

NGA ILIR LEVONJA/ Florida/
Ka ditë që në botën virtuale, studiove televizive etj., sillen ngjarje, e kujtohet 1997-ta. Ose viti i ashtuquajtuari si i mbrapshtë. I pari është ai i Haxhi Qamilit ose 1913-ta…, dhe 1997-ta pra, në këtë histerinë politike të vendit tone.Çfarë nuk dëgjon? Nuk ngelet kush pa u sulmuar. Deri kabineti i CIA-s, aq më tepër që në atë kohë drejtohej nga një gjysmë shqiptar a gjysmë grek, një himariot me emrin Tenet. Qëllimet shoviniste greke për të marrë jugun e vendit. Mbrojta e artë e Turqisë që aso kohe qeverisej nga një grua me sharm si Tansu Çiller etj.
Kritikohen Komitetet e Shpëtimit në rrethe. Dhe lavdërohet marrëveshja politike e 9 marsit. I mëshohet një marrëzie kolektive. Ku vërtetë, qytetet e jugut u ndanë në zona influencash, ashtu siç bëjnë edhe kafshët në safarin afrikan.
Dhe çdo qytetar i këtyre anëve e di mire se çfarë domethënie ka kjo frazë. Duelet e Teksasit të Amerikës së viteve të errta, ku më i forti mbijetonte me dite, ishin prezente. Kemi pare të shkuarën tek duart në pëqi. E përkundëm. Plot njëzetvjeçarë që qëllonin të dehur nga gjaku nga kabinat kabriolet të xhipeve. Kundërshtarët në një tavolinë kafeneje. A Alfa Romeo-ve të blinduara, para këmbëve tona. Kemi pirë ndonjë birrë me kallash në tavolinë. Ndërsa kemi pare me sy se si pështyhej një kokë e prerë. Në grup, që i sillej rrotull e kumbonte, njësoj si në xhunglat e fiseve indiane në kohërat e tarzanit dhe kolonizatorëve. Kumbonte dhe pështynte. makabritet modern. Pasi gjakmarrja shqiptare, ajo që na shfaq në botë si një popull epic, kish moralin e saj më të forte se plumbi. Respektin për të vrarin. Nuk dua të them kufomën, pasi në ndjesinë time kufomë është ai që vret. Megjithatë njëzetëvjeçarët e shkollës së nimeklaturës, të ripnin të gjallë. Ta shkërdhenin skalpin e kokës. Dhe kjo quhej zotësi. Megjithëse pak ditë më pas do vrisnin edhe shoku-shokun. Thjesht për punë tangallëku. Për inat preferencash partiake.
Partitë vet, mblidheshin natën. Kanë ndarë edhe armë zotërinj debatues. Po, po armë. I hidhnin nga një pagure me benzinë. Madje here më here vozisnin në për qytet me këto mjete kabriole e të blinduara. Kurse ju I konsideroni kot Komitet e Shpëtimit. Ca intelektuale, pa mbështjetje politike. Kam qënë edhe unë në një mbledhje si kjo. Në një godinë qeverie pa dyer e dritare. Era shkrumb. Në një séance pushimi po pinim nga një cigare. Pranë kisha një mësuesin tim që sot nuk jeton më. Më dhimbset ikja e tij e parakohëshme, për faktin se ishte një mëndje e çmuar. Po tek ne…, vdekja e di se kë zgjedh.
Gjithsesi, të mos i largohemi temës. Ka qënë buzëmbrëmje dhe ndalim qarkullimi po afronte. Kur një BMW firmato, qëndron poshtë dhe na përshëndet me breshëri kallashësh.
U shtrimë si të çmendur përtokë. Dëgjonim plumbat kur këndonin koridoreve të skalafitur. Megjithatë venduam në një kalim të pushtetit tek shteti, jo tek Komitetet. Dhe ky ishte një gabim pasi komfliktualiteti i mbetjeve politike, është sot më i fort se kurrë. E tëra një debat kolektiv vetëm tek statutet e fejsbukkut të Berishës dhe Ramës. Ku njëri denoncon e tjetri pjerth. Dhe ne të çmendurit që vetëm grindeni.
Nuk e di, por është një monolog i Koço Devoles, në rolin e një kryetari partie, me një vajzë me sharm si sekretare, me emrin Aulona Minga, para ca viteve. Një monolog me klithma drame ku na bërtet. Na quan hajvanër pse nuk e largojmë nga politika. Por e mbajmë në pushtet. Po kështu jemi ne, besëhupës. Jo besëmbajtës.
Vërtet pak përgjegjësi kolektive. Dhe shumë mllef e etje për gjak karshi njëri-tjetri. Deri djegje shtëpie, dëbim me antitanke. Që fal i qofshim zotave të shtetarëve, na dhanë më shumë barot se sa edukatë dhe bukë.
Po tek ne faji u bë nuse dhe askush nuk e pëlqeu.
Kështu edhe puna e 1997-tës.
Puna e juaj në studio. Që merreni me papërgjesitë kolektive dhe jo me shkakun. Po, populli ka faj. Ka faj edhe me ju.
Ngjishjani popullit, se në emër të popullit bëhen të gjitha.
Edhe populli në emër të vetvetes varfërohet, vritet përçahet e sundohet. Asesi legjendarët e politikës së tij.