• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NA ISHTE DIKUR LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

May 17, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes. Por ky vit shënon gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Po kalon pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak ose pothuaj aspak aktivitete të jenë shënuar deri tani për këtë përvjetor, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim, por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.

lidhja-e-prizrenitLidhja e Prizrenit 2Në vend të kujtimit të këtyre dy përvjetorëve, me shumë rëndësi për historinë, për identitetin, për bashkimin dhe terësinë gjeografike të Kombit Shqiptar – diskursin në politikë dhe në median shqiptare, në të dy anët e kufirit, pikërisht këtë vit – po e dominon sot debati mbi influencën ruse dhe turke dhe mbi ndarjen e influencave të tyre në trojet shqiptare kryesisht,  ashtu siç kishte ndodhur pas marrveshjes së Shen Stefanit midis Rusisë dhe Turqisë së atëhershme, për ndarjen e trojeve shqiptare midis tyre dhe fqinjëve të shqiptarëve.  Si nuk mësojmë kurrë nga historia.  Historia po përsëritet dhe autoritetet shqiptare, ndryshe nga koha e Lidhjes së Prizrenit, po rrinë indifirent, duarkryq, ose më keq, siç thonë disa, po bëhen pjesëmarrrës të kësaj loje të flliqtë të këtyre fuqive të huaja.  O tempora o mores, do të thonte Ciceroni.

Por, duan e nuk duan sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbulltë nepër të cilën po kalojnë shqiptarët.  Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve,  autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore dhe të interesave të kombit në përgjithësi. Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty morën pjesë përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit.  Po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit — me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka dedikuar Lidhjes së Prizrenit, “Kangën e Nandët” të veprës së tij madhështore, Lahuta e Malcisë.

Në këtë poemë, Fishta fton Zanën që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit.  Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë.  Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë  trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh.

M’ato maje të Prizrenit

Ku kanë ndejun rend pas rendit

Me Ali Pashën në krye të vendit…

 

…Ai nuk asht, more lum vasha

Tjetërkush veç se Ali Pasha

Që për të drejta të Shqyptarisë

Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

E s’i dhimben nanë as djal:

Për to jetën vet e falë.

Nëqoftse më lejohet të jem pak krahinor e të përmend që Fishta, ndër të tjerë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, i dedikon disa rreshta Vat Marashit, Bajraktarit të fisit të Shkrelit:

E njaj tjetri ma përtej

Me ata dy mustakë të mëdhej

Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

Ai nuk ashtë jo Diomedi

Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

Që s’ tremb as topi as shpata,

E i thonë emnit Marash Vata…

Natyrisht, se në poemën e tij Fishta përmend disa ndër pjesmarrësit dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe e hapësire:

Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”,  i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren — nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet dhe gëzohet, thërret Zanën e Sharit –“Në gjuhë të ambël të Shqyptarit, “Thirrë i paska Zanës së Sharit” — dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit.  Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridave të rinjë, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën e vjetër, ose  ndoshta mund të ishin Dardanët.  Ban buzën në gazë Ora e maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin, “As Akejë, as s’janë dardanë, as vigaj as katallaj”,  por ishin pjesëmarrësit heronjë shqiptarë: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërin, At Gjergj Fishta e portretizon kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Që m’ i bâjn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.

Fishta përcjellë në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit Shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi.  Ndërsa Bajraktari i Shalës Mar’ Lula i thotë Kuvendit se për ‘të dhe për Shqiptarët mbarë, si Shkjau, si Turku  janë armiqë të njëjtë.  Në fund, sipas vjershës kushtuar Lidhjes së Prizrenit në Lahutën e Malcis,  Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër fuqive të mëdha të asaj kohe dhe mbretit – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke venë qartë në dukje se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të hinglizvet, as e franzezëvet, as të gjermanëvet e as e sllavëve dhe as otomanëve, këndon Fishta.  Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit — i cili “do t’i falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi — t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh.

“Por ashtë toka e t’Parvet tonë,

Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

Prandej s’ka as Krajl as Mbret

Që ket tokë e falë a e shet…

A ka sot burra Shqiptaria, porsi dikur motit, që të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afat shkurtëra personale e partiake.  Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhej për Kombin Shqiptar – 550-Vjetori i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin?  Këndej, a po andej?  Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, a po drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetore kombëtare, shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit, Na ishte nje here

Na ishte një herë…!

April 15, 2016 by dgreca

Fejton/

Nga Reshat   Kripa/

– Gjysh, a do të më tregosh një përrallë? – më tha në një nga këto ditë mbesa ime.  Kërkesa e saj më hutoi. Nuk më kujtohej asnjë nga përrallat që kisha dëgjuar dikur nga gjyshja ime kur isha fëmijë. Mirpo mbesa ngulte këmbë. Atëherë m’u kujtua se përrallat e gjyshes fillonin me shprehjen:

– Na ishte njëherë…!

Unë   e   dëgjoja   i   habitur   deri   sa   qepallat  më mbylleshin. Kur zgjohesha  kërkoja  më  kotë të shihja ndonjë nga personazhet e atyre përrallave por  ata  ishin zhdukur, ishin bërë hije të padukshme.

Mirpo  vitet  rrodhën  dhe  tani   isha  unë ai që duhej t’i tregoja mbesës time përralla të tilla. Historia po përsëritej.

Desha, nuk desha, fillova të sajojë nga mendja një të tillë me personazhet e kohes sonë, të cilën e nisa me shprehjen e zakonshme:

– Na ishte njëherë…! – dhe vazhdova duke shpikur lloj-lloj aventurash.

Përralla që nisa t’i tregoj mbesës nuk bënte fjalë as për diva dhe as për katallanë, as për Hirushe dhe as për Borëbardha që të të ngjallnin simpati me veprimet e tyre. Përralla bënte fjalë për disa karagjozë që mburreshin dhe thërrisnin me zë të lartë për të mirat që i paskëshin bërë dhe do t’i bëkan këtij vendi dhe këtij populli dhe i kërkonin atij që t’i përkrahte. Këta karagjozë me pelivanllëqet e tyre kishin mundur të arrinin majat e pushtetit dhe që nga froni i lartë i perandorit bënin be e rrufe dhe betoheshin në qiell e në dhe se do të bënin mrekullira për popullin e përvuajtur që qeveritarët e mëparshëm na e paskëshin lënë në mjerim. Më tepër betoheshin se do të vinin në vend padrejtësinë që i ishte bërë asaj pjese të popullsisë që “ustallarët” e regjimit të përmbysur e kishin degdisur në hapsanat e errëta të vendit dhe i kishte etiketuar si “armiq të popullit”.

Një fushatë e shfrenuar shpërtheu në median e shkruar dhe atë vizive  mbi këtë “dëshirë” të sundimtarëve të sotëm. Ekranet e televizorëve gati sa nuk u çanë nga britmat e korbave dhe faqet e gazetave u nxinë me këtë lajm të bujshëm.  Pikërisht një vit më parë, nën tamtamin e kësaj medie, u miratua në Kuvendin e Shqipërisë një ligj i mbiquajtur “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, madje i vunë edhe një numër 45 dhe një datë 30.04.2015 që të mos harrohej kurrë. U fol se për këtë ishin bazuar në eksperiencën gjermane Sa për sqarim, një ligj i tillë për këtë çështje ishte bërë edhe njëzet vjet më parë kur në pushtet ishte qeveria e vendosur pas përmbysjes së madhe  e cila u hodh poshtë nga qeveria pasardhëse që erdhi në pushtet pas katrahurës së madhe të ndodhur dy vjet më pas. Me rikthimin në pushtet të qeverisë së parë u hartua përsëri një ligj i tillë por të rrëzuarit nuk dorëzoheshin. Duke shfrytëzuar faktin se në krye të organeve kushtetuese që duhej të vendosnin mbi fatin e ligjeve ishin vetë ata të cilët ky ligj do t’i fshinte nga faqja e dheut, arritën ta heqin qafe edhe këtë ligj.

Po çfarë përmbante ligji i ri? Do të doja të citoja disa vargje të një poeti satirik të së kaluarës që, në të vërtetë, ka qenë i të njejtit kalibër me sundimtarët e sotëm):

Me pallavra plot një thes,

                                                Desh t’na mbushte mendt e kres!

            Kështu edhe përpiluesit e këtij ligji. Përpiluan një çorbë derri që as  edhe  më  të  diturit  e dheut  nuk mund ta kuptonin se çfarë zgjidhte. Me pak fjalë as mish dhe as peshk. Për këtë ligj nuk u mor mendimi i askujt. Nuk u pyetën shoqatat e të përvuajturve. Nuk u pyetën shoqatat e të drejtave të njeriut. Nuk u pyet asnjë shoqatë tjetër. Madje njëra nga këto shoqata hartoi një projekt-ligj që u diskutua gjërësisht nga shtresat e mësipërme. Ky projekt-ligj u hartua në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Kondrad Adenauer”. Mirpo kuvendi, për të cilin nuk e dimë se cilën eksperiencë gjermane kishte zbatuar sepse Gjermania nuk ka patur dy variante të tilla, nuk kishte se si ta miratonte një ligj të tillë pasi ai, po të miratohej do të flakte jashtë shumë individë që sot drejtojnë komisionet e kuvendit, drejtoritë e institucioneve të qeverisë, të gjitha shkallët e drejtësisë. Ndaj u miratua  ligji i hokatarëve që lante gojën me shtresën e gjërë të popullsisë.

Megjithatë pati disa që e përkrahën pasi mendonin më mirë një gjysmagjel se sa hiç fare. Mirpo nuk vonoi edhe ata u zhgënjyen. Prit e prit që ligji të zbatohej dhe atyre iu bë mjekra një pëllëmbë dhe nuk po e shihnin të zbatuar. Në një nga nenet e ligjit (Neni 7/1) thuhet: Për zbatimin e këtij ligji krijohet Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Të interesuait prisnin zbatimin e këtij neni. Kush do të ishin kandidatët për këtë post? Në Nenin 8/1 të ligjit thuhet:

Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga rradhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral.

  Çuditërisht, në ligj nuk përcaktohet se kush duhet t’i propozojë këto kandidatura, gjë që nuk ndodh në projektin e shoqërisë civile ku përcaktohet se vijnë nga propozimet e Presidentit të Republikës dhe Shoqërisë Civile. Siç duket Kreu i Shtetit kishte vendosur të ishte ai vetë zot dhe vetë shkop. Megjithatë pasi kaluan gjashtë muaj më në fund u përcaktuan edhe dhjetë kandidaturat që do të konkuronin për një vend në autoritetin në fjalë. U thirrën edhe në komisionin përkatës të Kuvendit ku paraqitën curriculumet e tyre. Dorëzuan edhe kartat e sigurisë së figurës së sejcilit. Megjithatë zgjedhja e tyre vazhdon të mbetet enigmë. Ajo, megjithëse kanë kaluar edhe gjashtë muaj të tjerë, ende nuk ka përfunduar. Deri kur? Asnjë përgjigje. Përse? Përsëri nuk ka përgjigje. A mos vallë janë bërë pishman që e miratuan këtë ligj dhe tani duan ta lenë në harresë? Mos u çudisni! Kjo është Shqipëria jonë, Shqipëria në botën e çudirave.

Pikërisht mbi këtë temë ndërtova përrallën që ia tregova mbesës time. Ajo më dëgjoi me vëmendje dhe kur mbarova më pyeti:

  • Po tani ku mund t’i  shikojmë  këta  hokatarë? –  duke  përdodrur  fjalën  me  të  cilën

i kisha emërtuar unë

Mbeta në mëdyshje. Nuk dija si t’i përgjigjesha. U gjenda ngushtë. Për fat më erdhi në ndihmë kanali televiziv publik i cili transmetonte kronikën e një parade të çuditëshme. E ktheva në një kanal tjetër. E njejta gjë. Po kështu edhe kanali i tretë, i katërti e në vazhdim. Kisha parë shumë lloje paradash, duke filluar nga ato ushtaraket, të bukurisë ose të modës, por një paradë të tillë nuk e kisha parë kurrë. Kjo për faktin se, në vendin tonë, ndodhin çudira të tilla që nuk mund t’i shohësh në vende të tjera. Ajo ishte një paradë e burrave të shtetit që sot drejtojnë vendin dhe që donin t’i mbushnin mendjen publikut se ata paskëshin qenë ajka e shoqërisë shqiptare. Midis tyre kishte edhe nga ata që dikur, në kohën e firaunit, kishin qenë me detyra shumë të mëdha ose pinjollë të tyre duke folur para një turme që i duartrokiste me ovacione si dikur.

  • Ja ku i ke! – i thashë mbesës.

Nuk e di nëse ajo më kuptoi apo jo por në mendjen time më vinte rrotull shprehja:

  • Na ishte një herë një ligj!

Filed Under: Fejton Tagged With: FEJTON, Na ishte nje here, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT