Nga Rasim Bebo/
Është vazhdimi i konjukturës së Enver Hoxhës dhe i miqve të tij të jashtëm, që figura të shquara historike të kombit tonë të lihen në harresë e mospërfillje të plotë. Kjo që ndodh në Shqipëri, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ndjej respekt për Prof. Fritz Radovanin, që e atakon vazhdimisht këtë konjukturë, por goditjet e tij bien në veshë të shurdhër. Të parët, me komisar M. Popoviçin dhe të dytët me komisarë Ajatollahët, i sulen popullit të futur në një shtrungë (vathë) duke e rrethuar me qen të armatosur e të jargëvarur, ose i ndjekin shqiptarët për shpopullim, ose duke qenë të uritur, i përdorin për majmunëri votimi.
Kaluan 25 vjet “Demokraci“, me një pluralizëm, fillim e mbarim, të përulur para fqinjëve në Veri dhe në Jug. Vetëm disa autorëve të brendshëm e të jashtëm u lënë botime të lira deri në një farë mase. Për gjatë këtij çerek shekulli, a nuk jemi të vonuar, për t’i vendosur bustin dhe emrin e rrugës, Gjeneral TELINIT, të shquar që e vranë shovinistët e Jugut për të rrëmbyer trojet tona. Fill pas çlirimit, Enver Hoxha e fshiu emrin e tij. Pse?… Se u vriste sytë komisarëve të tij figura e ENRIKO TELINIT. Fqinjët jo vetëm kanë shpifur, por e kanë shtrembëruar mizorisht historinë dhe përpiqen të shpërfytyrohet ose të shuhet sensi i vërtetë i historisë. Ata janë manipuluesit dhe përvetësuesit e ngjarjeve, për shkak të prirjes për krenarinë e tyre kombëtare. Ndërsa ne mbetemi në hije. Pse? Dhe kush na e imponon këtë heshtje?… Të gjithë e dinë, por ruhen nga shpata e Demokleut.
Beb Martini thotë: ”Skllavëria jonë vjen nga fakti, se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”. Ne me kryelartësi kombëtare duhet të vendosim BUSTET, që armiqtë tanë i urrejnë, ose i kanë rrëmbyer si të tyret. Sidomos për Gjeneral Enriko Telinin, i cili ndjeu rrezikun e jetës dhe nuk hoqi dorë nga puna fisnike që bënte, për drejtësi mes dy kombeve fqinj. Duke vijuar me figurat e lëna në harresë: GJIN BUA SHPATA, HAXHI MEHMET DALANI, MAZAR DINO, të Çamërisë martire. Me pak fjalë po shkruajmë këtu për këto figura të ndritura nacionaliste.
ENRIKO TELINI, lindi 26-8-1871 vritet 27-8-1923. Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision të posaçëm për të përfunduar vijën e kufirit të lënë përgjysmë nga komisioni pararendës i viteve 1913 – 1914. Kryetar i këtij komisioni u zgjodh pikërisht gjeneral Enriko Telini, i përfaqësisë së qeverisë italiane, sekretar, kapiten Frenk de Limperani, antarë, koloneli anglez Gills dhe koloneli francez Ordion. Përfaqësia shqiptare përbëhej, nga major Bajram Fevziu dhe Dhimitër Berati, kurse pala greke, nga nenkolonel Boçaris dhe av. Modhi. Pala Jugosllave, gjeneral Pavlloviç dhe kolonel Stojanoviç
Më 28 maj 1923, ky komision ndërkombëtar u mblodh në Korçë për të caktuar kufirin Jugor. Greku, Boçaris, i shkaktoi gjeneral Telinit kokëçarje të pandërprera. Madje poterja e tij shoqërohej edhe me dhunë, që Korçën ta kalonin nën Greqinë, 50 andartë grekë u dyndën me forcë brenda ndërtesës ku qëndronte K. K. (komisioni i kontrollit) kufitar në Korçë. Gjeneral Telini, i vetëm i flaku andartët jashtë ndërtesës. Të 14 fshatrat e Devollit të shpallur “zonë asnjanëse” nga K. K. që më 1913, i shënoi brenda kufirit të shtetit shqiptar. Pati mjaft probleme të shkaktuara nga Boçaris gjatë vijës së kufirit nëpër kurrizin e vargmalit Gramoz – Belsh – Kamnik. Pala greke u suall shumë keq pranë fshatrave Pobickë e Radat. Andartët grekë detyronin popullin të thonin “Rroftë Greqia, jemi grekë!” etj”. Telini e zgjidhte autoktoninë në këto zona, me fëmijët e shkollave, duke u hedhur monedha metalike dhe kur ata shtyheshin për t’i mbledhur dhe flisnin në gjuhën e tyre shqip, ato territore i fuste brenda kufirit shqiptar. Telini synonte të shtrinte vijën e kufirit nëpër zallin e lumit Kalama, duke lënë kështu brenda kufirit të shtetit shqiptar tërë Çamërinë veriore, me Filatin dhe masivin malor në lindje të tij, Shtungarë, Murganë, Vigël, masiv që kishte nën vete Janinën, Korfuzin dhe tërë ujdhesat pranë tij. Në kushte të tilla, Greqisë i mbeteshin dy rrugë: Të linin Janinën, Korfuzin dhe tërë ujdhesat Jonike nën shtetin shqiptar, ose, në këmbim të masivit në fjalë, t’i kthenin Shqipërisë Çamërinë e mesme dhe jugore, deri në gjirin e Prevezës. (I. H)
Pas një pune disa mujore për përcaktimin e mëtejshëm të vijës së kufirit, duke lëvizur nga ana e mbikëqyrur prej grekëve, ku kishte vendosur shtabin e vet në Janinë, ende pa filluar mirë punën, ata i shtuan me shume shqetësimet kundër K. K. sipas mënyrës së njohur greke, fshehtësisht, pabesisht dhe barbarisht. Boçarisi për të plotësuar pretendimet greke, përdori qëndrim kërcënues dhe sulmues. Për këtë sjellje të pa pranueshme Telini sinjalizoi Konferencën e Ambasadorëve. Në mëngjesin e 27 gushtit 1923, Komisioni i Kontrollit u nis nga Janina për në Kakavie me këtë renditje: i pari lëvizi automjeti i përfaqësisë greke me nënkolonel Boçarisin, i dyti automjeti i përfaqësisë shqiptare i kryesuar nga Dhimitër Berati, i treti lëvizi ai i gjeneral Telinit. Me të arrritur në Devinaq, papritmas automjeti i përfaqësisë greke “gjoja u prish” dhe ndali për të “ndrequr”defektin. Gracka, që masakroi gjeneral Telinin dhe shoqëruesit e vet, ishte ngritur në një bërryl të mprehtë, poshtë majës 470 m, në vendin e quajtur Zhepë, ndërmjet Delvinaqit dhe fshatit Arinishtë, 8 km. përtej Kakavisë. Me të kaluar automjeti i përfaqësisë shqiptare, vrasësit, ushtarë gjoja “sharrëtarë”, zunë rrugën duke rrokullisur trungje të trashë lisash. Automjeti i gjeneral Telinit ndaloi. Shoferi italian Farneti dhe përkthyesi shqiptar Thanas Gjezi, zbritën për të hapur rrugën, por ranë për tokë nga breshëria e plumbave. Pa arritur të dilte nga automjeti, u vra doktori, major Kortini dhe toger Bonacini. Gjeneral Telini mundi të zbriste nga automjeti, por u shtri përtokë pa frymë me revole në dorë. Ishte ora 9:10 minuta e datë 27 gusht 1923. Kurse grekët njoftimin në Janinë, e dhanë në orën 14:00. Shkruan Fletorja “Tomori’ dhe Fletoria “Politika”. Konsulli Italian në Janinë Leverani, u njoftua pas orës 15:00. Leverani njoftoi urgjentisht ministrin e jashtëm dhe kryeministrin Benito Musolini. Në fletoren “Koha e Re” dhe në fletoren “IL giornale d’Italia” thuhet se “Vrasja e gjeneral Enriko Telinit dhe shoqëruesve të tij është bërë me urdhër të Komitetit Epirot që gjëndet në Korfuz”.
Si masë ndëshkuese, qeveria Italiane, nëpërmjet ministrit të saj në Athinë, Montana, në orën 3:30 të datës 28 gusht 1923 i paraqiti në mënyrë të prerë qeverisë greke 7 kërkesa. (Fletore “Shqiptari i Amerikes” nr. 46). Qeveria greke nuk ua vuri veshin kërkesave të qeverisë Italiane. Kjo bëri që qeveria italiane në mëngjesin e po asaj dite, të urdhëronte veprimet luftarake. Një skuadër anijesh luftarake, pas një bombardimi të rrufeshëm, zuri Korfuzin dhe ishujt përreth. (Fletoria “DIELLI”, Boston, dt. 22-10-1923, f.2).
Këto veprime të rrepta e tronditën pa masë qeverinë greke. Por qeveria greke filloi të ngarkojë me faj qeverinë shqiptare për këtë masakër. Atëherë për të zbuluar fajtorët e vërtetë K. A. ngriti një komision të posaçëm hetimor me në krye kolonelin Japonez të drejtësisë, Shiboja. Me te arritur ky komision në vendvrasjen e gjeneral Telinit dhe shoqëruesve të tij, koloneli Japonez Shiboja nxori koburen dhe shtiu në ajër dy herë. Ushtarët e njësisë greke që ishin vendosur atje afër, brenda pak minutave u gjendën aty dhe rrethuan komisionin. Atëherë koloneli Japonez tha: “Hetimi mbaroi”. Kur pjesëtarët e tjerë të habitur e pyetën, ai u përgjigj: “Kur krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra qitjesh pushkësh nuk janë dëgjuar prej tyre?”
Kolë Tromara, ish kryetari i “Vatrës” në Amerikë, në këtë kohë ishte prefekti i Gjirokastrës, mundi të zbulojë masakrën e “Zhepës”. Komandanti i kufirit, Kosta Bidoshi, likuidoi plotësisht bandën prej 24 vetash dhe kryetarit të bandës iu gjet në xhep ora e florinjtë e gjeneral Telinit, të cilën e njohën menjëherë vartësit e tij. (Prof. Stavro Skendi “Krahu i Shqiponjës” janar 1977, USA
Pra, presim nga shteti dhe qeveria shqiptare, që për të larë këtë njollë krimi me përmasa ndërkombëtare dhe turpin kombëtar, të vendoset busti dhe emri i rrugës së Gjeneral Enriko Telinit siç ishte në kohën e Zogut.
Kryezoti çam Gjin Bua Shpata. Aty nga fundi i shek. XIII-të në Epir filloi të shquhet familja fisnike SHPATA. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt, si aristokratët më në zë të Shqipërisë. Noli shkruan: “Jan i VI –të Kontekuzeni, perandor bizant, në veprën e tij ka shkruar për konfliktet direkt me shqiptarët, ndërmjet viteve1320-1362, bashkë me historian të tjerë si Laoniku, Dukas, Franza etj, ata tregojnë: “Shqiptarët ishin forca kryesore politike-luftarake e shek. XIV”. Ndikimi i fesë katolike në Shqipëri pas ardhjes së kriqtarëve, dominantëve , venecjanëve, napolitanëve, si kundërveprim ndaj bizantëve dhe serbëve, në shek XV-të, kishte 18 peshkopata të ritit latin. Kjo luajti një rol të madh për kombin shqiptar, si komb i shpërndarë që u bashkua dhe u lidh me botën e krishtere evropiane. Në këtë kohë përqafohet katolicizmi nga Shpatajt e Çamërisë, dhe Zenebishët e Girokastrës.”
Historiani Laoniku thotë: “Shqiptarët nën udhëheqjen e Gjin Bua Shpatës, marshuan drejt lindjes, nënshtruan Thesalinë dhe një pjesë të Maqedonisë, sulmuan Akarnaninë, kapën dhe vranë sundimtarin e saj Isakun”. Laoniku tregon për Shpatën: “Ky është një burrë udhëheqës, që dallohet për vrullin, guximin. Vrau sundimtarin Isak dhe marshoi përpara, rrethoi dhe mori Artën dhe Akarnaninë”. Në vitin 1355 caktohet despot i Epirit bizantinasi Nikofori i II-të. Mbasi pushtoi krahinat të Etolise dhe të Thesalisë, në saje të ushtrisë së madhe, të përbërë nga forcat bizantine, greke dhe mercenarë turq. Më vonë pas tre vjetësh, në verën e vitit 1358, në vendin e quajtur Aspropotam (Akeloos) u bë beteja ndërmjet shqiptarëve dhe Nikoforit të II-të, Engjellit, e cila përfundoi me shpartallimin e plotë të forcave bizantine, ku gjeti vdekjen edhe vetë Nikofori i II-të. Sipas një proverbi frëng thuhet: “Udhëheqësi i vrarë, beteja e përfunduar”. “Kjo fitore rriti autoritetin e shqiptarëve, ata në shek XIV u bënë sundimtarë kryesorë të Etolisë dhe Epirit”. (historianët Pukëvil dhe Komnen, “Burimet byzantine”,f. 23.) Në Janinë u vendos despotati serb, Thoma Preluboviçi (1367-1385), djali i Qezarit, Prelubi, qeveritar i Thesalisë u vra nga shqiptarët me 1355. Thomai ishte një “albanitokton“ (shqiptar vrasës). Poshtërsia e tij, arrinte deri aty, sa nxirrte sytë e shqiptarëve, i fuste në një shportë dhe ai dërgonte Shpatës.
Fan Noli shkruan: “Më 1379, pikërisht kur kryezoti gegë, Gjergj Balsha ndihmonte boshnjakët në Banat, kryezoti Çam Gjin Bue Shpata, shkatërroi përpara Nartës ushtritë e bashkuara të serbëve, grekëve, napolitanëve dhe bizantëve, duke siguruar despotatin e tij deri sa vdiq në vitin 1400. Mënyra se si u fitua beteja e Nartës, është për të theksuar, se kjo mënyrë u përsërit disa herë prej Skënderbeut në rrethimin e Krujes. Gjin Bue Shpata i la ushtritë armike të rrethonin kryeqytetin e tij dhe vetë qëndroi jashtë. Pasi u lodhën kundërshtarët nga rrethimi i gjatë, nga goditjet e papritura dhe të vazhdueshme nga jashtë dhe sulmet e të rrethuarve nga brenda kështjellës, ai u ra përsipër si rrufe dhe i shprtalloi krejt, duke zënë rob Kryekomandantin e tyre të ekspeditës anzhuine. Huan Fernandes Heredia. Kjo fitore e madhe rriti autoritetin dhe prestigjin e Shpatajve Shqiptarë. Në këtë kohë, vritet despoti i Janinës dhe vendin e tij e zuri Izoul Buadelmonti, me origjine italiane. Në vitin 1390 ai përgatiti një ushtri dhe sulmoi Gjin Bua Shpatën. Shqiptarët e kundërgoditën dhe e shpartalluan në panik. Izouli u përgatit prap për betejë duke iu drejtua për ndihme Sulltan Bajazitit të I-rë. Kështu vazhduan disa beteja të udhëhequra nga komandantë të zotë, si Timurdashi, Melkushi, nga serbi Jan Uroshi dhe napolitani Karl Doko, të cilët i erdhën në ndihmë Despotit të Janinës. Shqiptarët të udhëhequr nga Gjin Bue Shpata, kanë qenë të papërkulur dhe i thyen pa mëshirë. (Nga historiaët Komnen – Prokëll). Sulltani i dërgoi Despotit Izoul një nga komandantët më të zot, Evrenozin, me një ushtri të konsiderueshme, në vitin 1396. Gjin Bua Shpata u informua për lëvizjet e kundërshtarit, i priti në pozicionet “Drisko” Evrenozi dhe Jashi (Oficer madhorë turk), pasi pësuan humbje të mëdha, u tërhoqën me turp. (“Burimet byzantine”, f. 24). Përsëri Izouli sulmoi shqiptarët. Beteja u zhvillua në Mesopotam afër Delvinës, më 9 prill 1399. Shqiptarët u mbrojtën dhe u hodhën në sulm me trimëri, duke zënë rob vetë Izoulin dhe arhondët e tij. Robert Izoulin, e lëshuan kundrejt shpërblimit prej 10.000 florinj. Më 29 tetor1399, vdiq Despoti Gjin Bua Shpata. “Burrë i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë. Vendin e tij zuri i vëllai, Zguro Shpata,“Vëllamëri” bashkësundimtarë. Një vit më vonë, i biri i Gjin Bua Shpatës, Maurik Shpata, pushtoi Janinën dhe e mbajti deri ne vitin 1418. Këtu merr fund sundimi i Shpatajve, që zgjati 60 vjet, në luftë të përgjakshme me armiqtë më të mëdhenj të kohës. Në një kronikë të “Tokove” janë shkruar 3924 vargje, ka mjaftë të dhëna me rёndësi për shqiptarët në Epir… Shpatajt, burra të dëgjuar, të pashëm dhe trima. (Kronika, f. 44-56). Fan Noli shkruan: “Kur u përmbysën Balshajt dhe Shpatajt, të tjerë kapedanë shqiptarë zunë vendin e tyre, kapën flamurin e lirisë që u ra nga dora dhe u radhiten t’u bënin ballë sulmeve turke”. (“Historia e Skënderbeut”, bot. 1949, f. 6-22), “ Niko Boxhori “Kronika e Tokove”, 3924 vargje).
Zotërinj deputetë të elektoratit Çam! Bëni monumentin e tij, për të lënë emër të mirë pas. Është kryelartësi për kombit Shqiptarë në veçanti për Çamërinë.
LEGJENDARI HAXHI MEHMET DALANI (1775-1828), biri i Çamërisë nga Konispoli – Heroi i Libanit dhe i Kretës. Shkrimtari i madh grek, Niko Kazanzaqi, i rrëmbeu kombësinë bashkë me emrin dhe e quan atë grek, si pa gjë të keq, e nuk ka kush t’i thotë ndal. Kazanzaqi i kushton librin voluminoz “Ja vdekje ja liri” Por autori i ndryshoi këtij personazhi madhor emrin dhe kombësinë, nga Mehmet, në Mihal dhe nga shqiptar në grek. Zakoni grek ky: I pabësë, gënjeshtar, rrëmbyes, vjedhës, vrasës dhe zhdukës. Ndërsa, udhëheqësi i revolucionit grek, Dhimitër Ipsilanti, u drejtohej figurave të spikatura të Çamërisë: “Shumë të nderuar kurajozë kryetarë: Dalani, Çapari dhe Pronjo si dhe gjithë Çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falënderojmë. Dhe tani, duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë. (J. Filimennos, Dokimion historiku epirot Elenikis Epanast…1858).
Haxhi Mehmet Dalani i Konispolit, vlerësohet si heroi i Kretës. Sipas dokumenteve arkivore të dijetarit anglez William Martin Lik dhe Pukëvili, në botimet e tyre përmendet: “Mehmet Dalani i Konispolit” si një nga krerët e Çamërisë, që ishin kundër pashallëkut të Janinës. Ky me Islam Pronjon e Paramithisë, me 1500 çamë marshuan drejt maleve të Sulit, ndihmuan suljotët të dilnin nga rrethim i Pashait të Janinës. Pukëvili shkruan në vëllimin e III, f. 212: “Shqiptarët duket se janë destinuar të mbulojnë Helladën, me një popullsi superiore në fuqi dhe gjallëri, kundrejt grekëve, të cilët po shuhen pak nga pak”
Haxhi Mehmet Dalani shkoi në ndihmë të kryengritjes “grekë”, në krye të 800 kalorësve nga qyteti dhe krahina e Konispolit, me kuaj të fortë e të shpejtë që rriteshin në fushën e Vrinës. (Emri Konispol, vjen nga sllavishtja Konj – polja, fusha e kuajve, shën im). Në vitin 1826, guvernatori i Libanit, Hamit Bekiri, bëri thirrje për ndihmë të gjithë atyre që luftonin kundër Turqisë. Ndër të parët që arritën deri në Bejrut, Ishte Haxhi Mehmet Dalani me 800 kaloresit e tij dhe me tre anije, të cilët luftuan me trimëri bashkë me forcat e Hamit Bekirit. Heroizmi i Dalanit u përjetësua në librat dhe në folklorin e Libanit. Ai u kthye prapë në Greqi me kalorësit e tij, sipas thirrjes së kryeministrit grek Kapodistria.
Av.Hajri Zejno shkruan: “Haxhi Mehmet Dalani, grumbulloi djem çam të krahinës së Konispolit në lulen e trimërisë, u nisën për luftë në Kretë, kundra forcave turke me të 800 kaloresit, dhe u bashkua me forcat e vendit që arrinin në 2000 veta, për të luftuar kundër armatës turke prej 8000 ushtarësh. Në kështjellën Frangokastello, gjeti vendin e përshtatshëm nga ku do të luftonte. Brenda në kështjellë kishte njerëz të uritur, të sëmurë, pleq, gra, fëmijë të pafajshëm. Para kësaj gjendjeje, Haxhi Mehmeti u ngrit në këmbë e deklaroi: “Ne na duhet bukë, na duhen armë, e vetmja pasuri që kemi është urrejtja shekullore kundër robërisë”. “Beteja ishte shumë e ashpër në këtë kështjellë të ndërtuar në kohën e venecianëve. Osmanëve u kushtoi mbi 3000 të vrarë dhe shumë të plagosur. Dalani qëndroi heroikisht deri në momentin e fundit, gati vetëm. I propozuan të dorëzohej, me kusht që t’i falnin jetёn, por ai nuk pranoi. Në një çast, kur beteja e pabarabartë qe thërrmuar e copëtuar drejt fundit, u gjend i rrethuar sy më sy nga 400 osmanë të tërbuar. Kapedani legjendar luftoi deri sa u vra. “I prenë kokën, por lavdia mbeti te i zoti, të cilit ia mban peng historia. Mes tymit e gjakut që mbulonte ngado muret e kështjellës, shqiptarët dëgjuan se mbetën pa komandantin e tyre, por mohuan ftesën për dorëzim e falje. Luftuan si të hidhnin vallen e fundit konispolate të Osman Takës dhe u vranë të gjithë me dritë lirie në sy”. (Agim Shehu).
Shkrimtarja greke, Kleopatra Prifti, nga ishulli i Kretës, shkruan: “Në Hajna të Kretës, në qendër të qytetit, është një rrugë që mban emrin Haxhi Mihal Dalani…shqiptari që dha jetën për lirinë tonë”. Në qendër të Kretës, në Greqi, është ngritur prej shumë kohësh një bust i veçantë i një luftëtari të shquar në të cilin është shkruar në gjuhën greke. “Strategu Haxhi Dalani nga Konispoli (Epiru) rënë në maj 1828”. Vallë, a nuk duhet të vendoset një bust në Konispol, edhe për të sfiduar grekët e pabesë?!…
MAZAR DINO.
Vëllezërit Nuri dhe Mazar Dino, janë patriotë dhe atdhetarë të shquar të lëvizjes për bashkimin kombëtar, pjesёmarrës dhe firmëtarë në shumë peticione e memorandume dërguar qeverisë greke për të drejtat e munguara të shqiptarëve të Çamërisë. Ata luajtën rol tepër patriotik në kohët më të vështira të Çamërisë, ndihmuan e ndërgjegjësuan me logjistikë, komunitetin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë marrëveshjes së Lozanës, ku rrezikohej boshatisja e Çamërisë nga popullsia e saj, ku autoritetet greke të kohës, me anë të presioneve nga më çnjerëzoret, detyronin popullsinë vendase të braktiste trojet e saj për në Turqi.
Mazar Dino, jetoi prej vitit 1932 në Magnezi të Turqisë, vizitonte shpesh atdheun e tij. Me fillimin e pushtimit Italian (maj 1941 u vendos i ligjshëm në Paramithi, si udhëheqës politik suprem në Çamëri. (V. Krapsiti) Grupimi nacionalist, i cili vepronte në Çamëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si platformë të tij, kishte “Bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë”. Në dokumentet gjermane Nuri dhe Mazar Dino figurojnë si udhëheqës të forcave çame për vetëmbrojtjen e tokave të Çamërisë. Detyra e vetme e tyre, ka qenë mbajtja e rregullit dhe qetësisë në funksionin administrativ dhe ruajtja e popullsisë çame nga ndëshkimet e grekëve. (Niko Stilos)
Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore luajti rol të rëndësishëm edhe lëvizja e
nacionalistëve çame, të cilët aspironin hapur bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes. Në krye të Këshillit për anën politike – administrative u zgjodh Mazar Dino, kurse nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm dhe drejtues i mbrojtjes së rendit u zgjodh i vëllai i tij, Nuri Dino. Këshilli Krahinor kryente në një farë mënyre detyrat e qeverisjes, siç ishin mbajtja e rregullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, hapja e shkollave etj.
Marrëveshja e Libanit më 22 maj 1944 dhe më vonë marrëveshja e Kasertas më 26 shtator 1944, lejuan Zervën të kishte nën kontroll Epirin nga Preveza e lartë. Kështu fati i Çamërisë mbeti plotësisht në Duart e Zervës. Në këtë kohë, i vëllai i Mazarit, Nuri Dino i bëri një letër Shefqet Peçit, të cilit i bënte thirrje në emër të nacionalizmit: “Mjaft u bëmë heronj e dëshmorë duke luftuar njëri- tjetrin. Ka ardhur koha të bashkohemi për hir të Shqiperisë”.
Në Çamëri, myftinjtë ishin të vetmit përfaqësues të komunitetit çam në shtetin grek, këta ishin nëpunës civil grekë, sipas një përfaqësuesi shqiptar, Myftiu merrte një rrogë prej 18000 dhrahmi (Rrogë shumë e madhe, shën. im) nga autoritet helenike. Këta u kthyen në agjentë të mundshëm, të bashkëpunimit me shtetin grek që prej viteve ‘20. Një numër korrespodentë në rrethet patriotike shqiptare, akuzonin elitën e myftinjve për informacione keqdashëse, se gjoja çamët dëshironin të shkëmbeheshin dhe të emigronin në Turqi, se atje do të merrnin pallate dhe do të bëheshin shumë të pasur, ndërsa po të qëndronin këtu, do të vriteshin nga greku. (“Zëri i Çamërisë” nga Georgia Kretski , mars 2015).
Për të mënjanuar rrezikun zervist, që i kanosej Çamërisë, dhe për të realizuar aspiratat e tjera të tyre, nacionalistët çamë bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut. Nuri Dino, si përfaqësues i Këshillit i paraqiti Shtabit Aleat kërkesën që edhe fuqia e kryesuar prej tij, të vihej në krah të Lidhjes, me kusht që kjo lidhje të bëhej dorëzënëse për të ardhmen e Çamërisë. Sipas raporteve, gjermanët vërenin se ky grup (nacionalistët) ishte gati të lidhej me këdo, mjaft që të arrinte të bashkonte Çamërinë me Shqipërinë.
I ndodhur përpara masakrave çnjerëzore të gjeneral Zervës kundër popullsisë civile, Nuri Dino, si përfaqësues i Këshillit, parashtroi para tij kërkesën për dëbimin e pakicës grek- folëse brenda shtetit shqiptar dhe vendosjen në fshatrat e tyre të çamëve mysliman, që ndodheshin në shtetin grekë, por ky propozim i tij nuk u mor parasysh. Këshilli ishte njoftuar për grackën e përgatitur nga grekët, pasi Zerva kishte thënë: “Çamërve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë, që të mos na ikin nga duart, derisa të zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur si në vathë, jo vetëm nga njerëzit që nuk do lëmë njeri në këmbë, po do të shkojmë në thikë edhe macet e tyre”. Brenda datës 10 qershor 1944, erdhën shumë informata që njoftonin, se grekët u afruan tek dera dhe kanë vendosur të na shuajnë.
U vendosën dy kundërshtarët kryesorë: Myftitë, Hasan Abdullahu, Sali Hafizi, Hafiz Abdulla Himi, Abedin Dako etj, që ngulmonin për të mos u shpërngulur dhe Mazar Dino, nga ana tjetër, që këshillonte zhvendosjen përkohësisht, të paktën në fshatrat më në thellësi dhe të mbrojtur, si Mazreku, Kurtesi etj. Meqë askush nuk lëshoi pe, Mazari u tha: -Ju, bëni haptazi punën e grekut, por një punë edhe më të rrezikshme, që s’e bëjnë as vetë grekët. Myftiu iu përgjigj: -Ti, po e pe keq, kërcet e ikën, po populli s’ka nga vete. Kam 31 vjet që kam vazhduar këtë udhë vetëm dhe vetëm për të shpëtuar njerëzit nga therja dhe zhdukja. Këshilli arrestoi Myftinë dhe disa nga mbështetësit e tij më të rëndësishëm në tërë Çamërinë, si: Qazim Rexhepi nga Paramithia, Isuf Izeti nga Varfanji, Shuaip Mete nga Filait etj. Pati ndërhyrje te komandanti gjerman, i cili detyroi këshillin t’i lëshonte të burgosurit. Çdo ditë që kalonte, mendimet për të ikur shtoheshin dhe për të ndaluar shpërnguljen u Përdor dinakëria greke. U ftuan në takim myftiu i Paramethisë Hasan Abdullai, Sali Hafëzi dhe Qazim Rexhepi. Takimi u bë në fshatin Popovë, afër Paramithisë. Pala greke kryesohej nga Lefter Shtrungari dhe dy oficer anglezë, që bashkëvepronin me Zervën. Se çfarë u tha, nuk u bë e njohur asgjë, vetëm përflitej për kërkesat e palës greke si: Njerëzia të mos ikë! Ju japim fjalën e nderit, se nuk preket kush as me një lule. Myftitë, si agjenta grekë, besuan në “fjalën e nderit” të tyre, por Mazari u tha: “Në qafë paçi veten! Por ç’faj kanë të tjerët”. Kur u pa se forcat zerviste po afroheshin, luftëtarët e batalionit kishin zënë pozicionet e luftimi dhe kishte filluar lufta në disa pika. Në këtë moment, myftinjtë me peshkop Dorothenë e Paramithisë shkuan në pozicjonet e luftëtarëve për të ndaluar rezistencën. Fjala e Myftive ka qënë vulë zbatimi, urdhër: “Ndaloni luftën në emërin tim dhe të Zotit, duam paqen, na kanë dhënë fjalën e nderit, do jetojmë në vllazëri, largohuni nga pozicionet shkoni në shtëpi”. Në dilemën e luftëtarëve, midis Myftinjve dhe Mazar e Nuri Dinos, fitoi besimi nga miopia e myslimanëve çam, te myftinjtë dhe të pabesët, ku dominonte paraja, korupsioni, që pas disa orëve do t’u pritej koka. Te “Masakra”, Pukëvili, thotë “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë ashtu si i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet”.
Mazar Dino në fillim të vitit 1945, ishte kthyer nga Jugosllavia. Meqenëse shumë shqiptarëve u kishte shpëtuar jetën dhe ishte mik personal me Dr. Omer Nishanin, i vajti atij në shtëpi për ta ndihmuar, që të mos i bënte gjë Enver Hoxha. Dr. Omer Nishani u tregua burrë dhe i tha: “Nuk të ndihmoj dot në këtë situatë të rëndë që është krijuar. Më mirë largohu nga Shqipëria”. Por Mazari kishte shkuar te miku i tij Isuf Musaj në Shijak dhe në banesën e tij e arrestuan. Në kohën që Mazarin po e çonin për ta varur te rrapi në Delvinë, rrugës i binin me domate, me vezë, me sharje nga më të poshtrat. Pra, një opinion i organizuar me një dezinformim për “tradhtarin” Mazar Dino. Në kohën para varjes ai tha:”Nuk më vjen keq që më ekzekutojnë vëllezërit e mi shqiptarë. Të më vriste greku do të më vinte shumë herë më keq” Mazari nuk pranoi t’i mbulonin sytë dhe t’i hiqnin stolin nga këmbët, por e hoqi vetë duke i rënë me këmbë. Mazar Dino u ekzekutua në shtator të vitit 1945.
Ashtu si edhe në momentet më të vështira për kombin shqiptar edhe gjatë Luftёs së Dytë Botërore, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë anёtarët e familjes Dino. Të ndodhur përball dy rreziqeve, shovinizmit grekë dhe Myftinjve tradhtarë të Paramithisë dhe nazi – fashizmit nga ana tjetër, ata u përpoqën që me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme, t’i shërbejnë vendit të tyre. Si interes të tyre primar kishin vendosur gjithmonë çështjen kombëtare dhe për këtë zgjedhje të tyre, ata shpesh herë edhe pa të drejtë janë cilësuar si tradhtarë e bashkëpunëtor me pushtuesin. “Bashkëpunimi i tyre në momente të caktuara me italianët dhe gjermanët e kishte burimin në shtypjen e rëndë nacionale nga shteti grek. Por si mund të cilësohet tradhtar dikush, që mbi gjithçka vendos kombin e lirinë e vendit të vetë, të cilën mundohet ta fitojë me çdo mënyrë. Në qoftë se këta persona i quajmë tradhtar atëherë ç’emër mund t’u vinim tradhtarëve të vërtet”. (Fatbardha Demi).
Rasim Bebo, Addison Çikago