Nga Tasim RUKO/
Kryetar i degës së Vatrës në Tampa-Clearwater/
Patrioti, vëllai, miku dhe vatrani ynë Flamur Veizaj u nda nga kjo jetë duke lënë të gjithë në hidhërim dhe dhimbje. Humbja e një mërgimtari shqiptar është një humbje për të gjithë komunitetin shqiptar këtu në Clearwater, Florida (FL). Flamuri ishte me origjinë nga Krahina e Deshnicës në rrethin e Përmetit. Edhe pse u rrit në vuajtje ai shkëlqeu në shkollë si një nga studentët më të mirë të shkollës, por ëndrra e tij si një djalosh i zjarrtë u ndërpre kur iu mohua e drejta e studimit si djalë i një familje antikomuniste.
Gjyshi nga ana e nënës, Fetah Bundo, gjithashtu dhe Vatran i hershëm, kishte marrë pjesë në Lëvizjen e Pavarësisë Kombëtare në radhët e cetës së Cerciz Topullit dhe të e Mihal Gramenos.
Edhe pse kjo familje patiotike sakrifikoi për Pavarësinë e Shqipërisë, u dënua më vonë në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore për pjesëmarrje në rradhët e Ballit Kombëtar dhe qëndrim anit-komunist. Një nga kushërinjtë e Flamurit u egzekutua me vdekje pa gjyq nga komunistët në vendin e quajtur Rrapi i Sukës.
Kjo nuk ishte e vetmja arsye që e gjithë familja vuajti me breza në regjimin komunist duke iu mohuar cdo e drejtë njerëzore apo oportunitete të tjera. Në vitin 1974, babai i Flamurit u arrestua dhe u burgos për 8 vjet pa fakte konkrete. Të gjitha këto e damkosën dhe persekutuan familjen dhe Flamurin për të gjithë kohën e diktaturës deri në demokraci.
Flamuri ishte një djalë me ëndrra dhe pasion për jetën. Me gjithë këto pengesa te biografisë ai nuk u dorëzua, por vazhdoi studimet dhe mbaroi shkollën e mesme bujqësore natën. Gjatë kësaj periudhe ai u bë trau i shtëpisë duke rritur motrat dhe vëllezërit më të vegjël kur babai vazhdonte të vuante në burgjet e tmerrshme komuniste. Flamuri punoi ndër punë të vështira duke siguruar bukën e gojës për të gjithë familjen.
Mbas një jete të zymtë, shumë të lodhshme të mundishme, ai erdhi me gjithë familjen e tij në SHBA në vitin 1998. Së pari ndaloi në New York (NY) dhe më vonë u shpërngul në Florida (FL), kur gjithcka ndryshoi për një jetë më të mirë. Nga që kurr nuk pa ditë të bardha në jetën e tij, ai thoshte “Këtu në Amerikë unë u rilinda”, kjo ishte një jetë e dytë për Flamurin . Edhe pse në Shqipëri e kaloi jetën në varfëri, shpirti i tij ishte i pasur. Ai gëzohej kur miqtë e shokët ishin mirë. Mundohej me shpirt të ndihmonte të tjerët si për veten e tij.
Flamurin e mundi sëmundja e kancerit që zgjati 4 vjet dhe më në fund i mori jetën në 21 Shtator të 2015. Familja e tij qëndroi pranë gjatë këtyre viteve duke i dhënë kurajo dhe duke jetuar me dhimbjet e tij, por ai edhe pse lëngonte në shtrat kurrë nuk e hoqi buzëqeshjen dhe mikëpritjen.
Komuniteti shqiptar i Clearwaterit humbi një patriot, një vatran të dedikuar , një vëlla , një mik dhe familja humbi njeriun më të shtrenjtë të saj. Kujtimi i tij do mbetet në zemrat e njerëzve si njeriu me kurajo të fortë dhe shpirt patrioti. I lutemi Zotit ti japë familjes kurajo për të përballuar këtë hidhërim dhe shpirti I tij prehtë në paqë.