* Kur hebrenjëve iu kërcënohej jeta, shqiptarët u ofruan miqësinë sipas kodit të lashtë të besës /
*Sipas bisedës me z. Mustafa Rezniqi, zonjën Xhangyle Ilijazi, te Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, z. Besim Ndregjoni, i Shoqatës të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe zonjën Larisa Lezha, studiues e Arkivit të Shtetit Shqiptar…/
Nga Dalip Greca/arkiv/
Ajo ç’ka kanë bërë shqiptarët gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në mbrojtje të hebrenjëve, nuk është më sekret. Sekretet i mori me vete gjatë rrokullimës së tij sistemi komunist, i cili e kishte shpallë të padëshiruar shtetin e hebrenjëve dhe e quante “koburja e imperializmit amerikan”. Mirëpo, Ramiz Alia, besniku dhe pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, në kohëpërmbysjen e pushtetit komunist, dosjen për mbrojtjen e hebrenjëve nga shqiptarët ia dorëzoi kongresistit amerikan Tom Lantos dhe ish kongresistit Joseph DioGuardi gjatë vizitës së tyre në Tiranë më 1990 dhe bota e mësoi se ç’ishte besa e shqiptarëve dhe kodi i saj i sacrificës. Miqtë nga Izraeli nuk vonuan që të shprehnin mirënjohjen për besën dhe bujarinë e shqiptarëve, që kishin vënë veten dhe familjet e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë të miqëve, që u kishin rënë në besë.
Veprimi i shqiptarëve përmban në vetëvete ndjenjën e sakrificës. Kur një familje shqiptare pat vendosur familjen izraelite në një bazë, e cila mund të rrezikohej nga gjermanët, i zoti i shtëpisë çoi edhe të birin me ta, për t’u treguar se ai për mikun vinte në rrezik të birin. Janë të rrallë popujt që e bëjnë një sakrificë të tillë. Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, hebrenjtë u morën në mbrojtje nga shqiptarët sipas kodit të lashtë të besës dhe kështu nderuan kombin.
Edhe Kosova u hapi dyert dhe zemrën hebrenjëve
Mustafa Rezniqi nga Gjakovai ndjehet krenar, që i ati i tij, një ndër tregtarët më të njohur në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte miqësi me hebrejntë. Miqësinë, i ati i tij, Asllan Rezniqi, nuk e shfrytëzoi vetëm për tregti, por, në çastet e vështira, kur miqëve të tij iu rrezikua jeta, ai u ofroi kodin e besës. Hebrenjtë kishin ardhë nga Peja në Deçan për arsye sigurie.
Me porosi të hebrenjve bëri një ndërtesë enkas për ta, dalja sekrete e nëndheshme e së cilës i nxirrte nga rreziku nëse shkonin gjermanët. Gjithësesi ajo ishte një shtëpi moderne për kohën, me dy kate dhe kishte dhoma të veçanta gatimi, fjetje, për miqtë etj. Skicat e kësaj shtëpie janë depozituar që në vitin 2005 në Izrael. Hebrejtë qëndruan aty gati katër vjet. Kur qëndrimi u bë i rrezikshëm, atëhere, Asllan Rezniqi, i mori dhe i përcolli për në Tiranë.
Mustafa tregon se babai i tij ato kohë ishte një ndër tregtarët me shumë zë si gjatë Luftës së I Botërore ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë.
Mustafa Rezniqi, që i ka kaluar të tetëdhjetat, kujton se ishte fëmijë atëherë dhe mban mend shumë mirë miqtë hebrenj. Ai kujton edhe kampin e Prishtinës, ku ishin grumbulluar hebrenjtë, që më vonë u nisën drejt Tiranës, Aty ishte edhe miku i atit të tij, Samuel Mizraki. Ai pat përfituar nga një dy orësh liridalje që kishin në kohë dreke, ka ikë prej Prishtinës dhe ka marrë rrugën për në Deçan, duke kërkuar mbrojtjen e Asllanit. Që në fillim u morën masa që ai të krijonte një identitet të ri. Fillimisht i nxorën një pasaportë shqiptare me emrin Sami Mazreku. Ai kishte qenë më parë me banim në Shkup, por që andej e kishin sjellë në Prishtinë me rastin e grumbullimit. I ati i Mustafës ka arritur që ta përcjellë sërish për në Shkup, ku atij i kishte mbetur familja, e cila ishte e hutuar nga ikja e kryefamiljarit.
Mustaf Rezniku, ka sigurtuar dokumentacion të mjaftueshëm, që mohon zëra se në Kosovë janë asgjësuar hebrej. Këto akuza të pavërteta, thotë ai, i kanë hapur serbët me qëllim që të injoronin solidaritetin e shqiptarëve me hebrenjtë dhe së dyti të përhapnin urrejtje ndaj shqiptarëve me qëllim që të realizonin represionin dhe genocidin e tyre ndaj shqiptarëve, po ashtu si nazistët që ushtruan kundër popullsisë izraelite nëpër Evropë. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të ekspozuar ndaj genocidit dhe dhunës po aq sa hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Një gazetar sllav, Misha Vavic prej Mitrovice ka sajuar një histori ashtu siç i intereson atij dhe jo siç ka ndodhë në fakt për batalionin shqiptar ”Skënderbeu” dhe këto mashtrime kanë mbizotëruar shtypin serb dhe fatkeqësisht po i merr në konsideratë edhe ndonjë shqiptar dhe më pas shumëzohen në internet. Kurrëfarë krimi nuk kanë bërë shqiptarët ndaj hebrenjve. Misha Vaviç ka shkruar shpesh të kundërtën e asaj që ka ndodhur mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Ka shumë artikuj që mbajnë firmën e tij, por ato i beson vetëm ai dhe ata që qëndrojnë pas tij.
Vaviç rreket që të kapet pas historisë së një shqiptari, i quajtur Muhamet Prejuci, gjoja sikur ai paska treguar me gisht hebrenjtë, duke u bërë kallauz i gjermanëve. Gjithçka është e sajuar, qëllimi ka qenë që të njollosë jo vetëm Muhametin, por edhe tre vëllëzerit e tjerë të tij, që shquheshin si derë fisnike dhe e pa përzier me pisllëqe e krime, që kërkon t’i atribuojë gazetari sllav.
Mustafa dëshmon se për këtë rast ka intervenua i ati i tij, Asllani,me kërkesën e babait të Muhametit. Në fakt Muhameti ka qenë burgos në Pejë për pak kohë. Baba me anë të Halil Kastratit ka investigu dhe ka mësuar të vërtetën. Ai ka qenë i pafajshëm.
Mustafa tregon se deri tani janë evidentuar disa shqiptarë të Kosovës, që u bënë strehë për hebrenjtë. Ai kujton se babai i tij, Asllani, ka shpëtuar dhe një hebre tjetër, me të cilin bashkëpunonte për punë të tregtisë. Ky ishte me qëndrim në Gllogovc të Drenicës, e ka çuar në një fshat tjetër, tek një mik i tij. Ky u përcoll për në Shqipëri përmes Bjeshkëve të Nemuna.
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael tregon edhe një rast që flet për përkushtimin e hebrenjëve ndaj shqiptarëve. Është i njohur rasti i doktor Abravanel, ky ka qenë mjek i shkëlqyer. Shërbente në spitalin e Shkupit. E kanë pasë transferuar nga Shkupi në Deçan dhe ka qëndruar disa muaj aty nën besë të Asllan Rezniqit. Mustafa nuk mund ta harrojë mjekun hebre sepse falë aftësive të tij mjeksore është gjallë sot. Pjestarët e familjes së tij ishin të infektuar nga tifoja e zorrëve dhe kosa e vdekjes po i korrte njëri pas tjetrit. Ishin disa të infektuar që qëndronin bashkë dhe infeksioni ishte përhapur zinxhir: halla e babës, axha, dhe disa kushërinj nuk mundën të shpëtonin, ndërsa Mustafa, atëhere fëmijë, falë kujdesit të doktorit hebre mundi që të shpëtonte. Bëhet fjalë për vitin 1941. Mustafa kujton detaje se si erdhi doktori hebre në shtëpi, se si e vizitoi, i mori gjakun për analiza, dhe më pas kishte kërkuar një njeri të saktë që ta çonte gjakun në spitalin e Shkupit për analiza. U gjet një njeri i tillë, i sigurtë. Ky ishte daja i Mustafës, Ismet Stavileci, i cili e çoi në spital gjakun, por s’ka mundur që ta marrë analizën sepse spitali është bombarduar në çast dhe është hedhur në erë.
Kohën e rrezikut mjeku e kaloi në shtëpiën e babës së Mustafës. Ka qëndruar 6 muaj aty. Familja ruan edhe fotografitë më të. Mjeku hebre kishte lënë familjen në Shkup, gruan, vajzat dhe djalin. Asllani e ka përcjellë vetë nëpër Deçan, Gjakovë, Prizren, Tetovë dhe në Shkup. Më vonë ky mjek shkoi në spitalin e Manastirit. Shqiptarët që shkonin atje ai i ndihmonte, qoftë edhe me një fjalë përshëndetjeje prej Asllan Rezniqit.
…Pas një heshtje, që zgjat disa minuta, Mustafa tregon me dhimbje, se doktori ka pasë një tragjedi familjare.Vajzës së tij i kishte ardhur kunati që ta merrte dhe të shkonin në Dubrovnik tek një kushëri që kishte mbërritur atje. Kanë qenë të gjithë në mbrëmje në Shkup, por ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe familja siç ishte ka mbetur e vdekur.
Mustafa tregon se i ka mbajtë lidhjet me doktorin sa ishte gjallë. Tani lidhjet mbahen me një mbesë të doktorit, me të cilën është takuar në Izrael, ku ka qenë i ftuar.
Kosova po dokumenton kontributin shqiptar ndaj hebrenjve
Xhangyle Ilijazi ka ardhur në Nju Jork nga Gjilani i Kosovës. Ajo në kohën e vizitës mbante detyrën e zv/kryetares së shoqatës të Miqësisë Kosovë-Izrael. Anëtarësia e shoqatës, më shumë se 30, përbëhet kryesisht nga familje që kanë kontribut në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shoqata ka grumbulluar material dokumentar dhe fotografik që dokumentojnë ndihmat e shqiptarëve.
“Ka pasur një propogandë intensive serbe që e ka fshehur këtë realitet dhe ka propoganduar të kundërtën, sikur gjoja shqiptarët nuk kanë mbrojtur hebrenjtë”, thotë me indinjatë zv/kryetarja Iljazi.
Kanë qene më shumë se 15 familje shqiptare që janë të dokumentuara si strehuese dhe shpëtuese të hebrenjve në Kosovë, nderkohe qe numri I familjeve hebreje ne Kosove ishte 56, nderkohe qe pranai e hebrejeve ne Kosove daton ne shekullin e 15-te.
Zonja Ilijazi tregon se mban korrespondencë të rregullt me Muzeumin e Yad Vashem-it që nga fundi i viteve 1980. Ajo ka dërguar disa materiale për shqiptarët që kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore.
Ajo vazhdon që të mbajë lidhje me shumë shoqata të hebrenjve si dhe me një sërë prej shoqatave simotra në shtetet e Ballkanit.
Aktiviteti më i rëndësishëm mbetet rinovimi i varrezave të hebrnjve. Cila është historia e varrezave?
Organizata “ Zbor” i kishte dorëzuar listat e hebrenjve qarqeve gjermane. Në maj të vitit 1941 në Prishtinë ishin grumbulluar hebrenjtë dhe po bëhej seleksionimi i tyre. Mushon Asheri dhe djalin e tij Solomonin, gjermanët i kanë rrahur në mënyrë çnjërëzore dhe më pas i kanë pushkatuar në Taukbashqe të Prishtinës. Këta dy hebrenj janë të pushkatuarit e parë në këtë vend. Aty janë edhe varrezat e hebrenjve. Deri në vitin 2000 ato varreza nuk kanë qenë të përkujdesura, dukeshin të braktisura. Me angazhimin e veprimtarit humanist Murteza Studenica dhe disa ndihmësve të tij, ato varreza janë rregulluar dhe janë nën përkujdesje të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Të gjitha të dhënat lidhur me këto varreza dhe me shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore nëpër familjet shqiptare dhe prej nëpunësve shqiptarë janë prezantuar në librin e Murteza Studenicës “Shqiptarët dhe hebrenjtë”, botuar në Prishtinë dhe në librin e Shaban Sinanit “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri”, botuar në Tiranë në vitin 2005. Në këtë drejtim Arkivi i Kosovës ka bërë fotografimin e varrezave dhe ka grumbulluar dokumentacionin duke ua dhënë në shërbimin studiusve.
Ndër studiuesit që ka hedhur dritë mbi kontributin shqiptar ndaj hebrenjve në Kosovë, në Luftën e Dytë Botërore, është Prof. Hakif Bajrami.
Sa ka qenë numri i hebrenjve në qarkun e Kosovës?
Sipas statistikës turke të vitit 1911 në fondin “Komiteti i Kosovës” në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27, theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetojnë 2009 hebrenj, prej tyre 1343 në Shkup, 547 në Prishtinë, 93 në Kumanovë, 26 në Mitrovicë dhe disa persona të vetmuar në Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
Ndërsa dy vite më vonë, më 1913, po sipas statistikës të Komitetit të Kosovës, (dokumenti origjinal gjendet në Arkivin e Shqipërisë, dosja 22) në Shkup jetonin 567 hebrenj. Në viset e tjera të Kosovës hebrenjtë nuk shënohen në atë dokument.
Me regjistrimin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në Mitrovicë 104, në Pirzëren 1, dhe në Rahovec 1, gjithësej 427 hebrenj në Qarkun e Kosovës.
Me regjistrimin e vitit 1931 shënohet se në Prishtinë jetonin 373 hebrenj, në Ferizaj 3, në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6 dhe në Pejë 3. Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës më 1937 jetonin 506 hebrenj.
Sipas dokumentave ushtarake serbe më 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, hebrenj, më 1915 jetonin 298 hebrenj, që do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur për në Turqi.
Më 1937 është bërë sërish regjistrimi me detaje i hebrenjve, të cilët në të njëjtën kohë shprehën dëshirën që të shpërnguleshin në Turqi së bashku me shqiptarët. Atëbotë erdhi nga Beogradi Dr. Isak Alkalaj dhe i bindi që hebrenjtë të mos shpërnguleshin.
Arkivat shqiptare ruajnë kontributin për hebrenjtë
Larisa Lezha, e diplomuar për histori, punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar. Ndjehet pak e lodhur sepse ka qenë e mbingarkuar jo vetëm me gjetjen dhe sistemimin e materialeve, por është marrë edhe me dizajnimin e materialeve arkivore që u ekspozuan në Paris. Larisa tregon se më 27 janar 2008, “Dita e Kujtesës” për Shqipërinë u organizua në Paris, në Pallatin e Luksemburgut, në senatin francez, ku u mbajt konferenca me temë: “Shqipëria në periudhën 1933-1944, një shembull për Evropën”. Dimensioni human i Shqipërisë së panjohur ishte vendosur në qendër të konferences së Parisit, e cila u organizua nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka, e Senatorit Bernard Fournier, e Drejtoreshës së Arkivave, Nevila Nika. Bashkë me kryetarin e Shoqatës Shqipëri Izrael, prof. Petrit Zorba si dhe Besim Ndregjonin. Larisa ka udhëtuar më pas nga Parisi në Nju Jork, ku u organizua ekspozita “Në besë të shqiptarit”.
Larisa tregon se në arkivat shqiptare janë gjetur dokumenta të pasura që dokumentojnë kontributin dhe sjelljen fisnike të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve.
Studiuesja e arkivave, Lezha, e cila ka kontributin e vet edhe në ekspozitën që u hap në “Ditën e Kujtesës” në Parlamentin shqiptar, tregon se në qendër të ekspozitave janë vendosur dokumente dhe fotografi origjinale, që faktojnë atë çka ka ndodhur në ato vite në Shqipëri dhe në Kosovë…Ato janë:
– Leje qëndrimi dhe leje pune për hebrenjtë e ardhur nga Gjermania, Greqia e Austria.
– Qarkore e Ministrisë së Brendshme mbi numrin e familjeve izraelite në Shqipëri.
– Marrja e shtetësisë shqiptare nga njerëz të shquar, siç ka qenë rasti nga profesor Nobert Jokli dhe Franz Gunjurger, etj.
Ndregjonët, sakrificë në emër të besës
– Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Besim Ndregjoni,ishte pjese e ekipit shqiptar per Ditet e kujteses. Një nga familje shqiptare qe eshte vene ne mbrojtje te izraeliteve, ka qenë edhe ajo e Ndregjonëve, që i mori hebrenjtë nga Tirana dhe në mot të vështirë e rrugë të vështira për katër ditë i fshehu në Katër Grykë. Ku i mbajti deri në mars të vitit 1945. Babai i Besimit ka qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Më 1939 ka luftuar kundër pushtimit fashist. Ka luftuar kundër pushtuesve i radhitur me çetat nacionaliste nga viti 1941-1944. Në mes të kësaj periudhe, dhjetor 1943, në Tiranë në shtëpinë e Xhemal Herrit, i kërkoi babait që të shkojë dhe të takojë Isuf Zenunin, i cili mbante në besë disa hebrenj, të cilëve u rrezikohej qëndrimi i mëtejshëm aty.
Babai i Besimit, Imeri, takon Isuf Zenunin, i cili i tregon problemin. Kishte shtatë hebrenj që duheshin çuar në një vend të sigurtë sepse ardhja e gjermanëve e bënte të pasigurtë qëndrimin e tyre. Familja që duhej marrë në mbrojtje ishte e Emanuel Rubenit e ardhur nga Jugosllavia. Ai ishte me bashkëshorten Lea dhe katër vajzat; Rashela, Ritka, Beta dhe Matilda si dhe kunati i tyre Isak.Kishin ardhur nga Beogradi, ku u kish ndodhë një fatkeqësi; burrin e njërës prej vajzave të Emanuelit, e kishin masakruar nazistët në Beograd. Problemi ishte se si të shpëtoheshin pesë femrat dhe dy burrat.Në këto kushte Imer Ndregoni, së bashku me një të njohurin e vet, Ramadan Biba, nga Qafë Molla, i marrin hebrenjtë dhe në kushte fshehtësie i nxjerrin jashtë Tiranës. Ishte një udhëtim i vështirë në një mot me shi të rrëmbyshëm e me erë të fortë. Udhëtimi zgjati katër ditë nëpër male. Akti i babait të Besimit, Imer Ndregjonit, është përjetësuar në kryeqytetin e Shqipërisë, ku një rruge në Tiranë i është vendosë emri, “Imer Ndregjoni”. Në motivacionin e nderimit përfshihet kontributi për shpëtimin e hebrenjve, kontributi kundër fashizmit dhe kundër komunizmit.
– Rruga që përshkoi Imer Ndregjoni atë dhjetor të ftohtë të vitit 1943 në krye të hebrenjve ishte e gjatë dhe e lodhshme. Ai kishte zgjedhë që të ndiqte rrugën e Arbërit; Pas Malit të Dajtit, kaloi në Shkallë të Tujanit, mori Qafën e Murrizës, në Mal të Bardhë, mbërriti në Klos të Matit, në Kurdari dhe përfundimisht i çoi në Katër Grykë, ku ishte shtëpia e Imer Ndregjonit dhe shtëpia e Llan Destan Ndregjonit, që ishte njëkohësisht xhaxhai i babait të Besimit. Llan Destan Ndregjoni ishte një luftëtar i njohur antiserb, i plagosur tri herë ndër beteja me serbët, por që komunsitët i kishin vrarë të birin dhe kushëririn, Xhetanin në Pezë të Tiranës gjatë vitit 1943. Shtëpia e tij ishte bosh nga që ai vetë ishte vendosur në Vojnik. Kështu që shtatë hebrenjtë u sistemuan pa asnjë problem. Në fshat u hap fjala se kishin ardhë mysafirë nga Tirana, të cilët meqenëse u ishin djegë shtëpitë, do të rrinë për disa kohë tek Ndregjonët.
Besa e shqiptarit është se kur e merr mikun në mbrojtje sakrifikohet edhe familja edhe miqësia. Kjo ishte besa që i dha Imer Ndregjoni familjes hebraike që kishte pësuar një traumë në Beograd. Dhe nga dhjetori 1943 deri në mars 1945 hebrenjtë kanë qëndruar tek Ndregjonët në Katër Grykë të Dibrës.
Besimi thotë se nuk mund të lëri pa përgëzuar të gjithë fshatin Lukas dhe miqtë që iu gjendën familjes pë krah në mbajtjen e besës për të shpëtuar familjen e hebrenjve.
Pas Luftës së Dytë Botërore për Ndregjonët filloi Holokausti komunist. Llan Destan Ndregjoni u vra nga komunstët në vitin 1946, Xhetan Ndregjoni ishte vrarë më parë nga komunistët më 1943, Halil Ndregjoni vdiq në burgun e Peshkopisë nën torturat çnjerëzore, ndërsa vetë Imeri, që shpëtoi shtatë jetë njerëzore të një populli të largët, luftëtari i 7 prillit 1939 pas një hetuesie të rreptë, u dënua fillimisht me pushkatim, më pas me 101 vjet burg, dhe shumë vite të jetës së vet i kaloi burgjeve të komunizmit. Mbrojti jetë njerëzore dhe u ndëshkua në mënyrë çnjërzore.(Arkiv)