• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skënderbeu në botën Anglofone

February 3, 2014 by dgreca

Esse nga Aristotel MICI/

 (Në kujtim të 17 Janarit)/

Scanderbeg’s  sword must have Scanderbeg’s arm[1]

Pas botimit të veprës  biografike të Skënderbeut të shkruar nga Marin Barleti dhe të botuar në Itali më 1508, emri i  kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastriotit/Skënderbeut do të bëhej gjithnjë e më i njohur në  Europë  . Për gjatë shekullit të XVI, nga një dekadë në tjetrën, vepra e Marin Barletit do të përkthehej  në disa gjuhë të Europës, duke nisur me përkthimin në gjermanisht nga  Johan Pinicianus 1533 dhe pastaj në  italishts nga Pjetro Roka (P.Rocca) më 1554,   në Portugalisht nga Francisco d’ Andreade më 1567,  nga Ciprian Bazylic në polonisht, 1569;  pastaj, kjo vepër do të përkthehej në frëngjisht nga   J. de Lavardin në 1576 me titull “Histoire de Georges Castriot  Surnome Scanderbeg, Roy d’ Albanie. Më 1582 Juan Ochoa de la Salode do ta përkthente  në  spanjisht. Nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, më 1596, vepra e Barletit për Skënderbeun  do të përkthehej  edhe në Anglisht , sipas vesionit frëngjisht të Lavardinit, nga Zachary Jones Gentlemen (Xhentlemen), me titull ”Historie of George Castriot surnamed Skanderbeg, king of Albanie” (Sipas Beniamin Ashcom, Comparative Literature,  Universiteti i Oregonit, botim i vitit 1953,f. 19.)                                                                 

 

 Është për t’u shenuar  me këtë rast se edhe autori i variantit anglisht të “Historisë së Skënderbeut”, Zahari Jones Xhentelmen, ndjek modelin e Lavardinit  për prezantimin e veprës. Ashtu si Lavardini e hapte biografinë e Skënderbeut me nje sonet të poetit të famshëm të Pleiadës, Ronsardi[2]-t, me të cilin sonnet idealizonte Skënderbeun, duke e krahasuar me Akilin e Iliadës së Homerit, po ashtu dhe Z.J.Xhentlemen , do ta çelte librin  për Skënderbeun me një sonnet të një poeti të njohur anglez, Edmund Spenser. Ky poet, duke lexuar jetën dhe trimëritë e Skënderbeut në librin e   përkthyer në anglisht, shkroi një sonnet  tjetër për  heroin shqiptar , të cilin sonnet Zachary J. Xhentelmeni e vendosi si hyrje të librit të vet  biografik të Skënderbeut.  Me admirim ai do të shkruante për  heroin tonë:

………………………………………

………………………………………….

Lo one, whom later age has brought to light,

                                    Match able to the greatest of the great:

                                    Great both in name, and great in power and might,

And meriting a mere triumphant  feat..

The scourge of Turks, and plague of infidels,

Thy acts, o Scanderbeg, this volume tells.

Një përkthim  i mundshëm i këtyre vargjeve të sonetit të Spenserit do të ishte:

     “Njeri, që bota të njohu më vonë se në rini,

I barabartë me më të mëdhenjt’ e trimave antikë:

Me famë si në emër, në forcë e fuqi.

Triumfant nëpër beteja si kreshnik

Goditje dërmuese të pabesëve turq u dhe,

Luftrat e tua ky libër rrëfen, o i madhi Skënderbe.”

Fjala “volum”(libër) në  këtë varg të sonetit  të  Spenserit shpreh  librin e Zahari J. Gentelman-it për Skënderbeun.

Në të vërtetë  për gjatë shekullit të XVII figura e Skënderbeut qe  bërë familjare në vendet europiane. Edhe në zonat anglofone  emri i tij qe kthyer në mith . Që prej  kësaj kohe  kish dalë shprehja popullore angleze : Scanderbeg’s  sword  must have Scanderbeg’s  arm”.[3]

Po krahas  veprës së Z.J. Gentelmen,  njerëzit intelektualë në Perandorinë Angleze, si edhe në ish Kolonitë Britanike të Amerikës, informacionin e mundshëm  rreth Skënderbeut e merrnin  edhe nga burime historike siç gjendeshin në librin e Richard Knolles[4] e titulluar “The General  Histories of the Turks”- (Historia e Përgjithshme e Turqëve)   1603.[5]

Për gjatë shekullit të XVII  për botën anglofone një tjetër autor  angles, Sir William Temple (1628- 1699) do ta përshkruante figurën e Skënderbeut me shumë adhurim në veprën e tij “Essay of the heroic Virtue”. Ky autor do ta vendoste figurën e  Skenderbeut në kapitullin e titulluar “Shtatë prinjësa të pakurorëzuar të historisë”.

Sipas shenimeve bibliografike të Beniamin Ashcom  marrim vesh se gjatë shekullit të   XVIII heroi ynë kombëtar, Skenderbeu, do të shfaqej  denjësisht edhe në skenat e theatrit londines. Më 15 Mars të vitit 1733,  do të vihej në skenë drama  “Skënderbue” e William  legjendwtjetër autor, George Lillo, vuri në skenën e  “Drury Lane” dramën e tij për Skenderbeun me titull “The Christian Hero”.   Kurse Thomas  Whincop, më 1747, shkroi një dramë, që e botoi në  Londër.[6]   

Të dhëna  të tjera me interes historik për Skënderbeun jepen gjithashtu në  veprën e rëndësishme  të dijetarit të shquar Edwd Gibbon[7]  (1737- 1794)  “Decline and Fall of the Roman Empire”, (Tatëpjeta dhe Rënia e Perandorisë Romake). Ndërmjet shumë e shumë ngjarjeve historike në këtë vepër voluminoze autori  përshkruan edhe episode rreth     shkëputjes së Skënderbeut prej radhëve të ushtrisë Ottomane dhe kthimit të tij të guximshëm e fitimtar në Krujë.

Scanderbeu me heoizmin e tij qe bërë legjendë, një trim  me forcë mistrioze, aq sa Gibbon do të shkruante në veprën e tij  për heroin tonë: “His sepulcher was soon violated  by the Turkish conquerors; but the Janizaries , who wore his bones enchased  in a bracelet declared by this superstitious amulet  their  voluntary  reverence for his valor.”[8](Varri i tij u dhunua nga turqit pushtues; por ushtarët, të cilët , duke i  marrë eshtrat e tij si të magjepsura, i  bënë ato hajmali, dhe i vunë në trup, me shpresë  se  ato do t’i mbronin ata  nga shpata.”

Kurse në shekullin e XIX  talente më të famshëm nga ana artistike do të frymëzohen dhe do të përshkruajne në gjuhën anglofone  madhështinë e figurës historike të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, që mund të jepen në një shkrim tjetër në vazhdim.

Aristotel  Mici

Sqarim:

Ja cila është literatura bazë  nga burime origjinal rreth artikullit  “Skënderbeu në botën Anglofone”:

Ashcom B., “Comparative Literature”, Published by University of Oregon, (Winter,   1953) 

Spenser  E., Sonnet,  from the book “Historie of George Castrioti, Surnamed Scanderbeg” of  Z .J. Gentleman, printed by  William  Ponsonby, London, 1596.

Gibbon E., “The decline and fall of the Empire Roman”, London, 1776..

Moore Cl.,  “George Castrioti, Scanderbeg King of Albania”, New York, Appleton ,

1850 .


[1] Thënie popullore angleze që do të thotë : Shpata e Skënderbeut duhet të ketë krahun e Skëndebeut.

[2] Pierre Ronsard, poet francez,1524- 1585.

[3]  Marr nga libri  i Beniamin Ashcom , “Comperative Literature”,  published by The University of Oregon, f.23

Richard  Knolle,autor angles, 1545-1610

[5]  Clement C. Moore “ George Castriot surnamed Scanderbeg”, NY, Appleton,  1850, f. 5

[6] Beniamin Ashcom,  “Comparative Literature”,  The Scanderbeg Theme,  Publishing  by the University of Oregon, 1953,  f. 24

[7] Edward Gibbon, historian angles ,1737-1794.

[8] Shiko edhe Clement C. Moore, “ George  Castriot  surnamed Scanderbeg”, NY,  Appleton, 1850,  f. 7

 

 

 

 

 

 

NJE NJOFTIM NE VEND TE REPLIKES NGA ARISTOTEL MICI

Njoftoi opinionin lidhur me arsimimin tim në Amerikë se ai është  bërë sipas  kriterve dhe rregullave të  Worchester State University. Në përfundim të provimeve përkatëse kam marrë diplomën e graduimit, ku shenohet:

” Master of Education

History”

Diploma mban datën 16 Maj 2010 dhe është e firmosur nga Presidenti i Universitetit.

E bëj këtë pohim për të shmangur çdo disinformim ose thashethem rreth çështjes së  shkollimit tim.

Aristotel Mici, shkurt 2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: Aristotel Mici, ne vend te replikes, nje njoftim

Mbi luftën, Ramushin, drejtësinë dhe Europën!

July 18, 2013 by dgreca

Në vend të replikës me Fatos Lubonjën /

Nga Ilir KULLA/
E kam ndier veten të zhgënjyer si qytetar, si intelektual dhe si shqiptar me shkrimin e botuar dje në gazetën “Panorama” nga një intelektual shumë i çmuar i Shqipërisë së sotme si Fatos Lubonja. Që në adoleshencë jemi rritur me intelektualin Lubonja, i cili ka qenë emblemë sakrifice, vuajtjeje, opozitarizmi, persekutimi, qëndrestarie dhe rreshtimi për nga vërtetësia dhe e drejta. Pikërisht duke lexuar dje një qëndrim komplet të kundërt në raport me këto shtylla përbërëse të historisë së Lubonjës, është e domosdoshme t’i analizojmë të gjitha, një e nga një, në raport me ngjarjet, historitë, personazhet dhe realitetin e sotshëm.
* * *
Lufta popullit të Kosovës iu imponua nga makina shtetërore e dhunshme e Serbisë së atyre viteve, e cila ishte komplet e kundërta e shtetit të së drejtës, të tipit europian. Në një lloj mënyre, Serbisë dhe Milosheviçit i takon “merita” e krijimit të UÇK-së. Ajo lindi nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës, nëpër fshatra, nëpër familje të persekutuara nga komunizmi jugosllav e më tej serbomadh që nga koha e Shaban Polluzhës e ndoshta dhe më parë. Nëse sot mund të themi që a ka pasur themelues ideator UÇK-ja, patjetër, e shumë madje, por në krye të tyre qëndron Adem Demaçi, i cili po ashtu si zoti Lubonja e kaloi rininë dhe jetën nëpër burgje, i ndrydhur pas hekurave si i burgosur i ndërgjegjes, asaj ndërgjegjeje kombëtare qytetare shqiptare, e cila kërkonte të drejtën e shkollimit në gjuhën e vet, të përfaqësimit, të të shprehurit, të lirisë dhe jo në emër të ultranacionalizmit, njëlloj si z. Lubonja. Adem Demaçi dhe shokët e tij të lëvizjes së ’68-s në Kosovë, ashtu si në të gjithë Europën, mbajtën në Kosovë flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë.
* * *
Jugosllavia e pas Dejtonit ishte një Jugosllavi e cunguar, ishte Jugosllavia e Milosheviçit, ku kishte katër lloj qytetarësh, niveli i parë serbët “të përzgjedhurit” e Zotit që kishin lindur për të sunduar të tjerët. Malazezët, të cilët e dinin shumë mirë se një shkëputje me luftë nga Serbia do të thoshte shkatërrim dhe rrënim si në Bosnjë dhe ata ishin shumë të vegjël, kështu që ia vlente të vazhdonin të jetonin nën Serbi për shkak të detit dhe të 45% të popullsisë serbe, dhe jo për shkak të dashurisë mes tyre. Hungarezët e Vojvodinës, të cilët për shkak të pozitës gjeografike dhe industrive jugosllave kishin pozita të avantazhuara nga pikëpamja ekonomike dhe politike në krahasim me të tjerët, pavarësisht se ishin vetëm një krahinë autonome. Shqiptarët e Kosovës, të cilët pavarësisht se me numër qytetarësh ishin me shume se Mali i Zi e Vojvodina, bashkë ishin të dënuar të jetonin, nën aparteid të papërfaqësuar, nën dhunë të vazhdueshme të makinës ushtarake shtetërore. Mjafton të përmendim që armata më e madhe e Jugosllavisë të mbetur ishte e tëra e vendosur me trupa dhe mjete të rënda në mënyrë permanente në Kosovë, nën mungesën e drejtësisë që nga ajo e pronësisë e deri tek ajo e të folurit. Qëndresës historike paqësore të Rugovës dhe LDK-së iu përgjigjën me indiferencë të plotë dhe me dhunë sistematike shtetërore.
* * *
Në vitin 1997, ditën e protestave të studentëve, të udhëhequr nga Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., ishte në krye me studentët dhe një intelektual i shquar i asaj kohe, profesor Ejup Statovci, që u masakrua live nga forcat speciale të policisë serbe para kamerave të mbarë botës. E pra, Statovci e studentët të cilët një vit më pas do ishin të tërë në UÇK, ishin më paqësorë se vetë gandistët vetëm pak muaj para luftës. Më 28 nëntor të atij viti, në Drenicë tre njerëz dolën para kamerave me uniformën e UÇK-së, një ndër ta ishte nxënës 17-vjeçar, i cili paradite kishte qenë në shkollë. Emri i tij ishte Daut Haradinaj, vëllai i vogël i Luanit, që ishte vrarë atë vit në kufirin Shqipëri-Kosovë nga ushtria serbe, i Ramushit që kishte lënë Perëndimin e ishte kthyer të mbronte shtëpinë e vet, i Shkëlzenit që dy javë para se të përfundonte lufta u vra po ashtu nga ushtria serbe. Në mars të 1998-s ushtria serbe nuk masakroi vetëm familjen Jasharaj në Prekaz, por edhe familjen Haradinaj në Deçan. Të gjithë ata që u vranë ishin civilë, femra dhe fëmijë, kështu u krijua UÇK-ja, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Një luftë që të imponohet është një luftë e drejtë, sepse me atë ruhet dinjiteti, identiteti, qytetaria, origjina, prona gjuha dhe liria; ky nuk është nacionalizëm, por patriotizëm.
* * *
Rusvelti e dinte shumë mirë se kur të hidhej bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, nuk do të vritej Perandori japonez apo as komandantët e ushtrisë, por do të vriteshin shumë civilë, dhe një pjesë e madhe e tyre të pafajshëm. Por në emër të asaj bombe do t’i jepej fund një lufte, e cila mund të vazhdonte në Paqësor edhe për 20 vjet. Natyrisht, nuk mund të mendosh që lufta e Kosovës mund të ketë qenë një luftë ku janë zbatuar të gjitha konventat e të drejtat e njeriut, pasi çdo luftë është e pisët, por luftërat ku ushtria e shtetit lufton kundër qytetarëve të vet, pra lufta civile, është 10 herë më e pisët dhe e vështirë. Megjithatë, nën qiellin e Europës për shumë vite kjo u lejua në ish-Jugosllavi, deri kur “Pëllumbi i Paqes” së Dejtonit, Milosheviçi, nuk i theu hundët pikërisht nga ata fëmijët e katundarëve të Kosovës, bijtë e thjeshtë të popullit fukara, të cilët krijuan ushtrinë që na riktheu krenarinë qytetare e kombëtare: UÇK-në. Një ditë të bukur, në burgun e Shevingenit në Hagë, teksa Sllobodani ishte në ashensor, u gjend me Ramushin vetëm për vetëm dhe uli kokën teksa Ramushi i tha: “Eh zoti President, a ta merrte mendja ndonjëherë se një ditë do gjendeshe me mua këtu?”…. E pra, njëri u largua me arkivol nga aty, e tjetri u kthye dy herë i lirë dhe hero te njerëzit e vet. Por jo sepse gjoja ishin zhdukur dëshmitarët, por sepse në atë luftë kishte një humbës dhe një fitues, humbësit qëndruan me humbësit dhe fituesit me fituesit.
* * *
Kenedi i madh ka thënë: “Mos pyet ç’ka bërë atdheu yt për ty, por ç’ke bërë ti për atdheun tënd”. E pra, Kenedi nuk ishte nacionalist e ultranacionalist, ishte patriot, jetoi e vdiq si i tillë. Nëse një burokrate e shpifur dhe e dështuar si zonja Del Ponte, që në vend të shkruante libra duhej të bënte punën e vet si prokurore, për shumë vite kërkoi të na mbushte mendjen se Ramushi, Fatmir Limaj, Rustem Mustafa dhe e gjithë UÇK ishin kriminelë, për ta dhe për ata që mendojnë si Del Ponte ka vetëm një përgjigje: një popull i tërë nuk mund të jetë kriminel, liria nuk fitohet me pallavra, por me gjak e sakrifica.(Kortezi Panorama)

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Kulla, me Fatos Lubonjen, ne vend te replikes

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT