NGA NELSON ÇABEJ/
Vitet e fundit në median shqiptare ka filluar të trajtohet një temë e re, ajo e “fajit për të shkuarën”, dhe jo teorikisht, por duke folur hapur për një faj kolektiv të shqiptarëve. Pa vënë në dyshim rëndësinë dhe nevojën e këtyre diskutimeve, për mendimin tim, ato vuajnë nga dy të meta thelbësore. Së pari atyre u mungon përmasa kohore, d.m.th nuk përcaktohen kufijtë kohorë brënda të cilëve shqyrtohet (ose duhet të shqyrtohet) faji. Ato janë tepër të përgjithëshme për të kuptuar në se është fjala për kohët moderne, për mesjetën apo për historinë e lashtë të shqiptarëve. Në qoftë se ky mospërcaktim do të nënkuptonte të gjithë historinë mijravjeçare të popujve, duke përfshirë popullin shqiptar, atëhere nga ky afrim do të dilte që çdo popull duhej të pranonte “fajet për shkuarën”, nganjëherë të përsëritura, ndaj shumë popujve të tjerë, t’u kërkonte falje shumë popujve, dhe të falte “fajet e së shkuarës” të shumë popujve të tjerë. Kjo do të ishte absurde. Është e domosdoshme të përcaktohet një terminus post quem, kohë pas së cilës ky faj mund të gjykohet. Duke përdorur një term ligjor, duhet të jepet një “statut i kufizimit”, që përcakton kohën më të largët nga do fillojë të kërkohet “faji”.
Së dyti, diskutimet që flasin haptas për një problem kaq serioz si “faji për të shkuarën” i shqiptarëve, në përgjithësi përmbajnë deklarata retorike për këtë “faj”, pa sjellë të dhënat konkrete nga të cilat do të dilte ai. Pa të dhëna të tilla, ato diskutime janë vetëshvlerësuese.
Vetëm duke përmbushur këto dy kritere të paraqitjes së të dhënave autentike për “fajin” dhe duke i vendosur ato në një kornizë botërisht të pranueshme kohore, idetë rreth “fajit kolektiv i shqiptarëve”, mund të ngrihen mbi nivelin retorik të deklaratave të paprovuara.
Historia e njerëzimit, dhe e Europës posaçërisht, është e tejngopur me luftra për pushtim dhe dhunë ndaj popujve të tjerë. Jo vetëm perandoritë europiane, pa përjashtim, por edhe disa shtete kombëtare në Europë, janë krijuar me zjarr e me hekur, me krime dhe shtypje të egër të popujve, me asimilimin ose dhe zhdukjen e etnive të tëra.
Të parët tanë, ilirët, nuk arritën të krijonin perandori për të sunduar mbi popujt e tjerë e madje shtetet e njohura ilire nuk prodhuan dot forcën e nevojshme për bashkimin e të gjithë fiseve ilire në një shtet të centralizuar. Nga historia unë nuk di sulme të shqiptarëve për të pushtuar vënde të tjera ose për të sunduar mbi popuj të tjerë. Ky popull sot zë vëtëm një copëz të vogël të truallit të madh që zinin paraardhësit e tij në Ballkan.
Është e vërtetë se edhe shqiptarët dhe parardhësit e tyre kanë luftuar dhe i janë përgjigjur dhunës me dhunë e luftës me luftë. Por të mos bësh dallim midis luftës së tyre për çlirim nga sundimet e huaja dhe luftrave që janë bërë për të përjetësuar ato sundime, do të thotë të biesh në “relativizëm moral”, në mohimin e ekzistencës të “së drejtës” dhe “të padrejtës”, të përligjësh agresionin dhe padrejtësinë në përgjithësi. Unë nuk dua të besoj se në ato diskutime shqiptarëve u rekomandohet të pranojnë ekuivalencën morale të luftës së tyre kundër sundimit të huaj me luftën për t’i mbajtuar ata nën sundim.
Na thuhet, pa përmëndur të dhëna konkrete, se në kohën e perandorisë turke, feudalët shqiptarë kanë luftuar kundër popujve të Ballkanit ose i kanë shërbyer perandorisë. Por këtu nuk ka asgjë të re: feudalët e të gjithë vëndeve të Ballkanit si dhe të çdo vëndi tjetër në mesjetë i kanë shërbyer, e nganjëherë i kanë rezistuar, pushtetit qëndror. Ata i kanë shërbyer perandorive për të shtypur lëvizjet popullore për çlirim jo vetëm në 5 shekujt e perandorisë osmane, por edhe 11 shekujt e sundimeve bizantine, bullgare e sërbe. Por, kur flitet për këto, nuk duhet hedhur pas krahave edhe rezistenca e pashëmbullt e feudalëve dhe popullit shqiptar, sidomos ajo që ata bënë për një çerek shekulli nën udhëheqjen e Skënderbeut, kur disa nga popujt fqinjë kishin kohë që paguanin taksa për të mbajtur perandorinë osmane; le të mos harrojmë edhe faktin që dobia e madhe që i solli ajo luftë Europës, pati një kosto jashtëzakonisht të lartë dhe pasoja të rrënuese për demografinë, gjeografinë dhe ekonominë e Shqipërisë. Feudalë shqiptarë si Ali Pashë Tepelena kanë tronditur nga themelet perandorinë turke duke dhënë edhe një kontribut në përpjekjet e popujve për pavarësi në Ballkan e më tej (Egjipt). Kryengritjet fshatare të shqiptarëve nga vitet 30-te të shekullit XIX i dhanë po ashtu një goditje të fortë perandorisë. Në këtë kontekst, nuk është e rastit që shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan të cilin ajo perandori e privoi nga e drejta për të patur shkolla në gjuhën e vet.
Shtypja e popujve të Ballkanit në kohën e perandorisë turke ka vazhduar me të njëjtin intensitet edhe në kohët kur përandoria osmane qeverisej nga kryeministra me prejardhje greke, qipriote, sërbe, bullgare, gjeorgjiane, armene, hungareze, moldaviane, etj. Ka të dhëna historike autentike bizantine se perandori bizantin Androniku III në shekullin XIV, me ndihmën e turqve selxhukë, shtypi kryengritësit e Shqipërisë së jugut. Dhe më përpara akoma, nga fillimi i shekullit XIII grekët nga Thesalia, Peloponezi dhe Konstantinopoli u dyndën në Epir, duke helenizuar pjesërisht ato troje shqiptare. Të gjithë kemi dëgjuar për Thoma Preljuboviçin, të njohur në histori si shqiptarvrasësi (albanoktoni) dhe për perandorin bizantin Vasil Bullgaroktonin (bullgarovrasësin). A di njeri që historia të flasë për ndonjë feudal shqiptar “helenokton” ose “serbokton”?
Të thuash ose edhe të aludosh se “fajet e për shkuarën” të shqiptarëve janë edhe shkaku i humbjes së trojeve shqiptare në 1912-13 është e pasaktë. Sepse po të pranohet kjo, logjikisht do të dilte që pavarësia e Kosovës tregon se Europa dhe Amerika ka pranuar “pafajësinë për të shkuarën” të shqiptarëve. Kufijtë e sotëm të Shqipërisë janë rrjedhim i një kompromisi të mirënjohur interesash gjeopolitike midis fuqive të mëdha që donin një Shqipëri etnike dhe fuqive të Antantës, që pranonin vetëm një “shtet” shqiptar të paqëndrueshëm në trojet e Shqipërisë së mesme. Dhe le të mos harrojmë se Shqipëria nuk është i vetmi vënd që ka humbur trojet e saj në kuadrin e këtij konflikt interesash të fuqive të mëdha për ruajtjen ose rivendosjen e ekuilibrave strategjikë në Europë: Gjermania humbi rreth një të tretën e trojeve të saj e po kështu humbën pjesë të mëdha të trojeve të tyre Hungaria, Bullgaria dhe Austria.
Një ide tjetër që ka dalë në ato diskutime është se populli shqiptar është fajtor edhe për komunizmin në Shqipëri. Vendosja e komunizmit në Shqipëri ishte kryesisht produkt i konjunkturave ndërkombëtare gjatë luftës së dytë botërore dhe kompromiseve (gabimeve?) që Shtetet e Bashkuara dhe Anglia bënë me Rusinë e Stalinit (moshapja e frontit të dytë në Ballkan, që kërkonte Çërçilli). Shqiptarët kanë qënë viktima të komunizmit dhe t’u kërkohet atyre të pranojnë fajin për vendosjen e komunizmit dhe politikën e shtetit komunist në Shqipëri në atë kohë, do të thotë të kërkosh nga ky popull më shumë nga ç’mund të pranojë arsyeja e shëndoshë.
Në shkallë ndërkombëtare, “faji për shkuarën” në përgjithësi është kufizuar te faji kolektiv i Gjermanisë dhe Japonisë në luftën e dytë botërore. Në qoftë se ky do të ishte kufiri prej të cilit do të shqyrtohej “faji për të shkuarën” edhe në Ballkan, shqiptarët jo vetëm që nuk kanë kryer absolutisht ndonjë faj, por janë viktimat e dy fushatave çnjerëzore të pastrimit etnik masiv nga trojet e tyre shekullore.
Është folur ndonjëherë edhe për forcën emancipuese të pranimit të fajit kombëtar, duke marrë si shëmbull Gjermaninë. Por kjo nuk qëndron dot përballë faktit që edhe para luftës së dytë botërore ajo ishte qendra më e përparuar e botës nga ana e zhvillimit industrial, teknologjik e shkencor (ajo mirrte pa krahasim më shumë çmime Nobel se sa çdo vend tjetër i botës) dhe faktit që populli japonez, që prej 70 vjetësh refuzon të pranojë fajin për bombardimin e Pearl Harbour-it, ka bërë gjithashtu një mrekulli ekonomike.
Nuk duhen njohuri të thella në historinë e Europës për të parë ndryshimin dhe epërsinë morale të shqiptarëve nga pikëpamja e “fajit të së shkuarës”. Kështu, unë nuk di, p.sh., që Franca, një vënd “më i emancipuar” se Shqipëria, të ketë pranuar ndonjëherë fajin për luftrat, krimet, shkatërimet dhe plaçkitjet e përmasave kontinentale të kryera anembanë Europës, sidomos në kohën e Napoleonit, as për shfrytëzimin, skllavërinë dhe skllavërimn e popujve anembanë botës, as për krimet e mizoritë e luftës që trupat e saj kryen për 8 vjet në Algjeri, etj. Cilat janë ato vënde, të mëdha apo të vogla, që u kanë kërkuar falje vëndeve që kanë pushtuar dhe kolonizuar, në shumicën e rasteve duke kryer me të vërtetë “krime kundër njerëzimit”?
Dhe prapë në ato diskutime rekomandohet që populli shqiptar të pranojë faje që nuk dëshmohen në histori. Përse duhet të nxihet edhe kjo faqe e pastër dhe e ndritur e historisë së shqiptarëve?
Është me të vërtetë shumë ironike, por një ironi e idhur dhe sadiste, t’i vihet barra e “fajit kolektiv” popullit shqiptar, një populli që për mbi dymijë vjet ka jetuar nën sundimet e njëpasnjëshme, romane, greko-bizantine, normane, bullgare, sërbe dhe turke.
Ideja e një fajësie kombëtare të shqiptarëve është aq absurde sa që nuk do t’ia vlente të humbisnim kohën duke u marrë me të, në qoftë se kjo nuk do të lidhej me pasoja serioze politike. Dihet çmimi i madh që pagoi populli gjerman jo vetëm me reparacionet e pashëmbëllta në historinë e njerëzimit, por edhe me humbjen e një pjese të madhe të trojeve gjermanofone.
Problemet e historisë së popujve dhe kombeve, përfshirë këtu edhe shqiptarët, janë shumë serioze dhe komplekse për t’i diskutuar dhe aq më tepër për të arritur në “konkluzione” vetiake për fajësinë e një populli, pa njohur historinë e tij e madje pa bërë dhe botuar studimet përkatëse. Eseja nuk është formë e përshtatshme për të trajtuar “fajet e së shkuarës”.
Ideja “fajit të së shkuarës” të shqiptarëve, në rastin më të mire, dëshmon për mosnjohje të historisë së Shqipërisë e të Ballkanit. Dhe ky është shfajësimi më i mirë për mbartësit e asaj ideje.