-Kryeministri Mustafa: Kosova, hapa të sigurt drejt organizatave kryesore globale/PRISHTINË, 1 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova ecën me hapa të sigurt drejt organizatave kryesore globale, tha sot kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Doganave, si dhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“Kosova ngadalë por sigurt po vendoset në hartat e organizatave kryesore globale. Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Doganave është dëshmi e pjekurisë shtetërore dhe ndërtimit të institucioneve të afta dhe kredibile”, theksoi ai.
“Konsideroj se nuk ka rast më të mirë se ky sot kur po shënojmë njëvjetorin e fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që të promovojmë edhe këtë sukses shumë të madh tonin”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si një marrëveshje e parë kontaraktuale me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova me këtë marrëveshje ka marrë për obligim që të përmbush kriteret e Kopenhagës.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke folur për njëvjetorin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shënimit të anëtarësimit të Doganave të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganës, tha se është një vit i përpjekjeve të zyrtarëve doganor për të zbatuar standardet më të larta evropiane.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, përfaqësuesi i BE-së, drejtori i Doganave, përfaqësues të ATK-së, të bizneseve dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, foli për të arriturat e Doganës së Kosovës, për ndikimin e MSA-së dhe për raportin me Organizatën Botërore të Doganave.