Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici /Toronto/
Deri në vitin 1990, të ardhurat e shtetit shqiptar siguroheshin kryesisht nga eksporti i naftës, kromit, bakrit dhe i produkteve bujqësore. Nafta dhe minierat ishin pasuri shtetërore. Bujqësia gjithashtu drejtohej nga shteti. Ajo ishte e kolektivizuar dhe e mekanizuar. Kishte kooperativa bujqësore dhe ferma.
Më 1990, sikurse në shumë vende të tjera të botës, regjimi komunist në Shqipëri dështoi, por ai e la vendin tonë pa borxhe, dhe me industri dhe bujqësi relativisht të zhvilluar. Shqipëria kishte shumë fabrika, uzina, kombinate, vendburime nafte dhe gazi, miniera të shumta të kromit, bakrit, hekur-nikelit etj. Popullin regjimi komunist e la të varfër, por në përgjithësi të punësuar.
Pas vitit 1990, kalimi nga regjimi komunist për në ekonomin e tregut u bë duke shkatërruar plotësisht industrin dhe bujqësin. Kjo nuk ndodhi në asnjë vend tjetër të Europës Lindore. Përveç të tjerave, u shkatërrua edhe baza e industrisë së naftës: U mbyllën institutet shkencore, ndërmarrjet e shpimit dhe uzinat mekanike të naftës. U zhduk një numër i madh sondash shpimi etj. Shumë shkencëtarve të naftës, që u hodhën në rrugë, “u doli llotaria amerikane”, dhe ikën jashtë shtetit. Të gjitha këto shkatërrime u bënë, që të mos kishte mundësi rikthimi prap tek nafta si pasuri shtetërore (kombëtare). Naftën ta merrnin të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. Vendburimet e naftës dhe minierat qeveria ua dha me konçesione korruptive kompanive të huaja dhe privatve vendas, të lidhur me qeverin. Në këto kushte, në Shqipëri u krijua papunësi e madhe dhe varfëri ekonomike ekstreme. Shqiptarët kanë humbur shpresat dhe besimin tek e ardhmja. Ata po braktisin masivisht Shqipërin. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deri tani ka ikur nga Shqipëria 40% e popullsisë, dhe ikja vazhdon. por kryeministrin Rama kjo ikje kaq e madhe nuk e shqetëson aspak! Në botën perëndimore roli i shtetit në
ekonomi ka pësuar rënie, por nuk është zhdukur. Përkundrazi, në Shqipëri roli i shtetit në ekonomi është zhdukur plotësisht, sepse gjithçka është privatizuar. Por, në një shtet si Shqipëria, ku ligji nuk sundon aspak, privatizimet janë shoqëruar me grabitje të pasurisë kombëtare. Në këto kushte, shtetit nuk i ka mbetur pothuajse asnjë pasurí. Ai nuk ka plan, dhe as strategji për zhvillimin ekonomik. Gjithçka i është lënë iniciativës private spontane. Përveç të tjerave, shteti nuk merret fare me kërkime dhe prodhim nafte, mineralesh etj., sepse ua ka dhënë të huajve me konçesione korruptive. Ai nuk ka prodhime për eksport, që të sigurojë të ardhura. Prandaj, sot Shqipëria mbahet vetëm me taksa, tatime, dogana dhe borxhe nga bankat e huaja. Deri tani borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka arritur mbi 9 miliardë dollarë, dhe ai vazhdon të rritet. Me se do të shlyhen këto borxhe? Për këtë askush nuk mendon. Zoti Rama, në fushatën zgjedhore deklaroi se do të investojë 1 miliard dollarë, gjatë 3 viteve të ardhshëm, për rindërtimin e infrastrukturës rrugore, arsimore dhe shëndetësore. Kështu premton të hapë vende të reja pune, por këto janë të përkohshme, sepse pas mbarimit të ndërtimit të rrugës, apo të shkollës etj., punëtorët do të mbeten prap pa punë. Pra, paratë do të investohen atje ku nuk prodhohet për eksport. Kështu do të zhytemi thellë e më thellë në borxhe. Edhe partitë e tjera politike (PD, LSI etj.) bëjnë premtime në havá, pa asnjë bazë reale, sikurse kanë bërë edhe gjatë fushatave të mëparshme zgjedhore.
Autori i këtij shkrimi mendon se ka një rrugëdalje nga kjo situatë e errët, dhe kjo është: Nafta dhe gazi t’i rikthehen popullit. Ato të shpallen pasurí shtetërore (kombëtare), sikurse i ka Norvegjia dhe shumë shtete të tjera perëndimore. Ky veprim do të bënte një revolucion në ekonomin shqiptare. Kjo klasë politike (PD, PS, LSI etj.) nuk mund ta bëjë këtë revolucion, i cili është kundër interesave korruptive të sajë. Prandaj, për të arritur
këtë qellim, qeveria duhet të zgjidhet nga populli dhe t’i shërbejë atij. Jo qeverí, që u shërbejnë vetëm të huajve dhe interesave të veta, sikurse të gjitha qeveritë pas vitit 1990. Pra, kërkohet që roli i shtetit të jetë qendror në industrinë e naftës dhe të gazit. Si model të kemi Norvegjin. Të zbatojmë me përpikmëri programin e naftës, të përpiluar nga eksperienca norvegjeze. Norvegjia, vetëm duke u bazuar tek nafta dhe gazi, e zhvilloi të gjithë ekonomin e vendit, zhduku papunësin dhe rriti shumë mirëqënien e popullit. Ajo ka siguruar një fond rezervë (Fondi i Naftës), që është për brezat e ardhshëm, dhe që deri tani ka arritur mbi 900 miliardë dollarë, dhe vazhdon të rritet. Norvegjia ka 5 milionë banorë (sa Shqipëria me Kosovën). Populli norvegjez është i vogël, por vazhdimisht ka zgjedhur qeverí të afta, besnike ndaj popullit, që mendojnë dhe veprojnë për të mirën e tij. Populli shqiptar vazhdimisht ka zgjedhur qeverí të paafta, të pabesa ndaj popullit, mashtruese, antipopullore, që u shërbejnë vetëm të huajve dhe vetes së tyre. Pra, të gjitha varen nga zgjedhjet në Shqipëri. Është krim i shëmtuar t’u japësh votën prap këtyre politikanve të korruptuar dhe drejtuesë të PD, PS dhe LSI, që janë provuar të gjithë se kush janë, gjatë 25 viteve të fundit. Janë pikërisht këta, që e shkatërruan, shitën dhe grabitën Shqipërinë, pas vitit 1990.
Për t’u rikthyer tek nafta shtetërore, duhet që kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, të mos privatizohet. Do të ishte mirë sikur Shqipëria me Kosovën të kishin një kompani të përbashkët shtetërore të naftës, me kapital të përbashkët, përfshir deri 30% kapital privat shqiptar.. Kjo kompani, dhe Drejtoria e Naftës, të jenë të pavarura nga shteti. Lidhjet e tyre me shtetin të jenë sipas modelit të Norvegjisë. Kompania e naftës të ketë 4 Seksione: Seksioni i Kërkimit, Seksioni i Prodhimit, Seksioni i Përpunimit dhe Seksioni i Marketingut (tregtimit). Seksioni i Kërkimit të ketë Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve për Naftë dhe Gaz, si dhe Gjeofizikën. Seksioni i Prodhimit të ketë Institutin Teknologjik të Naftës. Të gjitha këto, fillimisht të jenë me kuadro tepër të reduktuara. Seksioni i Përpunimit të ketë uzinat e përpunimit të naftës. Dy uzinat mekanike të naftës (në Kuçovë dhe në Patos) gradualisht të ringrihen. Të rihapet një Ndërmarrje Shpim-Kërkimi dhe një Ndërmarrje Shpim-Shfrytëzimi (fillimisht me nga 2-3 sonda shpimi). Teknikumi i Naftës të rihapet dhe të pregatisë teknikë nafte. Fakulteti Gjeologji-Miniera në Tiranë, që është gati duke u mbyllur, të vazhdojë të pregatisë ing. gjeologë nafte dhe miniere, ing. shpimi, ing. gjeofizikë, ing. hidrogjeologë etj. Kështu do të hapen shumë vende të reja dhe të përherëshme pune, jo vetëm në sektorin e naftës, por edhe në sektorët ndihmës: Ndërtim, transport, tregëti, mekanik etj.
A i ka mundësitë Shqipëria, në bashkëpunim edhe me Kosovën, për ringritjen e sektorit të naftës shtetërore? Po, i ka të gjitha mundësitë, por të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar, do ta pengojnë atë me çdo mënyrë. Qeveria e sotme justifikohet se nafta nuk mund të zhvillohet nga shteti, sepse nuk ka pará, dhe sepse strukturat gjoja ndodhen vetëm në thellësi të mëdha dhe me kosto të lartë kërkimi, por këto nuk janë aspak të vërteta. Qeveria do të ketë pará, kur të shtetëzojë naftën, kromin etj., kurse struktura të cekta ka plot. Pra, për të realizuar sa më sipër, duhen:
1- Specialistët 2- Kapitali financiar 3- Perspektiva naftëgazmbajtëse.
★Në Shqipëri kanë mbetur akoma specialistë të profileve të ndryshme të naftës. Ka Ing. gjeologë me përvojë për projektimin e puseve të kërkimit, specialistë mikropaleontologë dhe petrografë, Ing. për shpimin e puseve, Ing. vendburimesh, Ing. gjeofizikë (seismikë) etj. Shumica e tyre janë pensionistë, por besoj se do të jenë të gatshëm të angazhohen në naftë, me kohë të plotë ose të pjesëshme, sëpaku 1-2 vjet, kundrejt shpërblimit përkatës. Pranë tyre të punësohen inxhinierë të rinj, të cilët të specializohen nga të vjetrit.
★Kapitali financiar mund të sigurohet nga këto burime:
1- Të prishen të gjitha marrëveshjet konçesionare të vendburimeve ekzistuese të naftës dhe të gazit. Kompanitë e huaja të naftës, nëpërmjet kontratave të padrejta, vetëm po na grabisin. Ato nuk kanë sjell asnjë zhvillim të naftës apo të ekonomisë, por vetëm varfëri. Grabitja është kaq e madhe, saqë Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit nuk mund ta dënojë Shqipërinë, për prishjen e njëanëshme të kontratave. Pas shtetëzimit (nacionalizimit), këto vendburime nafte do t’i sjellin kompanisë shtetërore të naftës të ardhura të mjaftueshme, për zhvillimin e naftës nga vet shqiptarët.
2- Të vihen në punë paratë e popullit (sipas modelit norvegjez).
3- Nafta e vendburimeve të reja, në strukturat e cekta dhe me kosto relativisht të ulët, që pritet të zbulohen shumë shpejt, do të sillte të ardhura të rëndësishme. Theksoj se në fillim duhen kërkuar me shpime vetëm strukturat e cekta dhe të pregatitura mirë. Pra, mundësia e zbulimit të naftës dhe të gazit të jetë sa më e madhe dhe me kosto sa më të ulët.
4- Po të jetë nevoja, le të marrim edhe kredi nga bankat e huaja. Nafta garanton shlyerjen e borxheve.
★Perspektiva naftëgazmbajtëse e Shqipëri-Kosovës është e madhe.
– Deri tani, prania industriale e naftës dhe e gazit është vërtetuar vetëm në Shqipërin Jugperëndimore. Këtu grupi im i gjeologve njeh prej kohësh një strukturë të cekët dhe me perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Gëlqerorët e kësaj strukture janë të mbuluar nga argjilat (flishi), dhe ndodhen në thellësin rreth 1300 m. Struktura është e pregatitur me të gjithë kompleksin e punimeve gjeologo-gjeofizike, dhe është e gatshme për kryerjen e një shpim kërkimi. Grupi e ka gati projektin për shpimin e këtij pusi. Avantazhet e strukturës: Është e pregatitur, e cekët dhe e madhe (mbi 14 km gjatësi, ose linjë strukturore e cekët, me gjatësi mbi 60 km). Zbulimi shumë i mundshëm, i naftës dhe i gazit në këtë strukturë të cekët dhe me kosto relativisht të ulët, do të sillte të ardhura të mëdha për kompaninë shtetërore të naftës. Në vitin 2011, për këtë strukturë, kërkuam ndihmën e ish kryeministrit Berisha, por ai na sorollati dhe nuk tregoi asnjë interes. Në vitin 2014 kërkuam ndihmën e kryeministrit Rama, por edhe ai na sorollat dhe nuk tregoj interes, sepse e gjithë Shqipëria u është dhënë në dispozicion të huajve, me konçesione për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit. Shteti shqiptar nuk merret me kërkime nafte dhe gazi. Përveç strukturës së lartëpërmendur, ka edhe struktura të tjera të cekta, të pregatitura për shpime kërkimi. Qeveria i ka dhënë këto struktura me konçesione gjoja për kërkim nafte dhe gazi tek kompanitë mafioze me bazë në det (offshore), por ato gjatë dy vjetve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi. Këto që shkruaj janë lehtësisht të verifikueshme. Kjo është shkelje shumë e rëndë e Ligjit të Naftës në Shqipëri. Në fakt, këto liçensa dhe kompani mafioze i shfrytëzojnë qeveritarët tanë për pastrimin e parave të pista të drogës etj. Kush do fakte për megakorrupsionin qeveritar, ja ku i ka! Pra, pas vitit 1990, të huajt kanë bërë pak kërkime për naftë dhe gaz në Shqipëri. Prandaj, gjatë 25 vjetve të fundit, nuk ka pothuajkse asnjë zbulim të ri nafte dhe gazi.
