• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË ZË VIOLINE NË NJU-ENGLAND

January 18, 2014 by dgreca

Nga Orkestra Profesioniste e Bukureshtit në orkestrën e Konservatorit të Bostonit/

Nga ROZI THEOHARI, Boston/

Ajo quhej Etleva. Sapo kishte mbushur pesë vjeç, prindërit e dërguan në një nga kopshtet e fëmijëve të  Tiranës. Veshur me përparësen e bardhë, si flutur, kur kthehej nga kopshti, nuk vraponte drejt e në shtëpi. Një mur e ndante oborrin e saj nga ndërtesa e Ansamblit të Ushtrisë . Vogëlushja mbështeste duart e vogla tek xhami I dritares dhe ndiqte provat e orkestrës, me sytë e mbërthyer tek violinat. Rrinte aty çaste të tëra, pa lëvizur, deri sa vinte e merrte e ëma. Duke imituar violinistët, Etleva përdorte dy shkopinj të vegjël me të cilët luante tërë kënaqësi, duke dhënë “koncert” para pjesëtarëve të familjes. Ky ishte dhe shkaku që prindërit I blenë si dhuratë një violinë të vogël. Etleva i hodhi tej kukullat, mbasi violina tashmë ishte loja e saj më e parapëlqyer.

Kur bisedon sot me Etleva Himen, një vajzë tërheqëse e simpatike, tashmë violiniste e kompletuar dhe e afirmuar, ajo buzëqesh përmallshëm duke kujtuar gëzimin e madh të violinës së saj të parë. “Qysh e mitur, – thotë ajo, – fillova të merrja mësime violine nga profesori im i parë, violinisti i Ansamblit të Ushtrisë , Shkëlqim Tafaj. Unë ndjehem krenare sepse e fillova me një pjesë të vogël, të thjeshtë të Moxartit, me të cilën u paraqita edhe në konkurs për t’u regjistruar në klasën e parë fillore të shkollës së muzikës “Kongresi i Përmetit.” Dhe ajo kujton me respekt mësueset e kësaj shkolle Iliriana Sherri dhe Florinda Klimi.

Në moshën 8 vjeç, në solo-violinë, Etleva fitoi çmimin “Nxënësi më i mirë i vitit.” Në shkollën 8-vjeçare u dallua jo vetëm për rezultate të shkëlqyera në mësimin e violinës, por fitoi çmime edhe në “Olimpiadën e matematikës” në shkallë rrethi e republike. Prej vitit 1991’- 95 Etleva vazhdoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ka marrë pjesë në programet e Radio-Televizionit si dhe në aktivitetet vjetore të festivaleve në RT. Në maj 1988 Etleva ishte fituesja e çmimit të tretë kombëtar për interpretuesit më të mirë. Gjithashtu ka qenë tri herë fituese e konkurseve kombëtare për muzikën e të rinjve. Gjatë kohës që ka vazhduar Liceun Artistik, ka qenë pjesëtare e orkestrës me të cilën ka dhënë shfaqje në koncerte jashtë vendit si në Itali e në Greqi, ku ajo ka interpretuar si soliste dhe koncertmaester. Liceun Artistik ajo e mbaroi me çmimin “Studenti më i mirë i vitit” në degën e violinës, të letërsisë dhe bazave të përgjithshme të muzikës. Këtë e arriti në sajë të vullnetit të saj të pamposhtur për të studiuar me këmbëngulje e pa ndier lodhje dhe të kujdesit e të dashurisë së mësueses Proletare Skënderi, të cilën Etleva nuk e harron kurrë.

Mbas mbarimit me sukses të liceut Etleva fitoi një burse studimi nga Universiteti i Muzikës i Bukureshtit, Rumani, në vitin 1998 deri 2000. E nderuar për aktivitetin e saj muzikor në Rumani, ajo ishte pjesëmarrëse e orkestrës së shkollës si dhe anëtare e Orkestrës Profesioniste të Bukureshtit. Ajo mori pjesë me dinjitet artistik në “Moxart Festival” në Bukuresht me 1998. Në Bukuresht, gjithashtu, ishte mësuese e violinës në shkollën e mesme të muzikës.

Por ëndrra që nuk e linte të qetë, ishte dëshira e saj për të studiuar në Amerikë, vendi i mundësive të mëdha për talented e mëdha. Ajo e pati këtë fat dhe në vitin 2000 erdhi në Amerikë me visa-student; u regjistrua në Konservatorin e Bostonit, ku menjëherë u bë anëtare e orkestrës së këtij konservatori, me një gradë të lartë vlerësuese 3,67. Prej asaj dite ajo ka interpretuar në një numër të madh koncertesh brenda e jashtë universitetit, si soliste. Po ashtu, si pjesëmarrëse në grupin “Muzikë dhome”, ka marrë pjesë në “Festivalin e muzikës së dhomës” në vitin 2001 e 2002.

Në të njëjtën kohë, me zotësinë dhe përpjekjet e saj Etleva arriti të fitonte një vend në Orkestrën Simfonike të shtetit të

Vermontit, Mass, gjatë një dëgjimi-provë në verën e vitit 2002.

Nju—Englandi hapi dyert për talentin e saj. Qysh atëherë ajo është pjesëmarrëse korrekte duke luajtur në violinë rregullisht

si anëtare e orkestrës dhe  në qershor të këtij viti ajo do të nënshkruajë kontratën për të punuar me kohë të plotë në

këtë orkestër. Ajo qëndron gjithnjë e para në listën e kandidatëve që kanë marrë pjesë në konkurs. Ja ç’thotë Eleanor

Longu, manaxherja e Orkestrës Simfonike të Vermontit: “Etleva shkon gjithmonë në rritje dhe përsosmëri, është një muzikante

e mrekullueshme dhe shumë serioze në karrierën e saj profesionale. Te lokalizuar relativisht larg nga qendra e muzikës

metropolitane, ne ndjehemi me fat që një kalibër i tillë i lartë i violinës, si Etleva, të bashkëpunojë me ne.” Dhe në fakt, çdo

pjesëmarrës i orkestrës e vlerëson kontributin muzikor të Etlevës si anëtare e denjë e orkestrës së Vermontit. Për më tepër, në

shtetin rural të Vermontit, që ndodhet në kufi me Kanadanë, Orkestra Simfonike gjithnjë vjen duke u shkurtuar në numrin

e orkestrantëve të saj duke zgjedhur muzikantë me standarte të larta profesionale. Një ndër ta është dhe violinistja shqiptare,

Etleva Hima. Prandaj nuk është e rastit që violinisti solist, i famshmi Jaime Laredo, drejtori dhe dirigjenti muzikor i kësaj

orkestre, ka pranuar të planifikojë disa sesione konsultimi me violinisten Etleva, që është një nder i rrallë. Kjo vërteton

vlerësimin e lartë që ka drejtori muzikor për interpretimin, përkushtimin dhe potencialin muzikor të Etlevës.

Tre vitet e fundit Etleva ka qenë anëtare e Orkestrës Simfonike “The Claflin Hill,” në Boston, ku ajo interpreton si

të tjerët, me kapacitetin profesional të violinistit, megjithëse ka qenë një “visa-student” në Amerikë. Si anëtare e kësaj orkestre,

e cila prezanton muzikën e lartë simfonike të të gjithë botës, Etleva ka marrë pjesë në shumë koncerte në të gjithë rajonin

Metrowst të Bostonit. Paul Surapine, drejtori ekzekutiv dhe artistik i Orkestrës Simfonike, “The Claflin Hill” thotë për

Etlevën: “Zonjusha Hima është “first call” musician— muzikantja më e përsosur në orkestrën tonë. Megjithëse është

duke kompletuar një kurs të vështirë e të mundimshëm në studimet e saj muzikore në Boston, ajo asnjëherë nuk është

shkëputur nga detyrimet e orkestrës “The Claflin Hill” duke punuar me dinjitet artistik e profesional në seksionin e violinave

të orkestrës, ku marrin pjesë violinistët më të shkëlqyer të Nju- Englandit…Ajo është një “pasuri,” një “kapital” i organizatës

sonë dhe plotëson të gjitha cilësitë dhe besimet mbi të cilat është ngritur e qëndron kombi ynë. Ajo erdhi në Amerikë të ndërtojë

një jetë të re, të punojë e të realizojë ëndrrat e saj dhe të kontribuojë për një “botë të re.” Etleva Hima është lindur në Europën

Lindore, por unë jam krenar ta quaj atë një amerikane.”

Etleva është një vajzë shumë energjike dhe muzikante e fokusuar. Me muzikën e saj ajo sjell standartet më të larta të

ekzekutimit duke u shkrirë njësh shpirti i saj me instrumentin e violinës. Ajo është gjithashtu një vajzë e mrekullueshme, e

shoqërueshme dhe e dhembshur me kolegët e saj amerikanë, duke ndarë me ta gëzimet ose vështirësitë e profesionit.

Profesoresha e violinës Cora Cooper, në Universitetin Kanzas, ndien kënaqësinë që ka punuar profesionalisht me Etlevën dhe

ka mbresat e përshtypjet më të mira për aftësitë e jashtëzakonshme të Etlevës si violiniste dhe si muzikante. Cora

pohon se violina e Etlevës qëndron mbi të tjerat. Etleva interpreton me nivel të lartë artisitik, ajo punon shumë e

parapërgatitet simbas kalibrit më të lartë të interpretimit. Sipas saj, Etleva i ka të gjitha mundësitë për t’u aktivizuar si violiniste

soliste dhe për t’u shkrirë në harmoni e në unitet së bashku me veglat e tjera të orkestrës. “Unë jam e sigurt, – thote Cora, – se

Etleva zotëron kapacitetin e duhur, tashmë të plotësuar, për të interpretuar si solo-violinë. Teknika e saj ka arritur në shkallën

e parë; ajo “prodhon” tone të pasura e të ngrohta. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është zëri individual me të cilin ajo

luan në violinë. Interpretimi i saj është personal, prekës dhe stilistikisht i pëlqyeshëm. Kur dëgjova interpretimin e “Concerto

in A major” të Moxartit, dëshiroja të kisha mundësinë ta regjistroja atë…Etleva e ka dhuratë aftësinë për të luajtur

muzikë gjallëruese, ndezëse. Në të njëjtën kohë, zonjusha Hima është e barabartë në stil dhe në teknikë me standartet e arritura

në periudhën e romantizmit e të barokut.”

Përveç aftësive të saj të jashtëzakonshme në repertorin standart të violinës, Etleva është e interesuar edhe për artin

muzikor e folklorik të vendlindjes së saj, Shqipërisë. Ajo studion e bën kërkime në këtë fushë dhe më informon se duke punuar me

një dirigjent orkestre në Boston, dha koncert me një pjesë nga repertori i muzikës shqiptare në sezonin 2003-2004.

Shumë shqiptaro-amerikanë të Bostonit ndoqën me interes koncertet e violinistes shqiptare në dy recitalet e saj në Boston e në Franklin, Mass.

Ja ç’thotë për të Artisti i merituar Xhoni Athanasi: “ Kam kënduar në një koncert i shoqëruar nga Etleva. Gjithashtu e

kam dëgjuar interpretimin e saj solo në një koncert-provimi ku ajo luajti shumë mirë. Etleva është një vajzë e talentuar dhe

me të dhëna muzikore. Ajo ka teknikë shumë të avancuar, punon me një disiplinë artistike të veçantë. Është studioze,

ç’ka e kërkon instrumenti i violinës. Në repertorin e saj ka vepra nga më të rëndësishmet dhe unë jam i sigurt se Etleva është një

violiniste soliste me perspektivë.”

Jeta e përditshme e violinistes së shquar është e mbushur me data koncertesh, provash, udhëtimesh, studimesh e, veç

këtyre, ajo jep mësim violine në disa shkolla në zonën e Bostonit: në North Benet St. School—shkollë profesionale e violinës, në

Franklin School of Performing Arts—shkolla më e madhe e artit në atë mjedis, me 1500 studente, ne studion private

LexiMusic etj. Studentët e saj janë amerikanë, që nga fëmijët e vegjël deri në moshat më të rritura, me nivele të ndryshme

përgatitjeje. Cilësia e lartë e mësimdhënies e bën atë shumë të kërkuar nga shkollat e muzikës dhe ajo nuk bën asnjë refuzim.

“Megjithëse jam shumë e ngarkuar,—pohon Etleva,—këtu në Amerikë me pëlqen, këtu ndihem mirë. Ia kam krijuar vetes

atë lloj relacioni me kolegët e mi amerikanë, sa, kudo e kurdoherë ndiej ndihmën e përkrahjen e tyre. Po ashtu, ndiej

mbështetje e dashuri nga familja ime që banon bashkë me mua në qytetin e Somervillit, Mass.”

Në sesionin 2003-2004 Etleva dha një koncert solo-violinë së bashku me “Boston Virtuosi Orçestra.” Po ashtu, soloviolinë,

një tjetër koncert me “Claflin Hill Symphony Orkestra (Milford, MA) dhe “Franklin Performing Art Company”

(Franklin, MA.)Kjo është ajo Etleva e vogël e dikurshme me përparëse të bardhë që sot vesh fustane të zeza, të rënda, në koncertet e saj dinjitoze. Zëri i violinës së saj ka pushtuar sallat luksoze të teatrove më në zë të Nju- Englandit, nesër ndoshta ato të Nju-

Jorkut, Amerikës e më larg.

 

VIOLINA E KUQE

Violinistja Etleva Hima e quajti koncertin e saj “Violina e kuqe.” Ajo luajti si soliste në fillim të nëntorit 2003 në recitalin

e saj special në Seully Hall të Konservatorit të Bostonit.” Këtë titull nuk e kam huajtur nga filmi me të njëjtin emër,” – thotë

ajo. – “Unë dua të interpretoj muzikë nga Shqipëria, të sjell dhe të ndriçoj një pjesë të kulturës muzikore të vendit tim.”

Ajo ua kushtoi koncertin e saj festave të mëdha të nëntorit. Prandaj gjysma e sallës së koncertit ishte plot me shqiptarë.

Mes tyre ishin të pranishme disa familje me origjinë nga Çamëria, të ftuar nga Etleva, e cila edhe ajo prindërit i ka nga

Çamëria. Violina e Etleves qan për tragjedinë çame, tragjedi e trashëguar gjak pas gjaku.

Repertori i violinistes ishte i pasur me sonata për violinë solo nga Bahu, sonata për violinë e piano nga kompozitori shqiptar

Çesk Zadeja, sonata nr.10 për violinë e piano, opus 96, e Bethovenit etj. Ajo u shoqërua në piano nga pianisti Skot Nikolas.

Në koncertin e saj Hima luajti me një nivel të lartë.

Përzgjedhja e programit që përfshinte vepra nga periudha barok e klasicizmi dhe muzika moderne shqiptare, kërkonte

në të njëjtën kohë një gamë të gjerë cilësish, të cilat u panë në interpretimin e violinistes shqiptare. Në mes tyre spikatën

kapaciteti teknik për të cilin violinistja ka punuar gjatë në vite si dhe dimensioni e bukuria e tonit violinistik. Te dëgjuesit në

sallë mesazhi muzikor erdhi i plotë dhe me raportin e duhur tingëllor me pianistin. Gjithashtu Etleva ka një frazim të bukur

e origjinal në interpretim, si dhe motivacion të plotë gjatë interpretimit skenik. Me fustanin e saj të kuq elegant dhe

lëvizjen energjike të trupit, të duarve e të gishtrinjve, ajo i ngjante një lulëkuqeje që e lëkund era e freskët pranverore. E

ulur pranë nënës së saj, unë dëgjoja herë pas here psherëtima.

Ajo ndihej e lumtur e krenare për vajzën e saj.Hima kishte zgjedhur për në fund të programit, koncert për violinë e piano të kompozitorit shqiptar Pjetër Gaci. Ajo është shumë e interesuar dhe interpreton të dy llojet e muzikës shqiptare, popullore dhe klasike.

Pyeta violinistin e dëgjuar shqiptar Lorenc Radovani, i pranishëm në sallën e koncertit, për përshtypjet rreth recitalit të Etleves.

“Recitali i violinistes Hima dhe pianistit Nikolas, – tha ai, – më bëri të përjetoj ndoshta një ndër aspektet më të arrira të

botës shqiptare – artin. Kjo është një fushë ku në Shqipëri u investua shumë gjatë periudhës komuniste, frytet e së cilës

vazhdojnë të ndihen e të reflektojnë tek artistët e vjetër e të rinj.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Etleva hima, ne New England, nje ze violine, Rozi Theohari

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT