Nga Ahmet ZANI/
Atmosfera festive në ditën e verës në qytetin e Laçit është shoqëruar me panairin e prodhimeve bujqësore, blegtorale si dhe nga artizanati. Mjalti, nënproduktet e qumshtit dhe vreshtarisë, gatimet tradicionale të zonave, qendistaria ishin disa nga prodhimet e shfaqura në panair. Qytetarët e shumtë laçianë kanë shijuar prodhimet dhe produktet sidomos nga zonat e malësisë, dhe konkretisht nënproduktet e qumshtit si djathin e dhisë dhe lopës, mjaltin mjaft cilësor, si dhe disa nga gatimet e servirura posaçërisht me rastin e ditës së Verës.
Zef Pjetri me profesion mësues në fshatin Skuraj ka demonstruar prodhimet si dhe gatimet tradicionale nga bashkëshortja e tij dhe kjo me profesion mësuese. Cifti i bashkëshortëve kanë ekspozuar dhe disa prodhime të tjera tadicionale të zonës si rakia e thanës, kumbullës, produkte të natyrës si çaji i malit, luleblini etj.
Ndërsa Gjet Velaj një rritës i njohur i bletarisë ka demostruar mjaltin produkt mjaft i preferuar dhe cilësor, si dhe prodhime nga pemtaria, arra, mollët prodhime të stinës pranverore.
Disa individë të tjerë do të pomovonin në panair artikuj qendistarie të prodhuara në mënyrë primitive si në tezgjah, si dhe kostume kombëtare tradicionale nga zona e malësisë së Kurbinit.
Këtij panairi nuk i kanë munguar dhe prodhimet e vegalve muzikore si çiftelia instrument i preferuar nga zona kurbinase.