Flamuri kuq e zi, që u ngrit në Ditën e Lirisë Shqiptare më 10 Maj 2015, do të valëvitet për një javë në majën e shtizës në “Kensico Dam Plaza”, Valhalla /
Nga Dalip Greca/
Të Dielën e 10 Majit në “Kensico Dam Plaza”, Valhalla (NY) , u përkujtua 25 vjetori i rënies së martirit të Demokracisë, Nik Mrnacaj nën kujdesin e Familjes Mrnacaj dhe Shoqërisë Kulturore e Artistike Kelemndi. Pjesmarrës të shumtë kujtuan përmes një veprimtarie të mirëorganizuar aktin sublim të martirit Nik Mrnacaj, i cili së bashku me një grup nacinalistësh demokratë udhëtuan 25 vite të shkuara nga Nju Jorku në Detroit për t’u bërë pjesë e një demonstrate antikomuniste, ku mbështetës të sistemit komunist shqiptar, bënin përpjekjet e fundit për t’ia zgjatur jetën regjimit të fundit stalinist në Europë. Mark Tinaj, pjesmarrës në tubimin e 25 vjetorit,ish pjesmarërs në atë demonstratë, tregon për gazetën Dielli:” Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar atje dhe situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi, por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm luftën vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mabj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga një trak i madh, i ngjau një shpërthimi ekspolozivi të fuqishëm. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. Ishte e tmerrshme….”.
Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhet nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…
Babai i Nikës, Marashi, e mbanë veten në këtë përkujtim dhe përpiqet që ngjarjen tragjike që ndodhi 25 vite të shkuara ta përcjellë me stoicizmin tipik të malsorëve të Kelmendit. Nëna Mrije, e ka në sy imazhin e të birit dhe ndjehet krenare tek dëgjon të nipin, avokatin Mikel, të tregojë se si u rrit ai pa babanë Nik e me nënën të ve që Nika e la 24 vjecare.
…Kanë ardhë në këtë tubim shumë bashkatdhetarë që përmes pjesmarrjes aktive në tubim i bëhen krah familjes Mrnacaj dhe kryejnë aktin e mosharresës duke përkujtuar një martir, që mesazhin për demokracinë e dha duke sakrifikuar jetën e vet.
Moderator të veprimtarisë përkujtimore ishin Sokol Smajlaj dhe Valbona Prelvukaj. Pas Hymneve Kombëtare Amerikane dhe Shqiptare tubimin përkujtimor e ka bekuar xhakoni Marash Shkreli. E mbesa e Nik Mrnacaj, Sophia Shkreli ka lexuar proklamatën e nxjerrë nga Robert P. Astorino, Westchester County Executive. Përmes proklamatës vlerësohet akti i lartë i Nik Mrnacaj në përcjelljen e vlerave dhe mesazheve demokratike. Proklamata i është dorëzuar prindërve të Nikës, Marash dhe Mrije Mrnacaj.
Veprimtarisë ia ka shtuar vlerat pjesmarrja e Shoqërisë Kulturore Artistike “Kelmendi” që me një program të pasur artistik, me këngë e valle burimore të trevës së Kelmendit, ka shpalosur bukurinë e folklorit shqiptar, që u duartrokit jo vetëm nga shqiptarët e shumtë pjesmarrës, por edhe nga amerikanë që kishin ardhë për të pushuar në bukuritë e natyrës dhe iu bashkëngjitën veprimtarisë. Martiri Nik Mrnacaj u kujtua me këngë dhe vargje të shkruara nga poetët dhe rapsodët. Kënga për Nik Mrnacaj me tekst të Gjovalin Lumës u duartrokit gjatë. U pëlqye rapsodi lahutar Vasel Shkreli me këngën “Moj Malësi, Kulla e Barotit”, Jug -Veri nga Adem Kaliqi, kënga për Prek Calin, Vallja e Logut e të tjera. Motër e vëlla Antoneta e Klement Buja u shpërblyen me duartrokitje për vallet e bukura. Fëmijët kënduan e kërcyen bukur.
Në fjalimin e tij, ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, tha se ndjehej krenar që sot ndodhej në këtë tribunë përkrah familjes së nderuar Mrnacaj, djali i të cilëve dha jetën për idealet e demokracisë. Ai vlerësoi sakrificën e Nik Mrnacaj dhe përgëzoi familjen Mrnacaj për përkujtimin e përvitshëm, si një obligim për veprën që kreu Nika.Ëshët detyrë e komunitetit shqiptar që këtë Ditë të Lirisë, ta nderojnë.
Veprimtari veteran Musli Mulosmanaj, si një nga dëshmitarët pjesmarrës të demonstaratve antikomunsite të Shqiptarëvetët Amerikës, vlerësoi lart aktin e djaloshit nacionalist Nik Mrnacaj.
I biri i Nik Mrnacaj, avokati Mikel Mrnacaj, që u rrit pa baba, ndjehet krenar për aktin e atit të tij dhe të nënës që mbeti e ve në moshë të re. Aspiratat demokratike të babait të tij e kanë frymëzuar atë në jetë. Duke folur për rrugëtimin e tij në jetë me nënën përkrah, Mikeli i emocionoi të pranishmit me rrëfimin e tij.
Në emër të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës VATRA, ka përshëndetur tubimin zv/kryetari Asllan Bushati. Në përshëndetjen e tij z. Bushati tha:E nderuara Familja Mërnacaj, të nderuar shtetarë vendor të Ëhite Plains, të nderuar bashkatdhetarë.
Më lejoni që në emër të Federatës Panshqipëtare Vatra, të Kryetarit të sajë Dr.Gjon Bucaj, dhe të të gjithë vatranëve, në këtë përkujtimore të 25-të të ndarjes nga jeta të Martirit Demokracisë shqipëtare Nik Mrnacaj, t’ju shpreh ndiesitë më të larta shpirtërore, familjes, të afërmëve dhe dashamirëvë të Familjes Mërnacaj. Përkujtimi vit për vit i këtij martiri te demokracisë i bën mirë vetë familjes, të afërmve, komunitetit shqiptaro- amerikan dhe në tërësi kombit shqipëtar.
Nika humbi jetën duke u këthyer nga një veprimtari e shenjuar kombëtare, duke u kthyer nga një demostratë kundër regjimit komunist të Tiranës, regjimit më të egër e më mizor të të gjitha kohërave. Me pjesëmarrjen në këtë demostratë Nika, kishte shprehur indinjatën dhe forcën e karakterit të tijë si bir i Kelmendit kundër regjimit komunist, papajtueshmerinë e Familjes Mrnacaj me kalvarin e burgjeve e internimeve dhe ndiesite e malesorit trim në një vend të lirë sic është Amirika.Në këtë kuptim kombi e ka për detyrë ti nderojë martirët e vet. Vetëm keshtu e keqja nuk harrohet dhe vetëm kështu plagët e diktatures shërohen.
Kombi ynë nuk i ka zgjdhur akoma tërësisht problemet e veta madhore. Trojet tona ne Maqedoni, Preshevë , Bujanovc,Mal te Zi e Camëri janë nën trysninë e shpërnguljes deri në cfarosje. Dje më 9 maj u derdh gjak shqipëtar në Kumanovë por duket se kurthe e prita të tjera janë bërë gati në shumë vende të tjera kundër shqiptarëve. Politikanët shqiptarë janë të zënë me punë paresh e ryshfetesh dhe nuk kan kohë të merren me punët e kombit. Prandaj s’duhen harruar Nik Mrnacaj me shoket e tij martirë, sa kombi ka plagë të pa shëruara.
Martirëve nuk mafton t’ju bëjmë përkujtimoret, ose emrat e tyre t’jua vemë shkollave e rrugeve, kjo është fare pak për to. Ata kane dhënë jetën për lirinë , demokracinë, prosperitetin dhe bashkimin e kombit. Vetëm kur të realizohen këto atëhere ne i kemi kryer obligimet tona me martirët dhe duke u përulur mbi varret e tyre te themi me gojën plot :” I nderuar qoftë kujtimi i martirëve”.
E nderuar Familja Mrnacaj, në këtë përkujtimore të 25-të të Nikës edhe një herë ju shpreh ndiesitë më të larta të të gjithë vatranëve, duke u përulur me respect përpara tij e duke lutur zotin që shpirti I tij të prehet në paqe e përjetësi. I nderuar qoftë kujtimi I tij.
Në përfundim të veprimtarisë u organizua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar, që do të valvitet aty për një javë në krah të Flamurit Amerikan.