Asambleja e NATO-s mbyll punimet në Tiranë me miratimin unanim të një deklarate/
TIRANË, 30 Maj/ATSH/.- Sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s mbylli të hënën punimet në Tiranë me miratimin me unanimitet të një deklarate të përbashkët, e titulluar “Një Axhendë e përbashkët dhe Rezolutë për NATO-n në Samitin e Varshavës”.
Deklarata, e miratuar dhe me amendamentet e propozuara nga anëtarët e AP-së, kërkon nga krerët e Aleancës të forcojnë mbrojtjen kolektive dhe parandaluese, të zhvillojnë një strategji gjithëpërfshirëse për promovimin e stabilitetit në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, të sigurojnë se të gjithë aleatët do të përmbushin objektivat e shpenzimeve ushtarake, si dhe të nxisin bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.
Deklarata e konsideron shumë të rëndësishëm ‘bashkimin dhe vendosmërinë’ e vendeve anëtare të NATO-s në luftën kundër terrorizmit dhe në marrëdhëniet me Rusinë.
Por, nënvizon deklarata, për të përmbushur këto objektiva, krahas hartimit të strategjive, nevojitet dhe rritja e investimit për mbrojtjen. Barra për mbrojtjen dhe ndarja e saj mes vendeve anëtare është një çështje që duhet trajtuar nga Samiti i NATO-s në Varshavë, në muajin korrik, thuhet në deklaratë.
Në mbyllje të sesionit të AP-së në Tiranë, Presidenti i saj, Michael Turner falenderoi autoritetet shqiptare ‘për mikpritjen dhe për udhëtimin e mrekullueshëm’, sidomos personelin e parlamentit të Shqipërisë, vullnetarët e përkushtuar, dhe stafin e sigurisë, që punuan për ta kthyer këtë sesion në një sukses.
Asambleja Parlamentare e NATO-s u mblodh për herë të parë në Shqipëri, 7 vjet pas anëtarësimit të saj. Takimi bëri bashkë rreth 260 parlamentarë nga 28 vendet anëtare, nga Amerika e Veriut dhe Evropa, si dhe delegatë nga vendet partnere dhe vëzhgues, që diskutuan çështje te sigurisë ndërkombëtare aktuale.