JOURNAL DES DÉBATS POLITIQUES ET LITTÉRAIRES (1883) : « PASHKO VASA, THE RIGHT MAN IN THE RIGHT PLACE »/
Nga Aurenc Bebja*, Francë/Gazeta franceze, « Journal des débats politiques et littéraires – Paris », ka botuar, të mërkurën e 16 majit 1883, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me emërimin e Pashko Vasës guvernator të Libanit.
Lideri shqiptar njihej në mjediset politiko–diplomatike osmane dhe perëndimore si një njeri i talentuar për të drejtuar poste me përgjegjësi të lartë.
Shkrimi në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – dëshmon qartësisht se sa i vlerësuar ka qenë atdhetari shqiptar tek të huajt :
Na shkruajnë nga Konstandinopoja, 8 maj :« Sot, supozojmë të marrë fund, dhe seriozisht kësaj here, çështja e Libanit. Nga mbledhja e organizuar më parë, diçka do të dalë në dritë, dhe Vasa Efendi me shumë mundësi do të marrë në mënyrë unanime votat e ambasadorëve, sepse ai është kandidati i propozuar.
Të shtunën, Arif Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme, thirri në një takim të jashtëzakonshëm në Portën e Lartë krerët e misioneve dhe i njoftoi se kandidati i propozuar ishte Vasa Efendiu.Përfaqësuesit e Francës, Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë pranuan, pa hezitim, e pa u vonuar, këtë kandidaturë. Vetëm, ambasadori i Rusisë dhe i ngarkuari me punë i Anglisë dëshironin një ‘ad referendum’ (mendimin e qeverive të tyre) ; Por besojmë se udhëzimet që ata do të marrin do të jenë të favorshme për këtë emërim ; Pra, Vasa Efendiu do të jetë pasardhësi i Rustem Pashës.
Vasa Efendiu është shqiptar. Këshilltar i vilajetit të Adrianopojës, prej disa vitesh, ai ka fituar simpatinë e të gjithë qytetarëve të saj, si myslimanë dhe të krishterë. Autor i dalluar dhe madje poet në gjuhën shqipe, Vasa Efendiu është gjithashtu një administrator i ndershëm, i zgjuar, plot meritë, vendosmëri dhe energji, dhe me padyshim, ai do t’i përmbushë detyrat e tij të reja për të mirën e të gjithëve ; Ai është, ashtu siç thonë anglezët : « The right man in the right place » (Njeriu i duhur në vendin e duhur). Kjo zgjedhje është më e mira nga çdo këndvështrim ; Shqiptarët ishin krenarë dhe të lumtur që sulltani zgjodhi njërin prej tyre për të përmbushur këto funksione të rëndësishme. Mënjanimi i Bib Dodës i pati zhgënjyer disi. Vasa është ende njëri prej tyre, dhe ata vetëm se mund të krenohen për këtë zgjedhje. Pra, incidenti libanez mori fund, Rustemi u zëvendësua, kandidati i sulltanit u pranua dhe shqiptarët janë të kënaqur ; Secili prej tyre është i kënaqur : vetëm anglezëve u vjen keq për Rustemin ; Ata kanë shumë kënaqësi të tjera si kompensim. »