• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në rolin e avokatit të djallit

April 10, 2018 by dgreca

Prof.Pëllumb Xhufi në rolin e avokatit të djallit! /1 elida3Nga Elida Buçpapaj/

Në Shqipërinë londineze ka plasur një debat iracional mes historianit të njohur Prof.Pëllumb Xhufi dhe shkrimtarit Agron Tufa, i cili ka kohë që i është përkushtuar katharsisit të shoqërisë shqiptare duke denoncuar krimet e diktaturës.

Iniciativat e tij, në vend se të mbështeten nga elita dhe shoqeria, e kthejnë Tufën në shenjestër, duke e demonizuar si përçarësi, antikombëtari, luftëndjellësi Jug-Veri e gjepura të tilla.

Është e trishtueshme kur sulmi antiTufë kryesohet nga historiani Xhufi, i cili shfaqet si avokati i diktaturës duke stimuluar “krime” të Agron Tufës për gjoja denigrim të luftës nac-çlirimtare, marrje ne mbrojtje te kolaboracionistëve, përçarje kombëtare e të tjera bllofe si këto.

Debati Tufa-Xhufi shpërtheu kur Kampi i internimit i Tepelenës u krahasua me të drejtë me Auschwitz-in, çka shkaktoi revoltë tek Prof. Xhufi, se, sipas tij, nuk mund të krahasohet Hitleri me Enver Hoxhën! Është skandaloze se si një dijetar si Prof.Xhufi nuk pranon shenjën e barazimit midis krimeve naziste me ato komuniste, kur Perëndimi krimet e Hitlerit dhe ato të regjimeve komuniste i klasifikon si krime kundër njerëzimit. Kjo mosdije nuk i falet Prof.Xhufit.

Në daljet e tij në publik, Prof Xhufi e ka ringjallur famëkeqin historian të diktaturës Prof. Arben Puto.

E kam denoncuar Arben Puton që ne vitin 1991 kur mori në drejtim Komitetin e Helsinkit të të drejtave të njeriut. Nuk kishte të drejtë morale as si historian i diktaturës dhe as si kunati i Manush Myftiut, njerit prej xhelatëve më mizorë të regjimit totalitarist. Prof.Arben Puto nuk mori në mbrojtje viktimat, por persekutorët!

Nuk shoh lidhje midis Xhufit dhe Putos, pa marre parasysh se Xhufi eshtë martuar me të bijën e nipit të diktatorit Hoxha.

Prof.Pëllumb Xhufi është dhëndri i Luan Omarit, nipit të Enver Hoxhës, por edhe birit të Bahri Omarit, të cilin Hoxha, megjithese kunat, e eleminoi nga të parët në kasaphanën e diktaturës. Natyrisht që Pellumb Xhufi është një nga të privilegjuarit e regjimit komunist, por ai si historian dhe njeri i arkivave i njeh si pakkush krimet e regjimit kriminal.

Prof.Xhufi për nga përgatitja që ka mund të formulonte argumentat për të akuzuar diktaturën Hoxhiste për genocid kundër popullit, pasi regjimi totalitarist Hoxhist ka ekzekutuar krime jo vetëm duke eleminuar kundërshtarët politikë, por edhe duke i vrarë për së gjalli gratë, pleqtë, fëmijët dhe familjarët e kundërshtarëve politikë. Janë me mijra fëmijë që janë lindur, rritur e jetuar për 40 vjet në kampet e internimit, viktima të shkeljes së të gjitha të drejtave njerëzore. Janë me mijra jetë të mohuara nga regjimi diktatorial! Jetojnë ende 1000 të mbijetuar të kampit famëkeq të Tepelenës, si viktima të gjalla për të dëshmuar Auschwitz-in shqiptar. Edhe Spaçi e Burreli ishin Auschwitz-e! Në diktaturë Spaçin dhe Auschwitzi-in e jetonin shqiptarët edhe në mes të Tiranës.

Krimet e diktaturës janë krime kundër njerëzimit. Si të tilla ato duhen denoncuar dhe dënuar. Kjo është rruga e vetme drejt Shqipërisë europianiste. Historia nuk retushohet. Ahmadinexhadi e quajti legjende false Holokaustin sikur po e mohon Aushwitzin e Kampit te Tepelenës Prof. Xhufi. Retushimin e historisë e bënin vetëm diktatorët dhe historianët e diktaturës.

Kjo është e vërteta. Prof. Pëllumb Xhufi as nuk e mohon dot dhe as nuk e manpulon dot historinë.

Denoncimi i diktaturës është detyrim kombëtar, kush i fsheh krimet e diktaturës kryen vepër antikombëtare.

Janë vetë të internuarit në Kampin famëkeq të Tepelenës që tregojnë se aty mbizotëronin familjet e ardhura nga Veriu. Përse e shqetëson Prof.Xhufin ky fakt? Diktatura e konsideronte Veriun reaksionar, por pa kursyer aspak as Jugun, as gjirokastritët, as të afërmit e familjes, as katolikët dhe as myslimanët.

Prof. Xhufi thote se “në fillim të viteve ’90 në Shqipëri flitej që burgjet e diktaturës të ktheheshin në muzeume të terrorit, ndërsa u harrua plotësisht të flitej për to në fillim të shekullit XXI.” Po është e vërtetë, këtu ka shumë të drejtë. Politika shqiptare me në krye PD, bashkë me historianët shqiptarë pa integritet, e kanë çuar në amnezi kolektive gjithë shoqërinë shqiptare. Amnezia kolektive e kthen shoqërinë shqiptare nënnjerëzore, sipas vepres së Vladan Gjeorgjeviçit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”që e përmend Prof.Xhufi por në sens krejt të kundërt. Shqiptarët kthehen në njerëz me bisht kur nuk reagojnë ndaj krimeve të kryera nga një regjimi kriminal, që i trajtoi njerëzit barabarisht si në kampet e shfarosjes naziste!

Prof.Xhufi vihet në pozitë shumë profane kur në fushatën për ta bërë Enverin më të mirë se Hitlerin, atakon Prof.Sami Repishtin, ndergjegjen e gjallë të viktimave të diktaturës, vetë viktimë e regjimit dhe dëshmitar i barbarisë kriminale komuniste. Prof.Sami Repishti i ka përshkruar në librat e tij “Pika loti” tregime burgu dhe “Nën hijen e Rozafës” krimet e barbarisë komuniste kundër njerëzve krejt të pafajshëm.

Vepra Rrno për me tregue e At Zef Pllumit është një tjetër aktakuzë kundër diktaturës komuniste shkruar nga një tjetër viktimë e regjimit hoxhist.

Qendrimi indiferent i elitës shqiptare ndaj krimeve të diktaturës është antikombëtar, antikombëtare është edhe çdo lloj avokature që i bëhet regjimit barbar të diktaturës.

Nuk ka asnjë kontraversëri në klasifikimin e Kampit të Tepelenës si Auschwitzi i diktaturës Hoxhiste. Siç e nënvizova më sipër, Auschwitz është edhe burgu i Spaçit, edhe burgu i Burrelit, Auschwitz-e jane edhe kampet e tjera të internimit.

Denoncimi i Auschwitze-ve shqiptare nuk i ndan as përçan shqiptarët, as nuk cënon luftën çlirimtare kundër nazizmit.

Denoncimi i krimeve te diktaturës duhej të ishte detyrë e historianëve. Është cinike dhe poshtruese për vendin kur historianët e Shqipërisë nuk janë në gjendje të venë shenjën e barazimit midis Hitlerit dhe Enver Hoxhes, kur Perëndimi e ka caktuar 23 Gushtin, ditën e paktit sovjeto-nazist Molotov- Ribentrop, nenshkruar më 1939 midis Stalinit dhe Hitlerit, si Ditën europiane të kujteses – Black Ribbon Day – e viktimave të ideologjive totalitare, specifikisht regjimeve totalitare komuniste, staliniste, naziste dhe fashiste.

Europa Perëndimore, nga buron sistemi demokratik i vlerave, e ka vënë shenjën e barazimit midis Enver Hoxhës dhe Hitlerit, ndërsa Prof.Xhufi ende jo! Dhe këtu mbaron debati. Prof.Xhufi me nervozizmin e tij elitar nuk mund të shkaktojë më konfuzion, as të ndryshojë standardet e gjykimit të diktatorëve. Këtij konfuzioni, që në Shqipëri ka zgjatur 27 vjet, duhet t’i vijë fundi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, në rolin e avokatit të djallit, pellumb xhufi

PRANË DREQIT…

April 9, 2018 by dgreca

PO T’ ISHTE ENGJELL… A DO T’A MBANTE DREQI KAQ AFER VETES ?/

1 Xhufi alia

Ne Foto:Historiani Pellumb Xhufi prane Ramiz Alise(foto 1) dhe prane Foto Camit(foto 2)-Kortezi Radi and Radi/

KERKOVA  PO, NUK  E  GJETA  KUND/

Nga Fritz RADOVANI:/

Kam lexue disa artikuj per Pllumb Xhufin, që nuk i shkon ai emen pranë dreqit!

Njeni i thotë “zotni”, tjetri “profesor”, një tjeter “historian”… Ndersa ai, kujton se me të vertetë i meriton “ata tituj” që nuk dij me i kuptue se ku rrijnë… Ndonse, të gjithë “ata” që vajtuen Enverin dhe Ramizin me vjerrsha e fjalime, vazhdojnë me ruejt “titujt”!

Sami Frashëri ka thanë: “Fjalët e keqdashësit janë si qymyri, që edhe po s’të dogjën, të nxijnë!” Me siguri kjo aksiomë asht kryefjala e “akademikëve tanë”! Ata sot nuk kanë se shka me djegë ma, se Shqipnia asht ba zhari… Po, shpifjet e fallsifikimet po e bajnë edhe ata punen e vet, se sllavokomunizmi anadollak i vitit 1941, gjoja “nuk ishte çfarosës”!!..

Ai ishte vertetë sllavokomunizem, që pat fekondue djalin e bylykbashit gjinokastrit. Dhe sot mbas gati 80 vjetësh “toka e nxime si qymyri, nxinë edhe surretnit e pasuesve të tij”!

Po mos t’ ishin shfarosës Tito, Stalini, Mao Ce Duni e sa imoral të tjerë, a do ta pranonin në strofullat e veta Enver Hoxhen e Ramiz Alinë?! Pllumbi me shokë i kanë provue ato!

Sot flitet per Enverin e Hitlerin… Xhufi duhet ta krahasojnë Enverin me Sulltanin që tha: “Duhet të shtijmë në punë të gjitha energjitë dhe armët tona në mënyrë që mos të mbesë gjallë asnji shkodranë…” Per këte temë duhet ti ketë folë si nana dhe motra e tij…

Ata që i krijuen kampet e shfarosjes e burgjet e terrorizmit në Shqipni janë vetem vrasës!

Unë i besoj pa pikë dyshimi asaj që ka shkrue z. Kastriot Dervishi!

Artikullin unë nuk do ta persëris, po do të shkruej vetem si mbyllet:

“Xhufi që ka studiuar mirë mesjetën, në të vërtetë mbron mesjetën më të veçantë të historisë së Shqipërisë, komunizmin. Unë kam bindjen se një njeri që ka origjinën e mëposhtme nuk mund të jetë kurrë objektiv e të dënojë krimet e komunizmit.”

“ -Babanë sekretar në komitet partie”

“-Nënën me punë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”

“-Motrën me punë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”

“-Dajën prokuror”

“-Burrin e tezes kryetar dege në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”…

***

Ja pra, kjo ishte çerdhja terroriste e dreqit që e polli Pllumb Xhufin me shokët e tij!

E shka kerkoni me dijtë tjeter gja… A po.., pritni që “historianët t’ ju sjellin ringjalljen”?!

Mos harroni thanjen e Shkodres së vjeter: “Shka leu prej micës gjuen mijë!” Kerkova me gjetë të pakten edhe një historian me këte prejardhje po, nuk e gjeta asnjë per farë!!..

Melbourne, Prill 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, pellumb xhufi, PRANË DREQIT…

Pëllumb Xhufi: një intelektual i mbrujtur në Perëndim!

March 30, 2018 by dgreca

-Duket se virusi komunist është tepër rezistent e asnjë lloj kure nuk e shuan dot plotësisht/

1-ilir-harshova-600x400-300x237

NGA ILIR HASHORVA/

 Arben Putoja në librin e tij “Jetë me kujtime”, thotë:“Enver Hoxha përqafoi hap pas hapi metodat ekstreme të ideologjisë komuniste. Unë që e kam njohur personalisht …, e kam pasur gjithnjë të vështirë të konceptoj një intelektual të mbrujtur sadopak me kulturën franceze, të ndjekë verbërisht dogmat staliniste, të ndërmarrë e të zbatojë në shkallë të gjerë një politikë shtypjeje të pamëshirshme.”

Duke perifrazuar Arben Puton, mund të them për Pëllumb Xhufin: E kam shumë të vështirë të konceptoj një intelektual të mbrujtur sado pak më kulturën perëndimore, të ndjekë verbërisht dogmat enveriste dhe të t’i dale përkrah krimit komunist.

Duket se virusi komunist është tepër rezistent e asnjë lloj kure nuk e shuan dot plotësisht.

Në një bisedë që bën në emisionin e Dritan Hilës në televizion, Pëllumb Xhufi indinjohet thellësisht, sepse kampi i internimit i Tepelenës është krahasuar me kampin nazist të Aushvicit dhe është quajtur Aushvici shqiptar. Ai e shpjegon kështu, se përse nuk duhet quajtur ashtu: “sepse kazermat ku u strehuan të internuarit ishin me tulla dhe se kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm se ai i Tepelenës”. Thotë se e ka parë vetë atë kamp, aty nga vitet gjashtëdhjetë (i bie që të ketë qenë rreth 15 vjeç!), pasi kishte aty një shok ushtar dhe prandaj flet me baza!

Me të vërtetë është për të vënë duart në kokë me logjikën e këtij historiani (unë besoj se asnjë person i ideologjizuar nuk mund të jetë a të bëhet historia, çfarëdo shkolle të bëjë e çfarëdo kulture që të marrë), që del të paktën një herë në javë në televizion për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për drejtësinë e politikës komuniste në Shqipëri.

Së pari, qenia me tulla e kazermave të kampit të Tepelenës nuk e ndryshon fare krahasimin që bëhet me Aushvicin, pasi edhe kapanonët e Aushvicit ishin me tulla. Së dyti, në qoftë se kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm se kampi i Tepelenës (megjithëse Pëllumbi nuk thotë se ç’e bënte atë kamp më të tmerrshëm), nuk do të thotë se kampi i Tepelenës nuk ishte i tmerrshëm dhe i ngjashëm me Aushvicin, pasi edhe Aushvici nuk ishte kampi më i tmerrshëm nazist, në atë kamp edhe punohej. Kampi i Treblinkës ishte më i tmerrshëm, pasi në atë kamp, ata që çoheshin, çoheshin drejt e për t’u vrarë. Duke lënë mënjanë arsyet e Xhufit, ndonëse  krahasimi i kampit komunist të Tepelenës me atë të nazist të Aushvicit mund të jetë edhe pak i ekzagjeruar, ashtu siç janë në përgjithësi krahasimet apo metaforat kur duhet theksuar diçka, krahasimi nuk është shumë larg realitetit. Kampi ka qenë vërtet i tmerrshëm dhe jashtë çdo standardi human.

Pëllumb Xhufi thotë se ka parë dokumentet e CIA-s për atë kamp, por nuk thotë se ç’thonë dokumentet e CIA-s për çështjen që ngre dhe mbron, nuk thotë nëse në të janë kryer apo jo krime dhe krim nuk është vetëm vrasja me plumb nga gardiani apo polici, apo mbytja në llucë dhe varrosja po aty, siç ka bërë komandanti i kampit të Maliqit, Stasi Markoja (vëllai i Rita Markos, anëtarit të kupolës më të lartë komuniste, i Byrosë Politike) me të internuarit e atij kampi, krim është edhe çdo gjë tjetër që u bë në atë kamp: që nga ushqimi dhe nga kushtet e jetës që bënin të vdisnin çdo ditë të rritur e çiliminj, e deri te internimi aty i njerëzve pa asnjë faj personal.

Pëllumb Xhufi thotë se në atë kamp ishin mbyllur familjarë të atyre që ishin arratisur në Jugosllavi dhe stërviteshin aty për të rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës. Informatat për këtë pohim, siç thotë vetë, i kishte marrë nga një shok! Në bazë të këtyre informatave prej shokut, justifikon internimin e mijëra familjarëve të të arratisurve në kampin e Tepelenës! Ndërsa për aktivitetin e shqiptarëve të arratisur mjaftohet me ato “që i ka thënë një shok”, për kampin e Tepelenës ka vajtur dhe ka parë dokumentet e CIA-s në Amerikë, që në të vërtetë nuk thonë ndonjë gjë të rëndësishme, dhe nuk ka marrë mundimin të shkojë e të pyesë asnjë të mbijetuar të atij kampi që i ka gjallë në Shqipëri, për të marrë vesh se  ç‘kishte ndodhur vërtetë në atë kamp.

Të dalësh sot përkrah krimeve të komunizmit, në një kohë që, ndonëse jo të gjitha, por edhe ato krime që janë bërë të njohura deri tashti, janë të mjafta për ta quajtur sistemin komunist jo diktatorial, por kriminal, në një kohë kur duam të futemi në Europë, sado i mbrujtur të jesh me komunizëm, është krim në vete.

Në tetor të vitit 1998, drejtësia gjermane kërkoi që Le Pen-it, Kryetar i partisë së Djathtë Franceze (Fronti Nacional) t’i hiqej imuniteti parlamentar nga Parlamenti Evropian (dhe në të vërtetë iu hoq), për t’iu nënshtruar hetimeve të drejtësisë gjermane, sepse një vit më parë kishte thënë në Gjermani: “Furrat e gazit (krematoriumet ku nazistët digjnin trupat e hebrenjve) kanë qenë vetëm  një pjesë e vogël (një detaj) i historisë së Luftës së Dytë Botërore”. Sipas ligjeve antinaziste gjermane, kjo deklaratë konsiderohej si nxitje e urrejtjes raciale dhe dënohej deri në 5 vjet burg. Ligjet antinaziste (në kuadër të denazistizimit) në Gjermani janë shumë të forta edhe sot, pas më shumë se 70 vjetësh të mundjes së nazizmit. E kush mund të kritikohet, akuzohet apo dënohet sot në Shqipëri se thotë diçka në favor të shtetit të vjetër komunist dhe të krimeve të tij?!

Mbeturinat e komunizmit në Shqipëri janë të forta si në veprime, edhe në mendësi. Ato janë të forta dhe aktive në mos pranimin e krimit komunist apo në justifikimin e tij dhe krejt të ngjashme me veprimet dhe me mendësitë naziste.

Oto Olendorfi, komandanti i divizionit vrasës nazist D, baba i pesë fëmijëve, njeri i arsimuar mirë, kur u pyet në Gjyqin e Nurembergut për vrasjet, shpjegoi se ato ishin kryer për vetëmbrojtje. Kur iu tha në gjyq se kishte qenë Gjermania ajo që kishte sulmuar fqinjët, ai tha se Gjermania e dinte se fqinjët ndonjë ditë do ta sulmonin dhe prandaj ajo i sulmoi e para. Kur pastaj u pyet se përse u vranë të gjithë hebrenjtë, ai u përgjigj se hebrenjtë ishin në favor të bolshevikëve dhe, prandaj, duheshin eliminuar edhe ata. Dhe kur u pyet më në fund se përse u vranë mijëra fëmijë, ai tha se ata do të rriteshin dhe kur të merrnin vesh se ne kishim eliminuar prindërit e tyre, do të bëheshin armiqtë tanë. “Ne po punonim për një siguri afatgjatë, prandaj na duhej t’i vritnim edhe ata” – tha Olendorfi. Oto Olendorfi u dënua me vdekje dhe u var në burgun Landsberg në Bavari më 8 korrik të vitit 1951.

Në librin e tyre “Mëngjesi i magjistarëve”, Luis Povels  (Louis Pauwels) dhe Jacques Berzhier (Zhak Bergier),  thonë kështu për ato që panë dhe dëgjuan në Gjyqin e Nurembergut:

“Disa seksione të Gjyqit të Nurembergut ishin pa kuptim. Gjykatësit nuk mundnin të krijonin asnjë lloj komunikimi me ata që ishin përgjegjës… Përballeshin dy botë të ndryshme që nuk mund të komunikonin. Ishte njëlloj si të gjykoje krijesa nga Marsi me standardet e qytetërimit nga toka… Një qytetërim krejtësisht i ndryshëm ishte krijuar në Gjermani në harkun e pak viteve dhe bota as që e kishte kuptuar se ç’ndodhte. Nismëtarët e atij qytetërimi nuk kishin asnjë ngjashmëri intelektuale, morale apo shpirtërore me ne… përveçse ngjashmërisë së jashtme.” Po kështu u krijua një qytetërim anormal edhe në Shqipëri gjatë komunizmit, qytetërim që vazhdon të mbijetojë edhe sot në mbeturinat e atij regjimi dhe, po kështu, ai qytetërim është krejt i ndryshëm dhe i pakuptueshëm për qytetërimin normal e human.

Dhe, për ta mbyllur këtë shkrim për justifikimet komuniste dhe kriminale të Pëllumb Xhufit, po citoj përsëri një pjesë nga libri i Arben Putos, edhe ky komunist dogmatik si Pëllumb Xhufi, por që nga fund i jetës i thirri pak mendjes dhe i pa më qartë punët e komunizmit: Ai shkruan:

“E kam përmendur vetë, por edhe im atë, Qazua, e ka shkruar në kujtimet se ka qenë simpatizant i Fan Nolit. Në kohën e qeverisë s tij, ai u emërua sekretar i Prefektures së Gjirokastrës. Pas rikthimit të Zogut, nuk qenë të paktë ata që u goditën edhe në nivel të qeverisjes lokale. Më 1925, ai u internua dy here: një here në Krujë dhe një here në ishullin e Sazanit. Por familjen e tij, ne fëmijët, nuk na preku njeri.”

E shani Zogun, e quani kriminel, e quani satrap, por nuk kuptoni sa larg jeni prej tij!

Vërtet, mirë me baballarët që qenkan arratisur në Jugosllavi si armiq aktivë të komunizmit e që, po t’i kapnin, justifikohej dënimi, po me pleqtë, gratë, nënat e fëmijët ç’patën që i internuan dhe vranë rreth 300 prej tyre? Dhe internimet nuk ndodhën vetëm atëherë, ato vazhduan pa ndërprerje, deri sa dha shpirt ai regjim kriminal. Dhe justifikimi është po ai që jep Olendorfi për krimin nazist: pasardhësit e armiqve tanë, kur të rriteshin, do të bëheshin edhe ata armiq e, prandaj, duhej të eliminoheshin që në atë kohë!

Le të shpresojmë se një ditë, ashtu si Arben Putos, do t’i vijnë mend edhe Pëllumb Xhufit dhe do të flasë më realisht për komunizmin dhe krimet e tij. Por edhe në mos i ardhshin mend, edhe në mos foltë, edhe në vazhdoftë kështu, vendi nuk humbet ndonjë gjë të madhe nga ky e nga njerëz si ky. E vërteta po del çdo ditë në shesh. Komunizmi ishte sinonimi i krimit e kush e mohon këtë, është vetë kriminel.

 

Nju Jork, mars, 2018                                     Ilir Hashorva

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ilir Hashorve, Kampi i Tepelenes, pellumb xhufi

THEMBRA E AKILIT E Prof. PËLLUMB XHUFIT

March 4, 2017 by dgreca

2 Thanas-GjikaReplike nga Thanas L. Gjika/

Profesor Pëllumb Xhufi është një historian i mirëformuar, autor i disa veprave dhe i shumë artikujve dinjitozë për historinë e Shqipërisë Mesjetare dhe të para Rilindjes. Ai është një nga kuadrot e pakta të formuar brenda dhe jashtë shtetit gjatë kohës së diktaturës. Në vitin 1973 përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin Histori Filologji dega Histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Për shkak të rezultateve të larta në mësime u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Akademisë së Shencave të Shqipërisë. Më tej për shkak të aftësive dhe të lidhjes martesore me vajzën e Profesor Luan Omarit, nip i Enver Hoxhës dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, u dërgua për plotësimin e studimeve në Universitetin e Romës ku kreu studime për histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Në vitin 1991 iu dha bursa Humbold dhe u dërgua dy vjet në Gjermani për studime të thelluara në Universitetin e Këlnit. Ka punuar shumë vjet në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe disa vjet në Ministrinë e Jashtme si funksionar ose ambasador i Shqipërisë në Romë. Me kontributin shkencor që ka sjellë në fushën e historisë, Pëllumb Xhufi meriton prej kohësh të jetë akademik, por nuk e ka këtë titull, sepse mesa duket ai nuk e synon.

Si shumë intelektualë të formuar gjatë kohës së partisë shtet, kohë kur ata shijuan shumë të mira, si studimet jashtë shtetit, zgjidhja e strehimit parakohe dhe me apartamente më të mira se kolegët e tjerë, etj; Pëllumb Xhufi e ka një dobësi, e ka Thembrën e Akilit në mendësinë e tij. Ashtu si profesori Arben Puto, poeti Dritëro Agolli dhe shumë artistë e shkencëtarë të tjerë edhe ky historian, ndonëse i aftë dhe i mirëformuar, e ndjen veten borxhli ndaj diktaturës e diktatorit dhe ruan për ta respekt të veçantë dhe nuk përpiqet të evoluojë mendimet e veta ndaj atij sistemi dhe atij diktatori. Në shkrimin e tij kushtuar Enver Hoxhës si komunist dhe nacionalist, botuar në Gazeta Express 3 janar 2016, Xhufi vlerëson zhvillimin e arsimit, të industrisë, bujqësisë, shëndetësisë, etj që arriti Shqipëria në kohën e tij, por nuk përmend dobësitë, gabimet dhe krimet e atij sistemi shoqëror e të diktatorit Hoxha. Në vend që t’i vlerësojë, i quan me përbuzje “lukuni” ata që kanë përmendur gjatë këtyre 26 vjetëve këto krime.

Unë e lexova këto ditë artikullin e Prof. Xhufit mbasi lexova replikën e Prof. Shinasi Ramës për të, e cila mu duk e paplotë. Politologu Rama ndalej në faktin se Enver Hoxha ishte një burrë shteti që punoi kundër kombëtarizmit dhe si i tillë i solli dëme të mëdha çështjes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar, por nuk ndalej në shpalosjen e krimeve të këtij pushtetari komunist.

Që nga viti 1992 e deri sot kam lexuar shkrime e studime të shumta prej Tomor Alikos, Pjetër Pepës, Uran Butkës, Lek Pervizit, Eugjen Merlikës, Mërgim Korçës, Sami Repishtit, Pëllumb Kullës, Visar Zhitit, Kastriot Dervishit, Agron Tufës, Muharrem Dezhgiut, Lazër dhe Jozef Radit e shumë të tjerëve për bëmat e partisë shtet dhe të diktatorit tonë. Kjo literaturë më ka ndihmuar t’i afrohem së vërtetës, pra të evoluoj mendësinë time të formuar gjatë viteve të diktaturës, kur politizimi i skajshëm më kishte penguar për t’u bërë një punonjës shkencorë i aftë. Kjo dobësi shfaqej në përpjekjen që arritjet e mia t’i përputhja me mësimet e partisë e të shokut Enver ashtu si bënin gjithë kolegët. Politizimi kishte krijuar tek unë dhe kolegët e mij, si dhe te shumica e studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve autocensurën që na topiste forcat krijuese. Politizimi ishte Thembra e Akilit në formimin tonë mendor.

Fitorja e pluralizmit në Shqipëri më 1991, botimi i një literature të re mbi konceptet demokraci, shoqëri e hapur, të drejtat e njeriut, etj ishin si shiringa shëruese për botëkuptimin tim dhe të shumë kolegëve. Politizimin, që ishte një dukuri e moralshme gjatë jetës nën diktaturë e konsideruam një dukuri të pamoralshme, një kornizë penguese. Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992 e përforcoi optimizmin dhe ecujen drejt çlirimit prej mendësisë vrastare. Këtë e dëshmon fakti se gjatë 22 vjetëve (1970-1992) kur punoja si studiues i punësuar prej shtetit në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë munda të hartoja e botoja vetëm disa dhjetra artikuj shkencorë e kumtesa dhe një studim monografik, kurse gjatë 16 vjetëve (2000-2016) në ShBA, krahas punës për të mbijetuar e përpjekjeve për të mësuar anglishten, arrita të shkruaj e botoj si studiues i lirë në gazetat Dielli, Illyria, etj shumë më tepër artikuj, tre studime monografike dhe dy përmbledhje me artikuj, ese, potrete, etj, të vlerësuar prej studiuesve seriozë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

U ula për ta shkruar këtë artikull, si vijim e plotësim të replikës së Prof. Sh. Ramës, duke shpresuar se mund ta ndihmoj kolegun tim të vjetër, Prof. P. Xhufin, që dhe ai të luftojë për ta shëruar Thembrën e Akilit (politizimin) në mendësinë e tij dhe të japë ndihmesën e vet të vyer për vlerësimin sa më objektiv për kohën e diktaturës dhe për figurën e Enver Hoxhës, natyrisht larg sharjeve pa fakte, por edhe larg himnizimit dhe heroizimit.

* * *

E pranoj shprehjen e Prof. Xhufit me të cilën ai hap shkrimin e vet: “Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithëpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë”, por nuk pranoj që ky mision është “i parakohshëm”, si e quan ai. Për rëndësinë që ka për botën shqiptare studimi dhe sqarimi i vlerave dhe kundërvlerave të pushtetarit Enver Hoxha dhe i sistemit të diktaturës komuniste që ai instaloi tek ne, ky mision duhet kryer sa më parë. Duhet kryer sa më parë sepse jemi shumë mbrapa vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të cilat i kanë dënuar me kohë diktatorët e tyre dhe krimet e kohës së komunizmit. Për turpin tonë tek ne ka ende nostalgji për diktatorin si e ka treguar raporti i OSCE-së (OSBE-së) i vitit 2016.

Që edhe ne shqiptarët të ecim përpara si popuj të qytetëruar dhe të hyjmë me dinjitet në Bashkimin Europian na duhet të arrijmë pjekurinë politiko-shoqërore sipas së cilës t’i dënojmë gabimet dhe krimet që na janë bërë këto shekujt e fundit. Si ka theksuar Prof. Sami Repishti në një intervistë në Gazeta Shqiptare, duhen dënuar si dukuri “imorale dhe antinjerëzore” pushtimi osman, sundimi i të ashtuquarturve “pashallarë” shqiptarë që i shërbyen atij pushtimi, sundimi i latifondistëve (bejlerëve) shqiptarë që varfëroi fshatarin shqiptar, dhe i klikave sunduese para e pas Pavarësisë sonë të 28 Nëndorit 1912, që përpiqeshin të përjetësonin privilegjet që u favorizonin të huajt për shërbimet që u bënin. E mbi të gjitha këto dukuri, Profesor Repishti vendos Diktaturën e Proletariatit si dukurinë “më imorale dhe antinjerëzore”, si skllavërimin total të popullit shqiptar për 47 vjet.

Në mbështetje të mendimit të Prof. Repishtit kisha hasur vite më parë dhe disa mendime të ashpra kritike ndaj diktaturës së proletariatit në Shqipëri prej ish partizanësh e ish komunistësh të ndershëm si Zef Mala, Selfixhe Broja (Ciu), Viktor Stratobërda, etj të cilët ishin penduar thellë mbasi vuajtën vite burgu e internimi prej asaj diktature që ata kishin ndihmuar të instalohej në Shqipëri.   

Unë, duke qenë studiues i krijuar në inkubatorin e diktaturës së proletariatit, i njoh atij regjimi si dhe Prof. Xhufi disa merita për arritje në fushat e arsimit, mjekësisë, bujqësisë, industrisë, mineralogjisë, metalurgjisë, organizimit dhe përgatitjes së ushtrisë dhe policisë, si dhe në fushën e grumbullimit dhe studimit të gjuhës shqipe, stabilizimit të gjuhës letrare të përbashkët, zhvillimit të letërsisë dhe arteve, etj. Por në këto vlerësime unë nuk mund të le pa përmendur faktin se ka pasur shumë dhunë, shpenzime të tepërta, politizim të skajshëm shumë të dëmshëm, varfërim të fshatarëve e punëtorëve të cilët punonin në kushte të rënda dhe paguheshin me rroga minimale. Po ashtu nuk i anashkaloj dhe e dënoj dhunën e tepruar ndaj popullit për ta mbajtur gojën kyçur, mungesën e lirisë së lëvizjes brenda atdheut, izolimin e tmerrshëm të banorëve të Shqipërisë nga bota, etj, etj. Gjithashtu pas vitit 1992 e këtej unë përulem me respekt ndaj gjithë atyre që kanë shkruar e shkruajnë për vuajtjet e tyre nën diktaturë duke sjellë sejcili ndihmesën personale për sqarimin e së vërtetës së hidhur e vrastare që na ishte fshehur djallëzisht.

Midis studimeve të fundit për krimet e kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, vlen të përmend këtu studimin e thukët të zotërinjve Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, respektivisht drejtori dhe nëndrejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në këtë studim Enver Hoxha është cilësuar kriminel lufte mbështetur në vetë ligjislacionin e Qeverisë Shqiptare aprovuar në janar 1945, mbi të cilin vepruan gjithë gjykatat ushtarake komuniste, ku neni 14 e përkufizon kështu krimin e luftës: “Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut”. Këta autorë mbështetur në ky ligj kanë nxjerrë në dukje më shumë se 15 fakte kur Enver Hoxha ka urdhëruar, ose është vënë në dijeni për vrasje masive, plaçkitje pasurish pa shkak të fshatarëve e qytetarëve të ndryshëm dhe nuk i ka dënuar këto krime të kryera prej vartësve të tij. Të dhënat e nxjerra prej tyre në arkiva, dëshmojnë se Enver Hoxha “nuk ka qenë aspak një hero i Luftës Antifashiste” si vlerësohet nga disa avokatë të së Keqes dhe se gjatë Luftës Antifashiste “roli i tij nuk ka qenë aspak vendimtar”, prandaj nxjerrja në festimet e 29 Nëntorit 2013 tek Vorrezt e Dëshmorëve e potretit të tij dhe organizimi i sesioneve shkencore në Akademinë e Shkencave në përvjetorin e tij, konsiderohen me të drejtë akte të dënueshme në një kohë kur Shqipëria kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.

Për ta ndihmuar kolegun timXhufi, listës së krimeve që kanë përmendur studiuesit Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, të kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste, unë po i shtoj dhe disa krime të tjera të kryera gjatë dhe mbas asaj lufte:

  1. Hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes, me shtytjen e Miladin Popoviçit, e cila ishte arritja më e rëndësishme pas Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe Konferencës së Pezës (1942).
  2. Shpallja e Ballit Kombëtar më 10 shtator 1943 me shkresën sekrete të firmosur prej Shpatit (pseudonim i Enver Hoxhës) si organizatë tradhëtare dhe urdhëri për ta luftuar këtë organizatë e pjesëtarët e saj si armik, kur dihet se kjo organizatë ishte krijuar e kishte luftuar krahas forcave partizane kundër pushtuesve italianë dhe nuk kishte shpallur ndonjë vijë të re politike për bashkëpunim me pushtuesit e rinj gjermanë.
  3. Atentatet ndaj atdhetarëve e intelektualëve gjatë Luftës duke i shpallur armiq, pa asnjë akt gjyqësor.
  4. Vrasjet pas shpine të shumë partizanëve si Memo Meto, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj që guxuan të shprehnin ndonjë mendim jo në përputhje me mendimet e komandantit ose komisarit të brigadës a të batalionit partizan.
  5. Sekuestrimi (grabitja) me dhunë në vitet 1945-1947 e më vonë i pasurive të pronarëve pa pasur ndonjë ligj të veçantë për këtë veprim.
  6. Vjedhja e thesarit të shtetit në shumën prej 320 ton e përbërë nga 43.816.682 copë monedha floriri, të cilat në tregun e numizmatikës kushtonin shumë miliarda dollarë më tepër sesa vlera e tyre si peshë floriri. Këtë grabitje të thesarit të shtetit e ka përmendur qytetari Nuri Mehmeti, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në artikullin “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”, botuar në revisën “Në Shërbim të Popullit”, organ i Ministrisë së P.B. në rubrikën “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh në Gusht 1984, f. 14-15. Këtë të dhënë e verifikoi komisioni i posaçëm i krijuar në vitet 1992-1993 prej deputetësh të Partisë Demokratike e Partisë Socialiste me kryetar Blerim Çelën. Po ky komision verifikoi dhe grabitjen e një shume tjetër prej 200 miljon dollarësh të përbërë prej 17.265 kilogram argjend të nxjerra nga thesari i shtetit për të mbuluar gjoja humbjet në kambizëm ndërkombëtar prej agjentit Dhimitër Gazhda në Greqi gjatë viteve 1988-1989.
  7. Politizimi i skajshëm i letërsisë, arteve dhe shkencave shoqërore, proces që futi në rrugë të gabuar studiuesit dhe krijuesit e viteve 1946-1991, të cilët me veprat e tyre të politizuara shtrembëruan të vërtetën historike, hymnizuan diktaturën dhe diktatorin dhe ndërdorën (manipuluan) popullin, pra e verbuan atë.
  8. Lufta e tepruar e klasave, dënimi pa gjyq, ose me gjyq të sajuar i gjithë atyre intelektualëve dhe klerikëve, që ishin formuar në Europë dhe shpalleshin armiq të pushtetit, pa bërë asnjë veprim kundërligjor.
  9. Internimi dhe mbajtja në internim me breza të familjeve të shpallura armiq pa bërë vepra armiqësore, etj.
  10. Keqtrajtimi, burgosja, internimi pa shkak i shqiptarëve që arratiseshin nga ish Jugosllavia për të shpëtuar nga përndjekja sërbe dhe vinin tek nëna Shqipëri, ku gjenin njerkën e pashpirt, e cila me anën e organeve të Sigurimit i torturonte si agjentë e spiunë të qeverisë jugosllave, etj.
  11. Shtytja për vetvrasje e Nako Spirut për t’i bërë qejfin Marshallit Tito. Shpallja armik dhe arrestimi, gjykimi e vrasja e Koçi Xoxes për t’i bërë qejfin baba Stalinit. Arrestimi, torturimi dhe vdekja në torturë e gjaneral Teme Sejkos për t’i treguar Nikita Hrushovit se kuadrot e formuar në Bashkimin Sovjetik tek të cilët Hrushovi mund të shpresonte ndonjë lëvizje për ta përmbysur Enver Hoxhën, ky do t’i mbyste si miza, etj.
  12. Vrasja natën, që u shpall vetvrasje, e Mehmet Shehut kryeministrit dhe arrestimi, torturimi dhe vrasja e Kadri Hazbiut, ministrit të P. B., bashkëpunëtorëve më të afërt në krimet e tij, me qëllim që t’ia linte të qetë pushtetin Ramiz Alisë dhe Nexhmie Hoxhës (që kjo ta sundonte Byronë Politike pa qenë anëtare e saj), etj.

Lidhur me interesimin e Enver Hoxhës për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën, të cilin Pëllumb Xhufi e quan “thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX”, dhe që e konsideron si punë e kryer me mençuri e nacionalizëm, duhet thënë troç se ky pushtetdashës i lindur e diktator i ardhshëm, duke qenë i shitur tek të dërguarit e Titos, luajti me fatin e Kosovës që gjatë Luftës Antifashiste. Këtë dukuri e ka vënë në dukje z. Sadik Elshani në një polemikë me Pëllumb Xhufin te gazeta Illyria NY 10 Janar 2016.

Ing. Mërgim Korça pas kërkimesh në Arkivin Qendror të Shtetit të R. Sh. ka sqaruar se Enver Hoxha pati tradhëtuar në vitet e para të pas luftë jo vetëm Kosovën, por dhe Shqipërinë. Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “… tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…” Deklaratë më antikombëtare e më antinacionaliste se kjo nuk mund të gjendet. Edhe heshtja 70-vjeçare ndaj kësaj deklarate përbën krim në vetvete.

Kurse mbas vitit 1966, kur vetë populli shqiptar i Jugosllavisë, sidomos ai i Kosovës u hodh hapur në luftë për të fituar të drejtat e tij, Enver Hoxha, për të mos u turpëruar nisi të tregojë interesim dhe të lozë kartën e një nacionalisti. Ai shkroi, ose nxiti disa punonjës për të shkruar e botuar disa artikuj në përkrahje të asaj levizjeje…

Studimi dhe sqarimi i arritjeve, dështimeve dhe krimeve të shtetarit Enver Hoxha dhe shtetit diktatorial që ai instaloi me bashkëpunëtorët e vet duhet kryer sa më parë përmes sesionesh shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtar. Vlerësimi objektiv i këtij problemi do të ndihmojë në kthjellimin e shumë shqiptarëve që ende e admirojnë pa të drejtë diktatorin dhe diktaturën komuniste.

Mungesa e vlerësimeve shkencore objektive për figurën e Enver Hoxhës, mosdënimi i krimeve të komuniszmit, si dhe qeverisja e keqe e qeverive të tranzicionit derisot, kanë ndikuar dukshëm në krijimin e një nostalgjie për kohën e diktaturës dhe për vetë diktatorin. Kjo atmosferë social-psikilogjike, në mos dhe pare të marra nëndorë prej qarqeve antishqiptare, kanë shtyrë disa historianë, si dhe vetë kryeministrin tonë, Z. Edi Rama, që për të justifikuar bëmat e këtij diktatori, lëvdojnë Ali Pashë Tepelenën, një diktator më primitiv, të cilin guxojnë dhe e quajnë “shqiptar atdhetar” e “me gjenialitet”. Mirëpo Ali Pasha nuk e kishte idene e shtetit kombëtar shqiptar dhe nuk punoi për këtë ide. Në gati 40 vjet sundim ai punoi me psikologjinë e një pashai osman për interesat e tij si një besnik i sulltanit duke vrarë jo turq po shqiptarë, duke i shkatërruar fshatrat dhe krahinat e qëndresës antiosmane. Po të ushqente ide kombëtare ky pasha, pra po të synonte krijimin e një Shqipërie të lirë, ai do të kishte nxitur shkrimin e gjuhës shqipe, do të kishte hapur të paktën një shkollë fillore në shqip, do të kishte treguar sadopak interes për Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe flamurin e tij, do të kishte krijuar lidhje me Bushatllinjtë e Shkodrës për realizimin e asaj ideje. Nëse Ali Pasha do të kishte ushqyer ndonjë ide për krijimin e një Shqipërie të pavarur, atëhere Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të kishte filluar në kohën e sundimit të tij dhe nuk kishte pse të vonohej dhe 50-60 vjet mbas vrasjes së tij.

Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, pavarësisht se jetuan në kohë të ndryshme, kanë pasur karaktere të ngjashëm. Ishin të dy gjakatarë, mashtrues dhe adhurues të floririt. Ata sakrifikuan gjithçka për të arritur marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, të cilin e shfrytëzuan kryesisht për interesat e tyre. Pushtetin e morrën me gjak dhe e mbajtën me gjak duke vrarë vetëm shqiptarë dhe asnjë pushtues të huaj. Kur iu dukej se dikush i pengonte ose i konkuronte në realizimin e synimeve të tyre, e zhduknin edhe po të ishte i afërm i familes, mik e bashkëpunëtor i tyre i vjetër. Dalloheshin për servilizëm ndaj eprorëve, Aliu me Sulltanin, Enveri me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin. Mbaheshin për njerëz me kulturë dhe silleshin mirë me të huajt që u vinin për vizita, por në fakt ishin pa shkollimin e duhur për postin që uzurpuan. Në fakt që të dy kishin aftësi aktoreske dhe të bënin për vete me aftësinë e të folurit dhe me pamjen e tyre të bukur fizike.

Me të drejtë analisti Mërgim Korça e ka quajtur Enver Hoxhën për periudhën 1944-1976 në marrëdheniet e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik të Josif Visarionoviç Stalinit dhe me Kinën e Mao Ce dunit, kolaboracionist për interesa personale. Kolaboracionizmi i tij për periudhën dhjetravjeçare në kushte kur Shqipëria nuk ishte e pushtuar nga këmba e pushtuesit të huaj ishte shumë më i ulët se kolaboracionizmi 1 ose 2-vjeçar i atdhetarëve si Mustafa Merlika, Lef Nosi, Pater Anton Arapi me shokë, të cilët në kohën e pushtimit të huaj pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit për të shpëtuar ato që mund të shpëtoheshin për të mirën e atdheut.

Vlerësimi i bëmave të Enver Hoxhës duhet bërë edhe duke pasur parasysh pasojat e sundimit të tij, si shkatërrimin e moralit tradicional shqiptar, shkatërrimin e besimit fetar me dhunë, krjimim e njeriut gënjeshtar që ndryshe mendonte e ndryshe shprehej / shkruante nga frika. Enver Hoxha ashtu si mësuesit e tij të Kremlinit, punoi fshehurazi dhe për ta përjetësuar sundimin e tij. Këtë e dëshmojnë jo vetëm vrasjet e ndryshme, vjedhjet e shumave marramendëse, por edhe puna e Ramiz Alisë për të realizuar trashëgimin e pushtetit dhe të pasurive të popullit prej kupolës komuniste dhe shërbëtorëve të saj besnikë. Për këtë arsye ky pasardhës i Enver Hoxhës zbatoi një variant të planit Katovica për vendin tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës së proletariatit. Jo rastësisht mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste erdhën në pushtet ish komunistë dhe ish sigurimsa, shërbëtorë besnikë të ish kupolës komuniste dhe jo nacionalistë, kombëtaristë të përndjekur e të shpronësuar, që përbënin pjesën më të ndershme dhe më atdhetare të shoqërisë sonë.

Studiuesi Pëllumb Xhufi formimin e tij shkencor e ka fituar në saje të aftësive të veta individuale, kurse mundësitë që i dha partia shtet ishin të një rëndësie dorëdytë, prandaj nuk ka pse të ndjehet borxhli ndaj diktaturës e diktatorit. Kam bindjen se, pasi të njihet më nga afër me krimet e kryera gjatë Luftës Antifashiste dhe kohës së diktaturës, do të çlirohet prej politizimit, pra do ta shërojë dhe ai “Thembrën e Akilit”, për nderin e vet dhe të pasardhësve…

1-        Gjatë 26 vjetëve të punës në Institut botova studimin monografik Mihal Gramenoja publicist demokrat AKADEMIA E SHKENCAVE E RPSSh Tiranë 1980 277 f. Kurse gjatë viteve 2000-2016 kam botuar studimet Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re MEDAUR 2007, 504 f., Mihal Grameno jeta dhe vepra DDS Durrës, 2012, 505 f., Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1 Tiranë 2014, 505 f. dhe përmbledhjet Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit DDS Durrës  2011, 308 f. dhe Mosdënimi i krimit është krim i ri OMSCA Tiranë 2016, 450 f.

2- Intervistë e Profesor Sami Repishtit për nostalgjinë e popullit shqiptar ndaj figurës së Enver Hoxhës, Gazeta Shqiptare, Tiranë 29 Dhjetor 2016.

3- Gazeta Zyrtare, Tiranë 23 janar 1945, nr 3-bis.

4- Agron Tufa, Çelo Hoxha 15 fakte pse Enver Hoxha është një kriminel lufte në faqja Postbllok

5- Ilir Bushi Enver Hoxha, komunisti tinzar që çoi floririn e Shqipërisë në bankat e Zvicrës, Agjensia e Lajmeve SOT, 14 prill 2012.

6- Mërgim Korça. Çështja Kolaboracionizëm e të tjera T’i Gjykojmë, Detroit MI. 2014, f. 16-61.

Filed Under: Komente Tagged With: pellumb xhufi, Replike, Thanas L Gjika

“Nacionalizmi” i Enver Hoxhes dhe “dashuria” e tij per Kosoven

January 10, 2016 by dgreca

Kunderpergjigje ndaj nje shkrimi te profesor Pellumb Xhufit./
Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia/
Eshte per t’u habitur sesi ende disa historiane bolshevike mundohen ta mbrojne, ta rehabilitojne figuren e diktatorit Enver Hoxha. Ata mundohen ta bejne kete ne menyra te kamufluara, djallezore, duke u munduar t’i vene ne pah ndonje veti “pozitive” dhe duke u munduar t’i arsyetojne krimet e regjimit te tij cnjerezor. Ideologjia bolshevike eshte bunkerizuar thelle ne mendesine, ne mendjen e tyre. Komunizmi shqiptar ishte me i egri ne tere Perandorine e Lindjes, por ja qe nje pjese e mire e shqiptareve ende e adhuron ate, madje me shume se ne cilindo shtet tjeter te ish-botes komuniste. Per fat te keq, kjo vlen edhe per nje pjese te mire te intelektualeve, akademikeve, artisteve, historianeve qe gjerat i shohin vetem ne anen, formen me siperfaqesore. Keta historiane, ne vend se te turprohen per ato cka kane shkruar me heret, perkundrazi, ata jane me te zhurmshmit ne ekranet televizive, mediat e shkruara dhe ato elektronike. Ata qe per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone, jane duke e bere te njejten gje edhe sot, pa i brejtur fare ndergjegja (nese e kane). Thua se Shqiperia nuk ka historiane te tjere.
Nje shkrim te tille me titull: “A ishte Enver Hoxha nje nacinalkomunist?”, keto dite e ricikloi historiani Pellumb Xhufi ne disa gazeta elektronike. Si zakonisht ne keto shkrime nuk paraqet, nuk mbeshtetet ne fakte, por vetem ben interpretime sipas deshires se tij. Dhe ai nacinalizmin e Enver Hoxhes mundohet ta lidhe me qendrimet e tij ndaj Kosoves, por fjalet nuk perputhen me veprat. Pastaj ai mundohet ta paraqese Enver Hoxhen si nacionalist te vertete. Ndersa per nacionalistet e vertete, si Abaz Kupi e te tjere, te cilet i rrembyen armet qe ne oret e para te pushtimit italian, ai flet me mosperfillje, me ate cinicizmin, sakazmen tipike komuniste. Kjo eshte nje teme e gjere ne vetevete dhe nuk po ndalemi ketu, por te vazhdojme me qendrimet, veprimet e Enver Hoxhes dhe PKSH-se per ceshtjen e Kosoves. “Ne marredheniet me jugosllavet e Titos, vuri qysh ne kohen e luftes ceshtjen e Kosoves dhe te bashkimit te saj me Shqiperine. Me 1943 Titua e pranoi se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftes duhet t’i bashkohej Shqiperise” – keshtu shkruan profesor Xhufi ne shkrimin e tij. Por, e verteta eshte pak me ndryshe. Enver Hoxha dhe PKSh ishin nen kontrollin e plote te Partise Komuniste te Jugosllavise (PKJ) permes dy emisareve te saj, Milladin Popoviq e Dushan Mugosha. Pra, si mund ta ngrente ceshtjen e Kosoves partia qe udhehiqej nga armiqte tane shekullor, te cilet jane shkaktaret kryesor te tragjedise se Kosoves. Koj ka qene dashte te jete e qarte per ta (komunistet shqiptare), se po te mos ishin serbet, ceshtja e Kosoves nuk do te ekzistonte, do te ishte zgjidhur qe me shpalljen e pavaresise se Shqiperise. Ishin pikerisht nacionalistet ata qe gjate luftes e ngrene dhe ngulnin kembe per ceshtjen e Kosoves. Ndersa komunistet ngulnin kembe qe kjo ceshtje te lihet anash dhe per te te diskutohet vetem pas clirimit. Komunistet shqiptare te kontrolluar plotesisht nga dy agjentet jugosllave e prishen edhe marreveshjen e Mukjes, per te luftuar se bashku si shqiptare per lirine e Shqiperise. Jugosllaveve nuk u konvenonte nje faktor i forte e i bashkuar shqiptar. Te detyruar nga jugosllavet, ata ia kthyen pushken vellezerve te gjakut dhe dolen hapur ne anen e jugosllaveve.
Ne fazat e fundit te luftes, dy brigada shqiptare shkuan ne Kosove per t’i ndihmuar “vellezerit” jugosllav. Ato brigada nuk shkuan ne Kosove per te cliruar Kosoven e per te qendruar aty per te mbrojtur popullsine shqiptare, por ne nje fare menyre, per t’i ndihmuar jugosllavet per ta kontrolluar, pushtuar Kosoven. Kjo ishte nje loje djallezore e jugosllaveve, sepse shume te rinj shqiptare te Kosoves iu bashkuan ketyre brigadave si brigada shqiptare. Dy brigadat shqiptare luftuan krah per krah me forcat jugosllave per te luftuar forcat shqiptare te udhehequra nga Shaban Polluzha, te cilat luftonin per ta mbrojtur Kosoven, pragun e shtepise. Eshte ironi se, ne maj te vitit te kaluar ne nje shkrim te tij, gjeneral Rrahman Parllaku qe vete kishte marre pjese ne keto luftime perafersisht shkruan: “Forcat shqiptare te armatosura deri ne dhembe, luftonin per jete a vdekje nen udheheqjen e komandantit Shaban Polluzha. Por, gjeneral Parllaku nuk thote se ishte pikerisht ai dhe partizanet e tij qe po luftonin kunder Shaban Polluzhes dhe trimave te tij. Me vone keto brigada shkuan te luftonin ne Sanxhak e Bosnje, ndersa ne Kosove erdhen brigadat serbo-malazeze qe masakruan shqiptaret e pambrojtur. Keto brigada me vone u kthyen ne Shqiperi dhe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, sic i kishin “premtuar” Enver Hoxhes “vellezerit” jugosllave. Shqiptaret e Kosoves qe kishin nje histori te hidhur me serbet, ia kishin terhequr vemendjen udheheqjes shqiptare qe te kishin kujdes me jugosllavet, sepse “Shkau bese nuk ka”. Po kush degjonte, ata ishin te dehur nga ideologjia bolshewvike dhe jo nga ndjenjat kombetare. Pastaj vjen Masakra e Tivarit ku u masakruan mijera te rinj shqiptare te Kosoves, masaker per te cilen kishin dijeni edhe udheheqesit e Shqiperise. Ndersa ne Shqiperi gjer ne vitin 1990 nuk eshte folur fare per kete tragjedi kombetare, ne Kosove eshte folur mjaft.
Pas luftes, Fadil Hoxha shkon ne nje mision te fshehte (inkognito) per t’u takuar me Enver Hoxhen dhe i ankohet se, serbet jane duke u sjellur ndaj shqiptareve edhe me keq se ne kohen e Kralit. Kete vizite e permend Enver Hoxha ne librin e tij “Titistet”, por nuk tregon se si reagoi, si veproi ai vete. E c’beri Enver Hoxha dhe udheheqja shqiptare? Ata, para se te kthehej Fadil Hoxha ne Kosove, e kishin lajmeruar UDB-ne per kete vizite te fshehte dhe permbajtjen e bisedes. UDB-ja ia kishte treguar Fadil Hoxhes stenogramin qe u kishte ardhur nga Shqiperia. Ne vitet 1945 – 1948 Shqiperia ishte nen kontrollin e plote te Jugosllavise. Enver Hoxha nuk beri asgje per bashkimin e Kosoves me Shqiperine, madje ai ne Plenumin e Partise ne dhjetor te vitit 1946 e kishte bere kete pyetje: “A eshte ne interesin tone qe ne ta kerkojme Kosoven? Kjo nuk eshte nje gje progresive per te bere. Jo, ne kete situate, perkundrazi, ne duhet te bejme cdo gje te mundur qe te sigurojme qe kosovaret te behen vellezer me jugosllavet” (Noel Malcolm, “Kosovo, a short history”, Harper Perennial, 1999, faqe 319). Keshtu flet nje nacionalist, nje njeri qe e do Kosoven?!
Enver Hoxha si udheheqesi me i larte i shtetit shqiptare, disa here e ka vizituar Jugosllavine, por kemba e tij kurre nuk shkeli ne Kosove, madje nuk ishte takuar me asnje delegacion te shqiptareve te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish-Jugosllavi. Ai vetem kishte kerkuar te takohej me nenen e Milladin Popoviqit. Ai e lidhi ekonomine e Shqiperise me ate te Jugosllavise, njesoi lekun me dinarin jugosllav, e futi Shqiperine nen kontrollin total te Jugosllavise, gjuha serbokroate filloi te mesohej ne shkollat shqiptare. Te gjithe ata atdhetare qe paten guximin qe ta kundershtonin i futi ne burg, ose i pushkatoi. Te permendim ketu vetevrasjen e Naku Spiros, burgimin e Mitrush Kutelit, e shume e shume raste te tjera. Gjate luftes, jugosllavet ia kishin arritur qe t’i percanin komunistet me nacionalistet shqiptare, ndersa pas luftes ata arriten qe t’i percanin edhe vete komunistet. Lere qe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, por me veprimet e tij antikombetare, ai gati e beri Shqiperine republike te shtate te Jugosllavise. Vetem rastesia, prishja e marredhenieve mes Titos e Stalinit, e shpetuan Shqiperine nga kjo katastrofe kombetare. Gjate regjimit te tij gjysmeshekullor, fjala Kosove nuk permendej aq shpesh. Neper shkollat e Shqiperise nuk u mesua asgje per Kosoven, madje as qe permendej fare. Ne shkollat e Shqiperise nxenesit mesonin cdo gje per Bashkimin Sovjetik, Kinen, Vietnamin, Tanzanine e shume vende te tjera te botes, por asgje per Kosoven. Me tregonte para ca kohesh nje ish pjesetar i Ansamblit Shteteror te Kengeve dhe Valleve Popullore: Kur shkonim per te dhene shfaqje ne Zvicer e Gjermani, shoqeruesit (sigurimsat) na thonin: Kini kujdes, ketu ka mjaft kosovare, mos bisedoni, mos u shoqeroni me ta. Ka nevoje per koment?! Per demonstratat e studenteve te Universitetit te Prishtines te vitit 1981, Shqiperia zyrtare reagoi 28 dite pas shperthimit te tyre. Si deshmi te nacionalzmit te Enver Hoxhes dhe dashurise se tij per Kosoven, profesor Xhufi permend disa fjalime te diktatorit, qe ai i bente kryesisht per konsumin e brendshem. Neve atehere ne Kosove na jepnin shprese, por fjalet i merre era, veprat flasin, veprimet kryejne pune. Dhe nga gjithe ato fjale te medha e bombastike nuk lindi asgje.
Historianet bolshevike per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone kombetare dhe jane duke u munduar qe ta bejne te njejten gje edhe sot. Prandaj eshte e domosdoshme qe historia jone, sidomos ajo e viteve 1920 – 1990, te rishkruhet, duke u bazuar ne fakte, dokumente dhe duke i analizuar ato dhe rrethanat historike te asaj periudhe me metodat me te rrepta shkencore, sepse historia e shtremberuar nuk mund te jete mesuese e mire e jetes. Sikur profesor Xhufi t’i kishte pasur parasysh faktet qe permenda me lart dhe shume fakte te tjera, ndoshta nuk do te kishte shkruar nje artikull te tille. Shkencetarit, historianit te vertete duhet t’i interesojne vetem faktet, e verteta, objektiviteti, paanshmeria.
Philadelphia, janar 2016
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nacionalizmi i Enver Hoxhes, pellumb xhufi, Sadik Elshani

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albania Fashion Week: Java zyrtare e modës shqiptare
  • Strukturat paralele në veri: Realitet i injoruar me pasoja për sovranitetin e Kosovës
  • Robert Lulgjuraj, një kandidat potencial shqiptar për në Kongres në Michigan
  • SPAÇI – PISKAMA QË NA THËRRET TË MBROJMË LIRINË!
  • Mbrëmje kulturore në Linc të Austrisë në 26 vjetorin e çlirimit të Kosovës
  • Amerika e sheh Kosovën si aleate, dhe jo si problem për t’u menaxhuar me heshtje diplomatike
  • Përmbyllja e suksesshme e vitit shkollor në Shkollën Shqipe të QKSHA-Struga
  • Mallkimi i diktaturave komuniste
  • Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe roli i Shqipërisë në hartën e trashëgimisë mesdhetare
  • Fatime Sokoli, kumbimi këndues i Dragobisë përmes zërit dhe shpirtit të një gruaje që erdhi t’i përkiste përjetësisë
  • Orët dhe orëndreqësit shqiptarë
  • Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, detyrim kombëtar
  • A Festival to Remember – Celebrating Our Albanian Heritage
  • U PËRURUA LIBRI “ÇAMI, TEK GURI POLAR” 
  • KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË (KKAD) MBAJTI TAKIMIN E RADHËS DHE PREZANTOI PUNËN E SAJ NJËVJEÇARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT