Në 23 Nëntor 2012 në bashkinë e qytetit Galway të Irlandës u hap ekspozita fotografike “100 Vjet Pavarësi e Shqipërisë”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë komuniteti shqiptar në Galway dhe miq e të ftuar irlandezë.
Hapjen zyrtare të kësaj ceremonie e bëri Z. James Harrold, drejtor i Kulturës dhe Artit pranë Bashkisë së Galway. Në fjalën e tij ai shprehu falënderimet e tij të sinqerta për Ambasadën Shqiptare në Londër për dhurimin e këtyre fotografive që mundësuan hapjen e ekspozitës dhe prezantoi disa momente të historisë së Shqipërisë dhe ngjashmërinë e saj me historinë e Irlandës. Ai falenderoi gjithashtu edhe z. Ndrek Gjini, asistent i artit në drejtorinë e trashëgimisë kulturore pranë kësaj bashkie.
Me pas Nënkryetari i Parlamentit të Irlandës, deputeti Michael Kitt i pranishem në këtë ekspozitë në fjalën e tij u ndal në rrënjët Kelto-Shqiptare si dhe në perspektivën e marrëdhënjeve shumë të mira midis dy vendeve. Anëtari i bordit të drejtorëve të shoqatës “Miqtë Irlandezë të Shqipërisë ” z. Samir Beganji prezantoi historinë e Shqipërisë dhe veprimtaritë festive të organizuara me rastin e festës së Pavarësisë si dhe falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Nënkryetari i bashkise Fank Fahy vuri në dukje kontributin e vyer të shqiptarëve në qytetin Galway.
Në këtë ceremoni përshëndeti edhe doktor Jack McCann President i Shoqatës, Miqtë Irlandezë të Shqipërisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj. Drejtori i trashëgimisë kulturore të kësaj bashkie Dr. Jim Hiins propozoi që kjo ekspozitë të hapet më pas edhe në qytete të tjera të Irlandës.