• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NELSON MANDELA: GJIGANT I HISTORISË

December 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e quajti Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Nelson Mandelën, luftëtarin e lirisë, të burgosurin, simbolin e Afrikës  kundër shtypjeve dhe diskriminit racial dhe më në fund Presidentin e Afrikës së Jugut dhe fituesin e Çmimit Nobel për paqë, gjatë një ceremonie përkujtimore të martën në Xhohanesburg.   Nelson Mandela ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 95-vjeçare.  Në shërbimin përkujtimor, sipas mediave të ndryshme, morën pjesë rreth 90-mijë vetë, përfshirë edhe udhëheqës nga 100 shtete, nga mbarë bota.  Delegacioni amerikan kryesohej nga Presidenti Obama dhe përfshinte tre ish-presidentë të këtij vendi, Xhorxh Bush, Bill Klinton dhe Xhimi Karter.

Presidenti Obama e cilësoi Nelson Mandelën si liberatorin e fundit të shekullit të 20-të, duke e quajtur atë, “një gjigant të historisë, i cili shtyri vendin e tij kah drejtësia”.  Presidenti amerikan e krahasoi Mandelën me gjigantët e shekullit të kaluar si Mahatma Gandhi dhe Martin Luther Kingu, duke thënë se ai, “vuajti pasojat e qëndrimeve të tija, duke kundërshtuar shtypësit e tij të fuqishëm.”  Gjatë fjalimit të tij,  Zoti Obama invokoi edhe emërin e Abraham Linkolnit, duke e krahasuar Mandelën me ish-presidentin amerikan të periudhës së luftës civile në Amerikë, si dhe me themeluesit e tjerë të Amerikës.  “Nevojitej një burrë si Mandela”, tha presidenti amerikan, që me veprën dhe qëndresën e tij paqësore, jo vetëm të, “lironte të burgosurin (vetveten) por njëkohsisht edhe rojën e burgut” (shtypësin e tij). Madje, madje, në ianugurimin e tij për president, Mandela kishte ftuar rojën e tij të burgut dhe e kishte ulur atë në rendin e parë me personalitete të tjera. I tillë ishte sensi i tij i pajtimit për një shoqëri të dalë nga një diktaturë e tmershme. Udhëheqsi amerikan iu drejtua afrikano-jugorëve duke thënë se, “Lufta e tij ishte lufta e juaj. Triumfi i tij ishte triumfi i juaj. Dinjiteti dhe shpresa e juaj gjenin shprehje në jetën e tij, ndërsa liria dhe demokracia që ju gëzoni sot, janë trashëgimia e tij e shtrenjtë”, tha presidenti Obama para më shumë se 90-mijë të pranishëmve në stadiumin e Sovetos.

Ndërsa Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon tha me këtë rast se, “Afrika e Jugut humbi një hero, humbi një baba, i cili ishte njëkohsisht edhe një prej mësuesve më të mëdhej.  Ai ishte shembull frymëzues vetmohimi që sakrifikoi aq shumë për liri dhe demokraci”, tha Ban Ki Moon, duke shtuar se “gjithandej ndihet dhëmbje për një humbje të madhe, por njëkohsisht është edhe një moment celebrimi i një jete të madhërishme.”

Mandela qe burgosur në vitin 1962, i akuzuar për konspiracion për të rrëxuar qeverinë raciste të Afrikës së Jugut. Në gjyqin që e dënoi atë me burgim të përjetëshëm, ai mbrojti veten,  duke mbajtur një fjalim prej katër orësh, ku ndër të tjera ka thënë se, “Unë kam luftuar kundër dominimit nga të bardhët dhe kam luftuar kundër dominimit nga zezakët”, tha ai.  “Unë mbështes dhe shpresoj në idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, ku të gjithë njerëzit, pa dallim, të mund të jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi dhe të drejta të barabarta.  Është ky një ideal për të cilin dua të jetoj dhe të cilin më në fund shpresoj t’a realizoj. Por nëqoftse është e nevojshme, ky është një ideal edhe për të cilin jam gati të vdes.”

Pas 27 vitesh dhe vuajtjesh në burg, dhe pas lirimit të tij nga burgu, më 1990, Nelson Mandela realizoi ëndërrën dhe idealin e tij për një shoqëri të lirë dhe demokratike për vendin e tij.  Më 1994, ai zgjidhet president i Afrikës së Jugut.  Mandela ka thënë  në vitin 2004, me rastin e 10-vjetorit të demokracisë në vendin e tij se megjithëse bota priste një gjakderdhje dhe luftë civile raciale gjatë tranzicionit, “ne jo vetëm që mënjanuam një masakër raciale, por ne të gjithë së bashku, krijuam një prej sistemeve  demokratike, progresive, jo raciale më shembullorë të botës moderne.”

Në fjalimin me rastin e inugaurimit të tij në postin e presidentit të Afrikës së Jugut, më 1994, vetëm katër vjetë pas lirimit të tij nga burgu, Nelson Mandela, duke pasur parasyshë vuajtjet e veta dhe të bashkombasve të tij gjatë dekadave të aparteidit të egër, tha se, “Nga përvoja e kësaj tragjedie të jashtzakonshme njerëzore që zgjati aq shumë, duhet të lind një shoqëri e re, e cila do të jetë krenaria e gjithë njerëzimit.”  Ai ishte i vetdijshëm se këjo shoqëri e re nuk mund të lindëte pa një pajtim mbarë kombëtar, duke thënë me tonin e tij pajtues se për vendin e tij “kishte ardhur koha për shërimin e plagëve dhe se ishte momenti historik për të tejkaluar ndasitë që na përçajnë, me qëllim për të ri-ndërtuar vendin.”   Në fjalimin inuagurues që vuri bazën e qeverisjes së tij të ardhëshme dhe të procesit të pajtimit, Presidenti Mandela, u angazhua, se “do ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë afrikano-jugorët, të bardhë  e zezakë, do të jenë krenarë, pa kurrfarë frike në zemërat e tyre, të sigurt për të drejtat  dhe për dinjitetin e tyre njerëzor.”

Duke theksuar se dita e lirisë për ‘të dhe për bashkombasit e tij nuk ishte realizuar  pa vuajtje e sakrifica të shumëta, Mandela tha me atë rast se, “Ne, ua dedikojmë këtë ditë të gjithë heronjve dhe heroinave të këtij vendi dhe anë e mbanë botës, të cilët kanë sakrifikuar edhe jetën për të qenë të lire.  Ëndërrat e tyre janë bërë realitet. Shpërblimi i tyre, është liria”, përfundoi fjalimin e tij inagurues si president i parë zezak i Afrikës së Jugut, në vitin 1994.

Editorialet në media, analistët dhe komentues të ndryshëm, me të drejtë e cilësojnë Nelson Mandelën si njërin prej udhëheqësve më të dalluar modern jo vetëm në Afrikë por kudo në botë.  Ai triumfoi mbi të keqen dhe udhëhoqi duke nxjerrur popullin e vet nga gremina ku kishte renë shoqëria jug-afrikane për shkak të aparteidit racial, pa derdhur as një pikë gjak, megjithë ndasitë e mëdha shoqërore që ekzistonin në atë kohë.  Mbi të gjitha, atij i akordohet merita e madhe për mbikqyrjen e zbatimit të procesit të quajtur, “E Vërteta dhe Pajtimi”, një proces ky që më në fund, u njohu sadopak viktimave të aparteidit racial të Afrikës së Jugut,  vuajtjet, sakrificat dhe viktimizimin e tyre, nga njëri prej sistemeve më anti-njerëzore që ka njohur bota.  Nelson Mandela, siç theksuan edhe shumë nga folësit në cermeninë pëkujtimore të Martën, në Soveto të Afrikës së Jugut, me personalitetin e tij, ai dijti të përdorte fitoren mbi të keqen, duke e këthyer atë në një paqë dhe pajtim për bashkkombasit e vet.  Ashtu siç tha edhe Presidenti Obama në fjalimin e tij të Martën në Xhohanesburg, Nelson Mandela ishte një udhëheqës i cili tregoi me fjalë dhe vepra se, “është e nevojshme që t’u besosh  të tjerëve nëse dëshiron që të tjerët të besojnë ty dhe se që të praktikosh pajtimin shoqëror, nuk do të thotë se mohon ose justifikon të kaluarën, por  përkundrazi, pajtimi është një proces për tu përballur me të kaluarën, me gjithëpërfshirje, bujari dhe me të vendosjen në vend të së vërtetës”, përfundoi Presidenti amerikan Barak Obama, fjalimin e tij në përkujtim të Nelson Mandelës.

Ai ishte një model udhëheqsi për çdo shoqëri post diktatoriale, sidomos ai do mbetet shembull i pajtimit. Por mbi të gjitha, siç tha në një editorial, gazeta afrikano-jugore, Cape Tajms, “Kontributi më i madh i tij do të mbetet me siguri, roli që ai luajti si luftëtar i lirisë”. “Ajo që arrijti Mandela – me ndihmën e të tjerëve – është fakti se ai zbërthei zinxhirët e aparteidit dhe u paraqiti bashkombasve të vet alternativën demokratike”, përfundoi gazeta afrikano jugore.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, gjigant i historise, nelson Mandela

NELSON MANDELA SI NËNE TEREZA

June 12, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Thuhet se askush nuk e njeh një komb për derisa nuk ke qënë në burgjet e tij.  Një vend nuk duhet të gjykohet duke u bazuar në faktin se si ai trajton ata që janë në maje të piramidës, por duhet të gjykohet duke u bazuar  në faktin se si ai   trajton shtreesat më të ulëta të shoqërisë.”   Nelson Mandela

Ish presidenti i Afrikës së Jugut dhe ish-i burgosuri politik më i famshëm i botës, 94-vjeçari Nelson Mandela është shtruar në një spital të Pretorias, për të katërtën herë ç’prej dhjetorit të kaluar, pasi vuan nga një infektim në mushkëri.  Në njoftimin e fundit mbi gjëndjen shëndetsore të tij, qeveria e Afrikës së Jugut tha se gjëndja e Z. Mandela, njeriut që admirohet nga mbarë bota për qëndresën e tij ndaj së keqës, mbetet ”serioze”.   Deklarata e qeverisë le të kuptohet se gjëndja shëndetsore e Mandelës po keqësohet.

Nelson Mandela, qyshë në moshë të re mori pjesë në lëvizjen kundër aparteidit dhe më vonë, më 1942 u bë anëtar i Kongresit Kombëtar Afrikan.   Për pothuaj 20 vjetë ai drejtoi një fushatë pa dhunë duke kundërshtuar në mënyrë paqësore qeverinë e atëhereshme të Afrikës së Jugut dhe politikën e saj raciste.  Pas 27-vjet burg si i burgosur politik,  për veprimtarinë e tij politike kundër aparteidit, Mandela lirohet në vitin 1990, bëhet president i partisë së tij, Kongresi Kombëtar Afrikan, parti e cila fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike në vitin 1944.   Atij, së bashku me ish-presdientin e Afrikës së Jugut F. W. de Klerk, iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, për meritat e tyre në shkatërrimin e sistemit aparteid racist të Afrikës së Jugut.   Në vitin 1994, Nelson Mandela, ish-i burgosuri politik u inaugurua presidenti i parë zezak në historinë e atij vendi.   Ditëlindja e e tij, 18 Korriku, është shpallur si Dita e Mandelës, e cila festohet si një ditë këjo për të promovuar paqën në botë dhe njëkohësisht për të celebruar trashëgiminë e këtij burri të madh të Afrikës.

Në një deklaratë nga fondacioni që kryesohet nga Kryepeshkopi Desmond Tutu, edhe ky një fitues i Çmimit Nobel për përpjekjet e tija paqësore në luftën kundër aparteidit në Afrikën e Jugut — heroi i luftës kundër qeverisë raciste, Nelson Mandela cilësohet si një “dhuratë e veçantë” nga Perëndia për Afrikën e Jugut dhe bëhet thirrje për lutje, “për babain e dashur të kombit tonë”, për njeriun i cili, anë e mbanë botës, edhe sot shikohet si simbol i pajtimit dhe i paqës midis njerzëve.

Dejvid Ejkmën, autor i njohur, gazetar i dalluar i revistës amerikane Tajm dhe këshilltar në fushën e politikës së jashtme, njëri i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme në botë gjatë shekullit të kaluar dhe i cili ka intervistuar personalitetet më të famëshme botërore, në librin e tij: “Shpirtrat e Mëdhej: Gjashtë të Cilët Ndryshuan Shekullin”, ndër ta përmend bijen e kombit shqiptar, nobelisten e paqës Nënë Terezen dhe Nelson Mandelën, si personalitetet që me shembullin e jetës dhe me veprat e tyre kanë ndikuar në ndryshimet pozitive të shekullit të kaluar.   Autori i njohur amerikan përmend vetitë e këtyre personaliteteve që ndikuan aq shumë në rrjedhat e historisë së shekullit të kaluar, duke nënvijuar virtytet që i dallonin ata, e të cilat janë aq të nevojshme edhe sot, si e vërteta, falja, mëshira dhe dhëmbshuria për të varfërit dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

Me rastin e 90-vjetorit të Nelson Mandelës, gazeta britanike Telegraph pat bërë një sondazh për të zgjedhur 90-personalitetet më frymëzuese në botë me rastin e Ditës së Mandelës.   Lexueve u kërkohej që të votonin për personat — të gjallë ose të vdekur — por të cilët, sipas mendimit të tyre, kanë demonstruar në jetën dhe me veprat e tyre, karakteristikat kryesore të Nelson Mandelës, veti siç janë: kuraja, dinjiteti, përvujtënia, qëndresa, falja dhe dashuria.   Lexuesit e gazetës britanike patën zgjedhur murgeshën katolike shqiptare, Nënë Terezën si personalitetin numër një në botë që mbartë këto karakteristika të Nelson Mandelës, para të gjitha personaliteteve të tjera më të mëdha të shekullit të kaluar, përfshirë Uinston Çurçilin, Einstajnin, Martin Luter Kingun, Mahat Magandin, e të tjerë

Nelson Mandela i theksoi këto karakteristika dhe vlera në bazë të të cilave kishte jetuar dhe vuajtur gjithë jetën e tij si i burgosur politik.  Në fjalimin që pat mbajtur me rastin e inuagurimit të tij si president i Afrikës së Jugut më 1994,     megjithë vuajtjet dhe diskriminimet që kishte pësuar populli i tij nga politika raciste e qeverisë së bardhë, ai prapseparë personifikoi karakteristikat e tija njerëzore, duke iu drejtuar bashkëkombasve të vet duke thënë se, “kishte ardhur koha për shërimin e plagëve, se kishte ardhur momenti për të lënë pas ndasitë e së kaluarës, se kishte ardhur koha për të ndërtuar vendin.”   Ai  tha me atë rast se rruga drejtë lirisë do të ishte e vështirë dhe e gjatë, por ai shtoi se duke punuar së bashku, afrikano-jugorët do ta nxirnin vendin  e tyre nga errësira e së kaluarës, nepërmjet pajtimit kombëtar, duke ndërtuar një jetë më të mirë për të gjithë dhe pa dallim.   Ai përfundoi duke thënë se “kurrë, kurrë më ky vend i bukur nuk do të përjetojë shtypje nga njëri person kundër tjetrit. Le të mbretëroj liria” .

Me të drejtë, Nelson Mandela konsiderohet si një ndër personalitetet më të mëdha të shekullit të kaluar, kontributet e të cilit janë përhapur dhe njihen mirë përtej kufijve të Afrikës së Jugut dhe kontinentit afrikan.  Jeta e tij është shembull në mbrojtje të lirisë, demokracisë, të dinjitetit dhe të drejtave bazë të njeriut.   Ai i dha fund aparteidit zyrtar që ndante zezakët nga të bardhët, dhe më vonë si president i Afrikës së Jugut ai predikoi një harmoni shoqërore, bashkim kombëtar, paqë e pajtim për të gjithë banorët e vendit të tij, zezakë, të bardhë e të tjerë.  Përveçse solli paqë e pajtim në vendin e tij pas një regjimi të egër racist, Nelson Mandela dhe politika e tij pothuaj gandeske, mbetet gjithashtu simbol dhe një zë shpresëdhënës për popujt e shtypur kudo në botë.Edhe ne shqiptarët kudo, duhet të jemi krenarë, që në bazë të sondazhit të lartëpërmendur,  Nënë Tereza është frymëzuesja numër një në botë e cila ka demonstruar gjatë jetës së saj karakteristikat që dallojnë jetën dhe veprat e Nelson Mandelas e që janë: kuraja, dinjiteti njerëzor, përvujtnia, qëndresa, falja dhe dashuria.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, nelson Mandela, si Nene Tereza

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT