• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vehbi Skënderi-Nasho Jorgaqi dhe Kapllan Resuli

October 30, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj-

Ishte paradite kur ra zilja e telefonit. Nga ana tjetër ishte Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i Vaçe Zelës. Mund të ketë qenë viti 2002 ose 2003. Kishim pak kohë që punonim nga shtëpia dhe nuk shkonim në redaksi. Edhe prej volumit të ngarkesës, edhe për t’i patur fëmijët përpara syve, megjithëse të dy djemtë rriteshin nën kujdesin shembullor të prindërve të mij.

Puna tek gazeta BotaSot na mbante gjithë kohën nën trysninë e ngjarjeve dhe lajmeve. Shkruanim çdo ditë kolumna, Skënderi si kryeredaktor kishte plus edhe editorialin e gazetës, kalonte të gjitha shkrimet që vinin nga autorë, ndërsa mbulonim rubrikat e tjera, përkthenim lajme, i redaktonim, ua përshtasnim titujt, që të ishin sa më shprehës. Në Kosovë luftohej, në Maqedoni luftohej, në Luginën e Preshevës luftohej. Ne ishim si gazetarë të luftës, i mbulonim konfliktet duke marrë në mbrojte shqiptarët. Por situata bëhej dramatike nga segmenti ekstremist i luftës në Kosovë që i kundërvihej me të gjitha mjetet Ibrahim Rugovës duke shfrytëzuar lidhjet me Tiranën zyrtare.

Tri vitet e para udhëtonim çdo ditë nga qyteza jonë deri në redaksinë e Bota Sot në Zürich, ku startuam në prag të agresionit të makinerisë kriminale serbe kundër familjes së Adem Jasharit. Për të fituar kohë shfrytëzonim edhe rrugën vajtje-ardhje. Gazetat dhe revistat e ditës i blinim në stacionin e trenit në Bazel dhe i shfletonim gjatë udhës me trenin që mban emrin Johanna Spyri, autorja e Heidit. Në redaksi mbërrinim rreth orës 10:00. Ishim të angazhuar deri sa përfundonte gazeta e nisej për shtyp për botimin e Europës dhe Kosovës. Në redaksi hanim edhe drekën, edhe kafetë i pinim aty që i sillnim me termus nga shtëpia. Në shtëpi ktheheshim nga mbrëmja. Mbi katër orë në ditë na shkonin udhëtimet e përditëshme në trena e trama.

Pastaj vendosëm të punonim nga shtëpia. Skënderi komunikonte gjatë gjithë ditës me botuesin Xhevdetin, ndërsa Llukman Halili, kolegu ynë i ndjerë, ishte ndërmjetësi mes nesh dhe redaksisë së Prishtinës.

Kur ra zilja e telefonit u përgjigj Skënderi. Pjetër Rodiqi i tha se kishte në shtëpi Profesor Nasho Jorgaqin, i cili dëshironte të pinte tek ne një kafe. Skënderi iu përgjigj menjëherë bujrum, mirë se të na urdhëroni. Pastaj i tregoi tim eti, Vehbi Skënderit i cili u gëzua. Tim eti i mungonte rutina e Tiranës, me miqtë, bibliotekën, kafetë. Tirana i mungonte me gjithçka, me të mirat e të këqijat e veta, mungesë që ai e plotësonte duke iu përkushtuar krijimtarisë poetike dhe publicisitike që e botonte tek Bota Sot e rritjes së dy nipave të tij.

Shtëpia e Pjetër Rodiqit dhe Vaçes në Bazel ishte një derë e hapur që gjithmonë kishte miq. Kështu e kishin edukuar edhe Irmën, vajzën e tyre të vetme. Kemi kaluar mbrëmje të bukura në shtëpinë e tyre, kur Vaçja nuk ishte sëmurur ende, por edhe pasi u sëmur. Vaçja na donte të dyve, në mënyrë të përveçme. Kishim një miqësi të krijuar prej Shqipërie, të pastër, të sinqertë, të rrallë.

Me makinë nga shtëpia e tyre deri tek apartamenti ynë ishte jo më shumë se dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta.

Nuk kaloi pak dhe ra zilia e derës. Skënderi zbriti poshtë dhe i solli në shtëpi të dy miqtë. Im atë, Vehbi Skënderi i mirëpriti në atë mënyrën e tij gjithë entuziazëm. Skënderi në mënyrën e tij malësore, edhe unë po ashtu me shumë dashamirësi. Ime më  kishte patur orar tek dentisti për protezat dhe nuk u ndodh aty.

Takimi ishte shumë i ngrohtë. Asnjëri prej ne të treve nuk kishte kujtime të trishta me Profesor Nashon. Të paktën Skënderi dhe unë. Ne të dyve na kishte dhënë Letërsinë Shqipe të Periudhës së Pavarësisë. Kuptohej lehtë që e adhuronte Lasgush Poradecin. Përveç veprës së Nolit, kishte botuar edhe një libër për Qemal Stafën, heroin e adoleshencës sime. Më vonë, pas rrëzimit të diktaturës, kur intervistova Drita Kosturin, të burgosurën politike dhe të fejuarën e Qemal Stafës, mësova me detaje se vrasja e Qemalit ishte vepër e diktatorit.

Profesor Nasho kishte botuar edhe “Mërgatën e Qyqeve” rreth mërgatës shqiptare në kohën e regjimit komunist. Me “Mërgatën…”kishte shfaqur profilin e një 007 të shërbimit të fshehtë të diktaturës, fakt që e dinin pak a shumë të gjithë. Ndërsa ishim duke i pritur të vinin, bashkë me tim atë dhe Skënderin bëmë pak humor, duke krijuar analogji të mërgatësë së atëherëshme me mërgatën e re që u krijua pas vitit 1997, pjesë e së cilës tashmë ishim edhe ne.

Pasi miqtë u rehatuan, filluan bisedën që po zhvillohej mes të treve, sepse Pjetri pothuaj nuk po përfshihej fare. Edhe unë po ashtu. U shërbeja dhe dëgjoja.

Papritmas Profesor Nasho iu kthye tim eti: “Vehbi, e ç’të lidh ty me Kapllan Resulin, një njeri të Serbisë?!”

Im atë ngriu. Sikur edhe ne. Ishte një pyetje që erdhi papritur, jashtë imagjinatës, jashtë kontekstit të bisedës, të mallit, të çmalljes. Ishte një pyetje pa asnjë lidhje. Që sillte jehonën e viteve të zeza që i detyroi rishtas shqiptarët t’i iknin Atdheut.

“Po, unë ç’ne me Kapllan Resulin???”, pyeti në mënyrë shumë të sjellëshme dhe të përmbajtur. Ishte e qartë që im atë, u gjend në befasi. Plus ishte mikpritësi. Nisur nga eksperiencat e tij personale, si Vehbi Skënderi i akuzuar si “armik i partisë të punës”, i akuzuar si “pjesmarrës” në “një grup korrupsioni”, ai u besonte pak historive me spiunë.

Vehbi Skēnderi Kapllan Resulin e kishte vlerësuar për dy arsye: si autorin e “Tradhëtisë” dhe për prejardhjen nga Kosova. Por nuk kishte patur kurrë miqësi me të. Jetonin në dy qytete të ndryshme. Im atë në Tiranë, Kapllan Resuli në Lushnje.  Pastaj miqtë e shkrimtarëve diheshin. Dritero Agolli kishte miq Dhori Qiriazin, Sotir Papulin, Niko Nikollën. Ismail Kadare Todi Lubonjën, Maks Velon, Bashkim Shehun. Miqtë e tim eti ishin Zisa Cikuli, Sterjo Spasse, Zejnulla Ballanca, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Petro Marko, Skënder Luarasi. Im atë kishte mbajtur lidhjet me Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, me Mustafa Gërblleshin. Tek ne vinte Fiqiri Llagami, Filip Ndocaj. Fatin e Vehbi Skënderit e kishte vulosur vetë diktatori Enver Hoxha, duke e damkosur tim atë si një njeri që shoqërohej me armiqtë e partisë. Prej 1966 Vehbi Skënderin e dërguan për “edukim” si punëtor krahu në Vaun e Dejës. Dhe dënimet e ndiqnin këmba këmbës, njëri më i zi se tjetri. Një i dënuar nga partia e punës me dekada i kishte dyert e mbyllura. Por Vehbi Skënderi e dinte mirë se të gjithë ata që vinin nga Kosova, regjimi i Tiranës i etiketonte si spiunë të UDB-së.

Shpallja e pluralizmit politik, Skënderin e gjeti tek gazeta Drita dhe si shumë gazetarë të asaj kohe filluan të interesoheshin për fatin e të burgosurve politikë në Shqipëri. Për lirimin e Kapllan Resulit u interesua në mënyrë të veçantë Amnesty International dhe Komiteti shqiptar i Helsinkit. Mediat shqiptare në Prishtinë dhe në Shkup i bënë shumë jehonë lirimit të tij nga burgu. I bëri jehonë në numrat e saj të parë edhe Rilindja Demokratike, madje me titullin e bujshëm “A është tradhëtar autori i romanit “Tradhëtia?!”, ndërsa Skënderi i botoi disa proza të shkurtëra tek gazeta Drita. Ne që sapo ishim martuar nuk kishim shtëpi dhe banonim në shtëpinë e prindërve të mi. Pikërisht në këtë kohë na vizituan disa herë Kapllani me të shoqen, djalin dhe vajzën. Në këto raste Kapllan Resuli u takua me Vehbi Skënderin. Kapllani bēri 20 vite burg, ndërsa familja e tij, dy fëmijët vuajtën 20 vjet në internim, prej kur ishin të mitur.

Im atë duket i kaloi të gjitha këto nëpër mend edhe një herë. Pa u përgjigjur. Prandaj u krijua një pauzë heshtje. E çfarë mund t’i thoshte Vehbi Skënderi Nasho Jorgaqit! Nëse do të kishin qenë në rrugët e Tiranës, do të reagonte ndryshe, por kodi i mikpritjes nuk e lejonte.

Heshtjen e prishi Skënderi. “Profesor Nasho, po çfarë lidhje ka Vehbiu me Kapllan Resulin! Që kur Kapllani u largua për në Zvicër dhe gjatë gjithë këtyre viteve që ne jetojmë këtu, Vehbiu nuk është takuar dhe nuk ka komunikuar asnjëherë me Kapllanin.”

Gjatë kohës që Skënderi ishte diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, Mehmet Myftiu dhe Astrit Leka e kishin marrë tim atë disa herë në telefon që të organizonin një takim me Kapllanin, por im atë nuk kishte pranuar. Kishte kokën e vet. Nuk pranonte kurrë të kurdisej nga të tjerët. Shpesh hapnim të dy bashkë diskutime të gjata me qëndrime të ndryshme. Nuk lodhej të më ndryshonte mendjen, por as pranonte të binte nën ndikim.

Kapllani në Zvicër kishte krijuar një familje të re. Me Etlevën, gruan e dytë kishin lindur edhe një djalë.

Skënderi dhe unë ishim takuar për herë të fundit me Kapllanin në tetorin e vitit 1992. Me një ekip të vogël të RTSH u nisëm me një mikrobus të TVSH nga Tirana. Për mua ishte dalja e parë në Europë. Nga Durrësi kaluam me traget gjithë Adriatikun e bregdetin dalmat deri në Trieste, pastaj qëndruam në Milano, ku natën e kaluam në mikrobus e paradite morëm vizat për Zvicër në konsullatën zvicerane, sepse nuk kishte nisur ende shërbimi në Ambasadën zvicerane në Tiranë që hapej për herë të parë. Nga pasditja vonë morëm drejtimin nga veriu i Italisë nēpēr tunelin e Mont Blank dhe hymë në Francë. Ndalesēn e parë e bëmë në Belfort, në një takim të organizuar shumë bukur nga diaspora shqiptare. Aty gjetëm Xhevahir Spahiun, Bardhyl London dhe Besnik Mustafajn që posa kishte marrë emërimin si Ambasador i RSh në Paris. Të nesërmen në mëngjes ne të dy udhëtuam me tren në Paris pasi Skënderi kishte takime në Ministrinë e Jashtme franceze, me Kanalin France International dhe firmën franceze Thomson. Besnik Mustafaj na vuri në dispozicion makinën e ambasadës. Në të njëjtin hotel me ne në Paris bujti edhe Natasha Lako aso kohe deputete e PD me Aida Shehun, që vinin nga Strasburgu. Biseda dhe shpengimi bëri të na dukej sikur ishim në një Tiranë dy hapa larg Eifelit.

Pas dy ditësh qëndrimi në Paris, u kthyem në Belfort dhe bashkë me grupin vijuam rrugëtimin drejt e në Gjenevë, ku grupin nga RTSH e prisnin takime me disa klube shqiptarësh nga Kosova. Pikerisht në tetorin e 1992 në Gjenevë Skënderi nënshkroi me Ministrin e Informacionit në mërgim Xhafer Shatrin marrëveshjen mes RTSH dhe Qeverisë të Kosovës për hapjen e kanalit satelitor, i cili do të startonte me programet për diasporën pas një viti, më 15 Nëntorin e 1993. Kanali satelitor ishte një preokupim i madh i Ibrahim Rugovës, i cili asaj kohe vinte shpesh në Tiranë dhe patjetër do të takohej me Skënderin ose do të na ftonte për darka tek Vila 31 ku qëndronin delegacionet shtetërore që vinin nga Kosova.

Sapo hymë në Gjenevë nga Franca ndalesën e parë e bëmë tek Kapllani që na priti me të shoqen. Ekipi ishte i lodhur dhe u shpërndamë në familjet e shqiptarëve nga Kosova. Ne na priti e ndejtëm si në shtëpinë tonë familja e Ymer Cacajt dhe Hasimes bashkë me shtatë fëmijët e tyre të mrekullueshem. Kapllani me Etlevën na ftuan për një drekë si grup. Kapllani kujtonte vuajtjet e burgut. 20 vjet burg jo shaka. Idriz Zeqiraj, një tjetër shqiptar i Kosovës bashkëvuajtës edhe ai në burgjet e diktaturës komuniste në Shqipëri, që jeton në Gjermani, tregonte se Kapllanin e kishin torturuar shumë keq në burg, duke ia përplasur kokën në mur. Fakt është se pas daljes nga burgu, autori i Tradhëtisë nuk mundi t’i kthehej kurrë më letërsisë.

Gjatë qëndrimit në Zvicër me Kapllanin dhe grupin e RTSH bëmë edhe nja dy takime me diasporën dhe pastaj u përshëndetëm. Grupi i RTSH mori rrugën e kthimit përmes Italisë, ndërsa Skënderi dhe unë u pritëm në kryesinë e LDK në Zürich, nga Shaip Latifi, Bardhyl Meta dhe Demë Jashari. Nuk kishim si të mos vizitonim redaksinë e Rilindjes në Zofingen ku u takuam me Mehmet Emrullahun, që pastaj do ta hapte Rilindjen dhe shtypshkronjën tek Rruga Myslim Shyri ne Tiranë bashkë me Ramadan Mysliun e ndjerë e kolegë të tjerë.

Prej atij tetori të vitit 1992 ne nuk u takuam më me Kapllanin.

Në tetorin e 1992 ndërsa merrnim prej Zürich-u Swissair direkt për në Tiranë, ne nuk do të imagjinonim që më 15 marsin e 1996 Skënderi do të fillonte punë si diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, as që mund të ndodhte 1997, që për pak i çoi shqiptarët e shtetit amë midis tyre gati në një luftë civile dhe as veten tonë të angazhuar për dhjetë vjet tek një gazetë me emrin BotaSot e cila do të niste botimin në Zürich në qershorin e 1995.

Duhet të ketë qenë 1998, mëngjes kur ne sapo arritëm në redaksi në Zürich dhe pamë në tryezën tonë të punës një zarf të shqyer bosh ku dërguesi ishte Kapllan Resuli dhe marrësi Skënder Buçpapaj. Nuk na ra në dorë ajo çfarë kishte dërguar Kapllani dhe nuk u bëmë kureshtarë aspak. Gazetat e Shqipërisë kishin filluar të botonin lajme sikur Kapllani deklaronte lart e poshtë se nuk ishte shqiptar, se ishte malazez. Prej tetorit 1992 kur i dhamë dorën e përshëndetjes, nuk u morëm kurrë me temën e Kapllan Resulit. E shmangëm çdo kontakt me Kapllan Resulin për të evituar çdo lloj spekulimi që mund të bëhej në adresën tonë. Nga këta të llojit të Profesor Nasho Jorgaqit. Që kanë 75 vjet që e mbajnë Shqipërinë tokë të djegur.

Sot pas gati 20 vitesh prej vizitës së Profesor Nashos tek ne, jam duke i parë ende sytë e trishtë të tim eti, ndërsa Skënderi e sqaronte Profesor Nashon duke i thënë se Ambasadori i Shqipërisë në Bernë – i asaj kohe – Vladimir Thanati i kishte bërë në mënyrë mediatike vizitë në shtëpi Kapllan Resulit në Gjenevë. “Pra, qeveria juaj e majtë e ka rehabilituar Kapllan Resulin”, i tha Skënderi në fund Profesor Nashos i cili dukej se kishte ardhur nga Tirana në Zvicër t’i kërkonte llogari Vehbi Skënderit për të pa bëra vaki. Diktatura komuniste e burgosi 20 vjet Kapllan Resulin si spiun të UDB-së dhe Profesor Nasho Jorgaqi i binte fyellit në të njëjtën vrimë, por në adresën e gabuar.

Vehbi Skënderi ishte i dënuar nga diktatura komuniste si “Nacionalist” pikërisht sepse kishte shprehur hapur qëndrimin e tij në lidhje me Kosovën. Kosova ishte një dashuri e përherëshme e tim eti, që ma kishte përcjellë pa fjalë edhe mua që fëmijë. Tek poezia “I vjetër je ti Drin aq sa kjo botë” në një varg poeti shkruan se “Drini plak rrjedh nga dherat e begata të Kosovës”.

Vizita e Profesor Nashos tek ne zgjati rreth një orë e sa. Pastaj ai bashkë me Pjetër Rodiqin u ngritën. Dolën të katër bashkë. Skënderi i përcolli deri tek dera ndërsa im atë deri tek makina jashtë. Nuk e di se çfarë biseduan me tim atë. Mund të na e thotë Profesor Nasho që është gjallë se im atë prej 13 qershorit 2011 prehet në varrezat e një qyteze këtu në Zvicër.

Nga vizita e tij na solli shijen e hidhur e të helmët prej Tiranës. E pritëm si mik larg të gjitha konteksteve politike, pa e hapur as si temë bisede se Vehbi Skënderin diktatura e kish varrosur të gjallë me format më përçudnuese bashkë me familjen, çka Profesor Nasho Jorgaqi e dinte shumë mirë. Me tim atë nuk e vazhduam bisedën rreth vizitës, sepse ai ishte një shpirt delikat që thyhej lehtë si kristali, do të ishte sikur të gërvishtje në plagët e hapura.

Unë kam të drejtë ta pyes Profesor Nasho Jorgaqin kush e solli tek ne? Që t’i bënte “gjyq” Vehbi Skënderit! Me akuza fallco.

Tani kur në moshën 89 vjeçare Profesor Nasho Jorgaqin e kanë shpallur zyrtarisht si ish Spiun i Sigurimit, unë kam të drejtë të dyshoj se ajo vizitë ishte e organizuar nga Sigurimi i Shtetit i cili prej 1997 u riciklua.

Nëse gjatë kētyre 30 vjet tranzicion në Shqipëri dështoi instalimi i demokracisë dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës, një nga shkaqet kryesore të këtij kolapsi moral të vlerave është mos hapja e dosjeve të ish spiunëve të cilët vijojnë të jenë pjesë integrale e të gjitha qelizave të kētij shteti të kalbur.

Vehbi Skënderi nuk ka qenë spiun i Sigurimit dhe ka vuajtur kalvarin e diktaturës dhe të postdiktaturës.

Profesor Nasho Jorgaqi erdhi në shtëpinë tonë si mik dhe e akuzoi Vehbi Skënderin brutalisht, pa fakte, pa prova, njëlloj si në gjyqet që im atë i kishte provuar në diktaturë.

Përpara disa ditësh me të njëjtin stil sulmuan shkrimtarin e njohur Sadik Bejko që ka mbajtur një qendrim konstant denoncues ndaj krimeve të diktatorës. Profesor Bejkon e akuzuan për një poezi gjoja sikur ai ia kishte kushtuar Enverit. Akuzuesit ia ndryshuan vetë titullin poezisë, ndërkohë ish Spiunët e Sigurimit që kanë dalë dëshmitarë në gjyqet e diktaturës dhe kanë marrë njerëz në qafë vazhdojnë dhe i gradojnë.

Denoncimi i Prof.Nasho Jorgaqit si ish spiun i policisë të fshehtë të diktaturës komuniste është bërë tri dekada pas gjoja rrëzimit të diktaturës. Kur ai është 89 vjeçar.

Për t’i zbuluar kontigjentin e ish Spiunëve mos duhet të presim deri sa ata të mbushin moshën over 80! Kjo është një metodologji mizore në shërbim të amnezisë kolektive për të fshehur të shkuarën kriminale që bie ndesh me sistemin demokratik.

Sepse shteti i së drejtës vepron me ligjet e veta të mbështetura në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ku në mbrojtje merren viktimat, dënohen krimet e diktaturës ndērsa ish spiunëve të regjimit u zbulohen emrat dhe bëmat. Pastaj opinioni vepron sipas moralit dhe ndërgjegjes kombëtare. Demokracia dhe shteti i së drejtës ndërtohen me meritokraci dhe integritet, ndërsa shteti i kapur mbijeton nga kalbësirat e kënetës ku indiferenca dhe ndërgjegjet e ndragura janë uji i saj i ndenjur.

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, kapllan Resuli, NASHO JORGAQI, profesor, Skender Bucpapaj, VEHBI SKËNDERI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT