Nga Prof. Murat Gecaj/
1.Ka shumë kohë, që njihem me kolegun dhe mikun e letrave, Namik Selmani. Ai ka profesion të parë mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, lëndë të cilën e jep me pasion e profesionalizëm. Por, po aq e dashur për të, është edhe krijimtaria letrare. Numri 26 (nga të cilët 9 vëllime poetike), i veprave të tij, sigurisht, nuk është i vogël. Por, kryesorja, duhet nënvizuar se, në to, ai ka derdhur fjalën e ëmbël shqipe, aty rrahë pulsi i një atdhetari të flaktë e krijuesi të talentuar. Jo vetëm në vëllimet me poezi, por edhe në ato me prozë, shquhet për ndjenja të fuqishme dhe për shpirtin shpërthyes.
Në këto çaste, ndërsa shfletoj librin më të ri të Namikut, sjell në kujtesë udhëtimin e përbashkët, në përbërje të një grupi të vogël të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Atë e kryem, në pranverën e vitit 2011, me nismën e të ndjerit Dr.Ibrahim Gashi. Ndërmjet nesh, Namiku u shqua për shkathtësinë e veprimeve, por dhe se krijoi e recitoi poezi të reja, gjatë vizitave në Shkup, Preshëvë, Prishtinë e Ulqin. Ato i përshkonin ndjenjat e forta atdhetare, dashuria për trojet amtare shqiptare stërgjyshore dhe dëshira e pashuar për t’i parë ato të bashkuara, sa më shpejt. Se atë e thërriste dhe e thërret përherë zëri i Çamërisë martire, bir i denjë i të cilës është.
Përmbledhje e shkrimeve, me përshtypje nga ato vizita tonat, ishte libri im publicistik, “Rrahin zemrat arbërore”(Tiranë, 2011). Në faqet e fundit, me kërkesën time dhe pëlqimin e atij, botova poezitë e Namikut: “Zëri i Atdheut”, “Anës lumit të Vardarit” , “Kalaja e gjuhës shqipe” dhe “O,sa mirë, të jeshë në Preshevë!”
2.
Për ato, që shkrova më sipër, bëhesh dëshmitar, që në poezinë e faqes së parë të vëllimit të ri poetik, me titullin shprehës, “Bëj të zë, po të merr era!” Cikli, me të cilin hapet ky libër, është: “Atdheu, brenda vetes”. Pra, në një farë mënyre, e vërteton më së miri edhe mendimin e thënë më lart. Duke shprehur një realitet të hidhur të së shkuarës, ai nisë të ligjërojë: “E donim Atdheun/ edhe kur tratë e doganës na ndalën ëndrrën…”. Dhe më tej: “E donim Atdheun/ edhe kur shkronjat shqipërore na i gjakosën e na i vranë!”(“Zëri i Atdheut”). Me frymëzim e pasion dhe po në këtë linjë, ai shkruan edhe te poezitë: “Aromë Çamërie” e “Këngë e ngrohtë, që vjen nga Joni”, te “Magjia e Beratit”, “Festa e plisit”, “Mani i mëhallës”, “Lulet e Gostivarit”, “Në Shkodër”, “Për ty, Malishevë” (recituar atje, me rastin e “Ditës së Kulturës Çame”) ose “Fjongoja e një libri për Atdheun” etj.
Ndjenja e dashurisë për vendlindjen, për tokën stërgjyshore, është më fisnikja dhe më e madhja për çdo shiptar. Për atë “u shkrinë si qiriri” dhjetëra e qindra atdhetarë, duke mos kursyer mendjen, zemrën as shëndetin e tyre. Njëri nga ata ishte edhe Hasan Tahsini, të cilit poeti ynë i drejtohet me fjalë nderimi e krenarie: “Me fjalën e ëmbël, ligjëruar dikur te djepi,/ti flisje me shekuj si ushtarë të venë në radhë,/ju flisnje djemëve frashërllinj me fjalë të forta lisnajash,/ të stisura në Kalanë e pathyeshme të shpirtit arbëror” (“Trëndafil i diturisë”). Ndërsa për përhapësin e palodhur të shkronjave shqipe, Josif Bagerin, mirënjohja e brezave nuk shterron: “Një hambar me shkronja shqipe paske hedhur/ e Reka, Nistrova, të kanë dhënë një shall flladi,/e Gostivari nxjerr nga sepetet kujtesën dritëndezur…”.
Po, ky poet, i shprehë fjalë nderimi e falënderimi të veçanta edhe kapedanit popullor, Isë Boletinit, i cili u bë gardë mbështetëse e fuqishme, në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, mbi 100 vjet më parë, pra më 28 Nëntor 1912. Kryetrimi përbetohej, se ndër breza do ta ruajmë këtë akt të shenjtë dhe këtë fitore historike, të arritur me dituri, djersë e gjak shqiptarësh: “Kur t’i humbë diellit rrezja dhe kur hana të mos ndrisë,/ do na gjeni në bedena, në shërbim të Pavarësisë!” (“Balada e Princit të Pavarësisë”). Ndërsa Flamurin tonë Kombëtar do ta mbajmë kurdoherë lart e më lart, sepse: “Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit…”. E bukur është edhe balada për Çelo Mezanin (“Moj martinë, që vrave trimin!”), si dhe ajo kushtuar poetit Din Mehmeti (“Ugari i fjalës”) dhe tjetra për Ali Podrimjen, për të cilin shprehet me fjalë zemre: “Të donim kapiten të patutur, në Anijen arbërore të Fjalës…”.
Si çdo autor tjetër, vargjet më të bukur të shpirtit të tij poetik, N.Selmani i derdhë në kujtim të Nënës, me të cilën: “Në ditënetët kalëruam bashkë, mes borës e prushit/ e kurrë nuk na munguan sytë e saj, ndër mote” (“Kur thehet kroi i jetës”). Po me kaq dhimbje e mall të pashuar i thurë vargje edhe babait, mbetur larg tij, të cilit i drejtohet: “Ti, engjëll krahëhapur, atje ku humbë dhe kufiri…”. Por autori i këtij libri i përjeton edhe mendimet e ndjenjat e trishta të njerëzve me aftësi të kufizuara shëndetësore. Për këtë, ai shprehet në poezinë “Karroca e poetes”. Me gjithë fatkeqësinë, qa ajo ka, dashurinë për jetën e shfaqë, duke shkruar vargje optimiste dhe prandaj shprehet për të: “Oo, gjeni xixëllonja për Zanën, që jetën e sfidoka!”
3.
Në ciklin e dytë të këtij vëllimi, “Gurgullima e shpirtit”, janë 50 poezi, nga gjithësej 86, që ka ai. Gjithashtu, autori e vazhdon aty ritmin e zhdërvjelltë të krijimeve të tij poetike, duke prekur tema të ndryshme jetësore. Ato janë si një ujëvarë mali, që hyjnë thellë në shpirtin e lexuesit dhe ngjallin ndjenja të bukura, të freskëta. Duke e kuptuar mirë shpirtin e ndjeshëm të kolegut poet, me “një trastë ëndrrash”, i drejtohet atij, se ka ditur t’ia lexojë mirë “kodin sekret” (“Ah, poeti im!”). Ndërsa në poezinë “Motiv popullor” shprehet: “Prita, prita shtiza syri,/ sa njëmijë gjyle të nxehta…”. Prej saj e ka marrë emrin tërë vëllimi poetik, ku janë edhe këto radhë të frymëzuara: “Bëj të zë, por të merr era,/ të bën lule dhe polen,/ përmbi buzë çelë luleshqerra,/ përmbi ball një diell zbret”. Por dhe e vijon më tej këtë mendim, te poezia tjetër, “Bëj të zë, me vrap prej ere”. Një vajzë, me sinqeritetin e moshës, i drejtohet mikut të saj: “Sot jam bërë e tëra një pulëbardhë, me krahë të brishtë ëndrre…” (“Besomë, miku im!”).
Pastaj, poezi pas poezie, autori na “zbërthehet” me ndjenjat e natyrshme të dashurisë njerëzore, e cila ia rrëmben mendjen dhe zemrën cilitdo. Të tilla mund të përmendim këtu: “Ç’po ndodhë kështu?”, “Duke të pritur ty”, “Eja”, “Erashka e shpirtit”ose “Këngë pas kënge, zgjova natën”(motiv çam), ku autori i përmbyllë vargjet e tij: “I derdhë rrezet varg te shtrati,/për ty digjem e ringjallem,/ në qerpikun dritë behari”. E pastaj vijojnë poezi tjera “të grunjta”, duke na u paraqitur Namiku një poet lirik, me ndjenjat shpirtërore të një djaloshi (ha,ha). Prandaj nuk ndalet e thurë vrullshëm vargje të kësaj natyre, si te poezia “Mjalti”, ku lexojmë: “Të dy, qenkemi kthyer në hoje mjalti pranvere…”. Duke vazhduar me poezitë: “Moj e bukura, luleshqerrë”(motiv popullor), “Molla, që na bëri të gjithëve, Adamë e Eva”, “Muzeu i përkëdheljeve”…Te poezia “Në flatrat e flaturuara”, shprehë një dëshirë, e cila i pëlqen gjithësecilit: “Dua të shlodhem në lëndinën e gjoksit të zjarrmuar,/ të më këndosh disa ninulla, që vetëm ti ua di burimin e etur…”. Ndërsa te poezia tjetër, “Serenata e pakënduar”, na flet për një ëndërr të plotësuar: “Ooo, sonte jam mbret, me thesare mbushur,/ teksa buzët e përvëluara i zbres gushes…”.
Lexuesi ndjen kënaqësi, duke e vazhduar leximin e poezive me temë dashurie, disa nga të cilat janë përsëri me motive nga Çamëria (“Trëndafil, me gjemba mbushur”), por dhe nga Shkodra (“Eja, eja, luleborë!”). E, si me një himn të bukur për ndjenjën mbarënjerëzore, autori e ka renditur në fund poezinë, “Sot, preka dashurinë”. Aty janë edhe këto radhë të frymëzuara: “Isha bërë pjergull, rreth trupit tënd të lisnajtë,/kishte humbur vetë koha, kur emrin ta pëshpërita!…”.
…Në mbyllje të këtyre radhëve, e përgëzojmë kolegun e mikun Namik Selmani, për vëllimit e ri poetik, “Bëj të zë, po të merr era…” dhe i urojmë shëndet të plotë, krijimtari të frytshme, arritje në detyrën e edukatorit e mësimdhënësit dhe lumturi, vetjake e familjare!
Tiranë, 3 qershor 2013