TIRANË, 26 Korrik/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi të martën paketën e ndryshimeve kushtetuese, e miratuar me konsensus më 22 korrik në parlament.
“Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Shpalljen e ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, citohet dekreti me nr. 9706.
Në orët e para të ditës së premte, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votë unanime (140) paketën e ndryshimeve kushtetuese, mbi të cilën do të reformohet sistemi i drejtësisë.
Reforma parashikon ndryshime thelbësore në organizimin dhe funksionimin e organeve të drejtësisë, me qëllim rritjen e profesionalizmit, të efikasitetit dhe parandalimit të korrupsionit.