Basha: Në 18 Shkurt, manifestim kundër qeverisë, të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën/
Kreu i PD nga mbledhja e kryesisë së partisë:“Edi Rama me ministrin e tij të drogës Saimir Tahirin, dhe me një kupolë drejtuesish të korruptuar në Policinë e Shtetit, kanë krijuar qark më qark, në të gjithë vendin një rrjet kriminal të përbërë me kriminelë të regjur kanë marrë për detyrë të blejnë vota. Opozita zotëron emër për emër organizimin e këtij rrjeti, ndërkombëtarët janë në dijeni gjithashtu”
Rama-Tahiri rrjet kriminal në të gjithë vendin për të vjedhur zgjedhjet
Protestat e opozitës për lirinë e votës pritet të nisin më 18 Shkurt. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi kryesinë dhe kryetarët e degëve për të ngritur alarmin e grabitjes së zgjedhjeve nga qeveria, përmes një rrjeti të strukturuar kriminal. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar se Qeveria është duke u bërë gati që të përdorë kriminelët për të shkatërruar zgjedhjet e 18 qershorit përmes vjedhjes së votës, ndaj ai thekso se PD do të jetë ne ballë të kësaj proteste për të mbrojtur votën qytetare. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shkruan Basha. Duke folur nga mbledhja e grupit parlamentar të PD, Basha theksoi se Edi Rama dhe Saimir Tahiri do të përpiqen mos të lejojnë zgjedhje të lira dhe ndershme për të mbajtur me çdo kusht pushtetin kriminal. Kreu i demokratëve theksoi se opozita ka dijeni për të gjithë elementët kriminelë që do të përdoren nga qeveria. Për këta emra, tha Basha, janë vënë në dijeni edhe ndërkombëtarët. Basha theksoi se Partia Demokratike së bashku me qytetarët nuk do të lejojnë skemën kriminale të qeverisë për të vjedhur votat në zgjedhjet parlamentare.“Investimet e huaja janë bllokuar, ekonomia është në gjendje të mjeruar. Shqiptarët vazhdojnë të largohen pasivisht nga vendi, dalja nga kjo gjendje është e qartë. Dalja e Shqipërisë nga kjo gjendje është e qartë, kalon përmes zgjedhjeve të lira, përmes largimit të kriminelëve nga politika, përmes luftës ndaj korrupsionit qeveritar dhe reformës në drejtësi. Rilindja e 1 prillit ka vetëm një qëllim, të ruajë gjendjen aktuale. Ta mbajë Shqipërinë kështu siç është, me këtë politikë sepse kjo gjendje ju siguron atyre pasurimin. Pakica në pushtet ka siguruar miliarda përmes drogës, koncesioneve dhe koncesionit qeveritar. Dëgjoni dëshmitë e ish-ministrit Manjani. Që të ruajnë dhe shtojnë pasurinë duhet që droga të vazhdojë të shtohet, që Balili me shokë të punojnë të lirë dhe të paprekshëm. E vetmja gjë që garanton që të vazhdojë pasurimi i tyre është mbajtja e këtij pushteti politik me çdo kusht. Dhe e vetmja mënyrë është vjedhja e zgjedhjeve. Sepse zgjedhjet e lira janë fundi i kriminelëve”, tha Basha. Më tej, ai shtoi se Rama po përgatit kriminelët që të grabisin votën e lirë. “Edi Rama me ministrin e tij të drogës Saimir Tahirin, dhe me një kupolë drejtuesish të korruptuar në Policinë e Shtetit, kanë krijuar qark më qark, në të gjithë vendin një rrjet kriminal të përbërë me kriminelë të regjur, nga eksponentë të njohur të krimit të organizuar, nga ish-të dënuar për krime të rënda, nga narkotrafikantë të skeduar ndërkombëtarisht, që kanë marrë për detyrë të blejnë vota, të dhunojnë zgjedhësit për llogari të Edi Ramës. Opozita zotëron emër për emër organizimin e këtij rrjeti, ndërkombëtarët janë në dijeni gjithashtu. Qytetarët në çdo qytet, në çdo fshat, njohin me emër dhe mbiemër bandën e zonës. Duke dashur të fshihet pas gjethes së fikut, Edi Rama ka shpërndarë këto skuadrone sa rreth vetes së tij në partinë e tij dhe disa tek aleatët. Fshehja nga kjo qeveri e Eskobarit të Ballkanit, i kërkuar ndërkombëtarisht prej më shumë se një viti, ka për qëllim që bashkë me fshehjen e ortakërive që Eskobari ka me ministrat e kësaj qeverie, t’u japë një mesazh narko-trafikantëve e banditëve të angazhuar për pushimin e zgjedhjeve se Edi Rama dhe Saimir Tahiri do t’i mbrojë deri në fund. Droga prodhon para për të blerë vota, prodhon edhe kushtëzimin e votës. Me qindra e mijëra njerëz të thjeshtë, në vështirësi për bukën e gojës, që qeveria nuk u dha asnjë mundësi për të jetuar me dinjitet, ndaj i thërret si skllevër për të punuar në të zezë dhe u kërkon me kërbaç për të dhënë votën përndryshe nuk paguhen. Miliardat e koncesioneve dhe tenderave korruptivë të dhëna për klientët e një rrethi të ngushtë, nuk janë vetëm për luksin e tyre, por edhe për t’i hedhur në zgjedhje për të kapur zgjedhjet”. Kreu i PD i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen pasi është momenti që Shqipëria të ndahet sipas tij, një herë e përgjithmonë nga krimi politik. “Detyra jonë si demokratë, është për të zgjuar, mbështetur reagimin e qytetarëve për të qenë zëri dhe mbështetja e tyre në çdo formë reagimi demokratik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë interesa jetike të vendit. Sa më parë t’ia presim rrugën së keqes aq më pak kosto do të kemi. Është momenti që Shqipëria të ndahet një herë e përgjithmonë nga krimi politik. Sot, dua të ftoj të gjithë partitë politike, intelektualët, qytetarët shqiptarë pa dallime politike që të bashkohemi për të çliruar me çdo kusht shansin më të madh që ofron demokracia që u jep qytetarëve, votën e lirë. Kjo është beteja dhe Partia Demokratike do të jetë në ballë të saj”, tha Basha.