-Në Zym të Hasit, zonë e kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, mbahen “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare/-Presidenti Thaçi: Hasi dhe Zymi, emblema të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. At Shtjefën Gjeçovi ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës/
-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
ZYM, 14 Tetor 2017/ Në Zym të Hasit, zonë kufitare me Shqipërinë në rajonin e Prizrenit, u përmbyllën sot veprimtaritë treditore “Takimet e Gjeçovit”, në edicionin e 46-të të këtij manifestimi tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare. Sot, pjesëmarrës në maniifestim ishte edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.“Hasi dhe Zymi janë emblema të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, vlerësoi ai.Presidenti i Kosovës tha se është i nderuar që merr pjesë në manifestimin kulturor tradicional “Takimet e Gjeçovit” këtu në Zymin legjendar, në këtë vendbanim emblematik të Hasit.“Jam në Hasin e besës, bujarisë dhe sakrificës në të gjitha periudhat e historisë së Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.Ai tha se Zymi ka një histori të veçantë, ngase ky emër lidhet me punën e palodhshme të patriotit të shquar të fazës së vonë të Rilindjes Kombëtare, me emrin e Shtjefën Gjeçovit.“Një intelektual me mendje të rrallë, At Shjefën Gjeçovi ishte figurë poliedrike: arkeolog, etnograf, mbledhës i folklorit, autor i disa librave e mbi të gjitha mbledhës dhe sistemues i ‘Kanunit të Lekë Dukagjinit’, i kësaj kryevepre, që njihet si kod juridik dhe zakonor i shqiptarëve për një kohë të gjatë”, u shpreh Thaçi.
Presidenti i Kosovës shtoi se At Shtjefën Gjeçovi i përket plejadës së patriotëve më të shquar të tre dekadave të fillimit të shekullit njëzet.“At Shtjefën Gjeçovi ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës. Prandaj idetë e tij përparimtare për unitetin kombëtar pavarësisht bindjeve fetare, përhapja e librit shqip, lidhjet me intelektualët dhe patriotët e kohës, bënë që ai një ditë vritet në pritë nga qarqet antishqiptare, në vitin 1929”, theksoi presidenti kosovar.Thaçi tha se Zymi i Hasit njihet si vend me natyrë të egër, por edhe si vend nga ku dolën figura të mëdha kombëtare si Pjetër Bogdani, Katarina Josipi, Anton Pashku dhe shumë intelektualë që me veprën e tyre ndikuan në emancipimin e këtyre viseve.“Hasi i figurave madhore historike, kulturore e kombëtare hapi një kapitull të ndritur në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hasjanët nuk hezituan asnjë çast t’i bashkohen luftës çlirimtare”, theksoi presidenti Thaçi, duke shtuar faktin se Hasi ishte arteria kryesore për sjelljen e armatimit në Kosovë, por edhe të luftëtarëve të lirisë.“Hasi ishte fushëbeteja e luftërave të mëdha. Hasi ishte kjo arenë e fushëbetejave që nxiti edhe komunitetin ndërkombëtarë të mendoj seriozisht për Kosovën”, shtoi Thaçi, ndërsa theksoi se, “sot, përballë bjeshkëve të Pashtrikut legjendar, kujtojmë me respekt dhe përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Hasit të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.Ai falënderoi të gjithë banorët e Hasit për kujdesin dhe përkrahjen e treguar për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“Dëshiroj që edhe në rrafshin personal, edhe në atë institucional, t’ju falënderoj secilin prej jush, çdo familje këtu, që jeni kujdesur për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i hapët shtëpitë, u treguat bujarë, u treguat trima”, u shpreh presidenti Thaçi. “Jam vet dëshmitar i përpjekjeve tuaja në fshatin tuaj, në kohë me shi, me borë… ditën, natën… por vullneti, shpresa, optimizmi, guximi juaj në fund fituan mbi represionin e ushtrisë dhe policisë serbe”, theksoi presidenti Thaçi.Presidenti i Kosovës shprehi konsideratë për të gjithë ata intelektualë e veprimtarë që mbajtën të gjallë manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”.Në mesditën e sotme zhvillohet defileu i shoqërive kulturore-artistike nga Hasi: “Katarina Josipi” e Zymit, “Malësori” e Gjonajt, “Muharrem e Xhevat Qenaj” e Romajës, dhe “Pjetër Bogdani” e Krumës, të cilat do shfaqin edhe një program të përbashkët.Manifestimi vijon me shënimin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Anton Pashku, me orën letrare që mban emrin e tij, ku lexojnë 15 poetë nga viset etnike shqiptare. Anton Pashku lindi në 8 janar të vitit vitin 1937 në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit. Vdiq në Prishtinë dhe u varros në vendlindje, në 31 tetor 1995.
Para se të përmbyllen “Takimet e Gjeçovit” me Mikpritjen Zymjane bëhet ndarja e katër çmimeve tradicionale: Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, Plaketa “Pena e Shtjefën Gjeçovit”, Plaketa “Pena e Anton Pashkut” dhe “Unaza e Katarina Josipit”.Gjatë dy ditëve të kaluara në “Takimet e Gjeçovit 2017” poashtu ishte Mikpritja Zymjane dhe u bënë vizita monumenteve të kulturës në Zym të Hasit. Sipas axhendës së organizatorëve, 12 tetori ishte “Dita e bukës zymjane” me tribunën shkencore “Furrëtaria dje e sot”, me Panairin e ushqimeve dhe veshjeve tradicionale, me ekspozitë artistësh shqiptarë nga trevat etnike e diaspora, me promovimin e tre librave – “Veshjet në Zym të Hasit” e autorit Frrok Kristaj, “Copëza jete” e Arbnora Kolgjerajt dhe “Fjala e mekur” e Nikollë Kërhanajt, me dhënien e çmimeve “Amfora ilire”, ndërsa 13 tetori ishte dita e tryezës së rrumbullakët me temën “Trashëgimia kanunore te shqiptarët” dhe me promovimin e veprës së Ramazan Bogdanit “Folklori koreografik i Hasit”.
“Takimet e Gjeçovit” mbahen çdo tetor. Në Zym të Hasit të Thatë, më 14 tetor të vitit 1929, nga okupatorët serbë u vra prifti i devotshem, arkeologu, etnografi, shkrimtari, dramaturgu, speleologu, përkthyesi, pedagogu e atdhetari i spikatur Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi – Kryeziu, të cilin zymjanët e varrosën në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj të Hasit. Kjo figurë poliedrike la mbi 75 vepra, duke filluar nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (e mblodhi dhe e kodifikoi Gjeçovi), “Agimi i Gjydetnis”, “Trashegime thrrako-ilirijane” e shumë të tjera, prej të cilave deri më tash i janë botuar rreth 25. Në një nga “Takimet e Gjeçovit”, akademik Mark Krasniqi theksonte se “Zymi dhe në përgjithësi Hasi i kanë dhënë njerëz të mëdhenj kombit, kurse Gjeçovi, pas Ungjillit, në rend të ditës kishte çështjen kombëtare, duke marrë pjesë edhe vetë si luftëtar me armë në dorë në luftën e Vlorës më 1920”.