Delegacioni nga shteti Iowa i SHBA në Kosovë
Ministri i Punëve i Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami do të presin në takim delegacionin nga Iowa – SHBA/
Foto: Dielli arkiv(Ilustruse?
PRISHTINË, 26 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Një delegacion nga shteti Iowa i SHBA-ve mbërrin në Kosovë, ku në takime me autoritetet do të bisedohet për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Punëve i Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar edhe nga disa ministra të tjerë, do të presë në takim delegacioniun nesër në mëngjes në Prishtinë.
Ndërsa pasdite ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami do të presë në takim delegacionin nga Iowa – SHBA, i pëbërë nga rektorë, dekanë dhe profesorë të universiteteve të Iowa-s (University of Iowa, The University of Northern Iowa, Des Moines Area Community College (DMACC), si dhe Drake University). Me këto universitete, ministri Bajrami paraprakisht ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Qëllimi i vizitës së delegacionit është bashkëpunimi edhe me i thellë në fushën e arsimit, si dhe implementimi i këtyre marrëveshjeve./b.j/
Disa mësime nga rezultati i zgjedhjeve në Kosovë
Moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes./
Nga Enver Bytyçi/ Kosova e filloi dhe e përfundoi procesin e zgjedhjeve parlamentare në një hark kohor shumë më të shkurtër sesa Shqipëria. Edhe rezultati zgjedhor në Prishtinë iu njoftua publikut në një kohë rekord, çka deri më sot nuk ka ndodhur në Shqipërinë e një tranzicioni të gjatë e të vështirë. Kësaj radhe ankesat për parregullsi ishin minimale, gjë që i jep legjitimitet të plotë rezultatit zgjedhor, ndërkohë që Shqipëria asnjëherë nuk u shkëput nga sindromi i kontestimeve dhe dyshimeve për manipulimin e procesit zgjedhor. Të gjitha këto diferenca në kryerjen e zgjedhjeve çojnë edhe në krijimin e një hapësire diferencuese në sistemin e qevereisjes, sepse në përgjithësi zgjedhjet dhe legjitimiteti i tyre përcakton gjithashtu sistemin e qeverisjes në katër vitet e ardhshme . Ndërkaq rezultatet zgjedhore nxorën Lëvizjen për Vetëvendosje si parti të parë në Kosovë. Nisur nga kjo, moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kjo erdhi si rezultat i konsumimit të saj në një bashkëqeverisje të gjatë dhe si pasojë e një drejtimi jo efektiv nga ana e lidershipit të saj, drejtim që ka favorizuar grindjet e brendëshme dhe krijimin e disa fraksioneve. E vetmja gjë pozitive që mund të shënohet në këtë fushatë zgjedhjesh ishte kandidimi i një kryeministri të ri për zgjedhjet parlamentare. Asgjë tjetër nuk u pa si faktor inkurajues që LDK të ishte parti fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit. Por jo më pak humbëse mund të konsiderohen partitë e dala nga lufta. PDK e zotit Thaçi mori rezultatin më të ulët në dekadën e fundit, nën 30 përqind. Ndërkohq që një ulje të ndjeshme pësoi edhe AAK e zotit Haradinaj dhe Nisma e zotit Limaj. Koalicioni i partive të dala nga lufta nuk morën të gjitha së bashkë aq vota sa kishte marrë PDK e vetme në zgjedhjet e vitit 2014. Në këto kushte presidenti Thaçi është i detyruar që të mandatojë koalicionin e kryesuar nga partia e tij, me zotin Haradinaj si kryeministër. Natyrisht që ai këtë do ta bëjë me dëshirë të madhe. Por ky koalicion nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve që të krijojë qeverinë e re. LDK dhe Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi. Mesa duket besueshmëria politike e nivelit të ulët në partneritetin me PDK-në ka zhbërë mundësinë e krijimit të një aleance midis këtij grupimi politik dhe dy partive që vijnë pas saj. Kurse votat e deputetëve minoritarë, sidomos atyre serbë mund të kushtëzohen me moskandidimin e zotit Haradinaj për postin e kryeministrit. Por edhe sikur ata të jepnin përkrahjen e tyre për koalicionin e PDK-së me partitë e tjera, numri i deputetëve shkon në 59, nderkohë që një koalicion i mundshëm Vetëvendosje-LDK me 61 deputetë do të siguronte votimin e një qeverie të re. Sipas të gjitha gjasave Vetëvendosja dhe LDK i kanë të gjitha shanset të krijojnë një qeveri të re me Albin Kurtin kryeministër. Por edhe në këtë rast mbeten dy çeshtje për diskutim: Së pari, nëse LDK mbetet në qeverisje ajo do të konsumohet edhe më tej dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të konsolidojë përfundimisht qenien e saj në vendin e tretë. Ndaj dhe interssi politik i LDK-së është e duhet të jetë të qëndrojë në opozitë, me qëllim që ajo të reformohet dhe të krijojë një bazë solide për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse ajo qëndron përsëi në pushtet rrezikon të mos reformohet e për pasojë të shndërrohet në një dekor të papërfillshëm për partitë politike të shumicës. Së dyti, një problem tjetër që dëmton këtë koalicion ka të bëjë me reagimin e pakicës serbe në parlament, sa e gatshme do të jetë ajo të bëhet pjesë e një qeverisjeje me kryeministër Albin Kurtin, i cili në platformën e tij politike është shprehur kundër dialogut me Serbinë, megjithëse nuk e ka kontestuar asnjëherë dialogun me serbët e Kosovës. Deputetët e pakicës serbe në fakt janë në dilemë: Aq sa nuk besojnë te zoti Haradinaj, thuajse në të njëjtën masë nuk i besojnë as zotit Kurti. Megjithatë LDK-në mund ta shohin si garanci për interesat e tyre e për këtë arësye mundet që bashkësia ndërkombëtare të imponojë një koalicion qeverisës, pjesë e të cilit të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Duke u ndalur te ndikimi i ndërkombëtarëve, mund të thuhet se ata do ta dëshironin kësaj radhe ta shihnin në qeverisjen e vendit koalicionin e PDK-së me zotin Haradinaj kryeministër dhe për këtë do të duhej t’i bënin presion LDK-së të merrte pjesë në këtë qeverisje. Kjo për shkak se një pjesë e komandantëve të luftës do të përfundojnë në gjyqin special dhe qenia në pushtet e partive nga ata vijnë e favorizon dhe lehtëson këtë proces. Por ndërkombëtarët do të pranonin edhe pjesmarrjen e vetëvendosjes, me kusht moderimin e qëndrimeve të saj sa i përket raporteve rajonale në politikën e jashtme. Zoti Kurti ka mundësi që të moderohet në këtë aspekt edhe për faktin se e njeh mjaft mirë teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por do t’i duhet të heqë dorë nga një vijë politike dalluese të përdorur në opozitë e për pasojë edhe të lëkundë besueshmërinë te qytetarët. Nga ana tjetër Vetëvendosje shihet si çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në Kosovë. Në këtë kuptim ajo do ta luante këtë rol në paritet, nëse Albin Kurti do të merrte postin e kryeministrit të vendit. Kësisoj Vetëvendosja do të testohej për premtimet e saj në këtë aspekt. Vështirë është të thuhet se Vetëvendosje do ta luante këtë rol në një koalicion me PDK-në të akuzuar prej saj në vijimësi për abuzim me pushtetin, aq më tepër me një kryeministër të nominuar nga vetë PDK. Nga e gjithë ajo çfarë zhvillohet në periudhën postzgjedhore duhet besuar se natyrshëm, pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re, ky besim do t’i jepej automatikisht liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. Nëse vijmë deri te ky akt ritunë të kërkuar nga ligji, atëherë natyrshëm do të rezultonte një koalicion i Vetëvendosjes me LDK-në. Këtë formulë do ta favorizonte edhe Isa Mustafa, sepse pjesmarrjen në qeveri do të shiste te anëtarësia e tij si sukses për t’i shpëtuar ndëshkimit për humbjen e tij të pakontestueshme. Tiranë, 13.06.2017
Dokumentimi i krimeve të Luftës në Kosovë
Interviste e studiueses Fetnete Ramosaj,pjese e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftë dhene bashkepunetorit te Diellit, Halit Mehmetaj/
- Kur e keni filluar punën në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës? Cilat janë kompetencat e Institutit në këtë fushë?
Fetnete Ramosaj: Punën hulumtuese në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), me seli në Prishtinë, e kam filluar në tetor të vitit 2013, ndonëse ky Institut është themeluar nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës që në muajin qershor të vitit 2011.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është institucion publik hulumtues, i themeluar me qëllim të mbledhjes, sistematizimit, përpunimit dhe publikimit të të dhënave për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë vitit 1998, deri në qershor të vitit 1999 dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ju keni shkruar edhe dy libra të tjerë para kësaj të fundit “Kundër Harresës –Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999” me temën e dokumentimit të krimeve të luftës. Ndoshta jeni ndër të rrallët në Kosovë që jeni marrë seriozisht me këtë temë shumë të ndjeshme. Çka ju ka shtyrë që të merreni me këtë temë?
Fetnete Ramosaj: Është e vërtetë se përveç dhjetëra artikujve, fejtoneve, pjesëmarrjes me kumtesa shkencore në shumë tryeza e konferenca shkencore që kanë trajtuar temën e ndjeshme të dokumentimit të krimeve të luftës, më herët i kam botuar edhe dy libra të tjerë, përkatësisht dy vëllime të librave me titull: “Krimet Serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, (vëllimi i parë i botuar në vitin 2005, shtypur në 11 mijë kopje dhe vëllimi i dytë në vitin 2008, të dyja në gjuhën shqipe dhe angleze), ku nëpërmjet fakteve dhe argumenteve autentike jam përpjekur t’i kontribuoj ndriçimit të së vërtetës për luftën në Kosovë. Këto dy botime janë vlerësuar lartë nga lexuesit, por edhe nga ekspertë të fushës, vendorë e ndërkombëtarë, për paanshmërinë, saktësinë dhe vërtetësinë e rasteve të trajtuara. Ndërkaq, monografia e fundit “Kundër Harresës – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, edhe kjo në gjuhën shqipe dhe angleze, ka dy muaj që ka dalë nga shtypi dhe është duke u vlerësuar lartë, sepse në përmbajtjen e saj ka argumente të pakontestueshme, mbi 500 faksimile, fotografi e dokumente autentike, nga burime të ndryshme të besueshme, që i argumentojnë aktet e ndryshme të gjenocidit të Serbisë kundër popullit shqiptar dhe të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, madje jo vetëm gjatë saj.
Me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, jam marrë në vazhdimësi. Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet publikimeve të vazhdueshme që nga viti 2000 e këndej. Ndonëse është një tematikë shumë e ndjeshme dhe e vështirë për ta përballuar, ajo që më ka shtyrë të merrem me të është fakti se gjenocidi me të cilin u përballëm si popull gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk ishte i rastit, nuk ishte i pari, por ishte përsëritur për të satën herë ndaj nesh, ishte i planifikuar deri në detaje në platformat e planprogramet raciste serbomëdha përgjatë dy shekujve (XIX, XX), i institucionalizuar dhe i zbatuar nga shteti serb që nga viti 1844 e këndej.
Prandaj, përveç përcaktimit për të kontribuuar në dokumentimin e të vërtetës së tmerrshme të luftës, e cila po mohohet nga Serbia, dhe me çdo kusht po përpiqet ta tjetërsojë, kam punuar për të sjellë para publikut dëshmitë, për të sensibilizuar mekanizmat kompetentë ndërkombëtarë e vendorë për të kërkuar drejtësi për të rënët, dhe njëkohësisht për ta luftuar harresën, sepse për fat të keq, neve si popull shpesh herë gjatë historisë na ka ndodhur që ta harrojmë të kaluarën e dhimbshme dhe sa herë e kemi harruar, gjeneratat pasuese janë detyruar ta përsëritin…
Serbia ka vrarë dhe kërcënuar shumë njerëz që kanë pasë guximin të merren me këtë punë. Ju a ndjeheni e kërcënuar nga Serbia, sepse keni bërë një punë të madhe në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë?
Fetnete Ramosaj: Është e vërtetë se Serbia tradicionalisht i ka kërcënuar e eliminuar kundërshtarët dhe armiqtë e saj në forma të ndryshme. Por është po aq e vërtetë se i ka vrarë edhe foshnjat në bark të nënave, duke i cilësuar si “armiqtë e ardhshëm të Serbisë”, i ka vrarë foshnjat në djep, pastaj pleq, plaka, njerëz me aftësi të kufizuara etj., që nuk e kanë ndërmarrë kurrë asnjë veprim kundër Serbisë. Ka ndodhur madje në jo pak raste që i ka eliminuar kur nuk i janë dashur më edhe ata që i kanë bërë shërbime të shumta, madje edhe duke ngritur dorë kundër njerëzve të vet, kundër popullit të vet… Për Serbinë, shqiptar i mirë është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet vetëm shqiptari i vdekur.
Sa i përket punës sime në ndriçimin e krimeve të luftës, e konsideroj si një detyrë fisnike dhe obligim që i takon ta bëjë secili njeri i ndershëm që di dhe mundet ta bëjë. Natyrisht se në këtë drejtim shteti i Kosovës duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Nuk është faji im as i të tjerëve për të bëmat kriminale të Serbisë ndaj popullit shqiptar e të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, të cilat ende po i mohon dhe po bën gjithçka që t’i falsifikojë faktet dhe dëshmitë tashmë historike që i ka njohur nga afër mbarë bota. Duke qenë dëshmitare e tmerrit që ka ndodhur kundër popullit shqiptar gjatë luftës, por edhe para luftës në Kosovë, duke qenë dëshmitare e tmerrit që vështirë se mendja e shëndoshë e njeriut mund ta marrë me mend se njeriu mund t’i bëjë diçka të tillë njeriut, heshtjen e konsideroj përgjegjësi. Prandaj, për asnjë çmim nuk kam heshtur as nuk do të heshti për të vërtetën përkundër vështirësive të shumta… Për të mos e zgjatur, sa më përket mua, do t’u përgjigjesha me thënien emblematike të dëshmorit të kombit Agim Ramadani “…Mallkue qoftë gjaku im nëse m’vrasin pa luftue!”
Në punën tuaj shumë të madhe, që mund të krahasohet me punën e institucioneve shtetërore, a e keni pasë përkrahjen e institucioneve të shtetit dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Fetnete Ramosaj: Faktikisht deri në tetor të vitit 2013, punën që e kam bërë e kam bërë jashtë institucioneve, me mbështetje të disa njerëzve vullnetmirë, por me mbështetje shumë të madhe morale e shpirtërore të njerëzve që kanë pësuar nga lufta në çfarëdo forme, të cilët në çdo rast kanë qenë të gatshëm të ndihmojnë me dëshmitë e tyre, të cilëve fatkeqësisht u ka munguar trajtimi dhe kujdesi i duhur institucional. Siç e përmenda edhe më lart, që nga tetori i vitit 2013, punoj si hulumtuese shkencore në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që është institucion i shtetit, por edhe në këtë institut jemi duke u ballafaquar me vështirësi të shumta, me mungesa të shumta, pa e pasur mbështetjen adekuate, me një kuadër jo të kompletuar, çfarë është i domosdoshëm për të kryer punën me sukses.
- Meqenëse keni një bagazh të madh si veprimtare e hershme dhe aktiviste e palodhshme e çështjes kombëtare dhe njëra ndër udhëheqëset e UÇK-së, a keni menduar ndonjëherë të kontribuoni edhe në politikë?
Fetnete Ramosaj: Të them të drejtën, që nga përfundimi i luftës, pas gati tri vjetësh të shërbimit në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, jam orientuar me theks të veçantë në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Sa i përket çështjes së aktivizimit në politikë, për nga natyra nuk jam tip që imponohem. Por, më duhet të theksoj se që nga viti 1989 kur jam angazhuar aktivisht në veprimtarinë për lirinë e Kosovës, pastaj edhe në luftën frontale si dhe në procesin e shtetbërjes e saj në kushte të jashtëzakonshme, çdo obligim dhe detyrë që më është besuar nga shoqëria, mendoj se e kam kryer me përgjegjësi. Mendoj se politikëbërja në Kosovë duhet të pësojë ndryshime pozitive, duhet të ketë kurriz dhe se në të duhet të angazhohen njerëz që dinë dhe që e duan vendin, njerëz që punojnë në shërbim të mirëqenies së përgjithshme. Nëse shoqëria e sheh të arsyeshme dhe i nevojitet kontributi im në këtë drejtim, padyshim se mund të shërbej me përgjegjësi.
- Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës sa ka punuar për dokumentimin e krimeve të luftës që janë bërë në Kosovë?
Fetnete Ramosaj: IHKL ka punuar dhe po vazhdon të punojë për dokumentimin e të gjitha llojeve të krimeve, ndonëse nuk e kemi pasur mbështetjen e nevojshme dhe ballafaqohemi edhe me mungesë kuadri. Por Instituti me këto kapacitete që i ka, ka bërë një punë të madhe sistematike në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Deri më tani ka publikuar shtatë monografi, në mesin e të cilave bën pjesë edhe monografia “Kundër Harresës…”, të cilat i trajtojnë llojet e ndryshme të krimeve të luftës, krimeve të gjenocidit, të zhdukurit, përfshirë edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore-historike, shkatërrimin e arkivave dhe të dokumentacionit, etj. Edhe tri monografi të tjera janë në proces. Po ashtu janë përgatitur edhe tri ekspozita, të cilat janë prezantuar në Prishtinë, Tiranë, Korçë, Vjenë, Stamboll, Bursa, Ankara etj.
- Ju keni bërë përvojë të madhe në fushën e krijimtarisë dhe zbardhjes së të vërtetës në raport me padrejtësitë shekullore që i ka bërë Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Nëse ju ofrohet mundësia të jeni pjesë apo drejtuese e një ekipi që do ta përgatitë padinë për gjenocid ndaj Serbisë, cili do të ishte kontributi juaj në këtë drejtim?
Fetnete Ramosaj: Për aq sa di dhe mundem, unë do të jap kontributin tim, kudo që e kërkon nevoja. Është domosdoshmëri që Kosova ta përgatitë Aktpadinë për Gjenocid kundër Serbisë. Dëshmitë janë, madje jo vetëm për një aktpadi, vetëm se duhet vullneti politik dhe përgatitja nga kuadri adekuat.
- Për fund, çka mund të na thuash për zhvillimet politike në vend, për zgjedhjet dhe mundësitë e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të fundit. Si e shihni Kosovën pas këtyre zgjedhjeve?
Fetnete Ramosaj: Kosova këto ditë gjendet në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës së 11 qershorit, të cilat po mbahen si rezultat i shkarkimit të qeverisë Mustafa nëpërmjet një mocioni mosbesimi, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit maj.
Për herë të parë, në Kosovë kemi formimin e dy blloqeve të mëdha politike parazgjedhore (PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR-AL dhe të një partie tjetër për balance Partia Vetëvendosje), gjë që është mirë sepse skena politike shqiptare në Kosovë, po shkon drejt profilizimit. Qytetarët kanë pasur rastin t’i provojnë, qoftë në pushtetin lokal qoftë në atë qendror të gjitha partitë që e përbëjnë skenën e sotme politike.
Mendoj se në këtë gjendje tepër të rëndë nëpër të cilën po kalon vendi, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor PAN, meriton ta ketë votëbesimin e qytetarëve të Kosovës për të udhëhequr me ekzekutivin e vendit, pasi që është njeri i dëshmuar në rrethanat më të vështira për vendin, në kohë lufte e paqeje.
Po t’u jepet besimi i qytetarëve të Kosovës, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të dy të dëshmuar për orientimin pro-amerikan dhe pro-perëndimor përgjithësisht, janë dëshmuar në lidership, dhe po të duan, mund ta nxjerrin vendin nga humnera ku jemi katandisur. Të dy munden dhe duhet të dëshmojnë se i mbajnë premtimet. Qytetarët e Kosovës meritojnë t’u kthehet shpresa. Këtë duhet ta bëjnë, duke e konsideruar si një borxh ndaj të rënëve dhe si një obligim për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, feje a etnie. Natyrisht se koalicioni PDK-AAK-NISMA, duhet të marrë masa dhe t’i largojë nga pushteti të korruptuarit, të kriminalizuarit, abuzuesit dhe shkelësit e ligjit, të cilët mund t’u takojnë edhe radhëve të partive të koalicionit, ka nevojë t’u jepet hapësirë kuadrove të reja, të cilat nuk i mungojnë Kosovës.
Koalicionin PDK-AAK-NISMA duhet konsideruar si një koalicion të fuqishëm e të përgjegjshëm që mund t’u bëjë ballë influencimeve dhe tendencave serbo-ruse për rikthim në Kosovë, si një koalicion që ofron stabilitet, funksionim të shtetit properëndimor, ligjor e demokratik dhe që garanton zhvillim ekonomik, si një koalicion që mund të bëjë ndryshime pozitive për vendin, pasi që jemi në stacionin e fundit dhe duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në politikat qeverisëse.
Ju faleminderit që më dhatë mundësinë për intervistë!
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në Kosovë
PRISHTINË, 10 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, mbërrin për vizitë zyrtare në Kosovë.
Presidenca e Kosovës në njoftimin e dërguar bën të ditur se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të tij pret në vizitë shtetërore Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Axhenda:
10:00 – Pritja ceremoniale në sheshin “Ibrahim Rugova”
10:30 – Takimi i përbashkët i delegacioneve
11:10 – Konferenca për media/b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 22
- Next Page »