• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënë Tereza: shënjtorja e ‘djallit’*!

February 10, 2014 by dgreca

TE DHENA TE REJA NGA DR. GEZIM ALPION/

Dr Gëzim Alpion nxjerr në pah disa nga arsyet për trajtimin armiqësor që murgeshës shqiptare i bënë kolegët e saj në urdhërin e Loretos në Kalkutë që nga momenti kur ajo i bëri me dije në vitin 1946 se dëshironte të bëhej murgeshë e pavarur.

http://www.birmingham.ac.uk/news/latest/2014/02/mother-teresa-demon-saint.aspx

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Birminghamit në Angli, Nënë Tereza, një nga figurat më të njohura fetare në botë, ishte akuzuar se ishte e çmedur, e cekët, djallëzore, dhe se gjoja kishte patur një lidhje intime me një prift i cili ishte drejtori i saj shpirtëror. Në studimin e botuar në revistën shkencore ‘International Journal of Public Theology’,* sociologu i Universitetit të Birminghamit, Dr Gëzim Alpion nxjerr në pah disa nga arsyet për trajtimin armiqësor që murgeshës shqiptare i bënë kolegët e saj në urdhërin e Loretos në Kalkutë që nga momenti kur ajo i bëri me dije në vitin 1946 se dëshironte të bëhej murgeshë e pavarur. Dr Alpion shprehet: ‘Në studimet e mija të mëparshme, veçanërisht në librin e botuar në vitin 2007 ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shënjtore apo e Famshme?’), kam argumentuar se Nënë Tereza u diskriminua gjatë kohës kur ishte anëtare e urdhërit të Loretos si rezultat i origjinës se saj etnike dhe veçanërisht kur pati kurajon për t’i njoftuar eproret e saj irlandeze se nuk mund të vazhdonte të qëndronte në një urdhër fetar qëllimi kryesor i të cilit ishte arsimimi i vajzave të pasanikëve. Duke krijuar urdhërin e saj fetar të Misionereve të Bamirësisë (Missionaries of Charity) në vitin 1950, Nënë Tereza dëshmoi se ishte një personalitet fetar revolucionar me një vizion të qartë se çfarë duhej të bënin misionarët kristianë në një vend si India pas shpalljes së pavarësisë nga Britania.’

Botimi i shkrimeve private të Nënë Terezës, fillimisht në vitet 2000 dhe 2001 dhe veçanërisht në vitet 2007 dhe 2010, ofroi për herë të parë informacion për këtë misionare që, sipas Dr Alpion, paraqet interes për studiues nga disiplina të ndryshme akademike si sociologjia, misiologjia, teologjia, psikologjia, studimet e njerëzve të famshëm, studimet kulturore, studimet postkoloniale, studimet e racës dhe etnicitetit, etj.

Siç shprehet Dr Alpion, ‘Vizionarja Nënë Tereza bëhet një figurë me komplekse dhe më tokësore si individ si rezultat i informacionit të ri që kemi për gruan që fshihet pas kësaj murgeshe publike.’

‘Materiali i ri arkivor na lejon të krijojmë një ide shumë më të mirë për disa nga arsyet e armiqësisë që urdhëri i Loretos dhe disa urdhëra të tjerë fetarë në Kalkuta i rezervuan Nënë Terezës në fund të viteve 1940-të si dhe për disa dekada më vonë. Helmi që villej kundër saj është vërtet shqetësues: ajo u akuzua se ishte e çmendur, e cekët, djallëzore, dhe se gjoja kishte një lidhje intime me një prift i cili ishte drejtori i saj shpirtëror.’

Duke u përqëndruar kryesisht në veprat e studjuesve si Max Weber dhe Jürgen Moltmann, në këtë studim Dr Alpion e trajton qëndrimin armiqësor ndaj Nënë Terezës nga dy këndvështrime: sociologjik dhe ai i teologjisë publike. Vështirësitë që Nënë Tereza hasi para dhe pasi u largua nga urdhëri i Loretos, nxjerr konkluzionin Dr Alpion, është me interes për dy arsye: ‘Së pari, ata dëshmojnë natyrën e trajtimit armiqësor që u rezervohet udhëheqësve revolucionarë karizmatikë si në sferën e besimit fetar ashtu edhe në politikë. Së dyti, ata dëshmojnë edhe një herë se Nënë Tereza shkoi në Indi jo thjesht për t’i shërbyer Krishtit, siç kam theksuar në studimet e mija të mëparshme, por edhe për një arsye tjetër që është po aq e rëndësishme, pra me shpresë se do ta gjente në mjerimin e Kalkutës atin e saj hyjnor, për të cilin ajo zhvilloi një përkushtim të fortë pas vdekjes së papritur të babait të saj, Nikollë Bojaxhiu.’

Në këtë studim, Dr Alpion argumenton për herë të parë se megjithëse Nënë Tereza nuk ofronte ‘falje’ (absolutions), ajo e konsideronte si detyrim të kujdesej për të varfërit pa harruar të përkujdesej ndaj të pasurve’.

Ky studim, në të cilin argumentohet se me besimin e saj si veprimtare, karizmatikja Nënë Tereza përgatiti terrenin për rolin publik që feja po luan në ditët tona, është pjesë e projektit shkencor afat-gjatë të Dr Alpion në lidhje me errësirën shpirtërore të kësaj murgeshe të famshme, projekt që do të rezultojë në disa studime që do të botohen në revista shkencore dhe në një libër në të cilin ai shtjellon rolin e fesë në postmodernizëm.

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni znj. Jenni Ameghino, Zyra e Shtypit, Universiteti i Birminghamit, +44 (0)121 415 8134. Celular: +44 (0)7768 924156. Email: j.ameghino@bham.ac.uk

  • “The Emergence of Mother Teresa as a Religious Visionary and the Initial Resistance to Her Charisma: A Sociological and Public Theology Perspective”, “International Journal of Public Theology”, Vol. 8, No. 1, February 2014, pp. 25-50.

                   KUSH ESHTE DR. GEZIM ALPION?

* Dr Gëzim Alpion ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe një PhD nga Universiteti i Durham-it në Angli. Aktualisht Sociolog në Universitetin e Birminghamit, Dr Alpion është anëtar i Grupit Studimor Weber i Shoqatës Britanike të Sociologjisë, dhe në bordin e editorëve të disa revistave akademike, përfshirë revistën ‘Celebrity Studies’ që botohet nga Routledge.

* Disa nga botimet kryesore të Dr Alpion përfshijnë: ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shënjtore apo e Famshme?’) (Routledge 2007; Routledge India 2008; Salerno Editrice 2008), dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, (Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza) (Transaction Publications 2011). Një libër i ri i Dr Alpion për Nënë Terezën do të botohet po në gjuhën angleze në vitin 2014.

 * Disa nga revistat shkencore që kanë botuar studimet dhe reçencat e Dr Alpion janë: ‘International Journal of Public Theology’, ‘Studies in Religion/Sciences Religieuses’ Journal, ‘Continuum: Journal of Media & Cultural Studies’, ‘The Journal of the Royal Anthropological Institute’, ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’, ‘Islam and Christian-Muslim Relations Journal’, ‘The Review of Communication Journal’, ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’ dhe ‘Scope: An Online Journal of Film and Television Studies’.

* Disa nga shkrimet e Dr Alpion për politikën, kulturën dhe identitetin Britanik, Ballkanik, Indian dhe të Lindjes së Mesme janë botuar në gazetat angleze ‘The Guardian’, ‘The Birmingham Post’, dhe ‘The Huddersfield Daily Examiner’, si dhe në ‘The Middle East Times’ (Kajro) dhe ‘The Hürriyet Daily News’ (Stamboll).

* Dr Alpion ka zhvilluar leksione dhe biseda në një numër konferencash ndërkombëtare dhe universitetesh në Britaninë e Madhe (Universiteti i Oksfordit, London School of Economics, University College London) si dhe në Shqipëri, Australi (Universiteti i Melbournit dhe Universiteti Deakin), Kanada (Universiteti McGill), Kinë (Universiteti i Shangait), Finland (Universiteti i Helsinkit dhe Universiteti Turkut), Gjermani, Indi (Universiteti i Delhit dhe Kolegji Universitar i Shenjtorit Xavier)), Itali (Universiteti Pontifikat Salesian në Romë), Kosovë (Universiteti i Prishtinës), Maqedoni (Universiteti Shtetëror i Tetovës), Rusi (Akademia e Shkencave të Rusisë), Afrikën e Jugut (Universiteti i Witwatersrand-it, Johannesburg) dhe në SHBA (Konveta AAASS në Washington DC, Universiteti i New York-ut, dhe Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos).

 

 

  • Dr Gëzim Alpion, School of Government and Society, University of Birmingham,

Tel: +44 (0)787 651 2001

E-mail: g.i.alpion@bham.ac.uk

Http:// http://www.birmingham.ac.uk/staff/profiles/government-society/alpion-g%C3%ABzim.aspx

*Njoftimi vjen nga  Universiteti i Birminghamit

10 Shkurt 2014

 

 

________________________________________________

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Alpion, Nene Tereza, shenjtorja e djallit

KA MBETË EDHE NJË COPË “SHQIPNI”…QË KA NEVOJË PER TYM…

November 12, 2013 by dgreca

Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas: “O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…/

Nga Fritz RADOVANI/

Plot 100 vjetë janë ba që me 13 Qershor 1913, i Madhi At Gjergj Fishta vendosi në kompanjelin e Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit të Shkodres, jo ma të vogel se kater meter të madh Flamurin e Gjergj Kastriotit, me Shqipen dykrenare mbi shtroje të lame me Gjakun e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhanë jeten per Liri dhe Shqipni të Pavarun…

Kur malazezët gjuenin me top nga të kater anët Shkodren, u gjet një tradhëtar që ua shiti per pare pothuej krejt Veriun, e ky katil, kje me emnin Esad Pashë Toptani…

Shko një Esad, e eja një tjeter si ai…Po bahen 100 vjet, që historia persëritet…

Tragjedia që shkatrroi Shqipninë me kulm e temel filloi me Enver Hoxhen në 1941, dhe sot po vazhdon me pasuesit e pandreqshëm të atij sistemi perbindsh!

Atëherë, kur gjithë Europa Lindore po thente pllakat e hekurta të “Murit Berlinit” per me u bashkue me Europën e shumdishrueme…dhe me u rikthye në gjiun e vet…bash Shqipnia… Ah Shqipnia, e shkretë!.. Me 2 Dhjetor 1992, angazhohet në një tjeter pakt…të menduem nga tradhëtari Ramiz Alia, e “pakti” ishte “Konferenca Islamike”!

Pa kalue dy javë që Erdogan i Turqisë e ndinë veten në Prizren, si në “Turqi…” dhe mbarë Populli Shqiptar i të gjitha trojeve “ngritët në kambë”, vjen edhe një tjeter “sihariq” nga agjensitë europjane se, Belgjika, Norvegjia apo Shqipnia, në njenin nga këta shtete… po diskutohet “shkatrrimi i armëve kimike të Sirisë”.

Flitet (e ku asht za, nuk asht pa gja!), se Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, kanë pasë kontakte me qeveritarë shqiptarë per këte çeshtje. Sigurisht, idea e tyne ka një bazë mbi të cilen asht ndertue kjo perpjekje e amerikanëve, per me ardhë me “shkatrrue” atë sasi të konsiderueshme armësh në Shqipni. Gatishmënia me pritë të burgosunit nga Guantanamo, apo “210 vllaznit e gjakut e t’ armëve” nga Irani, tregojnë se “shqiptarët”, kanë dhanë prova para Botës se janë të aftë me “strehu, gostitë e sigurue” kedo përveç, Shqiptarëve, që ma shumë se 1.500.000 Shqiptarë, janë shpërnda nder të gjitha vendet e skutat e kontinentëve, vetem per me sigurue “buken” dhe qetsinë shpirtnore…

E verteta asht se Shqiptarët ka 100 vjet që japin prova se janë t’ aftë jo vetem me shkatrrue armët kimike, po edhe depot e armëve të veta…si në vitin 1997, e po kje se e lypë nevoja, ata per me i ba nder Sirisë, shkatrrojnë edhe Shtetin Shqiptar… Mjafton që:

Mos të harrojmë kurrë porosinë e Ramiz Alisë: “Ne komunistët reformatorë,do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronaret e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji,brenda dy-tre legjislaturash, do të arrjmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cilado të na përjetësoi në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë... Shqipërinë do ta gëzojme Ne dhe fëmijët tanë.

Mjerë Ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen.

Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha… Për këte jeni të garantuar sot e përgjithmonë… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni.”

***

Fitimi i “disa shqiptarëve”, nuk ka me kenë i vogel! Janë disa “vullnetarë” që po luftojnë perkrah “vllezërve të vet” në Siri… Këta ua çojnë prap sirianëve dhe ata, i sjellin prap në Shqipni…Këta ço… E ata bjeri prap… “Ma mirë kështu, se me gomone…”

E sa mund të paguhen këta qeveritarë me shkatrrue Shqipninë dhe t’ ardhmen e Popullit Shqiptar që asht Rinia…me shkatrrimin e ambjentit dhe me pasojat katastrofike, që sjellë pasiguria e armëve kimike në Shqipninë e mbrapambetun të Europës?

Po cili qeveritarë, po mendon per Popullin, Rininë e Shtetin…tash 100 vjetë?

“Po mbushin xhepat…” e… “Shqiptarët” do t’ ua ndertojnë maozoleumet e tyne!

Lexues të nderuem!

Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas:

“O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…

Melbourne, Nandor 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Ka mbete dhe nej cope, Nene Tereza, per tym, qe ka nevoje

PËR QIELLIN PLOTË RRUGË DHE GAFILËT E INJORANCËS DJALLËZORE

August 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Skënder Zogaj/

Në 103 vjetorin e datëlindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, zemra ma kërkoi përkujtimin e femrës shqiptare, më të njohurës në tërë gjatësinë, gjërësinë dhe thellësinë e të gjitha kohëve! Gruan shqiptare – simbol i përbotshëm i bamirësisë njerëzore, e cila gjithë jetën u shërbeu të pambrojturve, të dëbuarve, të sëmuarve, të vrarëve fizikisht e shpirtërisht, të varfërve, të hedhurve, të lënëve në pamëshirën njerëzorore, nga  Shkupi në Kalkutë dhe anembanë botës.

Dora e Gonxhe Bojaxhiut u zgjat hyjnisht meridianeve, me përkushtim prej nëne, duke u përpjekur për t’ua lehtësuar dhembjet zemrave të vrara, prandaj, dashuria  e bëri Gonxhen shqiptare Nënëmadhen e Botës njerëzore! Po, Nëna Tereze ishte, është dhe do të mbetet: emri më kuptimplotë i njerëzimit për bamirësi, gruaja engjull e shekullit 20, që i dha kuptim ringjalljes së frymës së  shpirtit të shenjtë!  Nëna Tereze ringjalli të vërtetën në pjesën e fjetur të shpirtit të mekur njerëzor, duke zgjuar nga gjumi letargjik „njerëzit  e vdekur për së gjalli”, që ateizmi i kuq proletar ua kishte shartuar ndërgjegjen për ta mohuar Zotin! Pasojat e trysnisë së kuqe ateiste janë të thella në shoqërinë e sotme shqiptare, së cilës iu ka turbulluar krenaria e traditës së lashtë, dashuria e pastër vëllazërore dhe toleranca me formim të lartë  të adhurimit të Zotit, pa hile, saktë dhe pa hamendje.

Me besa-besën e shprehur kombëtarisht, është vendosur që „Feja e shqiptarit është shqiptaria”, dhe me këtë është vulosur dashuria e vërtetë e shqiptarëve ndaj besimit fetar që është normuar si qëndrim historik autentik me frymën e gjakut e të tamblit tonë. Fishta i madh, misionari i devotshëm  i fesë katolike, me krenari e ka thënë „bajram e pashkë, i kemi bashkë!”  Mirëpo, sot, pas shekujsh harmonie ndërfetare, ndër shqiptarë po enden ca kukuvajka të zeza, të cilat krrokasin kundër vlerave më të shenjta, kundër kryevlerave shpirtërore të besimeve fetare, kulturore, historike dhe etnogjenetike. Kukuvajkat e zeza kanë zgjatur sqepat për të cokatur, hic më pak se,  edhe Skënderbeun dhe Nënën Tereze! Kanë zgjatur sqepat muxhahedinët islamikë shqiptarë për të kafshuar kombin e vet, në emër të mbrojtjës së  fesë, por, në kundërshtim të plotë me krye-librin e bekuar të islamit, në kundërshtim me Kur’anin e shenjtë, që besimin dhe besimtarët e rrejshëm „…që polemizojnë cështjen e Allahut duke mos pasur dituri, duke mos qenë i udhëzuar, dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.”(Ajeti 20, te Suretu Llukman) të këtillëve injorantë u thotë se bëjnë mëkatin më të rëndë, dhe i urdhëron „Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit!” (Ajeti 19, te „Suretu Llukman” kap. 31 e Kur’anit).

Rreth Besimit dhe mosbesimi, në kaptinën 47 të Kuranit, tek „Suretu Muhamed” në  Ajetin 3 thuhet: „Kjo është kështu, ata që nuk besuan ndoqën të pavërtetën, ata që besuan ndoqën të vërtetën që u erdhi prej Zotit të tyre. Kështu Allahu u sjelle njerëzve shembujt e tyre.”Ndërsa në vazhdim të po këtaj kaptine, Ajeti 21: „Një respekt dhe një fjalë e mirë (do të ishte me e mirë për ta). Ajeti 22: „A pritet prej jush (hipoktitëve) që nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akranallëkut?, Ajeti 23: „Të tillët janë që Allahu i mallëkoi, i bëri të shurdhër dhe ua verboi të parit e tyre”( Ajeti 24).- „A nuk e studjojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!”. Ajeti 25: „Nuk ka dyshim se ata që u kthyen prapa (në mosbesim) pasi që u ishte sqaruar rruga e  drejtë, djalli ua hijeshoi dhe shpresë të rrejshme u premtoi.”

Muxhahedinët bashkëkohorë islamikë shqiptarë, me gjasë nuk e kanë lexuar Kur’anin e shënjtë, që tek Kaptina 51 „Suretu Edh Dharijate” në 11 ajetet e para shpalohen porositë e mrekullueshme hyjnore:  Ajeti 1: „Për erërat që e ngrehin dheun dhe e shpërndajnë”, Ajeti 2: „Për rëtë që bartin shiun e rëndë”, Ajeti 3: „Për anijet që lundojnë lehtë”, Ajeti 4: „Për engjujt që bëjnë ndarjen e cështjeve”, Ajeti 5: „S’ka dyshim se ajo që u premtohet është e vërtetë e sigurtë.” Ajeti 6: ”Dhe se shpërblimi (gjykimi për vepra) do të ndodh pa tjetër”. Ajeti 7: „Për qiellin plotë rrugë”. Ajeti 8: „Ju gjendeni në një thënie kontraditore”, Ajeti 9: „Nga ai (besimi) zbapset ai që ishtë zbrapsur.” dhe gjykimi Ajeti 10: „Mallkuar qofshin gënjeshtarët!” Fjala është për „Ata të cilët janë gafilë në injorancë (në verbëri, në padituri)” sqaron Ajeti 11, duke përkujtuar ditën e gjykimit për të këtillët mëkatarë.

Skënderbeu mund të mos i ketë lexuar, këto ajete Kur’anore,  mirëpo nuk ka dyshim që i ka dëgjuar me dhjeta herë dhe nuk ka mundur të qëndrojë indiferent, përdersa nuk kemi dëgjuar të ket ndonje dëshmi, që kryetrimi legjendar shqiptar të ketë nëncmuar fenë islame qoftë vetëm një herë, apo t’i ketë mohuar mësimet e mira të Kur’anit të shenjtë.  As për Nënën Tereze nuk e dijmë nëse e ka lexuar apo jo Kur’anin, mirëpo, si besimtar muslimanë dhe, bukur shumë fanatik i fesë islame, kur shfletoj Kur’anin, dhe ekrahasoj me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut, gjej fakte të shumta që jeta dhe vepra e saj përputhen jashtëzakonisht mirë me porositë Kur’anore. Nga kjo pikëpamje, Nëna Tereze më shfaqet më muslimane se sa shumë hoxhallarë, që harrojnë se Zoti „cdo gjë e ka krijuar me masë të caktuar” (Ajeti 49, në „Suretu El Kamer”,kap 54) dhe se, për dyshuesit, ata që flasin rrejshëm, që shpifin, akuzojnë pa fakte, që mohojnë veprat e mira, për ata „Allahu ka përgatitur një ndëshkim të ashpër. Vërtetë, atë që bëjnë ata është shumë e keqe.” thuhet te  Ajeti 15 i „Suretu El Muxhadele”, kap. 58).

Sa shumë që kemi nevojë për ta vlerësuar të vërtetën, mirë e drejtë, sot e përgjithmonë, në mënyrë që engjujve të cilët e bëjnë ndarjen e cështjeve, t’ua lehtësojmë hapjen e portave të qiellit plotë rrugë, që të udhëtojmë sa më larg nga gafilët e injoranës djallëzore.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: gafilet e injorances, Nene Tereza, Skemnder Zogu

Nënë Tereza e Zef Valentini, “binjakët” e mohuar nga diktatura

August 5, 2013 by dgreca

Botohet biografia e albanologut të shquar katolik./
“Refuzonin të keqpërdoreshin nga nacionalizmi, sidomos nga ai i vendit ku shërbyen si misionarë”/

Pikërisht në kohën që Nënë Terezës iu shfaq së pari ajo ndjenjë, e cila do të përbënte pikënisjen e misionit të saj madhështor në botë, një misionar i madh katolik vinte në Shqipëri. A nuk duket se këtu Providenca (ndikimi hyjnor) ka ndërhyrë duke krijuar një lloj sistemi feedback, siç quhet në shkencat e natyrës një marrëdhënie ushqyese e ndërsjellë brenda një cikli? Në shkencat e natyrës shembulli i atij që quhet “positive feedback” është: “X krijon më shumë Y dhe ky nga ana e tij krijon më shumë X”. A nuk është krijuar edhe një marrëdhënie e ngjashme mes At Zef Valentinit dhe Nënë Terezës? Kuptohet, pa dijeninë e tyre. Pikërisht në vitin kur shqiptares më të famshme e më të madhe të të gjitha kohërave i lindi ndjenja që do ta largonte nga vendlindja për ta bërë misionare globale, gjë që nuk mund të mos pranohet se krijoi një mungesë për botën shqiptare të ngushtë, në Shqipëri, në atdheun e Nënë Terezës, erdhi një misionar i madh kulturor, At Zef Valentini, i cili do të bënte për kombin e saj shërbime po ashtu të jashtëzakonshme, si ato që ajo bëri për Indinë dhe botën, por në një fushë tjetër, në atë të kulturës. Kjo përkitje të bën të admirosh atë sistem të                         mrekullueshëm që ka krijuar Kisha Katolike në shekuj e që funksionon vetiu, që plotëson me diçka aty, ku diçka merr për ta çuar në tjetër vend. Zef Valentini dhe Nënë Tereza, jezuiti i porsashuguruar 22-vjeçar dhe vajza 12-vjeçare nga Shkupi, ndonëse krejt të panjohur mes tyre, në një çast u lidhën si foshnjat siameze dhe kjo lidhje vazhdoi gjithë jetën, ndonëse nuk ka të dhëna që ata të jenë takuar ndonjëherë. Sa më tepër që thellohesha në kërkimet për jetën dhe veprimtarinë e At Zef Valentinit, aq më e qartë bëhej kjo pikëpjekje e jetës së tij me atë të Nënë Terezës. Ishte vetëm një pjesë e ngjashmërisë së madhe të jetëve të tyre. Gjithmonë e më tepër po më krijohej ideja se biografia ime për Zef Valentinin do të duhej të ishte një libër i dyfishtë, pra një biografi për të dhe për Nënë Terezën, diçka e ngjashme me metodën që kishte përdorur Plutarku te “Jetë paralele”. Ndër shumë gjërat e përbashkëta që kanë Nënë Tereza dhe At Zef Valentini është dhe ajo se të dy kanë qenë të anatemuar, të ndaluar në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Unë doja të bëja diçka më tepër, të përfshija brenda një libri At Zef Valentinin dhe Nënë Terezën! Kjo dukej një ndërmarrje titanike! Prandaj, kur i hyra punës për të shkruar një biografi të shkurtër të At Zef Valentinit, e lashë mënjanë paradigmën e binjakëzimit të tij me Nënë Terezën. Por, libri më dukej i paplotë. Aq më tepër që me kalimin e kohës u binda se nuk ishte fjala për një ngjashmëri të thjeshtë, por për një paradigmë të kultivuar me kujdes nga Kisha Katolike në mjedise shoqërore si ato ku lindën dhe u rritën At Zef Valentini dhe Nënë Tereza. Por, e ndjeja se lipsej t’i rikthehesha dhe një herë projektit që kishte lindur papritur në mendjen time për të shkruar një biografi të dyfishtë, një biografi ku të tregohej se At Valentini ishte binjaku shpirtëror i Nënë Terezës. Prandaj iu riktheva edhe një herë punës, kësaj radhe i vendosur që t’i shkoja deri në fund. Për të shkruar këtë libër pata dy vështirësi fillestare, të kundërta. Për At Zef Valentinin nuk kisha në dorë asnjë libër biografik, përveç një teksti të shkurtër, por të vyer, të shkruar nga Attilio Vaçaro. Për Nënë Terezën ka sigurisht shumë e shumë libra, por unë, ndonëse do të citoj disa prej tyre, përzgjodha për t’iu referuar veçanërisht të parës dhe të vetmes biografi të autorizuar për Nënë Terezën, të shkruar nga Navin Kaula, pasi ky libër përmban edhe shumë rrëfime që ajo vetë ia ka bërë atij. Dhe kështu libri u nis si një “tren” që ecën në dy shina, në jetën e Zef Valentinit dhe të Nënë Terezës. Pas “lokomotivës”, idesë sime, nisën të shtohen “vagonët”, kapitujt të cilët përputheshin mrekullisht me “shinat”. Atë boshllëk që la Nënë Tereza në Shqipëri e mbushi megjithatë At Zef Valentini, vepra monumentale e të cilit është provë për këtë gjë. “Exegi monumentum aere perennius” (“Kam ngritur një monument më të qëndrueshëm se bronzi”) ka thënë Horaci. Kjo gjë vlen, si për Nënë Terezën, ashtu edhe për At Zef Valentinin, vepra e të cilëve ka vlerën e të qenit një monument i tillë. Duke krijuar me Nënë Terezën një marrëdhënie të llojit feedback, At Valentini krijoi edhe me Shqipërinë një marrëdhënie të llojit të tillë, e cila do të ishte rasti ideal i punës së çdo misionari. Ai e ushqeu Shqipërinë me dijet e tij dhe, duke e bërë këtë gjë, u rrit si studiues, si intelektual. Madje, vepra e tij vazhdoi të rrezatonte edhe në Shqipërinë komuniste, ndonëse ishte zyrtarisht i ndaluar nga regjimi. Kjo vepër i mrekullonte ata që kishin leje të njiheshin me të. Regjimi komunist pretendonte me të madhe se në Shqipëri kishte marrë hov të madh albanologjia në të gjitha degët e saj, se po zhvilloheshin shkencat historike, juridike, etnografike etj. Por, meqenëse studiuesit nuk arrinin rezultatet e duhura, atëherë regjimi u dha leje atyre që të njiheshin me veprat e “klerikëve reaksionarë” katolikë, si At Valentini, të cilët kishin lënë studime e shënime për të gjitha këto fusha, dhe të merrnin ç’të mundnin prej tyre, për t’i përdorur. Kur unë, pas shumë hezitimesh, nisa ta shkruaj këtë libër, që më dukej shumë i vështirë, u habita dhe vetë sa mirë dhe shpejt po më ecte puna, dhe të gjitha vështirësitë që kisha paramenduar ishin duke u fashitur njëra pas tjetrës si një mrekulli. Më pëlqente të besoja se edhe unë, ashtu si biografi indian i Nënë Terezës, kisha bekimin e këtyre dy njerëzve të shenjtë për të cilët po shkruaja. Duam, s’duam, mes At Zef Valentinit dhe Nënë Terezës ka dhe një lidhje tjetër të llojit feedback. Ne shqiptarët nderuam në mënyrën që e meritonte Nënë Terezën, një misionare të madhe, e cila veproi kryesisht në Indi, për shkak se ajo ishte shqiptare, dhe kjo përbënte dhe një dëshmi të madhe të qytetërimit të shqiptarëve. Por, po kështu duhet të tregojmë se jemi të qytetëruar në rast se dimë të nderojmë misionarin më të madh të huaj që erdhi në Shqipëri dhe punoi pareshtur për të e për shqiptarët. Dhe ky misionar është At Zef Valentini. At Valentini vdiq në natën e 15-16 nëntorit 1979, vetëm 28 ditë pasi Nënë Terezës iu dha çmimi “Nobel” për Paqen. Duket se ky shqiptar i madh, At Valentini, jetoi aq sa të mësonte nderimin që bota i bënte shqiptares më të madhe të kohës. Në qoftë se nuk do ta pengonte sëmundja, At Valentini me siguri që do të kishte shkruar fjalë të paharrueshme për Nënë Terezën me këtë rast. Por, ky ishte rasti i vetëm kur u prish sintonia e jetëve të tyre. Njëzet e pesë ditë pas vdekjes së At Valentinit, Nënë Tereza mbajti fjalimin e saj në ceremoninë e dhënies së çmimit “Nobel”. Një tjetër e përbashkët e At Zef Valentinit dhe e Nënë Terezës ishte se të dy refuzonin të keqpërdoreshin nga çdo lloj nacionalizmi, sidomos nga ai i vendit ku shërbyen si misionarë. Në rastin e Nënë Terezës, kishte një tentativë dinake nga ana e nacionalizmit hindu për ta keqpërdorur imazhin e saj, si provë që do t’i paraqitej botës se ishte toleranca dhe mbrojtja e shumicës hindu e Indisë ajo që bënte të mundur që Nënë Tereza të zhvillonte veprimtarinë e saj në Indi dhe të bëhej e njohur në botë si Nënë Tereza e Kalkutës. Sigurisht që Nënë Tereza nuk kishte menduar kurrë që t’i shërbente nacionalizmit hindu dhe as ndonjë nacionalizmi tjetër në këtë vend të madh, ku edhe minoritetet etnike dhe fetare qenë shumë të mëdha në numër, dhe pretendonin edhe ato që ta përdornin imazhin e saj në një mënyrë apo në një tjetër. Është një nga meritat e mëdha të Nënë Terezës që ajo nuk bëri kurrë kompromis qoftë me nacionalizmin hindu, qoftë me ndonjë nacionalizëm tjetër, në këmbim të shërbimeve që mund t’i bëheshin për misionin e saj. Kuptohet se Nënë Tereza e shikonte nacionalizmin si po aq të keq sa epidemitë e tmerrshme të Kalkutës. Në rastin e At Zef Valentinit, mund të duket sikur ai mund të përdoret nga nacionalizmi shqiptar dhe për këtë mund të sillen si provë vepra të tij, si libri “Të drejtat e Shqipërisë etnike”. Por, qëllimi i At Valentinit nuk ishte që t’i shërbente nacionalizmit shqiptar. Ai punoi për këtë libër në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur pritej që në Konferencën e Paqes që do të mbahej pas saj, të diskutohej çështja e kufijve të Shqipërisë, ashtu siç kishte ndodhur edhe pas Luftës së Parë Botërore. Edhe këtë herë, si në atë kohë, pritej që fqinjët të shfaqnin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë dhe ajo rrezikonte copëtimin. Prandaj Shqipëria duhet të dilte me kërkesa që do të neutralizonin ato të fqinjëve. Nëse e lexon librin me vëmendje, kuptohet se shqetësimi kryesor i At Valentinit ishte që të ruheshin kufijtë aktualë të shtetit shqiptar. Nuk kishte pra asnjëlloj nacionalizmi në qëndrimin e tij.

(Pjesë nga libri i autorit Ndriçim Kulla “Binjaku i Nënë Terezës”, i cili i kushtohet albanologut të madh At Giuseppe Zef Valentini, që doli nga shtypi këto ditë)-(Kortezi Gazeta Panorama)

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe binjaku, Ndricim Kullaj, Nene Tereza, Zef Valentini

Kur erdhi Nana Tereze në Kombet e Bashkuara për herë të parë

June 29, 2013 by dgreca

NEW YORK : Kur erdhi Nana Tereze në Kombet e Bashkuara për herë të parë, kan qenë vetëm besimtarët e vërtetë të krishter shqiptar, patriotët edhe atdhetarët, anti komunistët ata që dolën e pritën me plot dashuri dhe respekt këtë bijë shqiptare që Enver Hoxha nuk e la as të merrte pjesë në varrimin e nënës së Saj dhe ia ja ndaloi hyrjen deri sa erdhi demokracia – dhe Presidenti i parë i Shqipërisë, Sali berisha, ia hapi dyert që ajo zyrtarisht të vizitonte Shqipërinë.

Këtu mund të lexoni një artikull me foton e Nanë Terezës , Nobelistes shqiptare, dalë në Qershor të vitit 1988, dhe e botuar në gazetën ATDHEU, organin e partisë Lëvizja e Legalitetit, një mbretëror i kulluar – anëtarë i Senatit të PLL në SHBA, zoti Musli Mulosmani, duke u përshëndet si e quan ai “me Shëjtnëshën Shqiptare – NANE TEREZEN, në mesin e shumë besimtarëve katolik shqiptarë në New York – në Kishën Sant Ritas në Bronx NY”
Në kujtimet e tij zoti Mulosmani, thotë se sot shumë flasin për Nëna Terezën dhe mburren se e kanë takuar ose e vlerësojne atë , por ne Mbretërorët shqiptar, Oraganizata Lëvizja e Legalitetit në Mërgim, sot Lëvizja e Legalitetit, besmitarët katolik atdhetar e patriot – anti komunistët, kemi qenë ata që luftuam dhe sakrifikuam duke mbajtur në dorë flamurin kuq e zi pa yll – dhe dashur gjithmonë këtë ikonë të Perendisë se besuam gjithmonë në Zot dhe Komb . “Ne jemi të parët, dhe të vetmit thotë ai që e kemi dasht dhe respektuar si bijë shqiptare dhe e kemi quajtur qysh në atë kohë Shëjtënësh, Nanë Terrezen, edhe kur qeveria e Shqipërisë, Enver Hoxha dhe veglat e Sigurimit të Shtetit, na thonin fjalët ma të ndyra për këtë njeri të Shejtë, dhe ne na përndiqnin duke na quajtur ne të arratisurit “Armiqtë të Popullit” dhe “tradhëtarët”.
Materiali është marrë nga gazeta” ATDHEU” ish – organi i organizatës kombetare “LEVIZJA E LEGALITETIT”, ku Drejtor i saj ka qenë Rasim SINA, kryeredaktor Hysen MULOSMANI( të dy kane vdekur), Kjo gazetë ATDHEU, sot nuk ekziston,më arsyet e saj ende nuk dihen se Pse?.

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Musli Mulosmanaj, Nene Tereza, rasim sina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT