• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MUAJ PA RAMUSH TAHIRIN INTELEKTUALIN LARGPAMËS

September 12, 2021 by s p

Vdes politologu Ramush Tahiri

Shkruan: NUHI BYTYÇI

U bë një muaj kur u nda nga jeta politikologu, gazetari, publicisti dhe analisti politik Ramush Tahiri. Ai padyshim ishte njëri prej gazetarëve, publicistëve dhe politikologëve më të spikatur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare. I diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit, Ramushi u dallua nga kolegët e tij në gazetën e atëhershme “Rilindja” me shkrimet e tij analitike politike. Që nga ajo kohë kam pasë rastin që ta takohem dhe bisedoj me Ramush Tahirin, kurse me angazhimin e tij dhe timin në alternativën e atëhershme politike shqiptare në fillim të viteve 90-ta, më konkretisht në Kryesinë e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës kemi pasur rastin që të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë në emancipimin politik të shqiptarëve të Kosovës dhe në krijimin e forontit unik kundër regjimit okupues serb. Gjatë angazhimit të tij në pozicionin e nënkryetarit të PSHDK-së, Ramish Tahiri shquhej për zgjuarsinë, nivelin e lartë politik dhe intelektual, i cili proceset e atëhershme shoqërore e politike i shihte me largpamësi, me një vizionaritet shumë të qartë dhe ishte i përkushtuar e i vendosur për një të ardhme më të ndritshme të popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon. Ai besonte dhe punonte për të realizuar synimin e popullit të Kosovës në rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Duke e përfaqësuar PSHDK-në në Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës dhe në ish-Jugosllavi, Ramushi dha kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e frontit unik politik dhe ekzekutiv të shqiptarëve kundër regjimit okupues serb. Me zgjedhjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil, në krye me Bujar Bukoshin, Ramush Tahiri pranon detyrën mjaft me përgjegjësi dhe plot sfida, atë të Nënkryetarit të Qeverisë dhe njëherësh të Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës. Edhe me këtë rast, Tahiri u shqua si njeri pragmatist dhe unifikues, duke bërë përpjekje për koordinimin e të gjitha aktiviteteve dhe veprimeve të Qeverisë dhe të Parlamentit të Kosovës në ekzil. Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimit të përgatitjeve për luftë frontale në Kosovë kundër policisë dhe ushtrisë serbe, Ramush Tahiri bashkëpunoi ngushtë me Fehmi Lladrovcin dhe drejtues të tjerë të UÇK-së, duke kontribuar në mbështetjen e parezervë të luftës së UÇK-së nga oficerët e atëhershëm shqiptarë në Kroaci, Slloveni dhe vendet  evropiane dhe angazhimin e tyre në frontet e luftës në Kosovë. Më kujtohet kur në vitin 1996 e 1997 shkoja në Tiranë të montoja disa telereportazhe dhe dokumentare nga Kosova dhe diaspora jonë për TV Shqiptar, Ramush Tahirin e kam takuar dhe kam biseduar me të deri sa ai punonte në reaksinë e gazetës “Rilindja” që botohej në kryeqytetin shqiptar. Ramushi e vlerësonte të domosdoshme ndërrimin e strategjisë politike paqesore në Kosovë, duke e parë rezistencën e armatosur si rrugëdalje të vetme për lirinë e Kosovës.   Atë e kam takuar disa herë bashkë me gazetarin e ri, Ali Ukën, i cili shkruante artikuj interesantë, sidomos për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.                                    Ndërkaq, pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, Ramush Tahiri dha kontribut të posaçëm në ndërtimin e institucioneve të para të Kosovës së re.              Ai ishte këshilltar politik i Kryetarit të parë të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, këshilltar i Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i proceseve dhe analist i dëshmuar i çështjeve politike në shtetin e ri demokratik të Kosovës. Ramushi, si politikolog dhe intelektual i nivelit evro-perëndimor, shumë i mprehtë, i qetë dhe përherë që gjente zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha problemet shoqërore. Po e veçoj me këtë rast edhe bashkëpunimin me kolegun dhe mikun tim Ramush Tahiri me rastin e realizimit të filmit dokumentar kushtuar heronjve të Kosovës Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Ramushi në mënyrë të argumentuar e me mburrje fliste për figurën humane e atdhetare të Fehmiut dhe të Xhevës, duke më dhënë edhe disa fotografi nga koha e studimeve në Zagreb, vizita në Shqipëri dhe gjatë luftës në Kroaci. Kështu ai e begatoi dokumenztarin tim për 2 heronjtë e lirisë së Kosovës.                                                                                                         E takoja shpesh dhe këmbenim mendime për proceset e vështira të shtetndërtimit në Kosovën e re, atëherë kur bashkëpunonte në vazhdimësi me Radiotelevizionin e Kosovës, ku si analist politik paraqiste pikëpamjet e tij për proceset konkrete politike. Ishte i vetëdijshëm për gabimet e klasës politike të pasluftës, i kritikonte bartësit e gabimeve që e ngadalësonin procesin e ndërtimit të një shteti të mirëfillët demokratik, por gjithnjë me maturi dhe me çasje konstruktive për domosdonë e eliminimit të tyre dhe ndërtimin e një shteti më të qëndrueshëm dhe me perspektivë për të ardhmen e brezave të rinj. Ramush Tahirin do ta kujtojmë përherë si njeri të mirë, koleg me vyrtyte të larta humane, profesionale, parasëgjithash me vizione frymëzuese kombëtare.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nuhi Bytyci, perkujtim, Ramush Tahiri

Ramush Tahiri po na mungon…

August 23, 2021 by s p

Nga Sadik Elshani 

U bë një javë që u nda para kohe nga kjo botë Ramush Tahiri, politogu, gazetari, këshilltari politik, por mbi të gjitha, njeriui i urtë i Kosovës,shoku ynë i dashur. Një humbje e madhe për familjen, neve shokët dhe gjithë Kosovën e tërë shqiptarinë. Dhimbja është e madhe dhe në këto çaste të rënda gjejmë ngushëllim te kohët e lumtura të jetës sonë, kujtime nga ditët tona studentore në Zagreb – kohë kur kishim shumë energji rinore e shumë ëndrra për të ardhmen tonë, të ardhmen e Kosovës dhe të kombit tonë. Shiriti i kujtimeve të regjistruara në kujtesën tonë këto ditë dhimbjeje vetëm lëviz, nuk ndalet fare dhe më shpie te shtatori i vitit 1977 kur për herë të parë e takova Ramushin.

Vitin e parë dhe një pjesë të vitit të dytë e kam kryer në Universitetin e Beogradit dhe në shtator të vitit 1977 kam kaluar në Universitetin e Zagrebit. Meqenëse konviktet ende nuk ishin ndarë, unë për disa ditë qëndrova së bashku me bashkëvendësit e mi, Isuf Buzhala dhe Rizah Vata, në dhomën e tyre studentore në konviktin “Cvjetno Naselje”. Pas disa ditësh në dhomën e tyre për vizitë erdhen edhe disa studentë, ndër ta edhe Ramushi, të cilin kurrë nuk e kisha takuar më parë, por emrin ia kisha dëgjuar ato ditë, sepse ai atë vit ishte kryetar i klubit të studentëve shqiptarë, “Shkëndia”. Që në çastet e para të bisedës sonë më la përshtypjen e një njeriu të sinqertë, serioz e shumë të përzemërt. Meqenëse gjatë viteve të gjimnazit dhe gjatë studimeve në Beograd si anëtar i kryesisë se Shoqatës – Letrare Muzikore “Përpjkekja”isha i angazhuar në organizimin e shumë veprimtarive letraro – artistike, edhe në Zagreb u angazhova në organizimin e shumë veprimtarive të tilla së bashku me Ramushin dhe një grup veprimtarësh të klubit “Shkëndia”. Miqësia jonë sa vinte e forcohej çdo ditë e më tepër. Fal pikëpamjeve tona të ngjashme, gati identike, për çështje të ndryshme dhe respektit të ndërsjell, miqësia jonë ishte e sinqertë dhe e qëndrueshme. Për një kohë kemi banuar edhe në të njejtën banesë. Edhe pas përfundimit të studimeve tona vazhdimisht kemi qenë në kontakt, herën e fundit kemi kontaktuar më 1 gusht, përmes  “messenger”-it.Ramushi kishte një karakter të fortë burrëror, i ndershëm, i sinqertë, i matur dhe i mirësjellshëm me të gjithë studentët. Prandaj, edhe e gëzonte respektin e të gjithëve. Që në atë kohë ishte një personalitet që me zgjuarësinë, maturinë e tij projektonte largpamësi si një njohës i shkëlqyer i historisë, traditive dhe zakoneve tona shqiptare. Njeri nga i cili pritej që në të ardhmen të luajë një rol të rëndësishëm në rrjedhat e ngjarjeve për të përparuar pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Vazhdimisht intersohej për t’i zgjeruar njohuritë e tij, duke kaluar kohë të gjata nëpër biblioteka, librari e antikvariate, duke kërkuar materiale që lidheshin me historinë e shqiptarëvë, gjendjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Isha me Ramushin në një librari kur në një revistë shkencore që botohej nga Instituti i Historisë së Kroacisë, “Časopis za suvremenu povijest” (“Revista për historinë bashkëkohore”) e hasëm “Elaboratin e Ivo Andriqit për Shqipërinë”, i vitit 1939, botuar në vitin 1977 nga historiani kroat, Bogdan Krizman (1913 – 1994). Ky ishte një projekt për zhdukjen, shpërnguljen, asimilimin e shqiptarëve, për përvetësimin e pronave të tyre… Menjëherë i blemë disa kopje dhe ua dërguam njerëzve të njohur në Prishtinë. Po ashtu, u treguam edhe shokëve të tjerë dhe i nxitëm që edhe ata ta shpërndanin këtë revistë. Për një kohë të shkurtër ky Elaborat u bë i njohur për shumë shqiptarë, përfshirë edhe shumë studiues që merreshin me këtë lami. Ramushi nuk mësonte, studionte vetëm për ta dhënë një provim, por ai studionte për t’u përgatitur për provimin jetësor, për t’i zbatuar një ditë në jetë këto njohuri, për t’i dalë zot popullit të vet. Punimi i tij i diplomës për pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi (Jugosllavinë në mes të dy Lufërave Botërore dha atë të pas Luftës së Dytë Botërore) është një punim shumë serioz i punuar me shumë përkushtim, duke shfrytëzuar një literaturë të begatë, dokumente e botime të shumta origjinale. Ky punim diplome do të pranohej si një disertacion në shumë universitete prestigjioze botërore.

Pas diplomimit Ramushi u punësua si gazetar në “Rilindje”, gazetën e vetme të përditshme në Kosovë, ku shquhet për artikujt e tij të guximshëm, duke trajtuar tema të ndieshme për atë kohë. Kur në korrik të vitit 1990 forcat policore serbe e mbyllën “Rilindjen”, ishte Ramushi që u ballafaqua me zyrtarin serb që kishte ardhur për ta mbyllur gazetën. Pak më vonë Ramushi u zgjodh nënkryetar i Qeverisë së Kosovës në Ekzil. Për disa vite punoi në Shkup dhe pastaj u vendos në Tiranë, ku punoi si redaktor i “Rilindjes”. Pas çlirimit të Kosovës Ramushi punoi në Kuvendin e Kosovës si këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit, prof. dr. Nexhat Dacit. Një kohë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa nga viti 2011 gjer në vitin 2016 ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Vite më parë e dëgjova Ramushin në një intervistë televizive, ku tregoi se zonja Jahjaga do ta pranonte detyrën vetëm nëse Ramushi pranonte të jetë këshilltari i saj. Deri në çastet e fundit të jetës së tij ka qenë i angazhuar si analist politik në disa studio televizive, ka dhënë mjaft analiza e intervista edhe për shumë agjenci të huaja të lajmeve.

Si kryetar i klubit të studentëve shqiptarë, “Shkëndia”, por edhe gjatë të gjitha viteve si student, Ramushi demonstronte aftësi shembullore të një udhëheqësi të ardhshëm të shqiptarëve. Kishte aftësi për t’i bërë së bashku studentët, fjala e tij kishte peshë, respektohej nga të gjithë. Unë shpesh, si me shaka, i drejtohesha jo në emrin e tij, Ramush, por me nofkën, “udhëheqës”. Shpesh takoheshim nëpër dhomat tona studentore dhe ne një grup i ngushtë, por edhe me studentët  tjerë bisedonim dhe i qanim hallet e popullit tonë. Detyra jonë e parë ishte kryerja e studimeve dhe kthimi ynë në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Por, një shqetësim i përhershëm i yni ishte pozita e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe çka duhej bërë që ajo gjendje të ndryshonte për të mirën tonë. Në rrethanat e asaj kohe mundësia e vetme ishte që Kosova ta fitonte statusin e republikës brenda Federatës Jugosllave. Nga disa skenarë tjerë të mundshëm më i bindshmi ishte ai i një mundësie të shkatërrimit, shpërbërjes së Jugosllavisë, një situatë e ngjashme me atë të krijuar në vitin 1941. Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e kishin humbur një mundësi të shkëlqyer për t’u bashkuar në një shtet shqiptar. (Kjo është një temë tjetër e gjërë dhe nuk është vendi që të zgjatemi më tepër). Në këto biseda dilte në pah aftësia, zgjuarësia, mençuria dhe largëpamësia e Ramushit si një njohës i shkëlqyer i historisë së popullit tonë dhe rrethanave politike të asaj periudhe historike në të cilën po jetonim ne. Me një fjalë, kur të vinte koha jonë, të ishim të gatshëm e të përgatitur për t’u ballafaquar me çdo situatë të mundshme. Ishim ai brez që rrethanat historike dhe dashuria për vendin, kombin tonë, na kishin pjekur, burrëruar para kohe.

Dha ajo kohë të cilën e kishim pritur me dhjetëvjecarë të tërë erdhi. (Shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera në ish Jugosllavi gjatë gjithë historisë së tyre kurrë nuk i kanë ndalur përpjekjet për një Kosovë të lirë e të pavarur). Në vitin 1990 filloi shpërbërja e Jugosllavisë dhe shqiptarët ishin të përgatitur në kërkesat e tyre: Nëse Jugosllavia nuk shkatërrohej, Kosova duhej të shpallej republike e barabartë me republikat e tjera të Federatës Jugosllave; nëse Jugosllavia shpërbëhej, atëherë Kosova do shkëputej nga Jugosllavi dhe do të shpallej shtet i pavarur. Në këto procese kombëtare ka luajtur një rol të madh edhe Ramushi me përgatitjen e tij profesionale, guximin dhe karakterin e fortë kombëtar e njerëzor. Tani Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik. Me angazhimin e tij në administratën e Kosovës Ramushi e ka dhënë ndihmesën e tij të çmueshme për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve shtetërore demokratike të Kosovës.

Ramushi ishte i begatuar me virtyte e vlera të larta njerëzore që i cekëm me lartë, ishte mishërim i së mirës njerëzore. Në jetën e tij private dhe atë publike ai gjithmonë ka qenë një njeri shumë i drejtë, i sinqertë, i shoqërueshëm dhe shumë modest – njeri i tokës, apo siç thonë anglisht, “doën to earth”. Në paraqitjet e tij televizive në debate të shumta si analist, ai gjithmonë ishte në nivelin e duhur, i përgatitur mirë, fliste qetas me fakte dhe debatonte me argumente të forta dhe jo me sharje e fyerje personale. Për të gjitha çështjet serioze, problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova më ka ineresuar mendimi, vlerësimi i Ramushit, sepse gjithmonë i kam besuar sinqeritetit, logjikës dhe gjykimeve të tija të shëndosha.

Ikja e tij e parakohshme e ka lënë të pikëlluar familjen e tij, neve shokëve e miqve të tij – sikur na është shkëputur një gur  çmueshëm nga mozaiku u jetës sonë.. Ka lënë një zbrazëti në jetën politike e publike të Kosovës. Jeta mbi dhe është e përkohëshme, veprat janë të përjetshme.

Prehu i qetë shoku im shtrenjtë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë e të pavarur!

P. S.

E kam mbajtur te fortë veten keto ditë, por ja, në përfundim të këtij shkrimi sytë m’u mbushen me lotë. Do të na mungosh…

Filadelfia, më 22 gusht, 2021.

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komunitet Tagged With: perkujtim, Ramush Tahiri, Sadik Elshani

U END NË PYJE, HUMBI NËPËR YJE

August 5, 2021 by s p

FOTO E SKENDER DESHNICES.jpg

Inxh..Skënder Dëshnica 

– Përkushtim kujtimit të inxhinierit dijetar, Skënder Dëshnica 

 Nga Agim Xh. Dëshnica

       Në ditët me vapë të gushtit shumë vetë kujtojnë shqetësimet dhe përpjekjet e inxhinierëve të përkushtuar për mjedisin e gjelbëruar. Por, vapa u kujton atyre edhe 9 gushtin e vitit 1998, kur dielli prush si rrallë ndonjëherë përvëlonte gjithçka. Atë ditë papritur në oborrin e Spitalit të Tiranës, larg vëmendjes së mjekëve, u shua nga një pushim i beftë zemre, njeriu i mirë i luleve dhe i pyjeve, inxhinieri Skënder Dëshnica. Largimi i tij nga jeta ndodhi para kohe, pasi ai ishte endur si zog i lirë, i dashuruar me natyrën shqiptare, në pyje e parqe, në Pukë, Peshkopi, Mirditë, Lurë, Elbasan, Korçë, Bozdovec, Vithkuq, Vlorë, Llogara, Tiranë, Dajt, etj.

Duke u kthyer prapa në kohë, vërejmë se janë mjaft ndodhira, që hedhin dritë mbi jetën e Skënder Dëshnicës si nxënës, student dhe inxhinier. 

Në vitin e gjyqeve vrastare 1948, një djalë në moshë njëmbëdhjetë vjeç, me kasketë në kokë, i veshur me rroba të vjetra, por të pastra, e me këpucë si të Lulit të vocërr, ulur buzë trotuarit, diku afër sheshit “Skënderbej”, lexonte gazetën “Bashkimi” për një gjyq, ku përmendej emri i atit të vet, patriotit demokrat Xhevdet Dëshnica. Ishte dënuar me burg ai, me akuzën si bashkëpunëtor i opozitës demokratike, pasi qe torturuar në mënyrë shtazarake, i varur tetë muaj me radhë në qeli. Siç dukej, pesha e fatit të familjes së mbetur në mes të udhës pa asnjë të ardhur, kishte rënduar edhe mbi djalin njomëzak. Nënës së tij ia kishin hequr triskën e Frontit dhe familjen ia patën larguar dhunshëm nga Pallati i Aviacionit nr.10 pranë Fushës së Agait, tek ngrihet sot Stadiumi “Selman Stërmasi”, e ia kishin çuar në ish-hotelin pothuaj të pabanueshëm, ku kryqëzohen rruga e Fortuzit me atë Mine Peza. Në ato çaste një reporter hungarez kaloi atypari dhe e fotografoi lexuesin fëmijë të përkulur mbi gazetë. Pas një viti, u hap në sallën përbri Teatrit Kombëtar, një ekspozitë hungareze me pamje edhe nga Shqipëria e re “e begatshme” me artikuj ushqimorë, në një kohë kur dyqanet ishin pa mallra të atillë ose krejt të zbrazët. Në ballë apo në hyrje të ekspozitës varej një portret i madh, tek dukej një djalë i vogël me kasketë, i veshur me rrobe të vjetra, por të pastra, e me këpucët si të Lulit të vocërr, ulur në trotuar, duke lexuar gazetën “Bashkimi”. Nën të lexohej në dy gjuhë: “Edhe brezi i ri, i lumtur ndjek me vëmendje përparimet e Shqipërisë së Re…” Djali ishte nxënësi Skënder Dëshnica, i cili e kishte lënë shkollën për t’u larguar nga Tirana në Berat, pranë njerëzve të afërt.

Nxënës në Tiranë, student në Brashovë të Rumanisë

Skënder Dëshnica, pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare me ndihmën e miqve, do të pranohej vetëm në Shkollën e mesme bujqësore në Kamzë dhe në konviktin e saj. E megjithëse më 1957 e kreu atë për silvikulturë me përfundime të shkëlqyera, ai jo vetëm që nuk u dërgua me studime jashtë shtetit, por edhe u caktua me punë shtetit në Ndërmarrjen Pyjore të Pukës, tek u end jashtë qytetit në mbrojtje të pyjeve nga dëmtuesit e nga zjarret. Në shtator të atij viti, ndoshta për shkak të njëfarë tërheqjeje të diktaturës ndaj patriotëve të vjetër, befas shkoi në familjen e vet një njoftim i vonuar e i pabesueshëm, që Skënder Dëshnica duhej të bëhej gati për t’u nisur menjëherë për studime të larta në Rumani! U deshën disa ditë që ai të kapej me telefon, sepse kishte humbur në pyje me sëpatë në dorë, duke u prirë punëtorëve për shuarjen e zjarreve, që ishin përhapur në disa zona. Së fundi, me një avion rumun të rastit, i ngritur në qiell nga aeroporti i vjetër i Tiranës, tok me aviatorët fluturuan vetëm dy pasagjerë, të dy studentë, një prej të cilëve ishte Skënder Dëshnica. Në përfundim të studimeve, ai u diplomua inxhinier për pyje e parqe, pasi mbrojti me sukses projektin për Parkun e Dajtit.

Kthimi në Atdhe

Pas kryerjes së studimeve të larta më 1962, i kthyer në atdhe me veprimtarinë e tij projektuese e praktike, ky njeri i mirë, lumturohej larg qyteteve në gjirin e natyrës shqiptare, i ngazëllyer nga ndjenja e lirisë, tok me kolegët e vet në ekspeditat disamujore për mbarështimin e pyjeve, duke e kaluar natën nën çadër, thellë në pyjet e Pukës, të Mirditës, të Peshkopisë, etj. Trishtohej, kur me urdhër nga lart hapeshin të ashtuquajturat toka të reja, që zhvishnin malet, duke sjellë erozione të frikshme e zymtim të asaj natyre aq të bukur të vendit tonë. Zemërohej, kur me prerjen e drurëve, përveç ndërmarrjeve industriale shfarosëse të sharrave, merreshin edhe ndërmarrjet e ndërtimit, madjé edhe nëpër zona piktoreske si Lura. Djaloshi i lindur në një familje me tradita patriotike s’mund të ndihej ndryshe nga prindët e vet. Së fundi, Skënder Dëshnica, pas një shërbimi të frytshëm në rrethe, kthehet në Tiranë dhe punon si drejtues teknik pranë Ndërmarrjes Ndërtim – Gjelbërim. Atje, ai qe një nga hartuesit dhe zbatuesit e projektit për gjelbërimin me drurë halorë të brigjeve të Lanës, siç është edhe sot, pasi më në fund prerja e plepave të rrezikshëm që ndotnin ajrin e bulevardin nuk u pengua më nga lart. Skënderi u përpoq me këmbëngulje edhe për pasurimin e Parkut të Madh me pishat e shëndetshme. Mbrojti mjediset e gjelbëruara nga kërkesat e gabuara të urbanistëve për rrallimin e drurëve edhe në Parkun Rinia. Ndërsa priteshin plepat e kalbur në Pallatin e Zogut mbi kodër, të quajtur ndryshe Pallati i Brigatave, bllokmenë të paaftë, ndërhynin në programet e inxhinierëve, si Skënder Dëshnica, për ndërprerjen e punës. Por, ai nuk dinte të tërhiqej. Këmbëngultë për t’u arritur gjithmonë çfarë ishte e dobishme,duke u sjellë me urtësi e i dashur me bashkëpunëtorët, specialistë të gjelbërimit, shpesh duke mbajtur në punë, në laboratore e zyra, edhe intelektualë të përndjekur.

