Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënshkruan një deklaratë të përbashkët në Prishtinë, në 3 qershor 2016/
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Kemi bërë progres të përbashkët në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Prizren dhe në Tiranë/
5. Marrëveshja për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë z.Edi Rama,
Të nderuar anëtarë të kabineteve qeveritare, më lejoni që sot të hap takimin e tretë të përbashkët të dy qeverive tona.
Sot ndjehem posaçërisht i gëzuar dhe nderohem me privilegjin që kam për t’ju dëshiruar mirëseardhje vëllazërore dhe të përzemërt juve kryeministër z. Edi Rama dhe gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar të Republikës së Shqipërisë në këtë takim të radhës ndërmjet dy qeverive.
Dua që në fillim bashkë me mirëseardhjen në shtëpinë tuaj – t’ju uroj të gjithëve, me dëshirën se takimet e tilla në të ardhmen të jenë të zakonshme dhe historia jonë e re të jetë histori normale, në një rajon me mendësi të integrimeve, prosperitetit, paqes dhe stabilitetit.
Takimi ynë i sotëm është dëshmi se shtetet tona, por edhe i gjithë rajoni po bëhen pjesë aktive e një koncepti progresiv, jo vetëm politik, atij të integrimeve evropiane, dhe të një koncepti universal, jo vetëm gjeostrategjik, atij euroatlantik.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe mirënjohës për këto avantazhe historike të epokës në të cilën ne po jetojmë, po aq sa jemi të përgjegjshëm se ato, me punët tona qeverisëse dhe me angazhimet tona të vazhdueshme, do t’i shfrytëzojmë në të mirë të qytetarëve të dy shteteve dhe dy vendeve tona.
Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive tona është në interes të qytetarëve tanë, është në interes nacional dhe shtetëror, prandaj në këtë interes dhe mbi këtë interes do të gjejmë gjithnjë gjuhën e përbashkët për të çuar proceset tona përpara.
Të nderuar të pranishëm,
Vlerësoj se ky është rast i mirë që ta falënderoj Qeverinë tuaj, juve i nderuari Kryeministër, por edhe të gjitha institucionet relevante politike dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për mbështetjen vëllazërore dhe të pakursyer që ne e kemi nga ju, që na e keni dhënë gjatë gjitha proceseve të rëndësishme në të cilat Kosova është sfiduar dhe në të cilat akoma po sfidohemi.
Duke e mbështetur Kosovën, sidomos në njohjet e reja, nga shtetet dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në anëtarësimin në organizata evropiane dhe botërore, ju po e forconi unitetin tonë dhe identitetin tonë shtetëror, por në të njëjtën kohë po e çimentoni edhe begatinë e cila e forcon identitetin tonë vëllazëror.
Të dy qeveritë tona kanë përgjegjësi dhe obligim kombëtare e moral që të përkujdesen pandalshëm edhe për fatin e shqiptarëve jashtë vendeve tona. Ne të drejtën për ta kryer këtë mision nacional e fitojmë gjithmonë duke u përkujdesur në të njëjtën kohë për të gjithë qytetarët e shteteve tona pa dallime etnike, fetare apo gjuhësore dhe për më shumë duke respektuar dhe begatuar diversitetet si pasuri dhe vlerë tonën unike.
Me këtë rast dëshiroj t’i inkurajoj edhe më tutje përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë sidomos atij serb për përkushtimin e tyre për t’u integruar dhe respektuar ligjet e Kosovës, sepse të gjithë ne jemi koshient se ky është parakusht për ta ndërtuar një Kosovë demokratike, multietnike dhe me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët tanë.
I nderuari kryeministër Rama, të nderuar pjesëmarrës,
Në Kosovë po kurorëzojmë suksesin e madh në shumë fusha, arritjet janë evidente dhe ato po vazhdojnë. Ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me çka për herë të parë kemi krijuar raporte kontraktuale me Bashkimin Evropian. Kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, jemi pranuar në institucione të rëndësishme ndërkombëtare të sportit, konkretisht në futboll, në FIFA dhe UEFA. Në muajin që shkoj nënshkruam edhe marrëveshjen me Agjencionin e BE-së për Menaxhimin e Integruar të kufijve, Frontex.
Ne jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto të arritura tona janë edhe rezultat i ndihmës së Qeverisë shqiptare dhe institucioneve relevante të shtetit shqiptar. Veçmas gëzohemi kur sukseset që i arrijmë pa marrë parasysh se në cilën anë arrihen i përjetojmë si suksese të përbashkëta.
Kemi bërë progres të përbashkët në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Prizren dhe në Tiranë, ato kanë lehtësuar dhe po lehtësojnë bashkëpunimin tonë tregtar, në fushën e sigurisë, në fushën e arsimit, të kulturës bujqësisë dhe në sektorë të tjerë.
Projekti i interkoneksionit 400 kilovolt, së shpejti do të finalizohet edhe nga ana e Shqipërisë, dhe do t’i bëj sistemet tona energjetike komplementare e që rrjedhin nga burimet natyrore të të dy vendeve tona.
Po punojmë bashkërisht në çuarjen përpara të agjendës së Berlinit, duke rritur bashkëpunimin me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Infrastruktura të cilën e kemi ndërtuar specifikisht Rruga “Ibrahim Rugova” ka gjallëruar turizmin në të dy vendet dhe ka begatuar shkëmbimin kulturor, artistik, ka mundësuar që afër gjysmë milioni kosovarëve që të vizitojnë Shqipërinë gjatë një viti.
Në takime të tilla natyrisht se nuk mund të kalohet pa theksuar edhe përkrahjen shumë të madhe që e kemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkrahje e cila është kurorëzuar me lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë, si dhe me zhvillimin e përgjithshëm që e kemi që nga përfundimi i luftës.
Kjo mirënjohje dhe falënderim shkon edhe për NATO-n, edhe për shtetet aleate europerëndimore dhe gjithsesi edhe për Bashkimin Evropian për përkrahjen të cilën e kemi tani dhe e kemi pas edhe më parë.
Vlerësoj se kjo mbledhje sot përveç tjerash, do të jetë një shtytëse përpara e një procesi sa kualitativ aq edhe të domosdoshëm, procesit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore në Ballkan. Ky është proces eurointegrues, për të cilin ne jemi të përkushtuar të gjithë.
Ne jemi për dialog me të gjithë dhe në çdo kohë, prandaj jemi për dialog edhe më Serbinë. Vlerësojmë se heqja dorë nga dialogu me të tjerët është kthim në monolog antihistorik, izolim dhe përjashtim i proceseve progresive të cilat na kanë sjell në këtë shkallë të zhvillimit dhe në këtë dimension të faktorizimit si dhe në këtë nivel të integrimit ndër shqiptarë dhe evropian.
Ne jemi për fqinjësi të mirë dhe normale me të tjerët, prandaj jemi korrekt edhe në qasje me Malin e Zi, rreth demarkacionit të kufirit. Ne nuk konsiderojmë se po ja falim ose nuk po ja marrim asnjë metër katror Malit të Zi, por vetëm se po e shënojmë vijën e mëparshme administrative dhe atë po e shndërrojmë në vijë kufitare ndërmjet dy shteteve sovrane.
Epoka në të cilën po jetojmë jo vetëm që ka sfida të vështira, por disa nga to po bëhen edhe destabilizuese, duke kërcënuar mënyrën e të jetuarit dhe duke e destabilizuar jetën normale. Ekstremizmi dhe radikalizmi fetar po shfaqen ndër ne edhe me specifika lokale. Për më shumë po kërcënohet një nga shtyllat e identitetit tonë, toleranca fetare dhe një nga bazat e rrugëtimit tonë politik e kulturor, ai properëndimor. Kjo e keqe kërcënuese për të gjithë ne është edhe një arsye më shumë që shtetet tona duhet të vazhdojnë të bashkëpunojmë edhe më shumë ndërmjet veti.
I nderuari Kryeministër z. Edi Rama dhe ju anëtarë të kabinetit qeveritar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, të nderuar të gjithë ju pjesëmarrës.
Afrimi dhe bashkëpunimi ynë s’kanë qenë më i mirë e më vëllazëror se sa në këtë epokë, sepse ne tani e kemi të njëjtë edhe orientimin tonë politik, atë të integrimeve euroatlantike, e kemi të njëjtë edhe gjuhën ekonomike, atë të integrimit të lirë dhe konkurrues por edhe gjuhën shtetërore, atë të forcimit të shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Këto janë vlera dhe parime e koncepte për të cilat dy qeveritë tona do të vazhdojnë të punojnë të vetëdijshme se kështu më së miri po i mobilizojmë gjithë energjitë dhe imagjinatën tonë qytetare për t’i afruar sa më shumë dy shtetet tona, për të ndërtuar marrëdhënie sa më normale dhe më të mira me fqinjët tanë dhe për t’i çuar përpara proceset integruese evropiane në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe të jetës sa më cilësore për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen e juaj!
KRYEMINISTRI EDI RAMA:
Fort i nderuar kryeministër Isa Mustafa, të nderuar ministra dhe ministre të Kosovës dhe të Shqipërisë, bashkëqytetarë dhe bashkëatdhetarë në të dy anët e bjeshkëve tona.
Në Prizren, në qytetin ku shqiptarët afirmuan të bashkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar një shekull e gjysmë më parë, qeveritë tona nisën në 2014-tën një rrugëtim që tashmë ka krijuar një hapësirë të re dhe të jashtëzakonshme bashkëpunimi.
Duke e bazuar politikbërjen tonë mbi realitetin e një toke, një populli dhe një ëndrre të përbashkët, së bashku kemi transformuar kufirin nga një hendek i madh ndarës, në një urë të re bashkëpunimi që forcohet dita ditës.
Nga ky bashkëpunim lindi dhe ideja për krijimin e hapësirës së përbashkët energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Brenda pak javëve të ardhshme, ne do të jemi së bashku në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkoneksionit që lidh përfundimisht autostradën energjetike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të hapur një fazë të re për zhvillimin e kësaj hapësire të përbashkët.
Nga ana tjetër, është prioritet strategjik i përbashkët lidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP përmes territorit të Shqipërisë, duke vendosur hapësirën tonë në rrugët kryesore të kalimit të energjisë në Evropë.
Në këto dy vite, kemi krijuar një treg të përbashkët bujqësor duke njëjtësuar standardet dhe përshtatur metodat e legjislacionit në fushën e kontrollit ushqimor.
Jo vetëm ia dolëm, që më në fund, fëmijët tanë, të Shqipërisë dhe Kosovës të mësojnë gjuhën amë me të njëjtën abetare, por edhe e njëjtësuan sistemin parauniversitar, kurrikulat tona, duke hedhur themelet e një arsimi mbarëkombëtar.
Nga ana tjetër kemi nxitur bashkëpunimin shumë më intensiv universitar në fushën e kërkimit shkencor.
Kalendari i përbashkët kulturor i Shqipërisë dhe Kosovës është tanimë një realitet ku lëvizin lirisht artdashësit dhe kulturdashësit, duke shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj hapësire të bashkuar.
Në harkun kohor të dy viteve kemi konkretizuar edhe plotë marrëveshje të tjera bashkëpunimi për turizmin, mjedisin, policinë apo sigurinë kombëtare dhe më vjen mirë sot, që e shoh me më pak zili Policinë e Kosovës, jo sepse ajo është më pak e mirë seç ishte kur unë thosha që të marrim shembull nga Kosova, por sepse policia jonë i ngjan sot shumë më tepër asaj të Kosovës dhe besoj, që edhe në këtë drejtim ka ndihmuar bashkëpunimi dhe forca e shembullit të policisë suaj të shkëlqyer
Marrëveshjet tona, të karakterizuara për shumë kohë nga mbështetja absolute diplomatike e Shqipërisë dhe nga vizitat e ndërsjella, për festa, tituj nderi apo për ndonjë inaugurim, tashmë kanë hyrë në një fazë krejtësisht të re historike të një partneriteti strategjik në të gjitha drejtimet.
Prandaj, takimi i tretë i qeverive tona sot, vjen si një ushtrim i zakonshëm pune për të analizuar atë çfarë kemi arritur dhe jo për të programuar vitin pasues.
Është momenti për të shkuar më tutje sepse është bërë shumë, por ka edhe shumë për të bërë.
Për të shpejtuar procesin e nisur të shembjes së të gjitha barrierave jotarifore, njëjtësimit të politikave dhe të strategjive në të gjithë sektorët, si dhe për të përmbushur ambicien tonë të përbashkët që të konsolidojmë themelet e një hapësire mbarëkombëtare në rajon.
Rezultatet e punës së deritanishme janë vërtet shumë inkurajuese. Mjafton të nënvizojmë këtu, se në vitin e shkuar, shkëmbimet tregtare mes vendeve tona prekën për herë të parë kuotën e 200 milionë eurove, një shifër ende larg asaj që mund të jetë shifra e ndërveprimit tonë në fushën e marrëdhënieve tregtare, por që për herë të parë e vendosi Kosovën si destinacionin e dytë më të madh të eksporteve shqiptare, dhe, rezultat i drejtpërdrejtë i punës sonë të përbashkët për të zgjeruar hapësirën e ndërveprimit tregtar.
Marrëveshjen që do ta nënshkruajmë sot, për hetimin e përbashkët doganor e tatimor dhe ajo për partneritetin kufitar, koordinon përpjekjet tona për të formalizuar dhe integruar ekonomitë tona.
Hapat e mëtejmë që po hedhim për të krijuar një pikë doganore të Kosovës në portin e Durrësit, për të harmonizuar akcizat, unifikuar çmimet e referencave për transportet si dhe për të krijuar korridorin e gjelbër për eksport-importin e produktet sezonale bujqësore, padyshim do t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve tona.
Krijimi i qendrës së trajnimeve rinore dhe njëjtësimi i reformave në inovacion dhe administratë, do të bëjnë që Shqipëria dhe Kosova ta zgjerojnë më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, duke hedhur jo vetëm bazat për krijimin e një administrate moderne me standarde dhe procedura të njëjtësuara sipas shembullit të vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe për një ndërveprim të domosdoshëm në nivelin njerëzor mes të gjithë nëpunësve publik, këtej dhe andej bjeshkëve.
Shpallja e Liqenit të Fierzës, si zonë e mbrojtur e interesit të përbashkët, përbën hapin e parë drejt zhvillimit konkret të një platforme turistike ndërkufitare.
Qëllimi ynë është që ta shtrijmë këtë bashkëpunim gjatë gjithë basenit ku kalon Lumi Drin dhe ndërkohë nga ana jonë i kemi vënë një shtytje të fortë edhe projektit ndërkufitar të alpeve në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës.
Për herë të parë, vendet tona tashmë kanë një strategji të përbashkët për ruajtjen e mjedisit, duke u bërë bashkë për monitorimin e cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, si dhe për mbrojtjen e natyrës dhe administrimin e zonave të mbrojtura, si dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve tona natyrore.
Shqipëria dhe Kosova kanë qenë gjithmonë bashkë në ditët e tyre të mira dhe të vështira, por për herë të parë këtu, në Prishtinë, sot, ne do të firmosim një platformë që sanksionon bashkëpunimin tonë në rastin e fatkeqësive natyrore.
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër.
Para pak ditësh, u zhvillua në Tiranë takimi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ndonëse konflikti në Ukrainë, kriza e refugjatëve dhe kriza e besimit që po përjetojnë shumë vende evropiane ishin temat kryesore të agjendës nuk ishim vetëm ne përfaqësuesit e Shqipërisë që theksuam nevojën e institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën. Kontesti gjeopolitik kompleks, influencat e aktorëve të tretë në rajon, por edhe jetësimi i synimit legjitim të Kosovës për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës imponon një marrëdhënie të re cilësisht të përtërirë me Aleancën dhe Shqipëria pa asnjë diskutim është avokati më i fuqishëm i Kosovës në gjirin e Aleancës.
Bashkimi i forcave tona është një domosdoshmëri. Ne na duhet të jemi të vetëdijshëm në çdo moment se duhet të jemi bashkë për t’i nxitur partnerët evropianë të kuptojnë deri në fund dhe të pranojnë si të pashmangshme nevojën e integrimit sa më të shpejtë të Ballkanit, jo si një nevojë thjesht e jona por si një projekt strategjik evropian. Jo si një vazhdë e një procesi të burokratizuar integrimi por si një domosdoshmëri për një Evropë më të sigurt me një Ballkan plotësisht të integruar në të.
Për shumë vite me radhë ne e kemi bashkuar zërin tonë më zërin tuaj për padrejtësinë e madhe të izolimit të Kosovës si vendi i fundit evropian dhe njëkohësisht shteti më i ri i Evropës që kishte nevojë për viza për të udhëtuar në kontinent. Lajmi për liberalizimin e vizave na ka çliruar të gjithëve por ka çliruar edhe Bashkimin Evropian nga një turp i madh. Njohja e Kosovës nga UEFA dhe nga FIFA në muajin prill çeli një kapitull krejtësisht të ri jo vetëm për Kosovën por edhe për vetëdijesimin e gjithkujt tjetër që ende e sheh Kosovën me bisht të syrit.
Ëndrra jonë, bashkimi kombëtar përmes Bashkimit Evropian, e bazuar mbi politikbërjen mbi realitetet dhe jo nisur nga emocionet apo nga nevojat për të shfrytëzuar varfërinë dhe pakënaqësitë e njerëzve, duke yshtur nacionalizmin primitiv është një frymëzim i përhershëm i yni. Në fillim të viteve 1900-të, Isa Boletini thoshte se “diplomacia e vërtetë mbështetet mbi udhën e mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që dinë me pajtue të drejtat dhe nevojat e atdheut të vet në kushtet e politikës së përgjithshme”. Një shekull më pas me këto fjalë ne mund të vazhdojmë përpara të vendosur drejt bashkimit kombëtar dhe të përshkruajmë më së miri qëndrimin e bazuar mbi arsye të diplomacisë sonë dhe të vetë rrugës sonë drejt ëndrrës së përbashkët që të jemi të bashkuar në flamurin e Bashkimit Evropian.
Realitetet më shumë se pasionet i drejtojnë sytë e Shqipërisë nga Kosova, me projektin përbashkues të një populli jo më të fragmentuar por njëkohësisht dhe të një Ballkani jo më fragmentar por të unifikuar nga sinergjitë e përbashkëta nga strategjitë gjithëpërfshirëse në një terren të kultivuar nga bashkëjetesa.
Era e re e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë i shërben pikërisht këtij qëllimi jetik për rajonin ku jetojmë por edhe të drejtës së gjeneratës tjetër në krejt rajonin, për të jetuar në paqe, në siguri dhe në bashkëpunim. Nga ana tjetër Shqipëria e mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, si mënyrë për të thelluar bashkëpunimin në rajon duke na imponuar të gjithëve një koordinim gjithmonë e më të ngushtë mes nesh. Dhe nga ana tjetër ne e kemi inkurajuar dhe do ta inkurajojmë gjithmonë lidershipin tuaj për të shkuar përpara me këtë guxim në dialog sepse është një dialog që ndoshta për asgjë tjetër e lartëson Kosovën, vetëdijen shtetformuese të Kosovë dhe vizionin e Kosovës si një vend i paqes dhe harmonisë mes të gjithëve në sytë e gjithë partnerëve dhe miqve të Kosovës.
Shqiptarët në rrugëtimin e marrjes së plotë të të drejtave që u përkasin duan sa më shumë ekuilibër dhe asnjë prishje ekuilibri. Por ne nuk do të rreshtim së nënvizuari se të drejtat e plota të shqiptarëve të Maqedonisë dhe jetësimi në frymë dhe në germë i Marrëveshjes së Ohrit janë një domosdoshmëri për një Maqedoni që ne e duam të fortë, e duam stabile dhe e duam pjesë të gjithë integrimeve, qoftë në Bashkimin Evropian dhe qoftë në NATO.
Nga ana tjetër ne nuk do të rreshtim së nënvizuari se të drejtat e shqiptarëve të Luginës duhet të respektohen të paktën po aq sa edhe të drejtat e pakicave tjera në Kosovë dhe në Shqipëri. Dhe cilido që do të di se si respektohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës le të marri shembull se si Kosova i respekton të drejtat e serbëve në territorin e saj.
Dy vjet më parë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së një prej artistëve më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë rajoni ynë, Bekim Fehmiut, unë dhe kryeministri i Serbisë, u bashkuam në një telegram të përbashkët ku secili prej nesh dakordësohej në pikën se cilindo rrugëtim të jetës që zgjedhim për të qenë bashkë ajo rrugë do të jetë veçse një pasuri më shumë për ne.
Shqiptarët dhe serbët deri pak kohë më parë, përpara se të hynim edhe në procesin historik të Berlinit dy vendet tona nuk do të ishin në gjendje të dakordësoheshin as edhe për tekstin e një telegrafi të thjeshtë për një aktor botërisht të njohur, ndërsa sot jemi në gjendje të dakordësohemi për shumë e shumë më tepër.
Procesi i Berlinit është duke bërë të mundur ripajtimin më të madh që Evropa ka njohur që prej kohës kur Gjermania dhe Franca lanë pas të shkuarën e hidhur për t’u shndërruar në dy lokomotivat themeluese të Bashkimit Evropian. Nën shembullin franko-gjerman ne besojmë se shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë të njëjtën gjë për Ballkanin dhe të japin një shembull të ndritshëm për të gjithë Evropën e sotme. E nga ana tjetër, jemi të bindur se procesi i Berlinit që udhëhiqet me korridoret e përbashkëta rrugore energjetike apo kulturore dhe që krijon premisa të shkëlqyera, ura bashkëpunimi mbi lumenjtë e urrejtjes dhe gjakut të së shkuarës është shansi ynë i madh historik, të cilin ne kemi vendosur që të mos e humbasim sepse nuk mund të humbasim të drejtën e gjeneratës tjetër për të jetuar në një rajon shumë më të fortë ekonomikisht, dhe shumë më të denjë politikisht e shumë më të admiruar kulturalisht.
Krijimi i tregut të përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor, një vizion i shprehur nga Shqipëria në këtë proces, do të nxis vendet tona në intensifikimin e bashkëpunimit midis tyre për të qenë shumë më të hapur ndaj investimeve për të rrëzuar të gjitha barrierat tregtare në të gjithë rajonin duke e kthyer rajonin në një model ndërveprimi të ngjashëm si dy pika ujë me ndërveprimin në hapësirën e Bashkimit Evropian, pavarësisht se ende nuk jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe duke lehtësuar lëvizjen e forcës punëtore të kualifikuar dhe të profesionistëve.
Të dashur miq.
Kemi arritur të bëjmë shumë dhe të bëjmë shumë realitet gjëra që dy vite më parë mund të dukeshin thjesht dhe vetëm premisa propagandistike. Megjithatë jam shumë i bindur se mund të bëjmë shumë dhe shumë më mirë. E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesë së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën he vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpive tona na kanë mbajtur shpesh dhe gjatë të veçuar. Por kjo s’ka se si të ndodhë. Edhe Samiti i Diasporës shqiptare që ne po e organizojmë së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe do ta mbajmë në Tiranë në nëntor do të jetë një tjetër hapësirë që do të bëj të mundur të komunikojmë jo vetëm në mes veti por edhe me të gjithë ata qa kanë jetuar jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, kanë bërë për Shqipërinë dhe Kosovën si emigrantë atë që askush tjetër nuk mund ta bënte përveç tyre.
Ngritja e urave të njohjes e të komunikimit, të dijes në mes të shqiptarëve kudo në botë është një investim strategjik që do ta bëjmë më shumë, do ta bëjmë më mirë do ta bëjmë së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët.
Në mbyllje të fjalës time dua të sjell fjalët e një albanologu të madh Maksimilian Lamberc, i cili dikur pat thënë “Histori e vërtetë e njerëzimit do të mund të shkruhet vetëm kur shqiptarët lejohen të marrin pjesë në shkruarjen e saj”. Sot, këtu nga Prishtina askush nuk na pengon që të bëhemi pjesë e shkrimit të historisë së re të Ballkanit dhe të Evropës moderne, demokratike, të barabartë për të gjithë, të mëdhenj apo të vegjël, të vjetër në familje evropiane apo më të ri në të. Duhet vetëm të vendosim njëzëri se çfarë do të shkruajmë dhe të bëjmë çmos që ajo që shkruajmë të përputhet me realitetin që së bashku mund, duhet dhe do të ndërtojmë. Shumë faleminderit!