Kunderpergjigje ndaj nje shkrimi te profesor Pellumb Xhufit./
Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia/
Eshte per t’u habitur sesi ende disa historiane bolshevike mundohen ta mbrojne, ta rehabilitojne figuren e diktatorit Enver Hoxha. Ata mundohen ta bejne kete ne menyra te kamufluara, djallezore, duke u munduar t’i vene ne pah ndonje veti “pozitive” dhe duke u munduar t’i arsyetojne krimet e regjimit te tij cnjerezor. Ideologjia bolshevike eshte bunkerizuar thelle ne mendesine, ne mendjen e tyre. Komunizmi shqiptar ishte me i egri ne tere Perandorine e Lindjes, por ja qe nje pjese e mire e shqiptareve ende e adhuron ate, madje me shume se ne cilindo shtet tjeter te ish-botes komuniste. Per fat te keq, kjo vlen edhe per nje pjese te mire te intelektualeve, akademikeve, artisteve, historianeve qe gjerat i shohin vetem ne anen, formen me siperfaqesore. Keta historiane, ne vend se te turprohen per ato cka kane shkruar me heret, perkundrazi, ata jane me te zhurmshmit ne ekranet televizive, mediat e shkruara dhe ato elektronike. Ata qe per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone, jane duke e bere te njejten gje edhe sot, pa i brejtur fare ndergjegja (nese e kane). Thua se Shqiperia nuk ka historiane te tjere.
Nje shkrim te tille me titull: “A ishte Enver Hoxha nje nacinalkomunist?”, keto dite e ricikloi historiani Pellumb Xhufi ne disa gazeta elektronike. Si zakonisht ne keto shkrime nuk paraqet, nuk mbeshtetet ne fakte, por vetem ben interpretime sipas deshires se tij. Dhe ai nacinalizmin e Enver Hoxhes mundohet ta lidhe me qendrimet e tij ndaj Kosoves, por fjalet nuk perputhen me veprat. Pastaj ai mundohet ta paraqese Enver Hoxhen si nacionalist te vertete. Ndersa per nacionalistet e vertete, si Abaz Kupi e te tjere, te cilet i rrembyen armet qe ne oret e para te pushtimit italian, ai flet me mosperfillje, me ate cinicizmin, sakazmen tipike komuniste. Kjo eshte nje teme e gjere ne vetevete dhe nuk po ndalemi ketu, por te vazhdojme me qendrimet, veprimet e Enver Hoxhes dhe PKSH-se per ceshtjen e Kosoves. “Ne marredheniet me jugosllavet e Titos, vuri qysh ne kohen e luftes ceshtjen e Kosoves dhe te bashkimit te saj me Shqiperine. Me 1943 Titua e pranoi se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftes duhet t’i bashkohej Shqiperise” – keshtu shkruan profesor Xhufi ne shkrimin e tij. Por, e verteta eshte pak me ndryshe. Enver Hoxha dhe PKSh ishin nen kontrollin e plote te Partise Komuniste te Jugosllavise (PKJ) permes dy emisareve te saj, Milladin Popoviq e Dushan Mugosha. Pra, si mund ta ngrente ceshtjen e Kosoves partia qe udhehiqej nga armiqte tane shekullor, te cilet jane shkaktaret kryesor te tragjedise se Kosoves. Koj ka qene dashte te jete e qarte per ta (komunistet shqiptare), se po te mos ishin serbet, ceshtja e Kosoves nuk do te ekzistonte, do te ishte zgjidhur qe me shpalljen e pavaresise se Shqiperise. Ishin pikerisht nacionalistet ata qe gjate luftes e ngrene dhe ngulnin kembe per ceshtjen e Kosoves. Ndersa komunistet ngulnin kembe qe kjo ceshtje te lihet anash dhe per te te diskutohet vetem pas clirimit. Komunistet shqiptare te kontrolluar plotesisht nga dy agjentet jugosllave e prishen edhe marreveshjen e Mukjes, per te luftuar se bashku si shqiptare per lirine e Shqiperise. Jugosllaveve nuk u konvenonte nje faktor i forte e i bashkuar shqiptar. Te detyruar nga jugosllavet, ata ia kthyen pushken vellezerve te gjakut dhe dolen hapur ne anen e jugosllaveve.
Ne fazat e fundit te luftes, dy brigada shqiptare shkuan ne Kosove per t’i ndihmuar “vellezerit” jugosllav. Ato brigada nuk shkuan ne Kosove per te cliruar Kosoven e per te qendruar aty per te mbrojtur popullsine shqiptare, por ne nje fare menyre, per t’i ndihmuar jugosllavet per ta kontrolluar, pushtuar Kosoven. Kjo ishte nje loje djallezore e jugosllaveve, sepse shume te rinj shqiptare te Kosoves iu bashkuan ketyre brigadave si brigada shqiptare. Dy brigadat shqiptare luftuan krah per krah me forcat jugosllave per te luftuar forcat shqiptare te udhehequra nga Shaban Polluzha, te cilat luftonin per ta mbrojtur Kosoven, pragun e shtepise. Eshte ironi se, ne maj te vitit te kaluar ne nje shkrim te tij, gjeneral Rrahman Parllaku qe vete kishte marre pjese ne keto luftime perafersisht shkruan: “Forcat shqiptare te armatosura deri ne dhembe, luftonin per jete a vdekje nen udheheqjen e komandantit Shaban Polluzha. Por, gjeneral Parllaku nuk thote se ishte pikerisht ai dhe partizanet e tij qe po luftonin kunder Shaban Polluzhes dhe trimave te tij. Me vone keto brigada shkuan te luftonin ne Sanxhak e Bosnje, ndersa ne Kosove erdhen brigadat serbo-malazeze qe masakruan shqiptaret e pambrojtur. Keto brigada me vone u kthyen ne Shqiperi dhe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, sic i kishin “premtuar” Enver Hoxhes “vellezerit” jugosllave. Shqiptaret e Kosoves qe kishin nje histori te hidhur me serbet, ia kishin terhequr vemendjen udheheqjes shqiptare qe te kishin kujdes me jugosllavet, sepse “Shkau bese nuk ka”. Po kush degjonte, ata ishin te dehur nga ideologjia bolshewvike dhe jo nga ndjenjat kombetare. Pastaj vjen Masakra e Tivarit ku u masakruan mijera te rinj shqiptare te Kosoves, masaker per te cilen kishin dijeni edhe udheheqesit e Shqiperise. Ndersa ne Shqiperi gjer ne vitin 1990 nuk eshte folur fare per kete tragjedi kombetare, ne Kosove eshte folur mjaft.
Pas luftes, Fadil Hoxha shkon ne nje mision te fshehte (inkognito) per t’u takuar me Enver Hoxhen dhe i ankohet se, serbet jane duke u sjellur ndaj shqiptareve edhe me keq se ne kohen e Kralit. Kete vizite e permend Enver Hoxha ne librin e tij “Titistet”, por nuk tregon se si reagoi, si veproi ai vete. E c’beri Enver Hoxha dhe udheheqja shqiptare? Ata, para se te kthehej Fadil Hoxha ne Kosove, e kishin lajmeruar UDB-ne per kete vizite te fshehte dhe permbajtjen e bisedes. UDB-ja ia kishte treguar Fadil Hoxhes stenogramin qe u kishte ardhur nga Shqiperia. Ne vitet 1945 – 1948 Shqiperia ishte nen kontrollin e plote te Jugosllavise. Enver Hoxha nuk beri asgje per bashkimin e Kosoves me Shqiperine, madje ai ne Plenumin e Partise ne dhjetor te vitit 1946 e kishte bere kete pyetje: “A eshte ne interesin tone qe ne ta kerkojme Kosoven? Kjo nuk eshte nje gje progresive per te bere. Jo, ne kete situate, perkundrazi, ne duhet te bejme cdo gje te mundur qe te sigurojme qe kosovaret te behen vellezer me jugosllavet” (Noel Malcolm, “Kosovo, a short history”, Harper Perennial, 1999, faqe 319). Keshtu flet nje nacionalist, nje njeri qe e do Kosoven?!
Enver Hoxha si udheheqesi me i larte i shtetit shqiptare, disa here e ka vizituar Jugosllavine, por kemba e tij kurre nuk shkeli ne Kosove, madje nuk ishte takuar me asnje delegacion te shqiptareve te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish-Jugosllavi. Ai vetem kishte kerkuar te takohej me nenen e Milladin Popoviqit. Ai e lidhi ekonomine e Shqiperise me ate te Jugosllavise, njesoi lekun me dinarin jugosllav, e futi Shqiperine nen kontrollin total te Jugosllavise, gjuha serbokroate filloi te mesohej ne shkollat shqiptare. Te gjithe ata atdhetare qe paten guximin qe ta kundershtonin i futi ne burg, ose i pushkatoi. Te permendim ketu vetevrasjen e Naku Spiros, burgimin e Mitrush Kutelit, e shume e shume raste te tjera. Gjate luftes, jugosllavet ia kishin arritur qe t’i percanin komunistet me nacionalistet shqiptare, ndersa pas luftes ata arriten qe t’i percanin edhe vete komunistet. Lere qe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, por me veprimet e tij antikombetare, ai gati e beri Shqiperine republike te shtate te Jugosllavise. Vetem rastesia, prishja e marredhenieve mes Titos e Stalinit, e shpetuan Shqiperine nga kjo katastrofe kombetare. Gjate regjimit te tij gjysmeshekullor, fjala Kosove nuk permendej aq shpesh. Neper shkollat e Shqiperise nuk u mesua asgje per Kosoven, madje as qe permendej fare. Ne shkollat e Shqiperise nxenesit mesonin cdo gje per Bashkimin Sovjetik, Kinen, Vietnamin, Tanzanine e shume vende te tjera te botes, por asgje per Kosoven. Me tregonte para ca kohesh nje ish pjesetar i Ansamblit Shteteror te Kengeve dhe Valleve Popullore: Kur shkonim per te dhene shfaqje ne Zvicer e Gjermani, shoqeruesit (sigurimsat) na thonin: Kini kujdes, ketu ka mjaft kosovare, mos bisedoni, mos u shoqeroni me ta. Ka nevoje per koment?! Per demonstratat e studenteve te Universitetit te Prishtines te vitit 1981, Shqiperia zyrtare reagoi 28 dite pas shperthimit te tyre. Si deshmi te nacionalzmit te Enver Hoxhes dhe dashurise se tij per Kosoven, profesor Xhufi permend disa fjalime te diktatorit, qe ai i bente kryesisht per konsumin e brendshem. Neve atehere ne Kosove na jepnin shprese, por fjalet i merre era, veprat flasin, veprimet kryejne pune. Dhe nga gjithe ato fjale te medha e bombastike nuk lindi asgje.
Historianet bolshevike per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone kombetare dhe jane duke u munduar qe ta bejne te njejten gje edhe sot. Prandaj eshte e domosdoshme qe historia jone, sidomos ajo e viteve 1920 – 1990, te rishkruhet, duke u bazuar ne fakte, dokumente dhe duke i analizuar ato dhe rrethanat historike te asaj periudhe me metodat me te rrepta shkencore, sepse historia e shtremberuar nuk mund te jete mesuese e mire e jetes. Sikur profesor Xhufi t’i kishte pasur parasysh faktet qe permenda me lart dhe shume fakte te tjera, ndoshta nuk do te kishte shkruar nje artikull te tille. Shkencetarit, historianit te vertete duhet t’i interesojne vetem faktet, e verteta, objektiviteti, paanshmeria.
Philadelphia, janar 2016
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.