Çdo banor i kryeqytetit mban mend se Tirana, qysh nga vitet e paraluftës, ka qenë një nga qytetet më të bleruara të Ballkanit. Nga fotot e rralla të viteve 20-40, bien në sy kurorat e gjera të gështenjave në oborrin e ish Centralit elektrik, në hyrje të Rrugës së Durrësit, ato prapa Bashkisë që u shemb për Muzeun Kombëtar dhe selvitë pas Bankës Kombëtare. Në Rrugën e Kavajës, krahas pemëve gjelbëronin breza të gjatë me ligustra. Në zonën e Rrugës së Elbasanit shtrihej parku me drurë gjithëfarësh i ish-selisë së Mbretit Zog, ku sot është Akademia e Shkencave dhe pak më tej, afër Kuvendit, parku me shatërvan dhe Namazgjaja. Mbi Urën e Tabakëve dhe Urën e Terzive, lartësoheshin lisa të dendur. Qindra shtëpi tiranase, apo vila private, kishin kopshte me drurë frutorë, si mani, caraca e hurma dhe oborre me lulishte të pasura. Në maj qyteti mbulohej pothuaj i tëri nga një blerim i këndshëm. Në Bulevardin me emrin Zog I, i përuruar në vitin 1930, deri në ndertesën e Maternitetit, zgjateshin kuadratet e krasitura me ligustra plot hije që nuk i rrëzojnë gjethet as në dimër. Ky varg i blertë u mirëmbajt dhe u ripërtëri nën kujdesin e inxhinier Skënder Dëshnicës, si vazhdues i traditës së herëshme. Madjé, gjatë krasitjeve të domosdoshme, në gazetën “Zëri i Popullit” u botua një shkrim i mefshtë kundër kësaj pune me vlerë. Pas shumë viteve, nga Bashkia e E.Ramës në vend të ligustrave u mbollën shëmtueshëm pemë frutore. Edhe rreshtat e pishave në qendër dhe gjatë unazës, të mbjella sipas projektit e kujdesit të inxhinier Skënder Dëshnicës, u rrafshuan pa mëshirë. Skënderi u kujdes edhe për pishat e buta të njëtrajtshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, vepër e inxhinierit të shquar Vasil Shqau, të sjella nga fshati Rrilë i Kavajës, të cilat tani janë çrregulluar e kanë marrë përpjetë. Po ashtu, Parku Rinia i krijuar nga nxënësit e shkollës bujqësore Kamëz qysh më 1947, u mirëmbajt prej tij. Me ardhjen në krye të Bashkisë të E. Ramës, ky park u reklamua me bujë, pasi u rralluan drurët e vendet për pushuesit dhe mori pamjen e një mjedisi pothuaj privat për Bar – Kafen Tajvan. Kush do të veprojë më tej për ripërtëritjen e tyre? 

Për mbrojtjen e zgjerimin e gjelbërimit të Tiranës një ndihmë të çmuar kanë dhënë Skënder Dëshnica, Vasil Shqau, inxhinierët e agronomët si Hasan Metuli, Orhan Sakiqi, Tomson Nishani, Azis Marku, Abdyl Harizi, Teuta Preza, Mustafa Zekthi e shumë të tjerë. 

Bashkëkohësit për Skënder Dëshnicën

Dr. Orhan Sakiqi kujton se si Skënder Dëshnica, luftonte me gjithë shpirt për gjelbërimin e kryeqytetit kundër maniakëve të sëpatës, për prerje drurësh monument në qendër të Tiranës. Në shkrimin “Dy selvitë dhe shoku im Skënder Dëshnica” ai kujton: “Nga Skënderi mësova ta dua pemën, ta dua drurin, sepse ai ishte i apasionuar pas tij. Pranë ndërtesës së projektuar nga Kolevica duhet të kalonin disa linja kabllore elektrotelefonike dhe për këtë u vendos menjëherë prerja e selvive. Skënderi kundërshtoi me vendosmëri. Zgjidhja u gjet, duke e kaluar një pjesë të kabllove në krahun tjetër. Skënderi pati guximin të thoshte në mbledhjen e komitetit, se për të prerë dy pisha simbol në Napoli, ishte bërë referendum popullor. E kush guxonte të thoshte në atë kohë gjëra të tilla! Selvitë shpëtuan, por kalimi pranë tyre i kabllove duhet t’u ketë shkaktuar tharjen. Këto pemë janë shumë jetëgjata dhe tharja nuk ka tjetër arsye. Edhe ashtu të thata ato duhet të qëndrojnë dhe të mirëmbahen me shumë lloje mënyrash. Ato hyjnë në simbolet e çdo vendi, po ashtu edhe të Tiranës. Skënderi kundërshtoi edhe prerjen e disa gështenjave mbas bashkisë, kur u ndërtua Muzeu Kombëtar, por zëri i tij nuk u dëgjua. Kush i mban mend ato gështenja, e di se përbënin një ishull të gjelbër, ndaj në kopshtin mbas Muzeut mund të ishin sot e kësaj dite. “Një pemë do dhjetëra vite që të rritet, – thoshte Skënder Dëshnica, – kurse një godinë bëhet për pak kohë!” 

Nga libri “Njerëzit e mirë të luleve”, të agronomit Tomson Nishani, për Skënder Dëshnicën citojmë shkurt: “Studioz, punëtor, i gatshëm për të ndihmuar këdo, i ndershëm dhe gjithmonë i komunikueshëm me të tjerët. Ai me të drejtë kuptoi se vetëm tek fidanishtet ishin më të shumta hallkat e një pune të suksesshme në mbarëvajtjen e gjelbërimit të Tiranës, si dhe të rrethinave të saj. U mor me fidanishtet e florës dekorative, të cilat ishin të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit. Këto fidanishte i pasuroi me lloje bimësh të reja të sjella nga jashtë Tirane. Kualifikoi grupe punëtorësh si mjeshtra, siguroi për këto qendra prodhimi, mjete pune, zyra, pajisje teknike, mjete të lehta transporti, bazë materiale, literaturë tekniko-shkencore, organizoi seminare etj. Ngriti një laborator studim-eksperimentimi, etj.” 

 Në librin dokumentar “Rumani-Studentët Shqiptarë” botim i vitit 2009, me autor Eqrem Becin dhe Zhani Cancon, jepen disa fakte: “Skënder Dëshnica, inxhinier pyjesh, specialist gjelbërimi e projektues. Lindi në Katerini të Greqisë më 17 prill 1937. 

Arsimimi: kreu Teknikumin Bujqësor në Tiranë në vitin 1957, tek u diplomua ndihmës-inxhinier pyjesh. Më pas shkoi për studimet e larta në Institutin Politeknik të Brashovës në Rumani, ku fitoi specialitetin e inxhinierit të pyjeve, me temën “Parqe pyjore”, (1957-1962). Gjatë periudhës që ka punuar në Drejtorinë e Pyjeve në Peshkopi, përveç hartimit të projekteve pjesore të pyllëzimeve dhe të sistemimeve pyjore bëri edhe studime për mbarështimin pyjor në disa zona të Burrelit, Kukësit, Peshkopisë, Dibrës, etj. Më vonë punoi për rreth 14 vjet në Ndërmarrjen e Ndërtim – Gjelbërimit të Tiranës si kryetar për gjelbërimin e kryeqytetit. Dhe më 1992 – 1998 si inxhinier projektues gjelbërimi pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike. 

Aktiviteti kryesor dhe më i gjatë i Skënder Dëshnicës është specialist në fushën e gjelbërimit. Kështu, gjatë periudhës 13-14 vjeçare për gjelbërimin e Tiranës ai organizoi në tërësi poblemet e gjelbërimit në kryeqytet dhe hartoi projekte zbatimi për një numër parqesh e lulishtesh, edhe në rrethe të tjerë, si në Durrës, Berat, Vlorë, Skrapar…

Kreu mjaft studime në këtë fushë, nga të cilët përmendim: “Studim dentrologjik i Parkut të Madh – Tiranë”, “Studim i Kopshtit Zoologjik – Tiranë”, “Studim për desiptimin e florës spontane me vlera dekorative në rrethin e Tiranës”, “Studim për rikonstruksionin e gjelbërimit të Lanës”, Studim në shetitoren bregdetare dhe në plazhin e Durrësit”, “Projekt gjelbërimi në Varrezat e Dëshmorëve, pranë Universitetit, për qendrat spitalore në Tiranë, në disa shkolla, si në Akademinë Ushtarake, në Institutin e Lartë Bujqësor, në Qytetin Studenti, etj., si edhe “Studimin e planit perspektiv të gjelbërimit të Tiranës (1980-1990)”.

Në Intitutin e Studimeve e Projektimeve Urbanistike (1990-1998) ka marrë pjesë në grupe pune për hartimin e planeve rregullues në Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, në studimin e gjelbërimit për disa zona bregdetare, për rajonin Tiranë-Durrës-Elbasan, për vijën bregdetare turistike të Shqipërisë, për disa parqe kombëtare, etj. 

Ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Pyjeve për problemet e gjelbërimit, po ashtu në Shkollën Komunale për teknikë të mesëm gjelbërimi. Ka qenë udhëheqës projekt-diplomash për gjelbërimin në Fakultetin e Pyjeve, etj. 

Ka qenë bashkëpunëtor në RTV për problemet e gjelbërimit, ka shkruar në revista e gazeta për to.

Ka marrë pjesë në oponenca, kumtesa në konferenca kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në vendin tonë dhe në Rumani për problemet e ruajtjes dhe të mbrojtjes së mjedisit, duke qenë edhe anëtar i disa shoqatave të kësaj fushe.”

Skënder Dëshnicës në kohë të reja

Skënder Dëshnica, bir i një atdhetari demokrat, qoftë si student apo si inxhinier i përkushtuar në punën e vet fisnike në shërbim të Shqipërisë, ëndërronte për një jetë më të mirë, me liri e demokraci. Ndryshimet e mëdha në kampin socialist i ndoqi me shpresë për shembjen e diktaturës komuniste në vendin e vet. Pas vitit 1990, krahas punës krijuese në Instituitin S. P.Urbanistike, mori pjesë edhe në shoqata mjedisore me bindje të djathta. Vepra e inxhinier Skënder Dëshnicës, sado e dëmtuar në vitet e fundit, nga paksimi i parqeve, prishja e fidanishteve, për shkak të betonimeve pa plan, është e gjallë edhe sot. Projektet e dokumentet teknike në arkiva dhe në bibliotekën e tij vetiake, tashmë vlejnë për ekipin e specialistëve, që merren me hartimin e planit rregullues të Tiranës. Në këto çaste shpresash për një Tiranë metropol e të begatë, për një Tiranë të gjelbëruar e të bukur, të duket sikur ende ndihmon gjallërisht e i lumtur edhe inxhinieri i paharruar Skënder Dëshnica.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, perkujtim, Skënder Dëshnica

SONTE, DEGA E VATRES NE QUEENS, NY, PERKUJTON MITHAT FRASHERIN

October 3, 2018 by dgreca

SONTE, DEGA E VATRES NE QUEENS, NY, PERKUJTON MITHAT FRASHERIN NE HOTELIN KU U GJET I VDEKUR/

1 skender mUrtezani

1 SIMTH HOTELSonte, 3 Tetor 2018, Ora 7.00 P.M ne mbremje, dega e Vatres ne Queens, NY, nen drejtimin e kryetarit te sak Dr. Skender Murtezani,

Mithat Frasheriorganizon Mbremje Perkujtimore per Mithat Frasherin ne pervjetorin e vdekjes, ich hoteli-hoteli Winthrop, ku nderroi jete me 3 Tetor 1949.
Ky eshte viti i peste qe dega e Vatres ne Queens e perkujton ne forma te ndryshme Apostullin e Shqiptarizmit, qe nga mbremjet perkujtimore te organizuar ne Hotel, sesione historie dhe perkujtimore tek varri.
Per aktivitetin e sotshem dega ka ftuar edhe Kryesine e Federates Vatra.
Adresa:

Address: 501 Lexington Ave, New York, NY 10017

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Skender Murtezani, i Mithat Frasherit, perkujtim

Shqiptaro-Amerikanët përkujtuan viktimat e komunizmit në Uashington DC

June 12, 2018 by dgreca

1 simoni pell Meri1 Bab e bir1 Gjon mithat2 Tahsim1 foto e pergj1 zeri e Amer.JPG

 Nga Merita B. MCCormack-Uashington DC /DIELLI/ Një nga veprimtaritë vjetore në Amerikë, zhvilluar nga Fondacioni Amerikan   “Viktimat e Komunizmit “ është  ceremonia e dekorimit të një personi të dalluar për qëndrim heroik ndaj komunizmit dhe vendosja e Kurorave tek monumenti përkujtimor  në rrugën Massachusets në Uashington DC,  ku ftohen  ambasada e përfaqësi diplomatike nga bota, organizata dhe individë të ndryshëm  të  marrin pjesë e të vendosin kurora lulesh në përkujtim të atyre që kanë vdekur e  vuajtur prej komunizmit në gjithë botën.

Kjo ceremoni  që sivjet u mbajt  të premten e  kaluar me 8 Qershor 2018,  filloi në orën 9 të mëngjesit të Amerikës dhe mbaroi pak para kohës së drekës.  Shumë ambasada dhe delegacione diplomatike të akredituara në Uashington DC morën pjesë. Ambasada shqiptare  sivjet kishte përfaqësues një njeri që të gjithë e njohim dhe e respektojmë, një prej atyre që provoi mbi shpinë vuajtjet e diktaturës komuniste. Një përfaqësim dinjitoz i viktimave të komunizmit shqiptar! Ai është i mirënjohuri shkrimtar dhe prej disa vitesh edhe diplomat, z.Visar Zhiti.  Ndërsa ai shkonte me kurorën në dorë drejt monumentit, shumëkush që e njeh Visarin besoj se po mendonin të njëjtën gjë. C’farë ndjen Visari tani? Cfarë mendon Visari tani? Sa e cuditshme është jeta, si i bën punët Zoti. Visari nga burgu gjatë komunizmit,  në  diplomat shqiptar në Uashington DC duke vendosur një kurorë për ata që patën fatin e tij dhe me keq akoma ata që humbën jetën.  Po kështu poeti Pëllumb Lamaj, djali rebel  e sypatrembur që nuk donte t’ja dinte atëherë e asnjëherë për komunizmin, ai që u dënua se ishte demokrat, se e quante komunizmin sic e kish emrin, një keqe e pamëshirshme, cnjerzore, dhe ai nuk ka heshtur për të drejtën.  Ai ecte solemn , i menduar e  ballëlartë,  me shikimin e fokusuar tek ajo që ai kishte ndjerë si detyrim ta bënte, nderim kauzës së drejtë e bashkëvuajtësve.Tek shihje Visarin e Pëllumbin, jam e sigurt momenti ndali për shumëkënd që i njeh ata të dy.  Vallë cfarë mendonin këta dy djem përherë të rinj në shpirt,  por që regjimi komunist u mundua t’ua priste udhët e tyre  në mes , tek vendosnin kurorat me lule për të nderuar kauzën dhe ata që sot nuk flasin dot, nuk ecin dot por janë mes shenjtorëve të tjerë të lirisë dhe me vullnetin e Zotit pranë tij në ngushëllim e dashuri, duke u lutur për këto kurora të vendosura sot si KUJTESË dhe për përparim demoktratik në Shqipëri e botë.

Disa shqiptaro Amerikanë  të tjerë që përfaqësonin organizata, familje apo fise të persekutuara nga regjimi komunist ishin të pranishëm aty gjithashtu. Z.Cezar Ndreu dhe djali i tij  student në Unversitet, Marlini kishin udhëtuar nga Nju Xhersi për tu gjendur aty për të nderuar e përkujtuar familjarët e tyre dhe ata që bashkëvuajtën me ta  prej vitit 1945-1992 nëpër kampet e internimit, në burgjet komuniste apo në shtëpitë e tyre tek përpiqeshin të jetonin jetën e tyre mes mundimeve e pengesave të shumta venë posacërisht për t’jua bërë jetën zeher.  Desi, vajza e të nderuarit Jonuz Ndreu dhe Vajeta Gjeka , ishin po aty duke transmetuar live për Nuzin, që ai  ta shihte ceremoninë tek zhvillohej në atë moment. Ishte emociounuese të shihje Cezarin që pas leximit të emrit të familjes,  ai sheh djalin, i jep udhë me ngadalë ecjes solemne drejt momunemtit , nderon, resepkton  dhe kushedi se cfarë i shkon në mendjet e tyre. Dy breza të familjes Ndreu, njeri lindur e rritur në Internim, tjetri në lirinë Amerikane, të dy respektojnë njëlloj e shpresa rritet sepse dinamika mez brezave shpaloset. Unitet familjar e besnikëri ndaj së drejtës.  Ndoshta ishte kjo prani e fuqishme e kuptimplotë dhe motivi i udhetimit të tyre që  tërhoqi vëmendjen e gazetarëve pasi  z. Cezar Ndreu  pas ceremonisë u intervistua në studio nga  Zeri i Amerikës për këtë ngjarje.

Dr. Gjon Bucaj  dhe  Z.Mithat Gashi që përfaqësuan degët e Vatrës në Uashington  DC e Worcester , Masachusests, shoqëruar nga Eduard Bucaj, Armin Zotaj e Simon Mirakja(Nga Instituti i Autoritetit për Informim Mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit)- ishin po aq solemnë e të angazhuar në misionin e tyre nderues e përkujtues.  Z. Gashi, një vatran i vjetër dhe një antikomunist i njohur, një person që është aratisur nga Shqipëria komuniste, kishte udhëtuar nga Nju Jorku për tu gjendur në ceremoni.

Zotërinjtë Tasim Ruko e Xhejson Sulisufaj kishin udhëtuar nga Tampa, Florida, ndoshta ishin vatranët që kishin shpenzuar më shumë nga ne të gjithë për t’u gjendur aty dhe  me dashurinë e respektin e tyre në zemër për të afërmit e tyre e për të afërmit e vatranëve në Florida, ata nderuan në mënyrë  solemne e me emocion  në emër të degës së Vatrës  në Tampa, Florida. Ndërsa historinë e Tasimit e familjes së tij e dimë pak a shumë, ishte e dhimbshme të dëgjoje Xhejsonin 24 vjecar të tregonte historinë e babait të tij që ishte arratisur nga Shqipëria,i dënuar edhe nga Serbët. Ishte ky djalë që tek fliste shqip megjithëse ka lindur këtu, të jepte shpresë se brezi i ri do ta luftojë të keqen me rrënjë qoftë në Amerikë, qoftë në Shqipëri. Aty ishin edhe Zotërinjtë e nderuar  Haxhi Dauti , Fredi Tollja dhe  miku tjetër mes tyre Kaloshi , që kishin udhëtuar prej së largu, shoqëruar nga gazetari Beqir Sina për të  nderuar viktimat në emër të organizatave përkatëse e përfaqësonin, si Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe Balli Kombëtar. Muc Xhepa me të përvitshmen prani të tij simbolike, në emër të organizatës së  tij “Shtëpia e Lirisë” , e natyrisht shumë shoqërues e familjarë të kurorëvendosësve të ndryshëm  ishin aty të dëshmonin me prezencën e tyre për të vërtetat e dhimbshme dhe për të nderuar e kujtuar për të mos harruar.  Binin në sy të moshuar por edhe të rinj që megjithëse mund të mos e kenë provuar thundrën e hekurt të regjimit komunist , ata duan të thonë se simpatizojnë ata që vuajtën.

Ceremonia ishte solemne dhe prekëse, solemne dhe një klerik  amerikan bekoi ceremoninë, Drejtori egzekutiv i Fondacionit hapi ceremoninë dhe bëri prezantimet e folësve,  kubanezi dëshmor Oswaldo Payá mori medalje pas vdekjes dhe themeluesi i fondacionit foli për të këqiat e komunizmt si ideologji e si sistem qeverisës.

Pastaj filloi vendosja e kurorave.  Fotoja shoqëruese është shumë dëshmuese se gjaku i martirëve është fara e pemës së jetës së të ardhmes. Këta njerëz përfaqësojnë kombe të ndryshme që i ka bashkuar dhimbja e humbjes së të afërmeve por edhe shpresa e së ardhmes pasi Amerika , prijëse e demokracisë në botë, kujdeset për mbrojtjen e përparimin e kësaj demokracie. Vërtet, fjalët e Nolit, “mbahu nëno mos kij frikë se ke djemtë në Amerikë” tingëllon aktuale sot më shumë se kurrë. Prania e kaq shumë shqiptarëve në këtë ceremoni tregoi se shpirti i shqiptarit  pro demokraci ka mbijetuar e do mbijetojë. Po ashtu prania e kaq shumë vajzave dhe djemve te rinj shqiptaro-amerikane dhe amerikane te tjere tregon se komunizmi nuk ka te ardhme ne SHBA. I perjetshem qofte kujtimi i martireve te lirise!

Natyrisht , si ngahere, ne mbremje shume shqiptare vendas ne DC dhe miqte e larget u mblodhën në “Cafe Chocolat” një bar cokoloate butik me pronar shqiptar, Z.Gjergji Dollani, në zemër të DC, për të vazhduar bisedën e për disa edhe  më vonë, në një restorant në DC, ku biseda për rastin që ishim mbledhur,  vazhdoi deri në orën 11 të natës pas një darke të bollshme e miqësie vëllazërore ,ashtu si dinë vec shqiptarët.

Falemidnerit Amerikë!

Filed Under: Featured Tagged With: Merita B McCormack, perkujtim, shqiptaro-amerik, viktimat e Komunizmit

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT