Nga Enver Bytyçi/
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian.
“Serbinë tash e pret një periudhë e zhvillimit dhe prosperitetit, gjendemi në rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe jemi këmbëngulës që të mos e pranojmë pavarësinë e Kosovës, saqë jemi të gatshëm ta rrezikojmë atë rrugë, e cila është ardhmëria jonë, por ekziston diçka që quhet krenari”, tha Tomisllav Nikolliq, gjatë takimit të sotëm në Beograd, me presidentin e fondacionit “Barack H. Obama”, Abongo Malim Obama.
Ky ishte lajmi i të shtunës dhe të dielës. Po a është dhe a do të mbetet një lajm i ri, fakti që Nikoliç refuzon kategorisht njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur e sovran? Një retrospektivë e zhvillimit të ngjarjeve prej më shumë se njëzet vitesh na njeh me faktin se të gjithë presidentët e kryeministrat e Serbisë, të gjithë shefat e diplomacisë së saj, të gjithë krerët e Kishës Ortodokse Serbe, të gjithë emrat prominentë të Alkademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit, pa përmendur çetnikët e të gjitha kohërave dhe rrymave, kanë refuzuar të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Këtë e ka bërë edhe Milosheviçi, edhe Koshtunica, edhe Tadiç, po e bën Nikoliç, pasuesi i Vojisllav Koshtunicës, i cili me platformën e tij antishqiptare të vitit 1995 rekomantonte shfarosjen e shqiptarëve përmes shpërnguljes, ushtrimit ekstrem të dhunës, deri edhe të infektimit të tyre me virusin e SIDE-s. Pra, shqiptarët janë mësuar me çmendurinë politike, ushtarake, paramilitare, policore, barrikaduese, shkatërruese e asgjësuese të Serbisë, çmenduri, të cilën e shohim çdo ditë të na shfaqet në veriun e Mitrovicës e kudo ku serbët kanë mundësi ta shfaqin.
Por ajo që bën përshtypje në këtë rast është se deklarata e presidentit të Serbisë i drejtohet vëllait të Barak Obamës, Abongo Malim Obama. Kjo i jep një dimension të ri konceptit revanshist të Serbisë për Kosovën. Kjo do të thotë se Nikoliç kërkon aleatë në SHBA për revanshin e tij politik në Kosovë. Ndoshta i shkon mendja se mund të tërheqë edhe presidentin e SHBA-ve në aventurën e tij, njehrësh të zakontë e njëkohësisht të pazakontë, për shkak të një marrëveshjeje që dy kryeministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar më 19 prill të këtij viti në Bruksel.
Një deklaratë e tillë e shpallur në sytë e një prej personaliteteve më të njohur, me lidhje gjaku me presidentin Obama, duket edhe si një sfidë e llojit të veçantë, të cilën vetëm nacionalistët, ekstremistët dhe terroristët serbë dijnë, kanë guximin dhe vetëdijen e tillë që ta bëjnë. Një prej tyre, presidenti serb, Nikoliç, nuk bën përjashtim nga garnitura nacionaliste e Serbisë e gatuar me mentalitetin e doktrinave të shumta shoviniste si ajo e Naçertanies se Ilia Garashaninit, apo platformat e tjera të mëvonëshme, duke filluar me Cvijiçin, Pashiçin, Çubrilloviçin, Rankoviçin e deri te Sllobodan Milosheviçi. Breza të tërë të mëkuar me mitin për Kosovën kanë lënë pasardhësin e tyre të denjë në krye të shtetit të Serbisë, me emrin famëkeq, Tomisllav Nikoliç, për shkak të angazhimit të tij krah Shejshelit dhe Milosheviçit për asgjësimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.
Pa bërë shumë histori, le të kthehemi te realiteti i sotëm në Kosovë, Serbi e në rajon, për të saktësuar sa reale dhe logjike është deklarata e Nikoliç. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e lidhjeve midis tyre. Kjo marrëveshje vazhdon të negociohet për zbatimin praktik të saj. Ajo ka në themel të saj njohjen e realitetit në Kosovë, dmth vendosjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke mbajtur parasysh faktin se tashmë Kosova funksionon si shtet i pavarur e sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së. Nëse i heq marrëveshjes midis Prishtinës e Beogradit këtë substancë të sajën, atëherë ajo bëhet e paqenë. Nëse e zhvesh marrëveshjen e 19 prillit nga pranimi i realiteteve të reja të krijuara me formimin e shtetit të Kosovës, atëherë vjen pashmangshëm dështimi i përpjekjeve të BE-së dhe baroneshës Eshton për vendosjen e paqes e të sigurisë në Europën Juglindore. Ndërkaq duket se Nikoliç është i pakënaqur me marrëveshjen në fjalë nënshkruar nga aleati i tij, Daçiç e kryeministri shqiptar, Thaçi. Ai luan rolin e kalit të Trojës në normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe bën diversion politik përkarshi SHBA-ve, Europës, Kosovës e shqiptarëve në Ballkan si dhe përkarshi disa udhëheqësve politikë në Beograd, të cilët preferojnë Brukselin në këmbim të Kosovës.
Një analizë e ftohtë e situatave që zhvillohen, çon në përfundimin e pakontestuar, sipas të cilit Serbia e ka të pamundur kthimin mbrapsht të proceseve integruese e bashkëpunuese rajonale, si kushti kryesor i hapave integruese në Bashkimin Europian. Por pengesa Nikoliç si dhe pengesa të tjera të kësaj natyre do të zgjasin procesin e integrimit jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin. Mësë paku deklarata e tij do të trimërojë serbët e veriut të Kosovës, me qëllim që ata ta refuzojnë projektin europian të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Se do të ndodh kështu duket edhe në disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit. Qeveria e Serbisë vendosi të krijojë strukturat e saj të ashtuquajtura legale aty ku jetojnë serbët në Kosovë. Ishte ky një vendim provokativ që i kundërvihet drejtpërdrejt marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill. Strukturat paralele në veri të Kosovës u mblodhën dhe vendosën gjithashtu që të refuzojnë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me të cilat do të njihej autoriteti i Prishtinës në këtë pjesë të Kosovës.
Po t´i shtojmë deklaratës së Nikoliç të gjitha ndodhitë kundraproduktive në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë duket qartë se nuk do të jetë lehtë zhvillimi komplementar i të gjithë rajonit e në veçanti integrimi në BE e në NATO. Prandaj Prishtina zyrtare si dhe strukturat joqeveritare, institucionet, njerëzit që kanë kompetencën të marrin vendime, të gjithë shqiptarët, madje dhe Tirana zyrtare, shqiptarët në Maqedoni, ata në Serbi, në Malin e Zi kanë detyrimin të përcaktojnë sjelljen e tyre në rrethana, të cilat Beogradi mund t´i imponojë. Derisa presidenti i Serbisë deklarohet kaq hapur kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj atëherë duhet marrë në konsideratë dhe duhet vlerësuar si serioze situata që mund të krijohet pas kësaj. Refuzimi i Beogradit do të çojë domozdoshmërisht në refuzimin e Moskës, pra legalisht do të pengohet jo vetëm përparimi e integrimi i saj, por edhe pranimi në OKB.
Tashmë statuskuoja në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë do të shndërrohet në një pengesë serioze për të gjithë shqiptarët në rajon, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, jo vetëm në kuptimin e krijimit të hapësirës “Shengen” të Ballkanit, por edhe më gjerë. Nëse Nikoliç është serioz në deklaratën për mosnjohjen “kurrë” të pavvarësisë së Kosovës, atëherë edhe shqiptarët duhet të bëhen më seriozë në reagimin e tyre të përbashkët. Një plan B është vërtet i domozdoshëm. Ky plan duhet të përfshijë në programin e tij një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Kjo do të thotë se në të duhen planifikuar çeshtjet e risendërtimit të hartës politike të rajonit, jo më në bashkëbisedim me Serbinë e Nikoliçit e të Milosheviçëve të rinj, por më bashkësinë ndërkombëtare.
Nëse kemi parasysh diversionin serb të pandërprerë, atëherë duhet shkuar kah gjetja e një zgjidhjeje, e cila jo vetëm i jep Kosovës të drejtën e shtetësisë, por e bën të pamundur ndërhyrjen e Beogradit në punët e saj të brendshme. Zgjidhje të tilla nuk janë pak, ato janë disa. Një prej tyre është vendosja e rendit kushtetues në veri të Kosovës, pa i marrë leje Beogradit. Një tjetër zgjidhje është krijimi i një konfederate fillimisht Shqipëri-Kosovë dhe më pas bashkë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, madje të hapur, nëse do të dëshironte, edhe për Serbinë. Unë po përmend këto dy opcione, të cilat nuk janë të lehta për t´u realizuar. Por në të vërtetë realizimin e tyre po e lehtëson vetë Serbia. Njësoj siç bëri Milosheviçi para vitit 1999. Nëse Milosheviçi nuk do të kishte hequr autonominë e shqiptarëve, nëse ai nuk do të kishte shkaktuar masakra e dhunë të tmerrshme që tronditi botën kundër shqiptarëve, zor se shqiptarët do ta kishin përkrahjen e botës për të patur shtetin e Kosovës. Pra, Milosheviçi mori jetë njerëzish, shumë jetë njerëzish, por është fakt se e lehtësoi qëndrimin e Perendimit në vendimmarrjen për Kosovën. Kështu po ndodh dhe do të ndodh edhe me udhëheqësit e sotëm e të ardhshëm të Serbisë, të cilët vijojnë ose do të vijojnë të udhëhiqen nga ideologjia fashiste e parardhësit të tyre. Qëndrimi i tillë çfarë ë shfq vazhdimisht presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka dy efekte pozitive, kompaktëson shqiptarët në idenë fikse të një zgjidhje radikale dhe përfundimtare të probllemit të tyre në dobi të lirisë e të demokracisë dhe mënjanon shumë prej vështirësive për t´u njohur ndërkombëtarisht kjo zgjidhje.
Zhagitja e mëtejshme e problemit të Kosovës dhe shtetësisë së saj të njëmendtë, kokëfortësia e Beogradit për të krijuar edhe më tej problem të panumërta, me idenë fikse të “neutralitetit ndaj statusit”, si dhe format e stërholluara të refuzimit të pavarësisë si ajo e logos së Republikës në fletët e votimit, vetëm se çojnë në radikalizimin e veprimeve në Kosovë. Nikoliç u përpoq në Beograd që ta bindë vëllain e presidentit amerikan për të mbështetur këto veprime të çmendura të tij dhe nëse Kosovës i hiqet bindja se “Amerika është me ne”, atëherë ky vend si dhe gjithë rajoni nuk do të kenë më qetësi. Kjo do të thotë që integrimi euro-atlantik të shtyhet për një kohë të gjatë, kjo do të thotë një cikël i ri i izolimit rajonal, kjo do të thotë hezitim i investimeve të huaja në Europën Juglindore. Dhe gjithë kësaj situate të padëshirueshme as për serbët vetë i kontribuon Tomisllav Nikoliç si dhe bëshkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeverisjen e Beogradit.
Ndërkohë në Bashkimin Europian deklarata të tilla priten ftohtë e nuk vihet re asnjë shqetësim, ndonëse ndonjë deklaratë elektorale e politikanëve shqiptarë është interpretuar me forcë si “destabilizuese për rajonin”. Ky qëndrim i dyfishtë I Brukselit, pra kjo politikë proserbe dhe antishqiptare, duhet të marrë fund, ndryshe Stefan Fyhle me shokë nuk kanë pse akuzojnë viktimat e të shpërblejnë agresorët. Deklarata e Nikoliç ishte një aggression i ri kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Mësë paku ajo shërben si thirrje për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo nuk është pak, nëse kemi parasysh që sponsor i asaj marrëveshjeje është Bashkimi Europian.
Por në Bruksel e kanë më të lehtë të bëjnë presion ndaj Thaçit, sesa ndaj Nikoliçit e Daçiçit. Prej këtej buron presioni që bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të mos përdorur simbolet e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Nëse ndodh kjo, atëherë marrëveshja e Brukselit është ajo çfarë thonë serbët, shkurt një marrëveshje me parimin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë duhet të presim që nesër në Beograd të nisë iniciativa tjetër politike e diplomatike për të ridiskutuar për statusin e Kosovës. Dhe kur kjo të jetë pikë diskutimi, atëherë deklarata e pavarësisë, e lexuar me aq bujë nga Hashim Thaçi, do të rrëzohet, sepse do të duhet një deklaratë tjetër “pavarësie” apo “varësie”, e cila nuk do të jetë e formatit të deklaratës së 17 shkurtit 2008. Shkurt ka dy rrugë, ose duhet mbrojtur lufta e popullit shqiptar në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, ose duhet shkuar drejt një zgjidhje, të cilën e dëshirojnë serbët agresorë e për të cilën ata bëjnë presion të vazhdueshëm. Nëse udhëheqësit politikë në Prishtinë vihen përkrah ambicjeve të Beogradit, atëherë shqiptarët do të promovojnë një udhëheqje tjetër më dinjitoze për zgjidhjen përfundimtare të çeshtjes së tyre, në funksion të lirisë së pakushtëzuar nga askush.