– Perspektivë për naftë dhe gaz ka e gjithë Shqipëria Perëndimore (Zona Jonike dhe Ultësira Adriatike).
– Gjatë viteve të fundit është hapur perspektivë e madhe për naftë dhe gaz në të gjithë Shqipërinë Lindore, që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën (Brezi Mirditë-Kosovë). Brezi i Mirditës përfshin rreth 1/3 e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Ky brez ka shumë struktura magmatike gjigante (diapire), poshtë të cilave pritet të jenë gëlqerorët naftëgazmbajtës. Në njërën nga këto struktura (masivi i Bulqizës), në thellësitë e minierës së kromit ka pasur disa herë shpërthime të fuqishme të gazit metan, të shoqëruara me viktima (gaz i lagur, shoqërues i naftës). Ky gaz nafte tregon: Ja ku jemi!, por qeveria bënë sehir. Ajo nuk punon për popullin. Thellimi i mëtejshëm i minierës ka rrezik të madh, sepse nuk e njohim thellësinë. Mund ta prekim padáshur, dhe të shpërthejë kapela gjigante e gazit. Kjo do të ishte një superkatastrofë! Theksoj se vetëm zbulimi i mundshëm, i vendburimit gjigant të naftës dhe të gazit, në gëlqerorët poshtë masivit të Bulqizës, mund ta ngrinte lartë ekonomin e Shqipërisë. Nafta dhe gazi i Brezit të Mirditës pritet të jenë me cilësi më të mira (jo bituminoze, jo squfurore). Ky zbulim do të hapte perspektivë të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Brezi Mirditë-Kosovë, nga ana gjeologjike, ngjan me brezin naftëgazmbajtës të Azerbajxhanit (basen pas-harkut vullkanik). Ky konkluzion duhet t’i tërhiqte vëmendjen çdo qeverie shqiptare, për t’i shpallur naftën dhe gazin pasuri strategjike kombëtare. Përkundrazi, qeveria Rama-Meta, sikurse ajo Berisha-Meta, e kanë nxjerr në shitje kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol dhe në ankand (shitje) për kërkime nafte dhe gazi të gjithë Shqipërinë. Këto qeveri janë, pa asnjë dyshim, antishqiptare.
– Rajoni Maqellarë-Peshkopi ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz në gëlqerorët, në thellësi të vogla. Në këtë rajon ndodhen edhe dy diapire kriprash (gips dhe anhidrit). Njëri ndodhet pranë Peshkopisë (i rrethuar nga Llixha, Bellovë, Cerjan, Zagrad, Rabdishtë, Grevë), kurse tjetri ndodhet pakëz më tej (i rrethuar nga Zimur, Bahutë, Dipjakë, Sllatinë, Vlesh, Radomirë, Presh). Në gëlqerorët poshtë këtyre kriprave, në thellësi të vogla dhe me kosto relativisht të ulët, pritet të ketë naftë dhe gaz, sikurse ka në shumë vende të botës. Me diapir bota nënkupton naftë dhe gaz. Është gjynah i madh, që populli i krahinës së Dibrës të vuajë nga papunësia dhe varfëria ekonomike, vetëm sepse qeveritë tona janë të paafta. Ato janë të afta vetëm për mashtrime, pabesí, grabitje…