Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 24 mars 2015, në rajonin e kepit të Rodonit, u përkujtua 97 vjetori i mbytjes së avullores së transportit detar të perandorisë AustroHungareze “Linz”. Në këtë ceremoni morën pjesë Ambasadori i Republikës së Austrisë, shkëlqesia e Tij, zoti Thomas Schnoll, Ambasadori i Republikës së Hungarisë, shkëlqesia e tij zoti Antal Neizer, Komanadanti i Forcës Detare, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti, Patër Aurel Gjerkaj, Ministër provincial, diplomatë e ushtarakë, përfaqsues nga Ministria e Kulturës, të medias, kuadro dhe detarë të anijes “Iliria”, P-131, etj. Avullorja austrohungareze “Linz”, me kapiten Hugo Tonelli, ishte vapori i “Lloydit” austriak dhe në vitin 1918, u mor për nevojat e ushtrisë perandorake, transport trupash. {Avullorja “Linz” u prodhua në kantierin e Triestes në vitin 1909, me përmasa 104×13.4 m, peshkim-7.9 m dhe tonazh 3819 t}. Gjatë lundrimit nga porti i Rjekës për në portin e Durrësit, më datën 19 mars 1918, ora 19.00, anija hasi me një minë detare në bordin e majtë, 3.7 milje në perëndim të Kepit të Rodonit. Goditja ishte fatale, dhe për rjedhojë anija u mbyt brenda 25 minutash. Në këto kushte dhe tre anijet luftarake {dy anije siluruese, “98” dhe “TB 974” si dhe destrojeri “Balaton”}, që e shoqëronin “Linzin”, nuk patën asnjë lloj mundësie për të evituar mbytjen e saj. Në bordin e anijes bashkë me ekuipazhin, ishin 1003 persona të rregjistruar, nga të cilët 413 robër italianë, të cilët do përdoreshin për punë në territorin shqiptar nga ushtria austrohungareze. Por në anije kishte dhe persona të parregjistruar, ushtarë austrohungarezë që në prag të përfundimit të Luftës së I-Botërore zgjodhën destinacione të tjera qëndrimi, përkthyes shqiptarë dhe italianë, personel nga Kryqi i Kuq, etj, të cilët e bëjnë këtë tragjedi detare nga më të mëdhatë e kohës. Specialisti i zhytjeve, nip tek familja e detarëve të vjetër ulqinako-durrsakë Kapidani, zoti Ilir Capuni, thotë se anija është mbytur në thellësinë 42 m dhe është në gjendje të mirë. Gjatë eksplorimit të bërë nga një ekspeditë shqiptaro-austriake është parë qartë vrima e shkaktuar nga mina detare si dhe gjendja e anijes. I apasionuar pas sportit të zhytjeve, zoti Capuni thotë se në ujërat Adriatiko-Joniane ka me dhjetra anije të mbytura, të cilat mund të eksplorohen nga zhytësa shqiptarë e të huaj, duke i shërbyer më së miri zhvillimit të turizmit nënujor. Organizimi i kësaj ceremonie, por dhe të tjerave në të ardhmen, është një mënyrë për promovimin e këtyre vlerave në ujërat shqiptare. Pjesmarrësit e këtij aktiviteti përkujtimor shkuan në vendin e mbytjes së anijes “Linz” me anijen “Iliria”, {P-131}, ku u zhvillua një ceremoni e thjeshtë në respekt të detarëve e personelit të mbytur në këtë fatkeqësi detare. Diplomatët dhe Gjeneral Shkurti në përshëndetjen e tyre evidentuan fatin tragjik të personelit civilo-ushtarak të anijes “Linz”, mbytur më pak se një shekull më parë. Kontakti në një minë detare e vendosur nga pala tjetër ndërluftuese solli mbytjen e menjëhershme të anijes bashkë me marinarët dhe personelin e saj. Gjithsesi ata ishin njerëz, të cilët lundronin afër brigjeve tona dhe u mbytën në ujërat tona. Natyrisht dhe dhimbjen e parë për ta, e përjetuan banorët e zonës së Ishmit e kepit të Rodonit, të cilët historikisht janë shquar për mikpritje dhe bujari. Ngelet detyrë e studjuesve tanë ta evidentojnë se si e përjetuan banorët e kësaj treve mbytjen e marinarëve të “Linz-it”. Vazhdimësi e kësaj dhimbje njerëzore është ceremonia që u zhvillua sot, për të përkujtuar humbjen tragjike të këtyre marinarëve. Ceremonia barti dhe simbolikën e saj, sepse në këtë ngushëllim për detarët e mbytur morën pjesë dhe marinarë shqiptarë. Pra, shpirtërat e detarëve austro -hungarezë dhe ushtarëve robër italianë, të tretur në thellësitë e Adriatikut bashkë me trupat e tyre, mbas një shekulli morën ngushëllimin e diplomatëve respektivë dhe detarëve shqiptarë. Kjo tregon se vitet bëjnë të vetën, historia, përpjekjet e vazhdueshme për paqe të popujve në këtë anë të Adriatikut sollën këtë ditë të vecantë, që askush se mendonte një shekull më parë. Në vijim diplomatët e huaj nënvizuan përpjekjet për paqe e siguri gjatë këtyre viteve nga vendet e rajonit, si dhe të ardhmen evropiane të popullit shqiptar. Mbas ceremonisë fetare të drejtuar nga Patër Aurel Gjerkaj, nga dy ambasadorët, Ai austriak dhe hungarez dhe Komandanti i Forcës Detare u hodhën në det kurora me lule, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie. Kështu në këtë ceremoni të thjeshtë, pjesmarrësit shprehën dhimbjen, hidhërimin dhe ngushëllimet e tyre për detarët e anijes “Linz”. Ju prehtë shpirti në paqe! Ky ishte mesazhi që ata përcollën në këtë ditë marsi, pak milje nga brigjet e Rodonit.