishin shkrirë me skenë sipas vizionit të regjisorit Pirro Mani, ashtu siç edhe Plaka Nicë në fiksimin e saj tronditës, e mishëruar fort bukur nga loja e përsosur e Melihate Ajeti, që dukej se “Nica” e saj vinte nga një tjetër planet, si jashtoksore, për t’ia prishur  gëzimin gjeneralit.

Publiku Kosovar e mbajti frymën pezull gjatë shfaqjes. Pirro kujton momentin e shfaqjes së plakës Nicë… Halucinacionet e Gjeneralit… Tronditja nga kontrastet e thella…Fantazia e Pirro Manit kishin krijuar një mjedis të kontrasuar me Kryqe, varreza pushtuesish,e zeza e hijeve të mortit, skeletet e veshura me najlon, ishte e frikshme fëshfëritja e tyre, ndjesia e vdekjes që zotëronte skenën, pastaj skena e bardhë e dasmës,daullet e dasmës, valltarët që  kërcenin në skenë, këngët polifonike me interpretim modern…Ishte një shfaqje ekspresioniste, që diktoi respekt në qarqet teatrore…

Publiku kosovar e priti shfaqjen me duartrokitje të zjarrta. Ishte dhe Kadare në shfaqje. U gëzua shumë kur pa atë pritje aq të ngrohtë. Morën pjesë edhe nga teatri Serb, ai Podgoricës, i Novi Sadit. Të gjithë e vlerësuan.Ishte diçka ndryshe…(Lexoje te plote ne Diellin e Printuar)

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, Na i nxefe shuplakat Gjeneral, Pirro Mani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT