Monitorimi i korrupsionit në Shqipëri për vitin 2016 zbuloi se 1 në 2 qytetarë (49.6 %) pranon se zyrtarët publikë u kanë kërkuar rryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Ky tregues është përkeqësuar me rreth 5% krahasuar me vitin 2014, pra zyrtarët publikë e kanë shtuar presionin korruptiv ndaj qytetarëve dhe këta të fundit janë përfshirë më shumë në korrupsion, sepse dhënia e rryshfetit në presion është rritur më tej. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve (38.2 %) deklarojnë se janë përfshirë në rryshfet nën presionin e zyrtarëve publikë. Këto të dhëna tregojnë se masat anti-korrupsion të ndërmarra nga qeveria, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kanë krijuar ende rrënjë të forta, gjë që bën të domosdoshme shtimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Të dhënat tregojnë ende një mungesë të ndryshimeve thelbësore, të cilat priten nga të dyja palët: shoqëria shqiptare dhe partnerët evropianë. Nivelet e larta të ndjeshmërisë dhe të pranueshmërisë së korrupsionit në shoqërinë shqiptare cënojnë në vijimësi përpjekjet për të luftuar ndikimin e tij negativ. Të pyetur nëse do të ishin në pozicionin e zyrtarit publik, 2/3 e të anketuarve (66 %) janë shprehur se do të pranonin rryshfet. Qytetarët që janë pak a shumë të ndjeshëm ndaj korrupsionit në vitin 2016 janë shumica dërrmuese e popullsisë (91%). Pjesa e të anketuarve plotësisht të pandjeshëm ndaj korrupsionit u rrit me 3 % nga viti në vit. Anketimi zbuloi se grupet që perceptohen si më të korruptuarit janë sipas rradhës gjyqtarët, doganierët, prokurorët, administrata e sistemit të drejtësisë, partitë politike dhe liderët politikë.