-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënshkroi marrëveshjen 49-milionëshe me MCC-në: Është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së, Jonathan Nash: Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit/
-Kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel: Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi/
-“Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së”, njoftonte Presidenca kosovare në 6 nëntor 2015/
UASHINGTON, 13 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkroi në emër të Kosovës marrëveshjen me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për mbështetje me mbi 49 milionë dollarë, bëhet e ditur sot në njoftimin e dërguar.Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se kjo është një ditë e madhe në Uashington DC për Kosovën.
“Ne gjithmonë kemi ditë të mira në Uashington për shkak se Kosova dhe SHBA-të, kanë një miqësi të gjatë dhe të fortë, por sot është një ditë e veçantë, sepse ne po shtojmë edhe një mik në listën e gjatë të miqve në këtë kryeqytet. Ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje me MCC-në, dhe po hapim një faqe të re të marrëdhënieve, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se kjo marrëveshje është një mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës, dhe se do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e projekteve me MCC-në.
“Kjo do të ndihmojë Kosovën të themelojë një fondacion i cili do të investojë gati 50 milionë dollarë në një mënyrë shumë të fokusuar. Këto investime do ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me forcimin e transparencës qeveritare për qytetarët”, pohoi presidenti Thaçi.
Presidenti i Kosovës tha se që nga dita e parë e presidencës ka ndjekur procesin e MCC-së, duke shtuar se kjo marrëveshje dhe kjo ditë janë bërë të mundura vetëm me ndihmën e madhe të kongresmenit Engel dhe kongresmenëve tjerë. “Faleminderit kongresmen për përkushtimin tuaj ndaj Kosovës dhe për sjelljen e MCC-së në Kosovë. Falënderojmë anëtarët e nderuar të Kongresit dhe Senatit që kanë ndihmuar Kosovën në këtë proces. Gjithashtu falënderojmë ekipet tona, të udhëhequra nga Sarah Olmstad dhe Petrit Selimi të cilët kanë punuar shumë, dhe shumë shpejt për të krijuar projektet dhe për të sjellë këtë marrëveshje deri në këtë ditë”, shtoi presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se jemi të përkushtuar që të sigurohemi që projektet të zbatohen. “Tani ne e kemi qeverinë e re, por si President i Republikës unë mund të konfirmoj që projektet e MCC-së, mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe nga të gjitha institucionet. Shoqëria civile e Kosovës dhe sektori privat i Kosovës gjithashtu do të jenë elemente të rëndësishme të mbështetjes”, u shpreh Presidenti Kosovar.
Me këtë rast, Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për ish Presidenten Jahjaga dhe ish Kryeministrin Mustafa, për mbështetjen e tyre për MCC-në.
Duke e vlerësuar si një ditë feste, Presidenti Thaçi tha se është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kjo Marrëveshje të cilën unë po e nënshkruaj sot me udhëheqësin në detyrë të MCC-së, z. Nash, është një instrument, por unë shpresoj që shumë më shumë instrumente mund të zhvillohen me mbështetjen e MCC-së, dhe do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë në Kosovë. Kështu, sot ne festojmë këtu në Kongresin e SHBA-ve, me miq të Kosovës, por ne gjithashtu premtojmë se do të fillojmë të punojmë që nga nesër për ta bërë këtë Marrëveshje një arsye për festim edhe për mijëra njerëz në Kosovë”, theksoi Presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së, Jonathan Nash tha se MCC-ja u ndihmon qeverive të lidhin disa nga njerëzit më të varfër në botë me vende pune, tregje dhe mundësi.
“Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit”, tha ai.
Ndërsa kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel tha se, “Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi”.
Kurse, Petrit Selimi koordinator nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes “Threshold” është fundi i procesit të zhvillimit të projekteve, por gjithashtu shënon fillimin e një mundësie të re emocionuese për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të bashkëpunuar në rregullimin e disa prej kufizimeve më të rëndësishme drejt rritjes në Kosovë. “Ne me padurim presim të shohim fillimim e projekteve në terren dhe të sjellin rezultate që do të ndihmojnë Kosovën në trajtimin e efikasitetit energjetik, korrupsionit dhe qeverisjes së mirë, si dhe ndotjes së ajrit”, theksoi ai.
Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse, përfundon njoftimi dërguar nga Uashingtoni.
“Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së”, njoftonte Presidenca kosovare në 6 nëntor 2015.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mirëpret njoftimin e agjencisë amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC) se Kosova ka kaluar pragun për t’u kualifikuar për asistencë nga kjo agjenci. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, që demonstron progres të theksuar në performancën e politikave si liritë ekonomike, qeverisja e drejtë dhe demokratike dhe investimi në qytetarët e saj”, theksonte Presidenca.
6 NËNTOR 2015: KOSOVA KALON PRAGUN E VLERËSIMIT TË MCC-së
Njoftimi nga Presidenca e Kosovës i datës 6 nëntor 2015:
Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mirëpret njoftimin e agjencisë amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC) se Kosova ka kaluar pragun për t’u kualifikuar për asistencë nga kjo agjenci. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, që demonstron progres të theksuar në performancën e politikave si liritë ekonomike, qeverisja e drejtë dhe demokratike dhe investimi në qytetarët e saj.
Presidentja Jahjaga theksoi se rezultatet e MCC-së njohin angazhimin e Kosovës për të përmirësuar politikat në shumë fusha, veçanërisht në adresimin e korrupsionit. Sipas ‘Treguesve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit për 16% krahasuar me vitin e kaluar.
Rezultatet e publikuara sot vijnë pas një pune intensive të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, që ka udhëhequr përpjekjet që nga muaji shkurt për të përmirësuar performancën në indikatorë, në bashkëpunim me një numër ministrive, institucioneve të Kosovës dhe agjencive të specializuara të OKB-së që veprojnë në Kosovë.
Kalimi i pragut të indikatorëve është komponenti më i rëndësishme në procesin e përzgjedhjes se cilat shtete marrin fonde për zhvillim nga MCC. Zyra e Presidentes do të vazhdojë përpjekjet për kualifikimin e Kosovës për programin e asistencës, deri në vendimin përfundimtar i cili do të merret në dhjetor të këtij viti në takimin e Bordit të MCC-së, që udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit John Kerry.
MCC është një agjenci qeveritare amerikane e asistencës së jashtme e themeluar nga Kongresi në vitin 2004. Përzgjedhja e shteteve që përfitojnë nga asistenca e MCC-së bazohet në një proces rigoroz që mat progresin e arritur në 20 indikatorë të pavarur dhe objektivë, në fushat si liritë ekonomike, të drejtat demokratike, kontrolli i korrupsionit, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe investimit në njerëz.
Shumica e të dhënave që merren në përpilimin e indikatorëve janë të siguruara nga agjencitë e specializuara të OKB-së dhe organizatat e pavarura. Në disa indikatorë, siç rasti me të dhënat e mbledhura nga UNESCO, nuk është matur performanca e indikatorëve për arsye se Kosova nuk është anëtare.
31 GUSHT 2017: QEVERIA PARALAJMËRONTE NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES PËR PROGRAMIN E KORPORATËS SË SFIDAVE TË MIJËVJEÇARIT (MCC)
Ndërsa, në 31 gusht 2017 nga Zyra e shtypit e Qeverisë paralajmërohej se, “kryeministri i Republikës se Kosovës, Isa Mustafa, më 12 shtator në Uashington, do të nënshkruaj Marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), program ky prej të cilit Kosova përfiton 50 milionë dollarë”.
Por, ndërkohë, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në 9 shtator u zgjedh Qevria e re me kryeministër Ramush Haradinajn, afër 3 muaj pas zgjedhjeve të parakoshme të 11 qershorit.
Në njoftimin nga Zyra e shtypit e Qeverisë theksohej se, “Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me partnerët e SHBA-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për finalizimin e kësaj marrëveshje, që në të ardhmen do të realizohet në bashkëpunim me organet qeveritare, bizneset dhe shoqërinë civile”. /b.j/