Nga Albert HABAZAJ/ studiues/*
Loti i brengosur i Çamërisë do të shndërrohet në një rruzull drite, në një sumbull diellore për shënjtërinë e të rënëve për Atdhe dhe varreve të tyre që janë simbole kombëtare për bijtë e saj nesër. Në nderim të shekullit të ri të shqiptarëve, duke u përulur para gjakut të derdhur për vatrën, me shpresë e besim se ky shekull është Ora e Atdheut Tonë shoh krahun e majtë të Shqiponjës gjakosur e sakatosur, shoh Çamërinë martire për tekat e Europës plakë, që ngrihet, sikurse krahu i dhjathtë i Shqiponjës, Kosova, që po i shëron plagët e luftës, po integrohet në familjen europiane me larmi identitetesh qytetare e kulturore të kombeve që jetojnë në gjirin e saj por që ende kullon gjak lirie. Nga vendi i Shqipeve, zogjtë e saj ngrihen, marrin lartësi të fluturojnë të lirë drejt qiellit të pastër, drejt botës së qytetëruar, drejt Perëndimit që na përket, drejt jetës dinjitoze që meritojmë të jetojmë. Ky është, ndërkohë, dhe mesazhi që unë kuptoj nga leximi dhe studimi i librit me vjersha “Lot’ i brengosur” i fisnikes kreshnike nga Çamëria me banim në Vlorë, 78 vjeçares Resmie (Mane) Beqiri. Ky është mesazhi që unë interpretoj, sa me koherencë aq edhe me emocion, sepse në objektivitetin e punës e misionit tim, më thërret gjaku që më gëlon në deje, sepse “çamër, labër, kosovarë/ jemi një fis e një farë,/ jemi një e të pandarë/ sepse jemi shqipëtarë”, sepse kam besim që komuniteti ynë po i flet mendjes dhe po kujton porosinë e Skënderbeut të Madhërishëm, kur mblodhi kapedanët e tij princër dhe me fabulën e thuprave, që të ndara e një nga një i thyen kushdo, ndërsa të tëra tok, të bashkuara e të lidhura si një trup i vetëm, s’u bën dot “derman” askush, as bajlozi i detit me skalione hordhish, as katallani i zi me taborre egrane e me dyndjet barbare të pasosura… Vonesa u bën dëm vonestarëve, se “nga hiçja – malli Birçja”, por më mirë vonë, se është gjithmonë më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e vjetër. Këto që shkruaj janë vagëllime, që bëhen vezullime e marrin dritë të bardhë mirësie nga shpirti i bukur, derdhur në vargje i Resmies, në dukje të heshtur, por me një mal me oshëtima e me një det me gjëmime brenda globit të madh të shpirtit të saj. Nderim i bëj çdo çast të papërkulurës zonjë, të urtës nënë, të dhembshurës gjyshe, asaj që qëndroi si kapetane mbi dallgët e tërbuara të jetës, që u dyndën me egërsi e barbarizëm, sa nga hasmi i huaj grek, po aq dhe nga “vëllai” armik komunist.
Po kush është kjo zonjë e rëndë me emrin Resmie Mane – Beqiri, aq e lartë në dinjitet e po kaq e thjeshtë në pranueshmërinë e dashurisë njerëzore e dlirësisë altruiste, me ç’ka hequr e vuajtur si ajo?! Personalisht, më vjen në ndihmë kujtesa vetiake, që ka regjistruar njohjet e mia fillestare me familjen që krijoi kjo bijë Çamërie, si eshtër kombëtare me atdhetarin e përvëluar Skënder Beqiri në Vlorë. Skënderi, sipas gjendjes civlie, sot është 84 vjeç, por ejani në Vlorë dhe shikojeni. Do të keni në krahë a karshi një lastar të freskët, të drejtë si shtiza e Flamurit Kombëtar.
Ka qenë shtatori i vitit 1978, kur jam njohur vërtetësisht me këtë bërthamë familjare – vatër atdhetare. Ndoshta i kam takuar dhe më përpara, si Skënderin, si Resmien, në veprimtari të ndryshme artistike- kulturore në Vlorë, por, edhe pse shkruaja te “ Zëri i Vlorës”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Studenti”, “Luftëtari”, “10 Korriku” etj., isha ende i ri, me brumë atdhetar në gene, por akoma i pabërë kombëtarisht. Mosha… Dija që Skënder Beqiri, me origjinë çame ishte një fotograf i zoti e nuk i gjendej dot në Vlorë një konkurent profesional. As atëhere s’kishte, por mendoj se edhe sot janë nxënësit e tij ata që ngrihen, bëjnë emër e i heqin kapelen Skënderit, profesorit të fotografisë në Vlorë. Skënder Beqiri njihej si mjeshtër i fotografisë dhe njerëzit e quanin “Marubi i Çamërisë dhe i Vlorës”. Jam dakort me atë vlerësim për atë periudhë kohore, por ai njihej si mjeshtër i aparatit fotografik në rang kombëtar. Mendoj se brezat në Vlorë për fotografët më të mirë profesionalisht do të thonë për ndonjë që do të bëjë emër të lartë cilësor në këtë fushë të artit: Ky po! Ky është Skënder Beqiri i Vlorës, Çamërisë e Shqipërisë mbarë!” Skënder Beqiri është themelues i ansamblit emërmadh “ Çamëria”, me jehonë jo vetëm në Shqipëri e Ballkan. Resmie Mane – Beqiri është bashkëshorte e denjë e mikut tim të nderuar Skënder Beqiri, kunatit të shkrimtarit të veçantë për mua, zgalemit të detit, pulëbardhës së brigjeve shqiptare të Mesdheut, të paharruarit Fadil Zeqiri. Resmie Mane – Beqiri është nëna e dy vajzave dhe një djali, që bashkë me qumështin e gjirit u mëkoi dashurinë deri në frymën e fundit për Çamërinë dhe Shqipërinë, e Vjollcës,me shkollë të lartë, e Erenatës me të mesme dhe e Arjanit, dritës së syrit, me arsim të lartë. Ajo është mëmëzonja, klloçka që mbledh, mban e ngroh zogjtë në folenë e vjetër, në kujtim të të parëve. Ajo është gjyshemira Resmie për një mbeskës me emrin Nemsi të Erenatës, lulebehari si Çamëria, për të cilën gjyshen e gjyshin i ndez e mban gjallë malli për të bukurën e vetme të asaj dere të madhe; përherë sofër e shtruar për miq e shqiptarë. Ajo është gjyshja me uratë për gjashtë ullinj Çamërie, për gjashtë lisa Shqipërie, për gjashtë nipërit e saj të dashur, për Gerartin e Dinon e Vjollcës, për Arnoldin e Erenatës, për “tre musketjerët” e Arjanit: Damianin, Dilanin e Bijanin. Zonja Resmie Mane – Beqiri është bijë nga derë e madhe e nuse në derë të madhe. Ajo është pinjolle e patriotit të madh Rasih Bej Dino, që vuri shpirtin, mendjen dhe kapitalin në shërbim të Shqipërisë. Ndoshta para nja gjashtë muajsh a më parë kam botuar në gazetën “Dielli”/ on line artikullin “Pavarësia flamurëron dhe nëpër këngët e popullit”, ku, që në fillim shprehem: “Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me fisnike si Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë”.
Kam 35 vjet që punoj me zonjën Resmie për të vjelur e regjistruar visaret e memories së saj, se mbart shpirtin e pasur të komunitetit çam dhe të fisit të madh të Dinejve, me emër që peshon rëndë jo vetëm në historinë e Çamërisë , po të gjithë Shqipërisë. Në këtë shkrim nderimi po përcjell për lexuesin e respektuar të “Diellit” edhe një çast pune me subjektin Resmie Mane – Beqiri, një thesar i vërtetë, të cilin e ka fiksuar në celuloid mjeshtri i madh, atdhetari i shquar, miku i nderit e i lezetit, Skënder Beqiri; i cili është nderuar me çmim të parë në rang kombëtar për fotografinë artistike dhe me çmim të dytë në fotografi dokumentare në rang kontinental, në rrafshin europian. Këshilli i përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare Mbarëkombëtare “Çamëria” e ka nderuar me medaljen më të lartë që akordon “NDERI I ÇAMËRISË”. Skënder Beqiri dhe Resmie Mane – Beqiri janë një çift model me jetën e veprimtarinë e tyre familjare, qytetare e atdhetare jo vetëm në Vlorë. Zonja Resmie është mbesë e Muharrem Rushitit me histori dhe këngë. Muharrem Rushit Koska, ndër betejat e tjera për Atdhe, erdhi së bashku me Alush Take Konispolin në ballë të 300 çamëve, në krahë të vëllezërve labë, mallakastriotë, kolonjarë e skraparllinj, elbasanas e berates, korçarë e myzeqarë, kavajas e gjirokastritë, me “ dyfekët lidhur me gjalmë” për të hedhur në det Italinë, që pushtoi Vlorën e krahinat e tjera më 1920 –ën, për të shpëtuar kombin, për të rishpallur Pavarësisnë Kombëtare Konkrete. Imazhi i zonjës Resmie Mane – Beqiri herë më shëmbëllen me portretin e Bubulinës së famshme, herë më bie dritërimin diellor të humanistes së ndritur Nermin Vlora Falaschi, emrin e së cilës fatmirësisht mban me dinjitet biblioteka ku unë punoj…
*/ Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA