• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në prag të miratimit të ligjit mbi “Reformën në Drejtësi”

May 3, 2016 by dgreca

Fragment nga romani “Në kerkim të lirisë”/

Nga Reshat  Kripa/

Tashmë   pushteti   kishte   kaluar  në  duart  e  së majtës. Ajo e kishte fituar atë me forcën e  armëve, si dikur pesëdhjetetre vjet më parë

Natyrisht, në këto kushte,  ajo e ndjente për detyrë të shpërblente ata që e kishin ndihmuar të vijnë në pushtet. Kështu Bilalin e emëruan drejtor të një instituti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Drinin e dërguan si diplomat diku në një shtet të lindjes, ndërsa Fatlumi na doli si një analist dhe komentator politik i përsosur, që jepte mendime në çdo organ shtypi dhe ekran televizioni, si specialist i të gjitha fushave të jetës së përditshme.

Në këto  kushte  ishte  e  pamundur  që  shoqata  të zhvillonte  më tej veprimtarinë e saj. Ndaj Fatosi qëndronte pothuajse vetëm duke menduar për mënxyrën që kishte kllaposur vendin. Nga detyra e drejtorit e kishin shkarkuar dhe tani jetonte vetëm me pensionin e tij. Të njëjtin fat kishin pësuar edhe Hektori  me Dianën.

Me   këto   mendime   rrinte   pranë    ekranit    të televizionit dhe shikonte pa e patur mendjen aty. Po jepeshin lajmet kryesore të ditës. U zgjua papritmas nga haluçinacionet   ku   jetonte   nga  zëri  i  spikeres  që  bëri  njoftimin.

Sot, në mbrëmje  u  vra  nga  persona  të  paditur, pranë   selisë   së   partisë   së    tij, udhëheqës  i   lëvizjes studentore të viteve 90-të (spikerja përmendi emrin e tij), së bashku me shoqëruesin e vet, ndërsa shoqëruesi tjetër mbeti i plagosur rëndë (edhe në  këtë  rast  spikerja përmendi emrat e tyre).  Policia është  vënë  në ndjekje  të vrasësve.

Fatosit iu duk sikur  një  bombë  kishte  shpërthyer në këmbët e tij. Udhëheqësi i studentëve ishte bërë një figurë e njohur në politikën shqiptare. Dy herë më parë u kishte shpëtuar atentateve të kryera dhe pas çdo here    gjëmonte      më     fort    zëri    i    tij    në     mbrojtje     të deokracisë  që  tashmë ishte përdhunuar.

Ai e njihte edhe shoqëruesin e udhëheqësit. Ai ishte biri i një ish të burgosuri politikë, një burrë mjaft serioz dhe korrekt. Ai e dinte se ata i vrau dora e zezë e krimit, dora e pasardhësve të atyre që kishin vrarë dhe burgosur prindërit e tyre, dora e ish-Sigurimit të Shtetit e rivendosur përsëri në pushtet, ndonëse me emër tjetër, atë të partisë socialiste, të asaj partie që  gatoi tmerret e vitit 1997 dhe uzurpoi pushtetin, duke përmbysur me forcë fitoret demokratike të arritura deri atëherë në vend.

Dy ditë tmerri dhe terrori vijuan këtë ngjarje të tmerrshme. Dy ditë të zeza për popullin shqiptar. Ishte vrasja e shekullit. Partia Demokratike i demaskoi menjëherë vrasësit, por organet qeveritare e bënë veshin e shurdhër, se ishin vetë ata që e kishin përgatitur këtë komplot.

Fatosi e shikonte udhëheqësin madhështor në krye të studentëve të Tiranës, për të rrëzuar sistemin e urryer që sundoi për gati një gjysmë shekulli në vendin tonë E shikonte në rrjedhën e atyre ngjarjeve të paharruara të viteve 1991-1997, si një pishtar që ndriçonte për të ndritur rrugën e demokracisë. Por me një madhështi më të madhe e shikonte pas ngjarjeve tragjike të atij viti të zymtë. E shikonte madhështor të endej nga një qytet në tjetrin për t’i treguar njerëzve se vazhdonte të jetonte dhe të luftonte për rivendosjen e demokracisë së përdhunuar. Një gjë e tillë nuk kishte se si të mos binte në sy të kriminelëve që i ngritën disa kurthe dhe prita. Fatosi kujtonte ngjarjet e Tropojës, Milotit dhe sidomos atë të parlamentit, ku plumbat e një vegle qorre të Sigurimit e plagosën rëndë, por  që për fatin e tij nuk mundën t’ia merrnin jetën. Ai kishte parasysh figurën e tij heroike në parlamentin shqiptar, pas daljes nga spitali, me duart e kryqëzuara lart ku, pa iu dridhur qerpiku, u çirrte maskën  mafiozëve, autorëve kryesorë të masakrës së vitit 1997. Ndaj e vranë. E vranë pabesisht ashtu siç ishin mësuar prej kohësh, ashtu siç kishin vrarë prej kohësh.

Së bashku me të vranë edhe besnikun e tij. Ai ra për të mbrojtur mikun. Ranë që të dy njëri pranë tjetrit, të lidhur pazgjidhshmërisht edhe në vdekje. Familjes së shoqëruesit, një familjeje fisnike nga veriu i vendit, nuk i kishin mjaftuar përndjekjet e të atit, një malësori të urtë dhe të ndershëm. Nuk i kishin mjaftuar kaq vite vuajtjesh të pashembullta nën regjimin diktatorial ku, me gjithë varfërinë e tejskajshme, asnjë herë nuk e kishte ulur kokën, por kishte qëndruar gjithmonë ashtu siç i ka hije një malësori dhe familjeje krenare. Ajo duhej goditur atje ku i dhimbte më tepër. Dhe ky ishte biri i tij i mirë, i urtë dhe besnik deri në vdekje. Kjo ishte tradita e trashëguar nga prindërit dhe krahina e tij e nderuar. Dhe ai diti t’i ruajë ato me nder. Ai u vra se i përkiste një familjeje tradicionalisht të lidhur me  Mbretin  Zog  dhe  Partinë  Lëvizja  e Legalitetit.

Dita   e   nesërme.   Kryeqyteti   zjente.   Revolta popullore për vrasjen mizore shfaqej nëpërmjet manifestimit paqësor të popullit, nëpër rrugët e kryeqytetit.  Me këtë manifestim ata donin që t’i jepej fund njëherë e mirë vrasjeve barbare që kishin filluar në vendin tonë, nën ombrellën qeveritare. Manifestuesit as nuk dogjën dhe as nuk vranë, as hapën depot e armatimit dhe as rrëmbyen armët, siç kishin vepruar komunistët një vit më parë.   Megjithatë u vranë. U vranë se ishin demokratë. U vranë se ishin të përndjekur politikë nga diktatura. Në këtë manifestim paqësor, krahas dhjetra të plagosurve, qëllohet për vdekje Lulzimi, biri i nacionalistit të njohur Saimirit, një oficer i lartë që kish mbaruar studimet e larta në Torino të Italisë, vrarë edhe ky në ditët e zeza të nëntorit të vitit 1944. Vrasja e Lulzimit u krye me snajper nga godina e Kryeministrisë. Ishte një vrasje e paramenduar. Pasi kishin vrarë disa nga krerët e asaj organizate atdhetare, që për parullë kishte: “Puna jonë në robëri është Lufta. Lufta jonë në liri është Puna”, filluan   të   vrasin   edhe   bijtë   e   tyre.

Kaloi dhe një ditë  tjetër.  Zhvillohej  ceremonia  e varrimit të martirëve. Pas mbarimit të mitingut të përmortshëm, turma drejtohet me arkivolët drejt Kryeministrisë, shkaktares së kësaj masakre. Përsëri krisma. Në rrugë kundër popullsisë shfaqen edhe tanket. Popullsisë nuk i mbetet tjetër veçse të ngrihet në revoltë. Por thirrja e burrave të urtë të kombit, që nuk donin më të derdhej gjak, që donin që gjithçka të zgjidhej me ndihmën e arsyes, e qetësoi turmën e irrituar.

Mbrëmja e asaj dite. Ora 20.oo. Genti,  i këputur nga lodhja e asaj dite të përgjakur, po kthehej në  shtëpi. Jo  më   shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Rendit, tre plumba kriminelësh e qëlluan. Ai  u  rrëzua për tokë. Ishte vetëm. Askush nuk guxoi t’i afrohej. Ndoshta e lanë ashtu  qëllimisht  për  gati njëzet minuta. Pastaj e  shpunë  në  spital  ku  ndërroi  jetë.  Pesëdhjetëvjet më parë i kishin vrarë edhe të atin. Gjakpirësit siç duket nuk ishin ngopur me gjakun e tij  por kërkonin edhe atë të të birit.

Në morg me Gentin, ishte dhe një kufomë tjetër. Ajo mundi të identifikohej vetëm pas dy ditësh nga e motra. Ishte Aliu nga Macukulli, një i përndjekur politikë nga regjimi i Enver Hoxhës. Kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të zhvillohej pas një jave.  Por nuk mund të mos merrte pjesë në varrimin e martirëve. Dhe u   vra. Në  Macukull  këngët  e  dasmës  u  përzjenë  me  vajin  e  vdekjes.

Kështu ranë martirët e atyre  ditëve  të  tmerrshme. Ata ranë për t’u përjetësuar në këngët dhe historitë e këtij kombi. Ata do të mbeten gjithmonë të pavdekshëm në kujtesën e popullit. Por kjo nuk mjafton. Gjaku i tyre kërkon drejtësi. Vrasësit dhe urdhëruesit enden të lirë rrugëve të vendit. Disa prej tyre mund të jenë në organet legjislative apo të drejtësisë. Ka ardhur koha e vënies  në vend   të  drejtësisë  së  vërtetë.  Dhe  Fatosit i dukej  sikur dëgjonte thirrjen e tyre:

– Duam drejtësi!

Këto mendonte  Fatosi në ato çaste. Para syve i doli një ngjarje që  i  kishte  ndodhur  në  vitin  e  parë   të fitores së demokracisë:

Po nxitonte për të shkuar  në  zyrë. Papritmas i kishte dalë para toger Ademi, ish-operativi i sigurimit që kishte pasur në kampin e punës së detyruar. Qëndroi dhe po e vështronte. Ai, me një buzëqeshje të shtirë, i zgjati dorën. Fatosi ndjeu neveri për atë dorë të përgjakur         

– Ç’kërkoni? – i tha  ftohtë.

– Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj ai duke parë qëndrimin e tij. – Ishte i sistemit  që na bëri të tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim.

Fatosi nuk po e dëgjonte. Para syve i dilte një skenë mizore që lidhej drejtpërdrejt me të dhe të cilën nuk mund ta harronte kurrë. Ndaj pendimi i tij ishte  falso dhe ai nuk mund ta besonte. 

Ishin në kampin e Bulqizës. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishin kthyer nga puna të rraskapitur dhe prisnin t’u sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanin shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, i tha me egërsi:

– Përse nuk e realizove normën?

– Isha i  sëmurë,  zoti  toger! –  u  pergjigj  djaloshi me gjysmë zëri.

            Nuk e la të mbaronte fjalën. E  rrëmbeu  me  forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku të mundte me kamxhikun që mbante në duar. Pastaj, duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamxhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëherë dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanoneve. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Binte borë. Fatosi dhe shokët e tij dëgjonin rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishin në gjendje ta ndihmonin. Tërë atë natë nuk mbyllën sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Diku afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë.   Nuk   i   kishte  mbushur  ende  te  shtatëmbëdhjetë vjetët.

-Shpormu nga sytë! – thirri Fatosi sapo kaloi vegimi që iu shfaq.  Por krimineli  e  kishte  kuptuar  me kohë  dhe ishte zhdukur. Fatosi ndjeu  një   tronditje   të thellë  brenda vehtes

Në atë kohë iu kujtua një film gjerman  që  kishte parë në fëmini. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kishte kryer eksperimente nga më të përbindëshmet për torturimin dhe  shfarosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe atë, si  shumë të tjerë, e kishin çuar në bankën e të akuzuarve.

Kishin kaluar vite që atëherë. I kishte harruar pothuajse të gjitha skenat e  filmit. Vetëm njëra i kujtohej, finalja e tij. Mjeku i kapur me të  dy  duart  pas hekurave të burgut  thërriste:

            – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa   në   sfond   prapa  tij,  si  përgënjeshtrim, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

 

Duke kujtuar këtë  Fatosit iu duk sikur i përjetonte ende ato ditë dhe thirri me zë të lartë:

– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Njerëzit rreth e rrotull qëndruan dhe po e vështronin. Ai, i zhytur në  ëndërrimet  e  tij, duke  mos  e kuptuar se ku ndodhej, u kthye drejt tyre dhe vazhdoi:

– Po. Janë hetuesit dhe  ish-punonjësit  e  Sigurimit të Shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirtë që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijëra të vrarë e të vdekur nëpër burgje, të cilëve nuk u dihen as varret. Janë spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerëz të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen?

Dikush nga turma bëri një shenjë që  tregonte  se ligjëruesi nuk  duhej  të  ishte  mirë  nga mendtë. Ridvani, që u ndodh aty pranë, e kapi për krahu dhe e tërhoqi. Fatosi u përmend.

– Thashë ndonjë gjë? – pyeti.

– Jo, jo, – u përgjigj ai, – ejani të shkojmë.

U nisën. Kur mbërritën në shtëpi, Ridvani e pyeti:

– Përse shpërtheve ashtu?

– Mora vesh lajmin mbi vrasjet e kryera në Tiranë dhe m’u kujtua se disa vite më parë kisha takuar ish-operativin tim të Sigurimit. Ai ishte munduar të më kërkonte ndjesë. Atëherë m’u kujtua një ngjarje e dhimbshme që zor se mund të harrohet. Para syve më doli fytyra e shtatëmbëdhjetëvjeçarit që i mbylli sytë i lidhur në shtyllën   e   telefonit,  në   atë  natë  të  acartë  dimri,  në  kampin e Bulqizës. M’u veshën sytë. M’u duk vetja sikur isha ende në kamp. Harrova që  isha  në  rrugë.  Nuk munda të duroja më dhe shpërtheva.

– Por koha e atyre tashmë ka perënduar.

– Jo, i dashur mik, ata jane gjallë. Sot  janë  një  lloj  tjetër vrasësish,  më  të  rrezikshëm  dhe  më

kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonëse janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund t’i gjesh në partitë politike, në shoqatat, madje edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht, duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve.

– A ka mundësi?

– Po, ata i gjen kudo duke u ngjirur dhe  thërritur si mjeku gjerman: “Jemi te pafajshëm! Jemi të pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur”! Sikur  të mos kishin qenë  këta njerëz të pamoral  që e mbajtën gjallë atë sistem i cili nuk do të qëndronte dot më këmbë për gati një gjysmë shekulli.

– Po përfundimi?

– Nuk e di. Kush   pra   qenka   fajtori   për   gjithë   këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona?

Ridvani nuk  u  përgjigj. Nuk  ishte  në  gjendje  të gjente fjalë për t’u  përgjigjur.  Qëndroi  edhe  pak  dhe pastaj u largua.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Reformën në Drejtësi”, ne prag, reshat kripa, të ligjit mbi, të miratimit

NË PRAG TË 100-VJETORIT TË DYTË

December 13, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe gjithku  jetojnë shqiptarët anë e mban  botës, muajin që kaloi u festua denjësisht 100-vjetori i Pavarësisë Kombëtare, duke kujtuar me solemnitet dhe duke nderuar burrat dhe gratë të cilët kanë sakrifikuar jetën dhe kanë kontribuar me talentet e tyre për të siguruar këtë pavarësi dhe liri që gëzon dhe që festoi  kombi shqiptar.  Shekulli i parë ishte një shekull sakrificash dhe heroizmash, pushtimesh e diktaturë komuniste, me të gjitha të mirat e të këqiat, me gjithë sukseset dhe dështimet — këtë vit që po merr fund — u shënua dhe u celebrua me krenari, 100-vjetë i të qenët shqiptar.  Shekulli i kaluar dhe luftërat heroike të shqiptarëve gjatë shekujve të më parëshëm, për të realizuar më në fund këtë pavarësi 100-vjeçare, ishin tepër domethënse për kombin. Imponimet e historisë dhe të rrethanave të kohërave kombin shqiptar e kanë bërë ai që është sot, i ndarë dhe i përçarë në pesë shtete, pothuaj si asnjë popull tjetër në botë, megjithëse me shekuj jeton në një hapësirë homogjene etnike.

Por megjithë këtë histori të dhimbëshme, 100-vjetët e ardhëshëm janë ekskluzivisht në dorë të shqiptarëve për të krijuar dhe ndërtuar një të ardhëme ashtu siç e dëshirojnë vet shqiptarët, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe obligimet si indidvidë dhe si shoqëri, por mbi të gjitha si komb. Dhe si të tillë, duke pyetur vetveten, nëse gjëndja e sotëme në të cilën gjëndet kombi shqiptar është e pranueshme dhe nëqoftse jo, çfarë duhet bërë? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, secili ka rolin e vet për të luajtur por edhe përgjegjësitë, si anëtar i denjë i kombit të vet.

Gjergj Kastrioti — Skendërbe, Lidhja e Prizrenit, si dhe patriotët, në krye me Ismail Qemalin, të cilët 100-vjetë më parë shpallën Pavarësinë Kombëtare, kishin një vizion të qartë dhe të vendosur për të ardhmen e kombit shqiptar. Ata ishin burra të mençur, të flakët në patriotizëm dhe të përkushtuar, jo ndaj interesave personale, por ndaj parimeve të tyre kombëtare dhe dashurisë për Atdheun, që më në fund pas 500-vjetë pushtimi osman, bënë që ”Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Ndërsa po mbyllen festimet e 100-vjetorit të parë të Pavarësisë Kombëtare dhe ndërkohë që fillon shekulli i dytë i shqiptarëve, cili është vizioni për të ardhmen e kombit që e dëshiron brezi i sotëm i shqiptarëve — ky brez i privilegjuar i cili udhëhoqi dhe me krenari mori pjesë në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë — për ta bërë Shqipërinë  dhe për ta radhitur kombin shqiptar me kombet e tjera evropiane, aty ku historia ia caktoi vendin?

Them brez i privilegjuar sepse në çerek shekullin e kaluar ky brez ishte dëshmitar dhe në shumë raste edhe pjesëmarrës në sigurimin e lirisë dhe në rivendosjen dhe zgjërimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët kudo që janë, kurrë më parë nuk kanë gëzuar më shumë të drejta dhe liri se sot. Historia ka filluar të ndreqë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi ynë gjatë shekujsh, ashtuqë ëndërra e rilindasve të shkojë në vend. Karl Sandburg, shkrimtari dhe poeti amerikan ka thënë se asgjë nuk ndodhë, nëqoftse më së pari nuk fillon si ëndërrë. Dhe sipas Eleanor Rusvelt e ardhmja është e atyre që besojnë në bukurinë e ëndërrave të veta.  Ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar është në realizim e sipër, por është tani në dorë të këtij brezi të shqiptarëve — e sidomos të klasës politike në të gjitha trojet — që liria që gëzojnë sot shqiptarët të forcohet, të konsolidohet dhe të përjetësohet, ashtuqë ëndërra e tyre të bëhet realitet dhe të shkojë në vend amaneti i rilindasve patriotë.

Ku janë sot patriotët dhe heronjtë e kohës moderne? Fatbardhësisht, rrethanat historike sot janë të tilla, se për të qenë hero nuk është e nevojshme dhe as e detyrueshme që doemosdo duhet të japësh jetën për kauzën e lirisë ose të pavarësisë së kombit tend.   Por ama, për të konsoliduar dhe për të gëzuar lirinë e sotëme për çdo shqiptar, ashtu siç dëshironin patriotët e Shpalljes së Pavarësisë, nevojitet ndihma e Zotit dhe bashkimi me mend e me zemër me njëri tjetrin — pa dallim — për qëllime dhe ide të përbashkëta, ashtuqë të realizohet vizioni i para-ardhësve për një komb të lirë e të bashkuar.  Sepse, për ndryshe, siç kemi mësuar gjatë historisë së kombit shqiptar, armiqtë e lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve, në mungesë të këtij bashkimi ideshë e qëllimi nga vet elita shqiptare, do të vazhdojnë të përdorin si gjithëherë metoda të ndryshme në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve, për të manipuluar dhe shtrëmbëruar historinë e kombit shqiptar.

Nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me ndihmën e Zotit dhe të bashkuar rreth një ideje dhe qëllimi të përbashkët, kërkuan jo vetëm lirinë dhe pavarësinë për popullin e vet por në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e të drejtave të kombit të tyre që i ishin grabitur gjatë shekujve, pa pëlqimin dhe kundër vullnetit të tij. Ideja e tyre ishte liria personale, vet-qeverisja dhe bashkimi kombëtar. Megjithëse, ata fatkeqsisht nuk e gëzuan pavarësinë, idealet e tyre mbijetuan, por që ato të lulëzojnë, kërkohet angazhim dhe dedikim i plotë dhe serioz ndaj këtyre parimeve.

Kështuqë ndërsa fillon 100-vjetori i dytë i pavarësisë kombëtare të shqiptarëve, le të ndalemi dhe të falenderojmë të Madhin Zot dhe rilindasit largpamës për vizionin e tyre, për një komb dinamik të bashkuar në liri dhe pavarësi.

Këtu në Amerikë thuhet se lufta për sigurimin e lirisë në të vërtetë nuk fitohet kurrë, dhe se ruajtja e lirisë është një proces që nuk mbaron asnjëherë. Mbrojtja e lirisë individuale dhe kombëtare është një obligim dhe përpjekje e vazhdueshme e çdo gjenerate.

Në prag të 100-vjetorit të dytë mbetet aq shumë për t’u bërë. Me sigurimin e pavarësisë kombëtare, duhet tani të punohet për pavarësinë e individit dhe për të drejta të barabarta për të gjithë, por edhe për sigurimin e mundësive që çdo shqiptar e shqiptare të zhvillojë potencialin e tij ose të saj për të qenë të aftë të kontribojnë për veten dhe shoqërinë.   Për të krijuar një shoqëri që nuk bazohet në frikë, as nga shteti as nga krimi, por një shoqëri e cila vepron si individ dhe si komunitet për të përmirësuar jetën e çdo njërit, ashtuqë secilit t’i jepet mundësia që të zhvillojë kapacitetet e veta mendore, intelektuale dhe fizike për mirëqenjen e vet, të shoqërisë në të cilën jeton dhe në interest të kombit.

Le të jetë shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare një shekull shprese, bashkimi, arsyeje, mirëkuptimi me njëri tjetrin dhe ndryshimesh pozitive, por të jetë gjithashtu edhe një shekull lirie dhe integriteti personal dhe kombëtar.  Të jetë gjithashtu edhe një shekull kur udhëheqsit e sotëm shqiptarë të të gjitha trevave dhe të gjitha bindjeve politike — të mos kenë frikë nga e ardhmja — por të punojnë me seriozitetin më të madh për një imazh të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, i cili rrjedhë nga bindja dhe krenaria e realizimit të ëndërrës së rilindasve të kombit shqiptar.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, ne prag, te 100 vjetorit, te dyte

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT