Ditën e marte, më 11 mars 2014, në Spitalin ‘Saint Johns’, Detroit (Michigan), pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit Ndue Jakajt, në moshën 57-vjeçare, duke lënë mbrapa zonjën e tij, dy djem dhe katër vajza./
nga Tomë Mrijaj/
Në vitin 1957, lindi fëmiu i parë, që do të pagëzohet me respekt në shenjë përkujtimi, me emërin e gjyshit Ndue, në familjen e Jakajve të Ranocit në Kosovë. Ky ishte një gëzim i papërshkruar, për çiftin e ri Tunën e nënën Gjyle, axhallarët: Martinin e Tomën dhe mbarë familjen e madhe të Jakajve.
Ky ishte një lajm shumë i mirëseardhur në Kullën e madhe shumë të mirënjohur të Jakajve, i cili, u përhap sipas zakoneve dhe traditave shqiptare, me krisma pushkësh dhe jehonë shtëpi më shtëpi dhe mal në mal.
Ndoshta, për lexuesit, është mirë të përshkruhet se nga cila familje lindi dhe u rrit ky bir i denjë i Kosovës, i cili, për shumë vite jetoi dhe punoi në Detroit të SHBA-së.
Pse ai, u detyrua të lërë Atdheun e lindjes dhe të marrë udhët e mërgimit të largët në SHBA?!
Vrasjet dhe torturat e njëpanjëshme të ushtruar vijueshmërisht nga kolonizatorët pushtues serbo-malazias- çetnikë, që e goditën familjen e madhe të Jakajve asokohe e gjen vdekjen edhe patrioti i palodhur Pjetër Jaku (1898-1945), i cili, u pushkatua nga pushteti sllavo-komunist në Kullën e Popit në Burim (Istog) në janarin e ftohtë të vitit 1945, me shumë burra të zgjedhur të Kosovës martire.
Familja e madhe e Jakajve, mbeti nën drejtimin e vëllaut të Pjetrit, Ndue Jakut (1896-1948), i cili, vdiq nga torturat çnjerëzore tre vite më vonë…
Për Nduen, filluan ditë të vështira, angazhimi për drejtimin e familjes së madhe dhe gjakmarrja (hakmarrja) për vëllain Pjetrin, i cili, ishte asgjesuar me urdhërin e çetnikut kriminel Radosh Tashiqit, që ishte shumë afër me fshatin Ranoc, ku, jetonte familja Jakaj dhe Koshi, që ishte katundi i ngjitur me Ranocin, ku, ishte kryeçetniku Radosh Toshiqi.
Në fillim të vitit 1945, shumë burra trima të Lugut të Drinit, rrokën pushkët, kundër pushtetit sllavo-komunist, me në krye legjendën e trimërisë patriotin e madh Ndue Përlleshin, i cili, la detyrën e kryetarit të komunës në Budisalcë dhe me vëllezërit e tij Zefin e Hilin e me shumë të tjerë, rrokën pushkët dhe u nisën drejt maleve të lirisë, për të luftuar kundër çetnikëve serbë.
Pjesëtarët e familjes Jakaj, ishin miq me luftëtarin e lirisë Ndue Përlleshin. Kushëriri i parë i Ndout Pren Perlleshi, kishte martuar vajzën e Ndue Jakut, Marqen.
I vëllai i Pjetrit, Ndue Jakaj, u kishte hapur dyert e kullës së njohur antarëve të lirisë të çetave nacionaliste dhe gjithnjë ishte i gatshëm, për t’i furnizuar me armë, veshmbathje, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Në të njëjtën kohë, kishte ndërhyrë tek miqtë e tij të shumtë, që t’ua hapnin me bujari dyert e shtëpive dhe t’u ndihmonin sa të kenë mundësi çetave vullnetare nacionaliste shqiptare, që kishin rrokur pushkët, për çlirimin e vendit nga pushtuesit serbo-komunist.
Një mbrëmje në kullën e Jakajve, ku, ishte strehuar luftëtari i lirisë antikomunisti Ndue Përlleshi (1908-1949) me çetën e tij, ishte diskutuar çështja e hakmarrjes. Dhe vetë Ndue Jaku, me antarë të tjerë e kishte vënë në shënjestër Radosh Toshiqin si armikun më të madh të familjes dhe krahinës së tij në Lugun e Drinit.
Nuk kaloi shumë kohë e çeta e Ndue Përlleshit, në orët e vona të mbasditës, në katundin Kojavç e vret Radosh Toshiqin, i cili, ishte duke u kthyer nga komuna e Burimit. Në gjoks i lë të vrarit një letër, ndër të cilat, kishte shkruar fjalët: “U ban shum t’fala Pjetër Jakut me shok.”
Historia e shkurtër e vuajtjeve dhe kalvarit
Për familjen e Jakajve, historia e kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve, nuk përfundon me vdekjen e parakohshme të nacionalistit Ndue Jaku. Por kalvari i gjatë e ka zanafillën e vet tek punët e detyrueshme dhe plot mundime, pa pagesë, që u detyruan me dhunë të bëjnë pjesëtarët e kësaj familje.
Në kushte shumë të këqija, në ambientet e punëve të rënda, në mes pyjeve të dendura të Bjeshkëve të Burimit në Rakosh (për prodhimin e lëndëve drusore), humbi jetën në mënyrë tragjike djali i dytë i Ndue Jakut, Gjergji, kur nuk kishte mbushur më shumë se 17 vjeç.
Vdekja në moshë të re e Gjergj Jakut (1932-1949) e shtoi edhe më shumë dhimbjen në familjen Jakaj.
Gjatë periudhës së sundimit të rrëgjimit sllavo-komunist, shumë meshkuj të familjes së madhe patriarkale të Kullës së Jakajve, u detyruan, që për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre, të punojnë me orare të zgjatura dhe pagesa të vogla, në shumë vende të ish-Jugosllavisë.
Një nga pjesëtarët më aktiv dhe njëherësh i dhënë shumë mbas historisë së familjes së vet, me dokumente dhe fotografi origjinale,është djali i vogël i Ndue Jakut, nacionalisti dhe anëtar ende sot i Organizatës Nacionaliste Mbarëshqiptare “Balli Kombëtar” në emigracion Tomë Jaku, ndër të tjera kujton:
“Shteti i ri i sapokrijuar mbas vitit 1944, me emërin artificial Jugosllavi, më mori me dhunë njerëzit më të dashur të familjes, që më munguan shumë në jetën time. Të paharruar mbetën për mua babai dhe vëllai Gjergji.
Largimi nga ai vend, ku, përjetova vetëm kujtime të ithta, për mua ishte një rilindje e re.
Me ardhjen time në SHBA, në vitin 1969, menjëherë u radhita në radhët e Ballit Kombëtar, ku, në mënyrë aktive, përmes demonstratave dhe ndihmave financiare e luftova si munda dhe dita atë regjim gjakatar.
Regjimi sllavo-komunist, na privoi nga gjërat më të shtrenjta në jetë, që për mua janë: Prindërit e Atdheu.
Lirimi i Kosovës më 1999, për mua dhe gjithë shqiptarët atdhedashës, është ëndrra e jonë shekullore, që e paguam shumë shtrenjtë me gjakun tonë.
Atje kemi familjet dhe varrezat e të dashurve tanë. Jam shumë i lumtur, që erdhi kjo ditë, t’a shohim Kosovën tonë të lirë.
Ata, që ranë për lirinë e Kosovës pushofshin të qetë, në atë tokë shumë të dëshiruar për çdo shqiptar.”
Historia Kullës së Jakajve
Kulla e Jakajve në këtë krahinë, është një pikë strategjike dhe e lakmuar shpesh, për pozicionin e saj të favorshëm gjegrafik.
Nga lartësia e saj, mund të shikosh në qetësi një pjesë të madhe të Lugut të Drinit. Ajo që të tërheq, për t’a kundruar me kujdes dhe ëndje peisazhin alpin dhe kullën historike, ndërtuar mes kodrave të mbuluar me pemë drufrutore, është se një pjesë e tokave të reja, që janë të qendisura nga gjelbërimi, ku, dora e njerëzve të palodhur, i ka kthyer këto shpate të thepisura në toka bujqësore pjellore.
Në pjesën lindore të Kullës tipike shqiptare (ndërtuar shumë dekada më parë me material guri të latuar dhe tulla të kohës), dikur gjendeshin lisat e gjatë, që i jepnin mjedisit gjeografik klimë të shëndetshme, me verë të nxehtë dhe dimër, mbuluar nga dëbora deri me ardhjen e stinës së pranverës.
Kurse në pjesën jugperëndimore trevën e rrethojnë tokat pjellore (arat) dhe një burim i vogël, që quhet Ranavica, e cila buron nga Malet e Palevës dhe në katundin Zllakuqan bashkohet me lumin Drini i Bardhë.
Në këtë kodër me lartësi mesatare, sot kulla hijeshon mes harlisjes së pemëve të gjata, që në tabanin e tyre janë të veshur me gjelberimin e kullotave alpine, ku, blegërojnë bagëtitë e imta të banorëve të katundit Ranoc.
Kjo kullë në shekullin e kaluar, ka qenë dëshmitare e pandërprerë e historisë, ngjarjeve të njëpasnjëshme, që e kanë shoqëruar të gjithë krahinën e shquar, për qëndresën historike, kundër ushtrive mizore turke dhe ish-kolonizatorëve serbë.
Freskia e ndërtesës alpine, ndërtuar nga të parët e Jakajve, edhe sot ruan konturet e stilit të vjetër alpin, megjithëse ajo është ndërtuar në shekullit XX.
Frengjitë dhe dritaret e ajrosjes, gjenden në të dy katet e saj, duke i dhënë një emër të mirë në të gjithë krahinën e Lugut të Drinit.
Nga burimet e hershme historike të kohës, shohim se kjo kullë, ka qenë përherë një derë bujare, për miqtë dhe vizitorët e shumtë të krahinës dhe përtej saj. Aty kanë gjetur streh, mirëpritje dhe bujari fisnike shqiptare bijtë më të mirë të çetave nacionaliste, që me pushkë në dorë i kanë dol zot fateve të Atdheut.
Dera e njohur e familjes
së madhe të Jakajve
Nga kujtimet e të parëve në odat e moçme të burrave dhe nga ato që më ka treguar im atë Nikollë Pren Mrijaj (1911-1999), mësojmë se Kulla e Jakajve, ka qenë e përbërë nga shumë antarë, një familje tipike shqiptare, që asokohe në histori janë quajtur familje patriarkale.
Ata sëbashku kanë jetuar në të dy katet e kullës, dhe meshkujt e shumtë, janë marrë me administrimin e saj, punët e bujqësisë dhe blegtorisë, kullotjen e dhenve dhe bagëtive të tjera në male dhe stane, gjatë stinës së verës në kullotat e pasura.
Ndërsa vajzat dhe gratë si amvise të mira, kanë mbushë ujë me pagure në burimet e afërta, kanë gatuar dhe sistemuar shtëpinë sapo djemtë janë nisur në punë. Shpesh djemtë dhe burrat e familjes, kanë shkuar në qytet, për të bërë tregti dhe blerë sendet e nevojshme për kullën, kanë marrë pjesë në gëzimet dhe hidherimet e miqve dhe dashamirësve të tyre.
Mikëpritja, kjo traditë e moçme shekullore e shqiptarëve, është përcjellë brez mbas brezi edhe në derën e madhe të Kullës së Jakajve. Aty kanë gjetur bujarinë, besën, burrërinë, traditat dhe zakonet shqiptare shumë njerëz të shquar të Kosovës, të cilët, janë pritur dhe përcjellë sipas zakonit nga familja e Jakajve.
Ardhja e dhunshme
e komunistëve në pushtet
Duhet thënë, se në periudhën historike të viteve 1944-1950, kur lëvizjet kundërkomuniste dhe kundërsllave ishin të vazhdueshme nëpër male, me mbi 50 çeta nacionaliste, që vepronin asokohe në Kosovë, vala e reprezaljeve shfarosëse ose shkombëtarizuese të pushtetarëve të rinj sllavo-komunistë ishte e pamëshirshme, ndaj luftëtarëve dhe familjeve të tyre që me sakrifica i mbështenin ato nëpër male.
Ardhja e çetnikëve të kriminelit të famshëm kundërshqiptar Drazha Mihajloviç, mbi të cilin rëndojnë krimet çnjerëzore, kundër popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë, e bëri më të fortë rezistencën e nacionalistëve dhe kundërkomunistëve shqiptarë.
Çdo ditë kishte vrasje dhe krime, që çetnikët e përbindshëm sllav bënin mbi familjet shqiptare, në Lugun e Drinit, duke mbërritur edhe në Kullën e Jakajve të Ranocit.
Çetnikët serbë, me ardhjen e pushtetit të tyre komunist i rruan mjekërrat e në ballë vuan yllin komunist të diktatorëve të Rusisë bolshevike.
Një nga ngjarjet më të shëmtuara dhe krimeve kundër njerëzimit, ka mbetur e shënuar në analet e historisë dimri i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, kur në muajin janar çetnikët, iu vërsulën shtëpive shqiptare dhe nxorën prej atyre qindra burra më të mirë të vendit dhe i pushkatuan në Kullën e Popit në Burim (Istog).
Nga familja e Jakajve, u pushkatua pa gjyq kryetari i familjes Pjetër Jaku, i cili, qysh herët me shumë burra të shquar të Lugut të Drinit, kishte rënë në sy të çetnikut kriminel Radosh Toshiçi.
Familja Jakaj e posaçërisht Ndue Jaku i Ri (i cili, u nda nga kjo jetë këto ditë), kishte shumë mall për vendlindjen e tij Kosovën. Ai qëndroi larg vendlindjes vetëm fizikisht, kurse me mend dhe zemër gjithnjë jetonte me Kosovën e dashur, për të cilën, ai bëri aq sa mundi me gjithë shpirt.
Këtë e dëshmojnë edhe ndihmat e pakursyer, që dhanë herë mbas here gjatë fushatës fondmbledhëse, për lirinë e Kosovës familja Jakaj.
Këtë vit, me inisiativën e axhës së tyre Tomë Ndue Jakaj, ata sëbashku dhanë një ndihmë financiare bujare, për ndërtimin e Altarit të Kishës Katolike ‘Shën Gjon Pagëzuesit’, në Zllakuqan të Lugut të Drinit.
Në të ardhmen, rrugën e ndërshme të të atit, do t’a vazhdojnë ndërshmerisht djemtë dhe vajzat e tij, me shumë nipa dhe mbesa.
Pushoftë në paqë!