Turizem- Kruja – Një paketë e plotë turistike; eksplorim në histori dhe natyrë
Nga Maela Marini/
Intervistë për ATSH-në e drejtorit të Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi –TIRANË, 10 Shkurt- Nëse ju intereson turizmi historik dhe ai i traditës, apo nëse jeni një turist i huaj dhe doni të njiheni me një prej figurave kryesore të historiografisë botërore të shekullit XV-të, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vizitoni Krujën. Muzeu Etnografik i Krujës është unik dhe mund të cilësohet si më i miri në Ballkan.
E vetëshpallur si kryeqyteti historik dhe turistik i vendit, qyteti muze i Krujës të ofron ndjesinë e dykohësisë, mes periudhës së lavdishme të Skënderbeut dhe realitetit të sotëm. Kur viziton Krujën mund të përjetosh një eksplorim të magjishëm të së shkuarës përmes rrugicave të shtruara me kalldrëm, të rrethuara nga ndërtime karakteristike të drunjta dhe të gurta që sjellin elementë të Mesjetës.
Por jo vetëm kaq. Kombinimi i disa llojeve të turizmit si ai historik, kulturor dhe i traditës, por edhe turizmi natyror me Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës vetëm 25 km larg qytetit dhe turizmi religjoz me pelegrinazhin në majën e Sarisalltikut, bëjnë që Kruja të ofrojë një paketë të plotë turistike, ndër më interesantet në Shqipëri.
Qyteti ofron një pjesëz historie në çdo qoshe, madje edhe secili nga krojet prej të cilëve merr emrin Krujë, ka historinë e vetë. Kulinaria ruan traditën e kuzhinës vendase, ndërsa artizanati sjell artin e grave krutane në Pazarin e vjetër të Krujës.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi detajon disa prej arsyeve se përse duhet vizituar Kruja.
Pozicioni i favorshëm gjeografik, afërsia me kryeqytetin (32 km), afërsia me aeroportin (21 km), me Durrësin (41 km), me Malin e Zi (100 km), e bëjnë Krujën një destinacion tërheqës dhe të arritshëm në çdo kohë.
Më poshtë vijon intervista e plotë për ATSH-në:
ATSH: Çfarë përfaqëson Kruja në vetvete?
Hafizi: Kruja është një ndër qytetet më të përmendura në historinë e shqiptarëve, Qytet Hero (1968). Shtrihet në shpatin e malit të Krujës në lartësinë 608 metra mbi nivelin e detit.
Gërmimet arkeologjike pranë qytetit të Krujës dëshmojnë se ka qenë vendbanim ilir që në shekullin e III-të para lindjes së Krishtit.
Në afërsi ndodhet Albanopolisi nga ku vjen origjina e emrit Abania (përmendur nga gjeografi i lashtësisë Ptolemeu). Me braktisjen e këtij qyteti në fillim të Mesjetës, banorët gjetën një vend më të mbrojtur në Krujë, duke marrë kështu për të gjithë krahinën emërtimin si qendër e kulturës arbëreshe, siç e dëshmojnë objektet e një varreze të shekujve VI-VIII.
Kruja përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 879, si një qendër peshkopate. Është qendër e garnizoneve dhe guvernatorëve bizantinë deri në fund të shekullit XII.
Kruja ishte dhe qendër e shtetit të parë feudal shqiptar (Principata e Arbërit, viti 1190).
Qyteti arrin lulëzimin në shekujt XIII-XIV.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, Kruja është kryeqendër e familjes së Topiajve, kohë në të cilën merr zhvillim tregtia dhe zejtaria si edhe ngrihen lagjet më të vjetra. Kruja ishte qendër e epopesë shqiptare shqiptare të shekullit XV-të kundër osmanëve dhe emri i saj bëhet i njohur në gjithë Evropën. Erdhën për ta pushtuar kalanë dy nga sulltanët më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane, Murati II-të dhe Mehmeti II-të.
ATSH: 5 arsye përse një turist i huaj duhet të vizitojë Muzetë e Krujës?
Për tu njohur nga afër me historinë e njërës prej figurave kryesore të historiografisë botërore të shekullit XV-të, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në rast se në botë në shumicën e rasteve ka përshtatje të banesave si muze, Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu është ngritur nga themelet me mendimin për t’u bërë muze, kështu që nga ana funksionale është në perfeksion (forma e Muzeut është shqiponjë në gur ).
Për të parë Muzeun Etnografik më të mirë në Ballkan, ku mënyra e jetesës është shumë mirë e organizuar në një banesë të vitit 1764.
Meqënëse Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu është i konceptuar në trajtë memoriali ku rolin kryesor e luan fjala, kemi bërë kujdesin e duhur për të përmirësuar përmbajtjen e tij me fakte të reja historike.
Do të gjejnë gatishmërinë maksimale për t’u pritur me kulturë dhe profesionalizëm nga një personel i kualifikuar në ambjente të mirëmbajtura, si brenda ashtu edhe jashtë.
ATSH: A ka një rritje të numrit të vizitorëve në Muzetë e Krujës dhe çfarë politikash ndiqni për të nxitur interesin në këtë drejtim?
Hafizi: Numri i vizitorëve nga viti në vit ka patur rritje e cila varion nga 3-5 mijë vizitorë çdo vit. Vetëm në vitin 2015, Muzetë e Krujës janë vizituar nga 98 mijë vizitorë. Kemi bërë përmirësime të vazhdueshme në ambientet e të dy muzeve (si brenda dhe jashtë).
Kemi bërë rinovim të infrastrukturës teknike në Muzeun Etnografik dhe përmirësim të sinjalistikës turistike në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Kolektivi i Muzeve të Krujës asnjëherë nuk i ka parë vizitorët si të rastësishëm. Gatishmërinë që kemi treguar për t’i pritur vizitorët me kulturë dhe duke i shoqëruar në mënyrë profesionale në ambientet e Muzeve e kemi parë si çelësin e suksesit në punën tonë. Ne e dimë se do të kemi vizitorë, sepse kemi punuar mirë dje. Unë e them me bindje se tashmë është krijuar grupi i dashamirësve të Muzeve të Krujës, të cilët na bëjnë reklamë. Neve na mbetet si detyrë të përmirësohemi gjithë kohën dhe të mos i zhgënjejmë.
ATSH: Nëse i referohemi pikërisht turistëve të huaj, që mund të njohin pak ose aspak historinë e Shqipërisë, nga eksperienca juaj, cilat janë faktet historike apo eksponatet që nxisin më tepër interesin e tyre?
Hafizi: Interes të veçantë turistët e huaj tregojnë për përmbajtjen historike të Muzeut Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për objektet e periudhës ilire, por edhe për ato të mesjetës, si edhe për anën funksionale të Muzeut. Ndërsa në Muzeun Etnografik interes të veçantë tregojnë për banesën interesante dhe objektet e shumëllojshme brenda saj.
KrujeInteresante u duket dhe jehona e Skënderbeut në Evropë, ku shumë sheshe dhe rrugë mbajnë emrin e tij, prania e monumentit të Skënderbeut në shumë qytete të Evropës, apo dhe librat, operat, tragjeditë e shkruara nga autorë të njohur të kohës.
ATSH: Ndërthurja e historisë dhe traditës në Krujë e bëjnë atë një destinacion të mirëfilltë turistik. Çfarë mendoni se duhet përmirësuar në këtë drejtim?
Hafizi: Kruja është një destinacion i mirëfilltë turistik për nga vlerat që mbart; zona historike e mbledhur, kalaja me dy Muze Kombëtarë, Pazari karakteristik shumë i veçantë, por edhe pozicioni gjeografik; afërsia me kryeqytetin (32 km), afërsia me aeroportin (21 km), me Durrësin (41 km), me Malin e Zi (100 km).
kruje-pazariAjo që mendoj se duhet përmirësuar është rruga nga Fushë-Kruja në Krujë me të gjithë komponentët e saj. Zgjidhja e problemit te parkingut në qytetin e Krujës. Ushtrimi i sa më shumë zejeve në Pazarin e Vjetër, çka do të ngjallte interesim të veçantë të turistëve si edhe tregtimi sa më pak i objekteve të importit në Pazar.