Tërheqja edhe taktike edhe konceptuale/
Nga Albin KURTI/
Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë në front gjatë luftës. Ai paska qëndruar larg fronteve. Kështu ai e deklaroi me gojën e vet gjatë një interviste për “Euronews”. I pyetur nëse ka vrarë dikë ose nëse ka dhënë urdhër që të vritet dikush, para dy javësh, Thaçi tha: “Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe.” A thua si ndjehen e çka mendojnë gjithë ata ushtarë të UÇK-së që janë në burg kur ky ju thotë që ka qenë larg fronteve? Si ndjehen e çka mendojnë familjet e dëshmorëve dhe martirëve tash që po shënohet 15 a 16vjetori i rënies së më të dashurve të tyre kur dëgjojnë këtë intervistë? Apo, si ndjehen e çka mendojnë mijëra veteranë e invalidë të luftës së UÇK-së? Si ndjehen e çka mendojnë qindra historianë të cilët besojnë ta kenë ditur ecurinë dhe kuptimin e luftës historike të UÇK-së? Mbi të gjitha, si ndjehen e çka mendojnë dy milionë qytetarë të Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi?
Besoj se të gjithë këta ndjehen keq dhe gjithsesi e rimendojnë këtë intervistë posaçërisht këto ditë. Tash, kur po flitet që EULEX-i po i përshpejton rastet e hetuara për shkak të transformimeve në qershor, kur gjithnjë e më shumë normalizohet ideja e njëfarë Tribunali për krimet e luftës në Kosovë (që nganjëherë madje quhet edhe Tribunal për UÇK-në), tash kur na ndajnë pak muaj deri te publikimi i të gjeturave të hetuesit Clint Williamson sipas pretendimeve të Dick Marty-t për trafikimin e organeve, nuk ka se si të mos e kuptosh më mirë këtë deklarim të Thaçit pa mirëkuptim për vetë atë. Jemi mësuar tashmë me këta njerëzit si Thaçi të cilët porsa ndjehen të rrezikuar japin gjithçka përveç vetes së tyre dhe japin gjithçka që të mos ju cenohet vetja e tyre. Nuk duan t’ia dinë për ata që mbijetuan luftën apo nuk e mbijetuan atë sepse në mendje kanë veçse luftën e tyre për mbijetesë vetjake. Dëmtimi që ia bëjnë historisë së popullit e luftës çlirimtare, shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së shtetit, është i papërfillshëm për sojin e këtij njeriu që shkel çkado që i del përpara e anash për të mos mbetur vetë prapa dhe anash.
Tërheqja e këtillë e Thaçit njëmend është taktike për nga motivi (individual) por është edhe konceptuale për nga pasojat (kolektive). Lufta çlirimtare e UÇK-së po braktiset nga Thaçi e të ngjashmit bashkë me domethënien e asaj kryengritjeje të armatosur. Thaçi po shfaqet edhe më paqësor se Rugova për interesa edhe të ngushta edhe momentale – të ngushta sepse personale dhe momentale sepse një çast më vonë sërish nuk ka kurrfarë garancioni se do të mund të shpëtojë ai vetë. Kot thotë Thaçi që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër kur në fjalinë pasuese sprapset ai vetë dhe nuk është në gjendje të sakrifikojë aspak asnjëherë për ta mbrojtur pohimin e tillë edhe personalisht. Natyrisht që në luftë çlirimtare vritet armiku, prandaj të sprapsesh para një pyetje të tillë direkte do të thotë të kontribuosh në kriminalizimin e luftës çlirimtare. Ata që paskan vrarë policë, ushtarë e paramilitarë serbë në luftë kësisoj ekspozohen nga vetë kryeministri i Kosovës para persekutimit të prokurorive gjithnjë speciale në Kosovë e jashtë saj. Madje, të gjithë dëshmorët që dihen se u vranë në fronte të luftës ku me shumë gjasë kanë vrarë forca armike para se të vriten, sipas Thaçit, na paskan qenë kriminelë çfarë nuk është vetë ky që merrej me politikë larg fronteve të luftës!
Kur njeriu dëgjon këso qëndrimesh e tezash të Thaçit, nuk është e rastësishme që mandej themelohen tribunale ndërkombëtare që ngjashëm sikurse EULEX-i nuk na e pranojnë as pavarësinë dhe as luftën çlirimtare, dhe madje edhe njerëzit që do të duhej t’i arrestonin (sipas misionit të proklamuar) për korrupsion ua mbath për krime lufte, ndërkaq me krerët e krimit të organizuar që vegjetojnë në qeveri e rrotull saj e mirëmbajnë stabilitetin e padrejtësisë. Tribunalet e tilla, sikurse edhe EULEX-i, nuk do të duhej ta hetojnë luftën e UÇK-së, jo pse ajo është luftë e drejtë por pse tribunalet e paralajmëruara porsi EULEX-i nuk e njohin atë luftë si të drejtë dhe çlirimtare. (Nuk mund t’i hetojë krimet e lëvizjes çlirimtare të Algjerisë kundër Francës një organ a instancë që nuk e pranon pavarësinë e Algjerisë, vetëvendosjen e popullit të Algjerisë, dhe vetë luftën çlirimtare e anti-kolonialiste atje.) Për tribunalet ndërkombëtare, përfshirë EULEX-in këtu, në Kosovë nuk ka pasur luftë dhe as luftë çlirimtare, por, megjithatë ka pasur krime lufte (sic.).
Nuk është aq e çuditshme se si deklarimi i tillë i Thaçit nuk i çuditi fort qytetarët e Kosovës. Mbase, duke pasur parasysh dallaveret e tij të panumërta të pasluftës, njerëzit nuk befasohen nga qëndrime të tilla super meskine ose, madje, ka edhe jo pak të tillë të cilët, në fakt, edhe e besojnë Thaçin teksa thotë se ishte larg fronteve të luftës! Me këso tërheqjesh edhe taktike edhe konceptuale, thjesht, nuk po mbetet kush prej personaliteteve të njohura politike qeveritare e afër qeveritare që ka qenë me gjithë mend UÇK. Të gjithë ata po tërhiqen dhe, në njëfarë mënyre, në UÇK po mbeten vetëm dëshmorët e kombit. Duke pasur parasysh bëmat e pasluftës së shumicës dërrmuese të këtyre komandantëve të luftës, mbase UÇK-ja mund të shpëtohet pikërisht dhe vetëm përmes dëshmorëve të kombit.