Krahët të më thahen po të harrova ty Shqipëri!»- Jocef Jakoel/
Shkruan: Nga Luan Rama*/
“Hebrejtë, – shkruan një ndër poetët më të mëdhenj izraelit Jehuda Amishai, – janë si një rezervat i përjetshëm pylli, ku drurët rrinë ngjitur njëri me tjetrin, madje dhe të vdekurit. Nuk kanë vënd për tu shtrirë. Ata qëndrojnë drejt, mbështetur tek të gjallët.”… Pikërisht këtë simbiozë të të vdekurve dhe të gjallëve, të historisë së lashtë të krijimit të botës dhe modernitetit të fillimit të këtij mijëvjeçari, simbiozën e pikëtakimit të historisë së Shenjtë me njeriun e sotëm, duket se ndjen çdo vizitor kur shkel për herë të parë në Izrael. Një vënd padyshim mitik, pasi kryeqëndra e tij, Jeruzalemi është një referencë identitare jo vetëm për hebrenjtë, por dhe për kristianët dhe muslimanët. Tri fetë më të mëdha monoteiste të botës, judaizmi, kristianizmi dhe muslimanizmi i kanë kthyer sytë nga Jeruzalemi, pasi ky qytet, si asnjë qytet tjetër i botës është tri herë i shenjtë : aty janë varrezat më të lashta hebraike të botës dhe rrënojat e tempujve të Davidit e të Solomonit ; aty është varri i shenjtë i Krishtit ; dhe po aty është vëndi ku në kodrinën e shenjtë, në rrënojat e xhamisë El-Aksa, siç thotë Kurani, Profeti Muhamet u ngjit në qiell. Mitologjia, këngët e vjetra, luftrat, pushtimet, masakrat dhe djegjet e herëpasherëshme të këtij qyteti që rilindëte sërrish si feniksi, ritet, jetët dhe vdekjet, janë mpleksur në atë vënd në një lidhje të pazgjidhëshme.
Kur udhëton në Izrael e Palestinë, afërsia e dy popujve është e prekëshme dhe e përherëshme dhe së pari në gjuhën që flasin njerëzit që ndesh. “Selam alekum” thonë arabët, “shalom ala hem” thonë hebrenjtë. Ulliri quhet “zait” në hebraisht dhe “zeit” në arabisht. Emrat muslimanë si Ibrahim, Ismail apo Jusuf janë për hebrejtë Abraham, Ishael, Jocef. Edhe arabët muslimanë, edhe hebrejtë, të vdekurit i mbështjellin me qefin. Fëmijët e të dy popujve bëhen synet që të vegjël. Rite të ngjashme dhe afërsi kulturash mjaft të dukëshme. Të dy popujt agjërojnë: “Ramadani” dhe “Kipuri”. Ismaili dhe Isaku ishin vëllezër, thonë të vjetrit. Bijtë e Ismailit u bënë muslimanë tregon historia e vjetër e kësaj toke të lashtë. Bashkë i përjetuan dyndjet e ardhura nga larg, romakët, kryqëtarët, kryqëzatat. Tek udhëton, nga një rrugë në tjetrën, përshëndetjet që dëgjon ndryshojnë veç shqiptimin e tyre: ”shalom” apo “selam alekum”. Eshtë një potpuri e habitshme, e cila që dymijë vjet më parë ka qënë tepër e natyrshme dhe shumë e afërt. Jo rrallë buzë rrugës, ku shfaqet një fshat hebre, sheh nga ana tjetër dhe minarenë e një fshati palestinez. Nëpër rrugë njerëzit mpleksen pa arritur të kuptosh në se është arab apo hebre, nëse është druz (një sekt musliman, me rite krejt të tjera), beduin apo maronit i krishterë. Karmieli në kodër ka përballë një fshat palestinez ; në Bushhalam, hrebrenjtë banojnë në një fshat me palestinezët, në Nazaret po ashtu, ekështu me rradhë kur kalon nga një portë e Izraelit në tjerën apo kur del nga ky qytet për të shkuar drejt Detit të Vdekur.
SHQIPTARO-HEBRENJTË NË TOKËN E PREMTUAR
Miqtë e mij shqiptaro-hebrenj janë në Haifa dhe Tel-Aviv. Pikëtakimin e parë doja ta bëja me mikun tim të mirë e të mënçur Jocef Jakoel, që kurrë nuk e harroi Shqipërinë e që jetonte gjithnjë me shpresën se një ditë do të kthehej dhe ai në Tokën e Premtuar, në atdheun e Davidit dhe të Solomonit. Dhe dita erdhi në fillimin e viteve 90-të, kur rrugët shqiptare u hapën dhe komuniteti hebre mori rrugën e kthimit drejt Tokës së Shenjtë. Dhe Jocefi u kthye me lot në sy, duke parë për herë të fundit Shqipërinë dhe duke pëshpëritur : “Krahët të më thahen po të harrova ty Shqipëri ». Jocefi kishte vdekur, bashkë me gruan e tij Aliqi. Të dy pranë e pranë në atë varrezë të thjeshtë me gurë të mëdhenj, vullkanikë, ku prehej paqja, në cep të qytetit. «Cefi», siç e quaja unë, ishte kryetari i shoqatës së parë Shqipëri-Izrael, dhe i pari që u ul të shkruante kujtimet e tij për komunitetin hebre veçanërisht në kohën e luftës, atëhere kur ky komunitet rrezikohej të shuhej në kampet e përqëndrimit të nazistëve si miliona hebrenj të tjerë në vënde të ndryshme të Europës. Cefi kishte shumë plagë në shpirt. Plagët ishin njerëzit e tij të zhdukur gjatë luftës në Greqi, motra, fëmijët e saj dhe i shoqi, ashtu si dhe të afërm të tjerë kishin përfunduar në kampet e përqëndrimit nga nuk u kthyen më. Cefi mbylli sytë një ditë të paqtë, pasi ishte ngopur me detin e Izraelit, vdiq në prehërin e Abrahamit dhe me imazhin e asaj toke të largët, Shqipërisë që e kishte rritur dhe mbrojtur si bij të saj. Vite kanë kaluar dhe në atë varrezë, gjithnjë e më shumë sheh të shtohen emrat e hebrenjve-shqiptarë të moshuar, ata që përjetuan epokën e holokaustit ku humbën njerëzit më të dashur që ishin nëpër Europë. Por megjithatë, kujtimi për Shqipërinë do te jetonte gjithnjë në shtëpitë e tyre, në vizitat dhe letrat që shkëmbeheshin, në gjuhën shqipe që vazhdon të flitet edhe sot. Familjet hebre Matathia, Mandili, Levi, Menehem, Kohen, Solomoni, Kantozi, Arditi, Ruben e shumë të tjerë, e mbajnë ende të pashuar përkushtimin e shqiptarëve në qytetet e Vlorës, Beratit, Durrësit, Shkodrës, Kavajës e Tiranës…
Qyteti i Karmelit është një qytet i ri dhe i bardhë që i ngjitet një kodrine të gjelbëruar. Aty jetojnë nja 30 familje shqiptarësh, mes të cilëve dhe familja Shvarts (e motra e përkthyesit të famshëm Robert Shvarts). Janë vila të reja me oborre të vogla, aty këtu me pemë të sapo mbjella, mollë apo dardha, në çatitë e të cilave ngrihen parabolat që të mund të kapin stacionet shqiptare. Në këtë mënyrë, Shqipëria është e pranishme çdo mbrëmje dhe në Karmel apo gjetkë nëpër Izrael. Aty janë dhe hareja e moderniteti shqiptar, dhe zallahitë e politikës që vijnë nga Shqipëria. Hebrejtë-shqiptarë nuk janë të shumtë në Izrael, megjithëse kur i takon në Tel-Aviv apo Haifa, në Karmiel, Ashdov, Bersheva apo Hedera, madje dhe kosovarët në Jeruzalem, të ardhur gjatë luftës së Kosovës, jeta e tyre të gëzon, pasi të gjithë janë mirë dhe të gjithë kanë mall. Disa janë biznesmenë që punojnë madje dhe me Shqipërinë, të tjerë inxhinjerë, imobilierë, agjentë të turizmit, mjekë apo mësues. Por Shqipërinë në Izrael mund ta takosh gjithashtu dhe në pemët e mbjellura në kopshtin e Jad Washem, kopështin me pemët në kujtim të atyre që mbrojtën hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore . Në këmbë të këtyre pemëve janë shkruar emrat e “fisnikëve” shqiptarë, siç u thonë këtu atyre që i kanë mbrojtur ata nga holokausti (“Fisnikë të Kombeve”). Emrat e mbi dyzet familjeve shqiptare janë shkruar tashmë në memorialin e madh të historisë tragjike në muzeun e holokaustit « Jad Washem »: Veseli, Kristidhi, Kadiu, Lito, Buhali, Myrto e Toptani, Uli, dhe Zenuni, Sheko e dhjetra të tjerë.
Familja e Ksenia Efimovskit është vendosur në Bialik, një qytezë apo lagje e Haifas, qyteti i tretë i Izraelit. I shoqi i saj, Aleksandri, një rus i « bardhë », i lindur në Tiranë, është një inxhinjer që e njohu « mirë » epokën totalitare të Shqipërisë, kur pse kishte të atin në burg duhej të transportonte për vite me rradhë thasë çmentoje mbi kurriz. Kur dalim për të shkuar në Ako, nuk habitesh të dëgjosh shpesh nëpër rrugë njerëz që flasin gjuhën ruse. « Janë hebrenjtë e Rusisë, – më thotë Aleksandri dhe përshëndetet me disa prej tyre. Shu%e prej tyre janë instrumentistët virtuozë që mund ti gjesh ngado, madje dhe në rrugë. Çdo parti politike ka interes ta bëjë për vete këtë elektorat që i kalon të 1 milion e gjysëm banorë ». Ksenia është violiniste si formacion por dhe një poliglote e vërtetë, me një eksperiencë të pasur në fushën e turizmit dhe të historisë dhe me një kulturë të veçantë. Duke ecur nëpër Bialik ajo më kujton duke qeshur se ky qytet ka marrë emrin e poetit Bialik, i cili thoshte se « Izraeli..
Feliçeta Jakoel është sot kryetare e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri. Eshtë një mikeshë e vjetër e familjes sime dhe nga të parat që zbarkoi në Izrael. Ajo është vendosur tashmë në Tel-Aviv, bashkë me familjen e saj. Juda, i shoqi, një ekonomist mjaft elokuent është bërë si një shqiptar i vërtetë, pasi pasioni për Shqipërinë tek ai është i jashtëzakonshëm. Madje mund të flasësh dhe shqip me të, ashtu si dhe me Shirlin, vajzën e saj…Feliçeta punon në Muzeun e Pavarësisë në qëndër të Tel-Avivit, në qëndrën historike të këtij qyteti, në atë ndërtesë britanike të para një shekulli buzë Bulevardit Rotschildt. E habitëshme ta dëgjosh tek u flet një grupi turistësh në hebraisht, një tjetri në anglisht, një grupi tjetër në italisht, në greqisht, në frëngjisht, spanjisht e kështu me rradhë…Në Muzeun e Pavarësisë, ajo më tregon për atë natë të vitit 1948, kur komuniteti hebre i Tel-Avivit, me Ben Gurionin dhe Golda Meyer në krye, pikërisht ditën që u larguan britanikët, shpallën shtetin e tyre. Ata e dinin se të nesërmen do të fillonte lufta, por në emër të të gjitha atyre vuajtjeve të luftës dhe të ekzodit mijëvjeçar, ata vendosën krijimin e shtetit të tyre. Tel-Avivi (i cili e ka marre emrin nga vepra e ideatorit te shtetit të Izraelit, Teodor Herzl “Tokë e vjetër dhe e re”) sot është një qytet perëndimor e dinamik që nxiton drejt zhvillimit, një qytet i ngrohtë, këmbët e të cilit lagen në ujrat e Mesdheut. Por ai është dhe një qytet i njohur i spektaklit dhe i kulturës, i artit, letërsisë dhe muzikës, ku mesazhet pikturale biblike te Shagallit gjejnë kuptimin e tyre më të thellë. “Tel-Avivi është zëmra e Izraelit të sotëm, ndërsa Jeruzalemi është shpirti i tij”. Në fakt nuk mund ta kuptosh Izraelin pa historine e tij, pa njerëzit e tij të mëdhenj, pa një Anjshtanj, Rotschildt, Adorno, Benjamin e Marcuse, pa nobelistët e Paqes Rabin dhe Perez, pa nobelistët Agnon dhe Bashevi Singer, veprat e të cilëve janë përkthyer dhe në shqip. Hebrenjtë dhe historia, hebrejtë dhe fqinjët e tyre arabë… Nismat për një bashkëjetesë të paqtë nuk mungojnë, as këngët e përbashkëta të paqes kënduar nga hebrenj dhe palestinezë, por sa herë « hapet koha » dhe shpresohet paqja, përsëri do të ndodhë të afrohet një « rrebesh i madh »…
RASHELA
Bashkë me Feliçeta Jakoel ne shkuam dhe në periferi te Tel-Avivit për të takuar gjyshen e Judës, Rashelën. Nën një diell të bukur, ajo grua 94 vjeçare qëndronte ende e ulur në oborrin e shtëpisë ku kishte lindur, duke murmuritur copra këngësh të vjetra. Kur na pa me dy sy që ende shkëlqenin, na përshëndeti me dashuri dhe nxorri një psherëtimë si të përshëndeste së fundmi botën e të gjallëve. Rashela kishte qënë jetime që fëmijë, kur ishte dhjetë vjeç. Atëhere Palestina po pushtohej nga britanikët dhe për ti shpëtuar luftës turko-britanike, ajo dhe e motra i a kishin mbathur në Egjipt, siç kishin ikur dy mijë vjet më parë hebrenjtë pas revoltës së tyre dhe masakrimit, në kohën e eksodit. Disa vjet më vonë, dy motrat ishin kthyer nëpër shkretëtirë, më së shumti me këmbë duke e gjetur shtëpinë e tyre të zbrazët dhe të shkatërruar. Më 1948, kur u shpall shteti i Izraelit dhe lufta shpërtheu sërrish, kësaj rradhe midis arabëve dhe hebrenjve, Rashela nuk deshi të lëvizë më nga shtëpia. Le të vdes, mendoi ajo, por këndej nuk shkulem. Ky është vëndi i të parëve të mij ! Arabët dhe hebrenjtë i a mbathën, por në fund të luftës hebrenjtë u kthyen ndërsa arabët e Xhafo-s, jo.
Në jetën e saj, Rashela do të shihte shumë luftra, dhe atë të 1967, dhe atë të 1973… Gjithë jeta i kaloi me ngjarje tronditëse, por ajo nuk e humbi shpresën se një ditë hebrenjtë dhe arabët do të jetonin përsëri bashkë, si mijra vjet më parë. Atë ditë që e pashë në oborrin e saj, nën diell, Rashela dukej se po largohej e paqtë. A thua Paqja po afronte vërtet në tokën e përbashkët të palestinezëve dhe izraelitëve ? Ajo kurrë nuk i kishte urryer arabët, madje fliste si ta gjuhën e tyre. Ajo e dinte se në mugëtirën e historisë, populli i tyre kishte qënë një: ashtu siç Isaku dhe Ismaili kishin qënë bijtë e Abrahamit. Të njëjtën gjë shkruante dhe shkrimtari i njohur izraelit Amos Oz, pretendent për çmimin Nobel, në librin e fundit të tij “Midis të Drejtës dhe të Drejtës,,: “Konflikti izraelo-palestinez, nuk është një lloj filmi Far-west, nuk është një luftë mes së mirës dhe së keqes. Në fakt është një tragjedi, dhe në kuptimin më të lashtë të fjalës është një përplasje midis të Drejtës dhe së Drejtës, midis një kërkese të fuqishme, të thellë dhe bindëse dhe një kërkese tjetër jo më pak bindëse, të fuqishme e humane. Palestinezët janë në Palestinë sepse Palestina është atdheu i tyre i vetëm. Hebrejtë janë në Izrael sepse nuk ka një vënd tjetër në botë që ata mund ta quajnë mëmëdhe.”
MBECË MORE SHOKË MBECË/PËRTEJ URËS SË QABESË…
Habija më e madhe për një shqiptar që shkel në udhët e Tokës së Shenjtë është kur ai dëgjon për bëma dhe histori të vjetra të shqiptarëve, të atyre nizamëve, gjeneralëve dhe pashallarëve shqiptarë që u vendosën në këto vënde nga Perandoria Osmane. Xhafo (Jafo) dhe Ako janë dy qytete historike të Izraelit, ngritur buzë Detit Mesdhe dhe që konsiderohen si ndër portet më të vjetra të botës. Mijra vjet më parë Xhafo ishte porta e Palestinës dhe Jeruzalemit. Këtej kaluan dyndjet egjiptiane, romakët, kryqtarë, teutonë e pashallarë të perandorisë osmane. Në Xhafo janë ndeshur legjionarët e Rikard Zëmër Luanit me luftëtarët e shpejtë të Saladinit. Legjenda thotë se ka qënë Jafe, një nga tri djemtë e Noes, i cili e ka themeluar këtë qytet pas përmbytjes e kataklizmës, duke i dhënë emrin e tij. Grekët do ta quanin më pas Jope, romakët Jopa, marinarët Xhafo (e bukur), kryqtarët kristianë, Jafe. Shqiptarët u dëgjuan në këtë qytet-port në vitet 1807-1820, kur një pasha shqiptar me emrin Mehmet “Abu Nabut” do ti jepte nje impuls të jashtëzakonshëm këtij qyteti bregdetar, edhe pse ishte mjaft i ashpër dhe shpata i priste si shumë. Ai nuk e përjetoi masakrën e madhe të Napoleonit, kur më 1799, gjenerali korsikan u nis nga Egjipti dhe pushtoi Palestinën, Jeruzalemin dhe bombardoi për muaj me rradhë Xhafon gjersa e pushtoi. Nga viti 1831 gjer në vitet 1840 Xhafon do ta pushtonte dhe drejtonte një tjetër shqiptar shumë më i famshëm: vetë biri i Mehmet Ali Pashës, strategu i madh luftarak Ibrahim Pasha që u kalli frikën otomanëve. Siç shkruajnë historianët, Ibrahimi kërkoi ta lulëzonte këtë qytet, i frymëzuar nga Europa. Tolerant ndaj feve, ai i trajtonte njëlloj si besimtarët e tij, shqiptarët, që i kishte në ushtri, ashtu dhe egjiptianët, hebrejtë, druzët, maronitët e krishterë apo kristianët e Jeruzalemit e të Sinait. Ja pse në kohën e tij, hebrejtë dhe kristianët praktikonin lirisht fenë e tyre. Në këtë kohë, në Xhafo do të ngriheshin ndërtesa të arkitekturave të ndryshme : franceze, gjermane, skoceze, etj, të cilat u shtoheshin ndërtimeve hijerënda të kohës së tempullarëve të krishterë. Xhafo sot të tërheq jo vetëm për monumentet e saj historike, por dhe për të kaluarën më të afërt apo të sotmen, ku mbi gërmadhat e luftës së vitit 1948, është ngritur lagja e “artistëve” ose ndryshe siç e quajnë këtu të rinjtë lagja pariziane “Montmartre”. Tutje në det, shquhet shkëmbi i Andromedës, ku sipas legjendës greke, për hir të lirisë së qytetit ajo duhej të sakrifikohej tek përbindëshi i detit.
Duke i u ngjitur rrugës së bregdetit, drejt veriut dhe Libanit, befasohesh njëkohësisht nga Ako, një qytet-port prej 80 mijë banorësh, po aq historik dhe me bëma historike, ku gjurmët e historisë flasin për shumë luftra, përplasje qytetërimesh, nga koha e romakëve, tek kryqëzatat. Aty janë gjurmët e ndërtimeve të Republikave italiane si ajo e Gjenovas, e Venecias apo e Pizës, duke lënë pas largimit të tyre shekuj më vonë emra si “Sheshi i Venecies”, etj, të cilat të risjellin kohën e shkëmbimeve të mëdha midis Europë dhe Orientt. Ako priste në gjirin e saj anijet që vinin nga Marseja, Barcelona, Algjeri, Gjenova, Amsterdami, Londra e Anversa. Siç shkruhet në librat e historisë, pikërisht në fillim të viteve 1800, ardhja këtu e shqiptarit Xhezair, (El Xhezar) bëri që Ako të jetojë një pranverë të re: ai ndërtoi pazarin, akuadukun për furnizimin me ujë të qytetit apo hamamin e madh të qytetit. Me projektin e një arkitekti hebre ai ndërtoi xhaminë e re e më të madhe sot në Izrael, një xhami në ngjyrë jeshile, që mban sot brënda vetes varrin e tij dhe të birit të tij. Ishte ai që restauroi kështjellën dhe fortesën për të mbrojtur qytetin, duke ngritur dhe një mur të dytë që do të quhej vite më vonë “muri i Xhezairit”. Pikërisht këtu, tri mijë shqiptarë mbronin qytetin, siç do të shkruhet edhe në librin e Gilbert Sinoue, ne biografinë e tij për Mehmet Ali Pasha “Perandori i fundit”. Tri mijë shqiptarët e tij, luftëtarë të sprovuar, mbanin qetësinë gjer në Tripoli e Damask. Janë këto bëma shqiptarësh nëpër histori dhe në kufijtë e perandorive të largëta. Bëma tragjike dhe heroike. Një nga betejat më legjendare të Xhezairit ishte mbrojtja e Akos nga ushtria e Napoleon Bonapartit, i cili kur pushtoi Jeruzalemin e Xhafo-n, i u drejtua Ako-s për të shkuar gjer në Damask dhe pastaj në Kostandinopojë. Edhe pse bombardimi i Napoleonit ishte i tmerrshëm, ai nuk do ta pushtonte dot Ako-n. Më së fundi, ai u detyrua të kthehet në Egjipt e pastaj në Francë. Por ai që do ta pushtonte Ako-n do të ishte për ironi të fatit, po një shqiptar, akoma më i lavdishëm, vetë gjenerali i famshëm Ibrahim Pasha. Tashmë Xhezairi kishte vdekur dhe në vënd të tij printe Abdullahu. Shqiptarë që luftonin kundër shqiptarëve në tokat e lashta të hebrenjve dhe arabëve, beteja që të kujtojnë shkretëtirat dhe duhitë e erës e padyshim këngën e vjetër e të trishtë të popullit, atë të Qabesë…”Mbeçë more shokë mbeçë / përtej urës së Qabesë…”
JERUZALEMI, TRI HERË I SHENJTË
Jeruzalemi është ndoshta qyteti me historinë më dramatike të historisë botërore, sepse ndër shekuj perandori të shumta që kaluan mbi të veç dogjën e plaçkitën duke e bërë shkrumb e hi atë vënd. E megjithatë ky qytet i ngjante feniksit, pasi ai përsëri rilindëte në sajë të shpirtit të njerëzve që prisnin ardhjen e Mesisë. Në mugëtirën e kohrave, Jeruzalemi quhej « Yeruselaim », ndërsa perandori romak Hadrien në vitin 130 e quajti atë me emrin latin « Aelia Capitolina ». Dostojevski shkruante dikur për Jeruzalemin se « çdo kush që i ngjitet Jeruzalemit pushtohet nga një ndjenjë misterioze dhe e thellë e një bote të panjohur ». Dhe vërtet, kështu ndodh, pasi në çdo pëllëmbë që hedh, këtu rrethohesh nga historia, tragjedia, shpërnguljet e mëdha dhe ritet e një qytetërimi shumë të vjetër. Ai që viziton për herë të parë këtë qytet ka kureshtjen e pikëtakimit me historinë dhe heronjtë e saj, me heronjtë e Biblës hebraike apo Testamentit të Vjetër, dhe së pari me Abrahamin, Isakun e Jakovin e më pas mbretin David e Solomonin për të ardhur më pas, shekuj më vonë tek Jezu Krishti dhe apostujt e tij. Pikërisht këtu kanë kaluar ushtri të panumurta, nga armatat e persëve dhe të Aleksandrit të Madh, e më vonë të perandorëve të ndryshëm romakë, gjer kur Saladini do ta pushtonte Jeruzalemin.
Duhet ti ngjitesh atij shpat mali që të mund të hysh në zëmër të qytetit të vjetër, atij qyteti të bardhë e të gurtë, i cili, qëndron disi i shkëputur nga qyteti i ri i ndërtuar pas luftës së dytë botërore. Kureshtja më e madhe është padyshim ajo qëndër e vjetër e qytetit me një perimetër fare të vogël e cila rrethohet nga mure të vjetër të ndërtuar në kohën e sulltanit të famshëm Sulejmani i Madhërishëm më 1532-1536. Ky qytet i vjetër e i habitshëm rrethohet nga shtatë porta të mëdha e të gurta, të ndërtuara shekuj më parë dhe që kanë emra të ndryshme në hebraisht apo në arabisht, si Porta e Xhafos, Porta e Sionit, Porta Detritus, Porta e Luanit, Porta e Damaskut, Porta e Herodit (në kujtim të perandorit romak) dhe Porta e Re. Por kur vizitori shkon drejt « Murit të Lotëve », që nga sheshi mund të pikasë dhe « Portën e Ndritur », apo siç quhet ndryshe nga hebrenjtë « Porta e Mesisë », e cila prej shekujsh është mbyllur nga muslimanët. Hapja e saj për hebrenjtë do të simbolizonte « fundin e kohrave ». Miqtë e mij shqiptaro-hebre që më shoqërojnë më tregojnë në krah të saj “Malin e ullinjve” në gjirin e të cilit shtrihen varrezat e vjetra dhe më të mëdhatë në botë të hebrejve, dhe kjo për shkak se sipas librit të tyre të shenjtë “ata që varroseshin këtu, ringjalleshin”.
Ecën në qytet dhe të duket se hyn brënda një mozaiku popujsh e gjuhësh që përzihen në këtë qytezë ku nga një rrugë në tjetrën pikëtakohesh me besimtarë të feve të ndryshme : muslimanë, hebrenj, armenë, ortodoksë grekë, françeskanë, kristianë koptë (të krishterët e Afrikës) apo të krishterë të Etiopisë. Qyteti i vjetër ndahet në katër lagje kryesore si ajo e muslimanëve, e kristianëve, e hebrenjve dhe e armenëve. Të gjithë kanë vëndet e tyre të kultit : xhamitë, sinagogat, kishat e shapelat. Në krah të varrezave të vjetra është « Kodrina e Tempullit » hebraik i cili është njëkohësisht dhe sheshi i xhamisë së famëshme El-Aksa, vëndi i shenjtë për muslimanët e Palestinës dhe të gjithë botës muslimane. Librat e shenjtë muslimanë flasin për një kalë që u shfaq, i cili e mori Muhametin dhe e çoi në Perëndim (në Jeruzalem), ku ndaloi në Gurin e Botës (ku sot ngrihet xhamia El-Aksa e ngritur nga sulltani Sulejmani i Mrekullueshëm më 1530), pikërisht mbi varrin e mbretit David. Për muslimanët, Jeruzalemi eshtë qyteti i tretë i shenjtë pas Mekës dhe Medinës (ku profeti dëgjoi misionin e Allahut nga engjëlli Gabriel). Testamenti i Vjetër dhe librat e shenjtë hebraikë flasin gjatë për Jeruzalemin. Tempulli i parë që konsiderohej si « shtëpia e Zotit » u ngrit pikërisht mbi atë shkëmb të lartë të qytetit dhe sipas kronikave të vjetra ishte 30 metra i gjatë dhe i 15 i lartë. Por në vitin 587 p.e.s. kur Jeruzalemi u pushtua, ai dhe gjithë qyteti u bë shkrumb e hi. Pas vdekjes së mbretit David, Jeruzalemin e udhëhoqi biri i tij, Solomon, në vitin 539 p.e.s. i cili do të ndërtojë përsëri tempullin. Mbreti pers Cyrus i lejoi çifutët të ktheheshin nga Babilonia në vendin e Judas. Në vitin 19 p.e.s. Herodi romak e ktheu tempullin në një ndërtesë mermeri por kur çifutët u revoltuan në vitin 70-të kundër romakëve, tempulli u dogj sërrish dhe Jeruzalemi u shkatërrua. Vetëm « Muri i lotëve » do të mbetej si dëshmitar i atyre kohrave të përgjakëshme.
MURI I LOTËVE DHE VARRI I SHENJTË I RISHTIT
Muri i lotëve është padyshim një nga muret më të rrallë dhe më të çuditshëm të botës për vetë simbolikën që ka. Eshtë muri që mbeti në këmbë pas shkatërrimit të Jeruzalemit. Thuhet se kur romaku Titus e shkaktërroi Jeruzalemin, çifutët që u kthyen erdhën të qanin dhe të faleshin pikërisht në murin e Tempullit të Davidit. Që atëhere, për shekuj me rradhë ata do të paguanin florinj, vetëm e vetëm që të mund të lejoheshin që të luteshin e të qanin në vëndin e shenjtë. Kështu, shpirti i tyre lehtësohej duke pëshpëritur të njëjtën lutje, me shpresën e rikthimit. Para murit hijerëndë dhe me gurë qiklopikë shtrihet një shesh i madh që në raste festash fetare, të cilat janë të shumta gjatë vitit, nxin nga rabinët e veshur me të zeza dhe kapelet e tyre të mëdha. Të tjerë nxitojnë me buklet e tyre që u varen jashtë kapeleve. Të gjithë vijnë të falen e luten para murit, në rradhë, me librat e tyre në duar, dhe ku shumë prej tyre i afrohen murit aq shumë sa që duket se i pëshpërisin vetë perëndisë. Një mur i çuditshëm dhe për letrat e panumurta që të palosura e të ngjeshura, futur në të çarat e murit dhe ku besimtarët i çojnë mesazh Zotit Jahve që të mund ti lexojë. Edhe Papa Vojtila kur erdhi në « Murin e Lotëve » la në një nga të plasariturat e hapura një letër të tillë.
Atë ditë që zbrisnim drejt atij sheshi mitik rrugët nxinin nga rabinët. Mes tyre kishte dhe hebrenj të sekteve të tjerë, ithtarë të hasidizmit, sektit radikal të judaizmit që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë, që nuk pijnë duhan dhe nuk fotografohen, e që ende besojnë në ardhjen një ditë të afërt të Mesisë. Jo larg Murit të Lotëve, duke marrë një rrugë të ngushtë, pas 200 metrave do të gjëndesh në të njëjtën rrugë dhe të njëjtin itinerar që bëri Jezuja ditën e kryqëzimit: në « via Dolorosa ». Eshtë rruga që të çon drejt varrit të tij. Dhe kuptohet, për atë që njeh jetën e Krishtit, gjërat marrin përmasa të tjera në këto kalldrëme, ku shumë shpejt imagjinata të risjell imazhet e filmave që janë bërë për Krishtin, gjer tek i fundit « Pasioni i Krishtit » i Mel Gibson. Eshtë një ditë e ngrohtë, me diell dhe një qiell të kaltërt, ndoshta si atë ditë kur 2000 vjet më parë, sipas Biblës, Jezuja me kryqin e rëndë në krah merrte udhën e kalvarit, Golgotës, udhën mes britmave të ushtarëve romakë, i ndjekur nga sytë e përgjëruar të nënës së tij, Shën Marisë. Brënda në kishën ortodokse, ku vargu i gjatë i njerëzve nuk rresht, mijra duar zgjaten të prekin atë pllakë mermeri në ngjyrë të kuqerremtë ku mendohet se është varrosur Jezu-ja. Brënda dhe jashtë asaj kishe, gjithshka është mitike, biblike, pasi Jeruzalemi është i mbushur me histori e ngjarje tepër të lashta, me sinagoga e xhami, kisha greke e ruse, jemenite (te hebrenjve të Jemenit), abisinase (te hebrenjve të Etiopisë), vende kulti të radikalëve hebrenj hasidistë….Jeta e këtij qyteti nis tri mijë vjet para erës sonë dhe në historinë e tij pikëtakon revoltat e hebrejve, tempujt e Solomonit dhe të Herodit, legjionet romake të Titus-it i cili e dogji Jeruzalemin në vitin 67. Pikërisht atëhere ndodhi dhe eksodi i dytë i hebrejve. Gjatë njëmbëdhjetë shekujve, nga kalifi Omar i persëve, tek Saladini e sulltanët e perandorisë osmane, ky qytet do të mbetej nën pushtetin e muslimanëve. Ndërsa sot, hebrejtë, muslimanët, kristianët dhe ateistët mpleksen çdo ditë në rrugët e këtij qyteti të hapët të cilin Papa dëshironte ta kthente në “qytet të shenjtë”, në qytet të paqes, qytet i gjithë botës. Duke ecur buzë mureve të Hadrianit, katakombeve romake, afreskeve bizantine dhe të Aleksandrit të madh, portave perse e arabe, e ndjen menjëherë se këtu HISTORIA është shkruar me gërma të mëdha.
PËRGJATË LUMIT JORDAN
Pasi lëmë pllajat me mollë të Golanit dhe gjurmët prehistorike në Gamla, në zbritje e sipër anashkalojmë brigjet e liqenit të Tiberiadës apo Galileut (212 m nën nivelin e detit), për të cilën shkruhet aq shumë në librat e shenjtë të Biblës. Në fund, ndalojmë në burojën e lumit Jordan, ujet e të cilit vjen nga fakt nga mali Hermonit (2814m) që ende ka dëborë. Njerëz nga e gjithë bota vijnë të pagëzohen në një ceremonial mjaft prekës e shpesh në mes të lotëve: turmat e besimtarëve kristianë, të ardhur nga Australia apo Amerika, Argjentina apo Indonezia e India, nga Afrika e Jugut apo Europa, ë futen në ujë dhe pas një “aleluje” që këndohet e kumbon në ajër, dalin dhe përqafohen me njëri tjtrin: perëndia i ka bekuar! Siç shkruhet në Bibël, këtu kishte ardhur dhe Jezu-ja, dy mijë vjet më parë. Ai kishte zbritur nga Nazareti, ku banonte me familjen e tij. Erdhi në burojat e Jordanit ku Gjon Pagëzori do ta pagëzonte. Kur Jezu-ja kishte dalë nga ujët, Bibla shkruan se Perëndia, në formën e një pëllumbi të bardhë ishte ulur tek ai dhe i kishte pëshpëritur: “Ti më pëlqeve. Je ti ai që kam zgjedhur !…”
Liqeni i Tiberiadës është një liqen historik, i mbushur nga shumë tempuj e kisha të vjetra, dëshmi të historisë së Jezusë dhe apostujve të tjerë, me kishën e Shën Pjetrit, krijuesit të vërtetë të kristianizmit apo kishën e Kryqit të Shenjtë, ndërtuar nga Helena, nëna e perandorit bizantinas Kostandin, e cila kur erdhi këtu dhe i treguan pemën e prerë për drurin e kryqit ku kryqëzuan Jezunë, vendosi të ngrejë kishën për kujtim të tij. Më tuje, Kisha e “beatitudine”-ve, (“Tetë lavdeve”) të Jezusë i cili do tu thoshte pasuesve të tij: – “Qofshin të lumtur të persekutuarit që luftojnë për Drejtësi, se mbretëria e qiejve është për ta!” “Qofshin të lumtur artizanët e Paqes sepse ata do të quhen bijtë e Zotit!”…
Duke lënë pas ujët e Tiberiadës dhe fshatin historik të Maigdala-s, të Maria Madalenës, prostitutës që i u përkushtua Krishtit, ( ajo që dhe e pa kur u ngjit në qiell) rruga na çon drejt Nazaretit ku poshtë janë arabët dhe sipër, arabët e krishterë dhe hebrejtë. Gjithshka është sugjestionuese: midis vendeve të ndryshme të kultit dhe kisha e nënës së Krishtit, Shën Marisë ku vinë pelerinët nga e gjithë bota…
UDHËTIMI I FUNDIT I RASHELËS
Kur u ktheva nga Toka e Shenjtë, Feliçeta Jakoel më mori në telefon dhe më tha se Rashela kishte vdekur. Kishte nisur udhëtimin e saj duke ecur mbi Detin e Vdekur në një udhëtim të përmotshëm. Megjithatë ajo më tha se ajo kishte ikur e gëzuar nga kjo botë, duke marrë me vete mesazhe paqeje për tu a çuar të vdekurve, atyre që gjithë jetën përjetuan veçse tragjedi. Mendova një çast për Rashelën, e imagjinova atë tek shkonte dhe lexova përsëri rradhët e shkruara nga shkrimtari izraelit Amos Oz: “Konflikti izraelo-palestinez është një përplasje mes së Drejtës dhe së Drejtës, midis dy kërkesave të fuqishme mbi të njëjtin vënd të vogël. Nuk është një luftë fetare, një luftë mes dy kulturash të ndryshme, një mospajtim mes dy feve, por thjesht një debat i zjarrtë për pronësinë e patundëshme të kësaj toke, se e kujt është kjo shtëpi. Dhe unë besoj se kjo mund të zgjidhet…”(*Artikulli botohet me plëqimin e autorit)