Nga Arben LLALLA/
Me rastin e festave të fundviti 2015, Kryepeshkopi Anastas Janullatosi si gjithnjë dha një intervistë për televizionin publik grek(ERT1,https://www.youtube.com/watch?v=iYEYTVy5qr8), që u transmetua pas Krishtlindjeve. Ku ai shpalosi dhe njëherë tezat e jetës së tij, teza që në mënyrë të përsëritur i ka thënë dhe në intervista të tjera, por këtë herë dukej sikur shqetësimi i tij, ishte t’i theksonte ato, sikur donte të formulonte më qartë një testament shpirtëror si për të shpjeguar misionin dhe filozofinë e tij. Intervista ishte e ngarkuar emocionalisht, ku Janullatosi me një zë të hollë, përpiqej të ngrinte mitet e jetës së tij, ku duhet të bazoheshin ata që në të ardhmen do të merren me jetën dhe figurën e tij, por autobiografia, sot është një nga burimet, jo i vetmi, sepse studiuesit do shohin dokumentet, do deklasifikohen arkivat sekrete, do flasin dëshmitarë që ndoshta sot heshtin prej trysnive nga drejtime të ndryshme. Pra, sigurisht që historia do merret me të, dhe duket se kjo pjesë, se çfarë do të thuhet për të, pasi ai ta ketë përfunduar misionin e vet mbi tokë, dukej se e shqetësonte hirësinë dhe kjo ndihej në zërin dhe lëvizjet e tij gjatë intervistës. Në këtë shkrim do mundohem t’i paraqes sa më përmbledhtazi tezat-mite të tij si:
1 .Miti i thirrjes misionare. Janullatosi thotë se u befasua kur e telefonuan dhe e pyetën nëse donte të vinte në Shqipëri, dhe se kjo kërkesë iu duk e papritur pasi ai nuk dinte asgjë për Shqipërinë. Dhe ai pasi u mendua disa ditë, u përgjigj nga Afrika e largët, se ishte dakort, mjafton që t’a donte Patriarkana, qeveria dhe populli shqiptar. Jemi të mendimit se ky është një mit, pasi Janullatosi kishte kohë që përgatitej për misionin e tij në Shqipëri dhe se zgjedhja e tij u bë me presion prej qeverisë greke ndaj qeverisë së Tiranës ku mund të flasin për këtë gjë ish-ministri i jashtëm, Muhamed Kapllani dhe akademiku, Ylli Popa. Sigurisht historia se si u bind dhe cilat mjete bindëse u përdorën për autoritetet shqiptare, dihen tashmë prej ekspertëve të fushës. Kurse populli shqiptar që reagoi publikisht edhe ditën e fronëzimit të tij, nuk është se e pyeti njeri.
2. Miti i shpresës së ringjalljes. Janullatosi e proklamon veten si predikuesin e parë të fesë në Shqipëri dhe se popullit shqiptar që i ishte të ndaluar të kërkonte mistiken dhe shpirtëroren, mundësinë ia dha Eksarku i Fanarit. Edhe ky është një mit, që u thuhet kryesisht grekëve, që nuk janë mësuar me realitete multifetare. Sigurisht që për ortodoksët mund ta ketë bërë ndriçimin e natës ateiste, por besimtarët e feve të tjera, kishin klerikët e tyre po aq dinjitozë dhe kurajozë të cilët filluan të predikonin besimin përkatës. Pra, nuk u ngjall në Shqipëri vetëm ortodoksia nga Janullatosi, u ngjallën të gjitha fetë, por asnjë kryetar tjetër komuniteti, nuk guxoi që të lidhëte ngjalljen e besimit, me emrin e tij, sepse në fe, nuk ka vend egocentrizmi, po kjo nuk i përket rastit të Janullatosit, që çdo gjë që ka hapur në Kishë, nga gazeta deri te katedralja e Tiranës, që e quan “Ngjallja=Anastasis”, për të përjetësuar në këtë mënyrë emrin dhe kultin e individit të tij.
3. Miti i kishës lokale. Hirësia mbështet tezën se erdhi për të ngritur kishën lokale, me kler lokal, ku gjuha e përdorur do të ishte shqipja, por dinakërisht, e quan kishën shqiptare, si multietnike, dhe justifikon edhe përdorimin e gjuhëve të tjera, sepse kjo kishë, sipas tij, ka edhe anëtarë, grekë, serbo-malazezë, vllehë etj. Ky është një mit, pasi Anastas Jnaullatosi ka 25 vjet që predikon dhe jep mesazhe në gjuhën greke, dhe siç do ta shohim pak më poshtë, ka bërë të pamundurën për lëvrimin e greqishtes në shkollat dhe kishat që ka hapur në Shqipëri.
4. Miti i autonomisë ekonomike. Për çerek shekulli, Janullatosi e mësoi kishën shqiptare që çdo gjë, investimet dhe iniciativa do të vinte prej tij, dhe e vuri në gjumë dhe e dobësoi deri në pasivitet, në mënyrë që të ushtrojë, nëpërmjet varësisë ekonomike, kontroll absolut mbi të gjitha qarqet dhe në të gjitha nivelet kishtare. Sigurisht, ai shpall se do të ndërtojë disa hidrocentrale për këtë qëllim, por statusi dhe pronësia e tyre është akoma e dyshimtë, siç është i fshehtë investitori i vërtetë që fshihet pas Janullatosit. Ne, në një shkrim tjetër do të shpjegojmë, se cilit qëllim i shërben ndërtimi i këtij investimi gjigant në energjitikë.
5. Miti i mbështetjes gjatë krizës në Kosovë. Gjatë intervistës Janullatosi, ndoshta pa dashje, zbulon se ndihmat dhe milionat e dollarëve të mbledhura për gati 30 mijë kosovarë, siç numëron në intervistë, nuk patën origjinën nga bota ortodokse, as nga shteti grek, që në atë kohë ndihmonte Serbinë që bombardohej nga NATO, por nga peshkopët e kishës ungjillore gjermane, të vendeve skandinave dhe Konferencës së Kishave Europiane, që iu përgjigj kësaj emergjence humanitare. Janullatosi ankohet gjatë intervistës për mosmirënjohje dhe kërcënime nga ana e shqiptarëve.
6. Miti i restaurimit të monumenteve. Janullatosi thekson se janë mirëmbajtur monumentet, por e vërteta është se janë ndërtuar vetëm kisha të reja, me qindra, edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë, dhe se tempuj historikë që mbartin historinë e shqiptarëve, janë në rrezik shkatërrimi total, pasi nuk i intereson askujt dëshmia e lashtësisë shqiptare në krishtërim. Ndërhyrjet janë bërë sa për sy e faqe, dhe ne së shpejti do sjellim të dokumentuar se ku janë katandisur monumentet madhështore të shqiptarisë.
7. Miti i misionarëve të paktë grekë. Janullatosi i referohet vdekjes së Rrok Mirditës, kryepeshkopit katolik dhe thotë se katolikët kanë rreth 550 misionarë të huaj, priftërinj e murgesha, ndërsa ortodoksët e huaj janë vetëm 10. Sërish, argumenti është qesharak, pasi nuk mund të krahasohen këto dy kisha, ku në katolicizëm koncepti i autoqefalisë është i huaj, por edhe sepse nuk ka asnjë misionar të huaj katolik që të mos dijë shqipen rrjedhshëm, në ndryshim nga misionarët grekë, që nuk duan ta mësojnë shqipen. Shembulli klasik është, që dy nga katër mitropolitët që udhëheqin dioqezat e KOASH-it, komunikojnë edhe pas 25 vjetësh me përkthyes, pra edhe Anastasios i Tiranës, edhe Dhimitrios i Gjirokastrës. Nuk është te sasia hirësi, është te cilësia, katolikët e huaj, kanë treguar që e duan shqiptarinë më shumë se misionarët ortodoksë
grekë.
8. Miti i kërcënimit të jetës. Kryepeshkopi Anastas deklaron se në Shqipëri, çdo ditë mund të jetë dita e tij e fundit, dhe rreziqet mund të jenë të jashtme dhe të brendshme (me këtë të fundit ndoshta deklaron se mund të rrezikojë nga stafi i tij i ngushtë). Në këtë intervistë, harron të përsërisë historinë e plumbit të snajperit që ka mbetur mes dy xhamave të dritares së dhomës së tij, mit që Nikolaos Goxojanis, ia kishte botuar në një dedikim, në një suplement amerikan.
Historia qesharake që tregon Janullatosi ka të bëjë me një atentat të dështuar kundër tij, por hirësia bën sikur nuk e di, që qitja me këto lloj armësh nuk ndalohet nga xhami i një dritareje. Ka shumë të ngjarë, që në 1997, xhamin e dritares së Janullatosit ta ketë thyer ndonjë plumb qorr, siç kanë ndodhur dhjetëra raste të ngjashme të atyre ditëve.
9. Miti i lypsit ndërkombëtar. Janullatosi deklaron sikur të ardhurat ia japin miqtë e tij ndërkombëtarë, duke fshehur faktin që misioni i tij financohet direkt prej shtetit dhe qarqeve greke të diasporës. Në intervistë hirësia thotë se ka ndërtuar një hidrocentral që do prodhojë dhe shesë energji të mjaftueshme, sa për të mbajtur pavarësinë ekonomike të kishës, por ai harron të thotë se tashmë Kisha ka institucione private fitimprurëse, si spitale, shkolla, universitete, pasuri të patundshme të pafund, që nxjerrin fitime multimilionëshe, dhe që këto të ardhura shkojnë për të mbajtur qendra të mësimit dhe përhapjes së greqizimit në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Janullatosi tregon se KOASH, tashmë është një kompani që investon në tregun shqiptar me qëllim maksimizimin e fitimit për të financuar misionin e tij, me kulm, përkujdesin për shkollat greke të Korçës, Himarës, Nartës, Durrësit, Tiranës, etj.
10. Miti i përparësisë paqësore të krishtërimit ndaj islamit. Në një pikë të intervistës së tij, Anastasi harron pozicionin e tij delikat si kryetar i një komuniteti fetar shqiptar, që ruan traditën e harmonisë fetare, dhe sulmon hapur islamin, duke thënë se: “Në Kuran, gjenden vargje që bëhen ushqim për agresivitetin dhe dhunën e Islamit”. Janullatosi deklaroi se sot, shumica e terroristëve, frymëzohen nga Islami, por fakti është që përgjatë historisë, edhe krishtërimi është bërë i dhunshëm me kryqëzatat, luftërat, dhunën ndaj muslimanëve, hebrenjve etj. Por Janullatosi këmbëngul në mendimin e tij, se Europa e luftoi krishtërimin dhe boshllëku që kjo gjë la pas, sot tentohet të mbushet nga një fe tjetër, dhe insinuon që Europa po e paguan këtë gabim dhe jep si zgjidhje që vetëm rikthimi në rrënjët kristiane, do të na shpëtojë nga përparimi i tendencave moderne të konvertimit të europianëve në Islam. Kështu, indirekt Anastasi, i njeh edhe vetes rolin që nëpërmjet ungjillëzimit, po e pengon përhapjen e kësaj fryme dhune në Shqipëri.
11. Miti i vetëpromovimit të kultit vetjak. Gjatë gjithë intervistës hirësia e tij, Janullatosi nuk përmend, asnjë shenjtor, asnjë at të kishës, apo teolog botëror, përveçse disa vargjeve biblike mbi dashurinë. Atë që ai bën, në kundërshtim me frymën e përulur që duhet të kenë prelatët ortodoksë, është të jetë autoreferencial i mërzitshëm deri në fund, pra, që idetë gjeniale, vizioni i tij, frymëzimi dhe vendimet e mëdha, i vijnë nga vetvetja, nga mendja e tij, jo nga ndonjë personalitet apo ideal tjetër kishtar. Historia e meditimit të Patmosit, e ritreguar edhe herë të tjera, që tregon një dialog të brendshëm kërkimi të Perëndisë dhe vendimi për të ndjekur rrugën e fesë, i buron vetëm nga mendja e tij, me shprehjen e thënë me dhjetëra herë: “A të mjafton Perëndia, dhe nëse jo, te cila Perëndi beson?” Pra, ky mendim i tepër i çmuar nuk gjendet në asnjë libër të shenjtë, veçse buron si pjellë e mendjes së tij.
Shembuj të tjerë të ngjashëm ka dhe gjatë intervistës. P.sh. diku vijon, që i thosha vetes (autoreferencë sërish), që për të luftuar rrezikun e egoizmit, përpiqu të ngelesh gjithmonë student dhe dhiakon, kjo, si strategji gjeniale e tij, për të luftuar megallomaninë e peshkopëve dhe profesorëve bashkëkohës me të, duke akuzuar kështu të tjerët dhe duke mburrur vetveten që s’është si të tjerët. Pohime të tilla mburracake i gjen gjatë gjithë intervistës.
12. Miti i origjinës familjare. Janullatosi, ashtu si edhe në intervista të tjera, himnon origjinën e tij prej Pireut, rritjen e tij në qendër të Athinës dhe ndikimin e madh që ka ushtruar në jetën e tij, nëna që ishte shumë besimtare. Por, për çudinë tonë, gjithmonë, kur i referohet familjes së tij, mungojnë komentet dhe kujtimi i të atit, sikurse do ta shmangë rolin dhe prezencën e babait në jetën e tij. Edhe personalitete të tjera e kanë shmangur përmendjen e etërve të tyre, gjë që lidhet me elementë të formimit të karakterit të tyre, por që nuk është diskutim i këtij momenti, por i një shkrimi tjetër ku do të behet analiza psikologjike e arsyes së harresës së njërit prind, që në rastin e Janullatosit, nuk është e rastësishme.
Intervista përfundon me pyetjen nëse Janullatosi ka një ëndërr të parealizuar ende, dhe përgjigja të lë pa gojë, të habit guximi dhe dalja hapur e qëllimeve të tij. Ai thotë se do që të hapë
Fakultetin e Gjuhës Greke, dhe ta atashojë atë, së bashku me Fakultetin Teologjik, brenda Universitetit “Logos”. Kështu, pa iu dridhur qerpiku, duke patur parasysh që publiku grek që e sponsorizon, do të ekzaltohej kur ta dëgjonte këtë intervistë, Janullatosi shpall se misioni i tij në Shqipëri ka dy shtylla kryesore, kristianizim të tipit ortodoks dhe helenizim te tipit grekoman. Kështu, Janullatosi mund t’i hapë rrugë dhe mitit të fundit, atij të shpalljes së tij shenjtor, sepse edhe murgj të tjerë grekë që e kanë vizituar këtë vend, për këtë janë shenjtëruar nga Fanari, se kanë ortodoksizuar dhe greqizuar shqiptarët. Arsye të mjaftueshme këto për t’u bërë kulte adhurimi, për të shtuar mite dhe legjenda megalloideiste në këto troje.
Por nëse me kristianizimin, statistikat tregojnë frikshëm se Janullatosi ka dështuar, pikërisht sepse e ka përzierë kishën me politikën greke, duke marrë një kishë që numëronte gati 25% të popullsisë si ortodokse, duke ke katandisur në kufirin skandaloz të nën 6.8%, minimum ky historik, sipas statistikave zyrtare dhe kokëforta të censusit të fundit, që hirësia e tij nuk dëshiron t’i pranojë kurrë.
Kështu sërish, Janullatosi, nuk hezitoi ta shkatërronte institucionin historik të KOASH-it, duke e sakrifikuar atë pa mëshirë në altarin e greqizimit me çdo kosto dhe pa llogaritur asnjë pasojë, të popullit shqiptar. Por nëse me kristianizimin dështoi, se i largoi njerëzit duke i ofenduar në gjënë më të shenjtë, në identitetin kombëtar, me greqizmin e shqiptarëve do të dështojë akoma më rëndë, pasi ky popull heroik, ka treguar se prej luftërave, genocideve, përpjekjeve për asimilim apo dhe zhbërje, ka dalë akoma edhe më i fortë. Kështu, historia do e tregojë jetën dhe veprën e tij, jo si nëpër intervistat e porositura nëpër kanalet shtetërore greke, por sipas fakteve të pamohueshme, mbështetur në metodologji të sakta dhe të paanshme shkencore. Dhe sërisht e çliruar një ditë prej tij, Kisha Ortodokse Shqiptare do t’i kthehet ditëve të lavdisë së saj të dikurshme në ballë të zhvillimeve shpirtërore dhe atdhetare të kombit shqiptar, siç e konceptuan dhe e ideuan etërit e saj themelues.