Nga Zeno Jahaj/
Pas delirit të kënaqësisë që përjetoi në Siri, tashmë Rusia është përfshirë në një gjendje tjetër akute deliri, shqetësimesh, iluzionesh e çregullimesh të mendjes politike: kësaj radhe, në Ukrainë. Krahas ushtrisë së fshehtë të inteligjencës, e cila prej dhjetëvjeçarësh kontrollon të gjitha qelizat e jetës në Ukrainë, nuk vonoi që Rusia të vejë në gatishmëri edhe 150 mijë trupa ushtarake për të dhënë mesazhin se mund të ndërhyjë edhe hapur në këtë vend. Ndërkaq, përmes Bazës Ushtarake në Portin e Sevastopolit, Rusia ka izoluar tashmë Krimenë nga Ukraina duke shtuar praninë me anije zbarkimi, trupa speciale e helikopterë luftarakë të dërguara nga Flota e Detit të Zi. Forcat e Këmbësorisë Detare dhe ato të Mbrojtjes Bregdetare të Detit të Zi kanë marrë tashmë nën ruajtje Istmin jetësor prej 5-7 kilometrash të Perekop, që lidh gadishullin e Krimesë me hapësirat tokësore të Ukrainës. Si për ta plotësuar këtë pejsazh, një anije luftarake zbulimi ruse “viziton” këro ditë Kubën, për t’i kujtuar botës Krizën e Raketave të Kubës, të nisur nga Hrushovi në vitin 1962, e vlerësuar tashmë si çasti kur Lufta e Ftohtë mund të kishte marrë kthesën për t’u shndërruar në një konflikt bërthamor!
Mendjet e nxehta politike të Kremlinit thotë se me këto lëvizje mund të japë përshtypjen se bota është në praglufte, të nxehtë apo të ftohtë dhe se Rusia është në gjendje ta përballojë këtë sfidë.
Por a mund të shkojë Rusia në luftë për Ukrainën?
Për Rusinë, Ukraina përbën një hapësirë ku pleksen tre interesa të mëdha jetësore: pozita gjeostrategjike, pasuritë e mëdha minerale e bijqësore si dhe fakti i një përqindjeje të ndjeshme të popullsisë me kombësi ruse që jeton kryesisht në rajonet lindore e juglindore të vendit. Nën sovranitetin e Ukrainës gjendet edhe Krimea dymiljonëshe kryesisht ruse dhe me pozitën e saj tepër të rëndësishme gjeostrategjike të përbërë nga dy porte kritike (Odesa dhe Sevastopoli) për mbajtjen nën kontroll të Detit të Zi. Pa këto dy porte, Rusisë i asfiksohet aksesi për në Detin Mesdhe, veçanërisht në kushtet kur aksesi në drejtime të tjera (Detin Balltik, Detin e Veriut dhe në detrat në kufijtë me Japoninë) është gjithnjë ose i dyshimtë, ose i pamundur. Ndërkohë, largësinë prej rreth 480 km të Moskës nga kufiri ukrainas, Rusia nuk e sheh si avantazh të madh tregtar, por si një dizavantazh sigurie.
Që Rusia të shkojë në luftë, asaj në radhë të parë, duhet t’i lindë e drejta për të shkuar në luftë. Rusia thotë se është kërcënuar rëndë jeta apo të drejtat njerëzore e politike të rusëve të Ukrainës, duke e quajtur atë një grusht shteti të mbështetur nga Perëndimi. Në vijim, ligjvënësit rusë kërkuan lëshimin e pasaportave ruse për të gjithë rusët etnikë në Ukrainë. Por a i ishin protestat e fundit të adresuara kundër rusëve të Ukrainës? A ishin këto protestat një konflikt etnik? Jo. Të dhënat nuk vërtetojnë këtë version rus. Të vrarët në Sheshin e Pavarësisë në Kiev janë thjeshtë qytetarë ukrainas që protestuan pse iu privojnë të drejtën natyrale të jenë pjesë e Europës.
Nëse nga pikëpamja ruse lufta është e justifikuar, ajo duhet të bëhet mbi bazën e një autoriteti politik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pikërisht nga ai organizëm të cilin Rusia e ka shfrytëzuar apo, më saktë, shpërdoruar, për ta bllokuar komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë në kohën e duhur kur ndaj një populli të tërë është ushtruar dhunë shtetërore, sikurse ishte rasti i Kosovës.
Një argument tjetër rus mund të jetë se SHBA apo NATO, duke përfitituar nga situata e krijuar, do të mund të ndërmarrin veprime për ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Por as NATO, as SHBA nuk janë aq të kufizuara sa të ndërtojnë interesa strategjike vetëm në Ukrainë apo vetëm për Ukrainën e, aq më pak interesa jetësore. Natyrisht që ka interesa të fqinjëve europianë ndaj Ukrainës, por askush prej tyre nuk e dëshiron që këto interesa t’i zgjidhë përmes luftës. Historia e hidhur e dy luftërave botërore është mjaft mësimdhënëse për të mos përsëritur atë zgjidhje, e cila nuk rezultoi përveçse në një luftë tjetër që u pagëzua me emrin “Luftë e Ftohtë”, por që kushtoi shumë më tepër sesa vetë dy luftërat e nxehta.
Nëqoftëse mendjet e sëmura të Kremlinit do t’i injorojnë të tre këto parakushte (sikurse bënë në Gjeorgji disa vite më parë) e do të injorojnë gjithashtu edhe një fazë të ndërmjeme negociatash për të hulumtuar mundësitë e zgjidhjes paqësore, a do të kenë probabilitet për suksesin e një luftë të mundshme ndaj Ukrainës? E vërteta është se Forcat e Armatosura të Rusisë kanë epërsi dërmuese ndaj atyre pothuaj inegzistente të Ukrainës dhe nga kjo pikëpamje thjeshtë ushtarake e raportit të forcave ushtarake, lufta mund të jetë e suksesshme. Por çështja e luftës, sidomos në kohët moderne, nuk mbetet vetëm këtu. Pyetjet e dyshimet janë më të mëdha sesa një fitore thjeshtë ushtarake: Po të nesërmen e pushtimit? Cila do të jetë strategjia e daljes nga lufta? Çfarë do të bëhet pas saj? A mund dhe si do të mbahet nën pushtim një popull i tërë prej 45 miljonë banorësh dhe për sa kohë?
E vërteta është se pas këtij kërcënimi të Rusisë për luftë nuk fshihet as nevoja për të vënë në vend një çështje e drejtë, as një proporcionalitet rreziku e rrjedhimesh, por diçka më shumë: në radhë të parë janë përpjekjet strategjike të Rusisë për të riinstaluar Perandorinë e Madhe Ruse, fjalë për fjalë, etja për të rikrijuar Luftën e Ftohtë, ndoshta me kufij të rinj, por sidoqoftë, rinisjen e një Lufte të Ftohtë. Presidenti aktual i Rusisë e pat përshkruar dikur shpërbërjen e Ish Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të ’20-të”. Ai ka nisur madje edhe planet për të krijuar një kundërpeshë të Bashkimit Europian, të ashtuquajturin “Bashkim Eurazian”, i cili do të kishte në përbërje Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë dhe Kazakistanin, domethënë zemrën ekonomike, industriale, ushtarake dhe financiare të Ish Bashkimit Sovjetik.
Por Rusia nuk a i ka “këllqet” për të mbajtur gjallë një gjendje si ajo e Luftës së Ftohtë. Ajo i ka armët bërthamore, por në dallim nga Lufta e Ftohtë, kësaj radhe ato janë nën vëzhgimin e rreptë të një ombrelle të fuqishme kundërraketë, që zor se le hapësirë për të guxuar në përdorimin e një opsioni të tillë ku tragjedia do të mbetej vetëm mbi territoret e nismëtarit.
Rusia ka një armë të dytë me të cilën shpreson se mund të mbajë gjatë dhe ndezur një Luftë të re të Ftohtë: armën e gazit. Por edhe kjo armë është me një efekt të dyanshëm: aq sa Rusia e mban këtë armë si mjet presioni duke mos e shitur, po aq presion e nevojë ka edhe për ta shitur. Siç dihet, sektori rus i energjisë përllogaritet të mbulojë afro dy të tretat e eksporteve dhe përbën rreth 30 përqind të GDP-së apo pothuajse gjysmën e të ardhurave të buxhetit federal.
Një strategji rreziqesh e kërcënimesh të përhershme i nevojitet Presidentit paranojak dhe tërë oligarkisë ruse në justifikim të pushtetit ushtarak dhe të shërbimeve sekrete për të mbajtur nën kontroll Rusinë e “kudokërcënuar” nga një gjeografi e tërë: me Japoninë për sovranitetin mbi ishujt Etorofu, Kunashiri, Shikotan dhe Habomai, të njohura nga Japonia si “Territoret e Veriut” e nga Rusia si “Kurriljet Jugore”, të pushtuara nga Ish Bashkimi Sovjetik në 1945, aktualisht nën administrimin e Rusisë, por të pretenduara nga Japonia dhe që mbeten si “gozhdë” për shkak të së cilës dy vendet nuk kanë ende një Traktat Paqeje zyrtar që i jep fund armiqësive të Luftës së Dytë Botërore; mbështetja ushtarake dhe njohja zyrtare nga ana e Rusisë e pavarësisë së Abkazisë dhe Osetisë së Jugut në 2008 përbën një tjetër burim fërkimesh në marrëdhëniet me Gjeorgjinë, Azerbaixhanin dhe Kazaistanin; në mënyrë të njëanëshme Rusia ka bërë delimitimin e shtratit të Detit Kaspik të bazuar në baraslargësi, ndërkohë që Irani vijon të këmbëngulë në pretendime tej kësaj ndarjeje; Finlanda ka ende pretendime për rikthimin e Karelisë dhe disa zonave të tjera që iu kaluan Ish Bashkimkit Sovjetik menjëherë pas përfundimiut të Luftës së Dytë Botërore si fuqi fitimtare e kësaj lufte; me Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë Rusia, përveçse ka çështje të pazgjidhura kufitare, ka edhe problematika të shumta popullsie me kombësi të ndërsjelltë; me Ukrainën mbetet i pazgjdhur problemi kufitar për Ngushticën Kerç dhe Detin Azov; Duma Ruse nuk e ka ratifikuar akoma Marrëveshjen e vitit 1990 me SHBA lidhur me kufirin detar të Detit Bering; me Danimarkën e Norvegjinë Rusia ka pretendime të ndërsjellta për kufijtë e Shelfit Kontinental, etj.
Rusia vuan si frikërat nga zgjerimi, edhe frikërat nga tkurrja. Frikërat nga zgjerimi lidhen me nevojën për të patur dhe mbajtur një ushtri të stërmadhe, të cilën ekonomia ruse nuk mund ta përballojë. Për më tepër, plakja e popullsisë ruse – një prirje tanimë e pakthyeshme (në vitin 2030 popullsia 150 miljonëshe e Rusisë pritet të pakësohet me 18 miljonë njerz, domethënë me rreth 13 përqind), ia kufizon këtë luks që dikur quhej krenaria e këtij vendi.
Por rreziku më i madh që e kërcënon Rusinë është kontradikta midis nevojës për të ruajtur kompozimin perandorak, me nevojën për demokratizimin e mëteshëm të saj. Demokratizimi është një proces që filloi në mes të Europës me bashkimin e dy gjermanive dhe lëvizi drejt lindjes me shpërbërjen e vetë Ish Bashkimit Sovjetik. Askush, as Rusia, nuk mund t’i kundërqëndrojë një ideje që i ka ardhur koha. Kësaj ideje po i nënshtrohet edhe Ukraina. Por kjo prirje demokratike është në kontradiktë me mënyrën perandorake se si mbahet në këmbë fuqia ruse. Federata Ruse përbëhet nga rreth 90 entitete, dhjetëra republika, rajone autonome e provinca, shumë prej të cilave të ndara në kombësi e besime të ndryshme fetare. Kjo Rusi, sipas mentalitetit perandorak, mund të mbahet vetëm me dorë të hekurt, e mishëruar tashmë në staturën e krijuar nga Presidenti delirant Putin.
Çka po ndodh, pra, në Ukrainë nuk është fillimi i një lufte, as lokale as botërore, as të ftohtë, as të ngrohtë. Është thjeshtë sinjali se atij procesi që nisi në Jaltë këtu e afro 70 vjet më parë, tashmë i ka ardhur fundi, duke u xhiruar në krah të kundërt, për të përfunduar pikërisht aty ku nisi, në Ukrainë. E shumta që mund apo pritet të ndodhë është bashkëngjitja “vullnetare” e Krimesë në Federatën Ruse. Prej këtij çasti e tutje, dyert e BE-së dhe të NATO-s do të jenë të hapura edhe për Ukrainën.
Falë këtyre kushteve dhe zhvillimeve, Rusia nuk ka shanse të shkojë në luftë.